“Imperializimi i fjalës”

    Ben Andoni

    Koncepti “Imperializimi i fjalës” i takon “Imperializimi i fjalës” studiuesit Roland Barthes dhe është shtjelluar në funksion të forcës së fjalës, shenjave dhe të ardhmes së konceptimit të tyre. Vetëm një dijetar si ai mund shkonte në zgripet ku fjala përplaset e përballet me imazhin. Në argumentime, ku gjuhësia, antropologjia, historia përpiqen të shtjellojnë gjëra që i kemi përballë dhe e quajmë detyrë të kryer funksionin e tyre thjeshtësisht parak, ku fjala transmeton komunikimin dhe imazhi na tregon një konceptim shqisor.

    Anipse, koha ku po jetojmë po tregon se fjala dhe imazhi janë krejt ndryshe nga ajo që po përballim në realitet. Lufta në Lindjen e Mesme dhe sulmet e SHBA-ve mbi Iran; dialogu i shtrembëruar dhe i munguar për Rendin e Ri që vjen përmes shumë burimeve, të cilat konfuzojnë paq realitetin; politika konfuze e palëve në vend, ku ajo që përcillet për publikun është larg realitetit që ato veprojnë po na tregojnë se fjala dhe imazhi janë ndryshe nga ajo që perceptohet.

    Jo më kot, sot, ngatërrohemi me dhe pa dashje në anësitë ndaj konflikteve, kuptohet më së shumti proSHBA; ashtu si barrikadohemi në çdo gjë që përcillet në politikën e brendshme nga Rama dhe Berisha, dy protagonistët e padiskutueshëm të jetës së vendit. Po kur sheh në thellësi, kupton se palët dialogojnë dhe forcat e mëdha ndërkombëtare kanë dhe shumë kanale që parashtrojnë interesat e tyre në kurriz të më të dobëtëve.

    Në vend, në areale aq të ngushta si tonat, qytetari “shtanget” kur kupton se vota e PS dhe PD bashkohet shpesh për interesa dhe në fund madje e materializojnë edhe me një Kod Zgjedhor ndaj të cilit hedhin pa fund vrer, kur mbarojnë zgjedhjet! Kurrë më shumë se sot: fjala nuk është bërë kaq e domosdoshme për t’u fshehur. Ajo që shkruhet shpesh është larg asaj që përfytyrohet dhe realisht mendohet. Përveç presidentëve BIG (Trump-Putin-Xi Jinping), që kanë në dorë dhe luajnë fatet e botës dhe madje as nuk e përmendin më demokracinë (nuk ka çfarë t’u duhet); të vjen ndot sa herë dëgjojmë nga politikanët tanë të përdorin vend e pa vend fjalët “demokraci” dhe “liri”, ndërkohë që kuptimi i tyre i vërtetë është shumë më i ndryshëm.

    Në kohën e tij, një vëzhgues i hollë si George Orwell i etiketoi ato si: “Fjalë pa kuptim”. Dhe, sipas tij, fjalët e tilla si “liri”, “demokraci” dhe “drejtësi” janë shpërdoruar aq shumë sa kuptimet e tyre origjinale janë zhdukur fare.

    Po, sipas Orwell, fjalë të tilla: “shpesh përdoren në mënyrë të ndërgjegjshme në forma të pandershme”. Të besosh sot SHBA-të që nuk do ndërhynin, sipas premtimit alla-Trump; apo Izraelin që luftonte për “të drejtën” dhe tashmë godet refugjatët edhe kur marrin bukën; të besosh Iranin që e kërkon uraniumin vetëm për qëllime civile (!); të besosh Perëndimin se askush nuk duhet ta ketë armën bërthamore dhe tolerojnë Netanjahun, ndërkohë që ky moral e la Ukrainën të ekspozuar ndaj një fuqie të pamëshirë si Rusia, atëherë trandesh me hipokrizinë e fjalës. Nga ku deklaratat e Putinit e kanë kaluar diskursin e agresorëve të tetë dekadave më parë me fjalinë cinike të pak ditëve më parë: “ku shkel këmba e ushtarit rus është tokë ruse!”.

    Në këtë sens, fjala e politikës sonë është fare e papërfillshme në skakierën e ngjarjeve të përbotshme, ndërkohë që duhet të kujdeset më shumë për shqiptarin e thjeshtë. Atij që tashmë mendon sesi të ikë një orë e më parë nga Shqipëria dhe atyre që kanë mbetur në vend dhe mbijetojnë para padrejtësive që gjenden kudo nga Drejtësia, Administrata dhe Kotësia.

    Në vend të përgjigjeve, Partia Socialiste po përgatit një Akademi, ku do udhëzojë deputetët rishtarë si ta përshtatin diskursin e tyre në funksion të Partisë; ashtu si Partia Demokratike në vend të përgjigjeve për njerëzit e saj, do të vazhdojë t’i mbajë me gogolin e zgjedhjeve 2025, për të cilat u lajmëruan, këshilluan dhe iu kërkua të gatiteshin t’i ruanin shumë muaj më parë. Veçse, kjo është e kotë: fjala e Berishës mbyt çdo gjë ndryshe me argumentin se askush nuk e zëvendëson dot, kurse te PS-ja për Ramën tashmë flasin me sensin e të papërsëritshmit në historinë e kësaj force.

    Ajo që njeriu i kohës së sotme do donte ishte që imazhi me fjalën të shkonin dhe të kishin një lloj arsye që të mos i shkëpuste dot nga realiteti. Po për këtë sot argumenti s’ka vend, sepse vendin e saj e ka marrë propaganda. Ajo e huaja është më e frikshmja sepse tani ka kapluar shumicën e medias ndërkombëtare, kurse përsa i përket asaj të vendit, e shikon ngado pafuqinë e fjalës përballë imazhit të paqartë.

    “Lidhja e imazhit (apo pasimit të tij, shkrimit) dhe fjalës, është një lidhje statutore: përmes këtyre dy gjuhëve, trupi shpërndahet në barazi: ai i specifikon funksionet e veta (teknike apo neurotike) sipas dorës dhe fytyrës, vizionit dhe gjestit, por shkurt- dhe kjo do të ishte arritja e fundit antropologjike e njerëzimit-asnjëherë pa njëri-tjetrin”, – shkruan Barthes. Deri këtu nuk arrihet dot në atë kuptim që fjala mund të imperializohet. Në esetë e tij, Barthes prezantoi idenë se shenjat kanë dy nivele kuptimi. Asaj që i referohet kuptimit të drejtpërdrejtë, ndërsa tjetri që lidhet me konotacionin përfshin shoqërimet kulturore dhe emocionale që vijnë me interpretimin e një shenje.

    Ky koncept, sipas Barthes, shpjegon se si shenjat mund të përdoren për të përcjellë kuptime komplekse përtej interpretimit të tyre të drejtpërdrejtë. Por, në argumentimin tonë, imperializimi i fjalës ka pushtuar gjithçka dhe na dominon veç imperializmit të vërtetë, i cili është mbi kinse demokracinë e kohës tonë. Dhe, Barthes mundi ta argumentojë idenë se gjuha mund të përdoret si një mjet i dominimit kulturor, ku fjalë ose fraza të caktuara ishin të mbushura me pushtet dhe do ndikonin në opinionin publik.

    Për fat të keq, nëse do jetonte në kohën tonë (vdiq më 1980), shtjellimi i tij do merrte formë tjetër, kurse realiteti ku po jetojmë, mund t’i tregonte se imperializimi i fjalës po dominon me pushtetin dhe cinizmin e frazës, që po na fsheh imazhin, ku njerëzimi po përballet me të papritura të vazhdueshme që shkojnë deri te mbijetesa.

    Nëse përballë Fuqive të Mëdha tashmë nuk ka argument, na mbetet që imperializimin e fjalës ta kufizojmë sa të mundim, që në hapësirën e pakët të mbetur të arrijmë e të jetojmë në gjithnjë e më pak mundësitë që po na lihen. Gjuha, kultura dhe pastaj pushteti përbëjnë trinomin ashtu si e përfytyronim në kuptimin parak, i cili mund të çojë deri në zhdukje të shkrimit dhe, kurorëzimin e një imperializimi të fjalës për pasardhësit, “sidoqoftë do të ishte një e ardhme patjetër barbare”, do ta parashihte Barthes, sikur ta kishte imagjinuar këtë kohë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bashkimin Europian nuk e pyet askush!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë