Dr. Linda Ziberi
Profesoreshë në RIT Kosova
Hulumtuese shkencore në Qendrën për Komunikim dhe Shëndet Global në Universitetin e Indianës, në SHBA
Editore e revistës speciale shkencore “Qasje të bazuara në kompleksitetin e komunikimit shëndetësor”, në Frotiers (open access publication)
Intervistoi | Donika Bakiu
Nistori: Çfarë roli luan komunikimi në demokracitë fluide, përkatësisht si kjo e Maqedonisë së Veriut?
Linda Ziberi: Komunikimi dhe demokracia janë shumë ngushtë të lidhura njëra me tjetrën. Nuk mund të ketë demokraci pa komunikim të mirëfilltë, sikur që nuk mund të ketë komunikim efektiv pa demokraci funksionale. E drejta për të komunikuar përfshin të drejtën për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, si dhe të drejtat dhe liritë në komunikim pa dallim gjuhe. Andaj edhe komunikimi i mirëfilltë është ngushtë i lidhur me lirinë e shprehjes dhe të menduarit, gjë që edhe paraqet bazën e një demokracie.
Është gjithashtu e rëndësishme të ceket se, nuk mund të ketë demokraci edhe pa pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Mediat, si një formë e rëndësishme e komunikimi të lirë në një shoqëri demokratike, e kanë për detyre t’i informojnë, edukojnë dhe mobilizojnë qytetarët. Andaj, komunikimi luan rol kyç në një shoqëri demokratike pasi është mjeti përmes të cilit ndahen dhe kuptohen idetë dhe opinionet e qytetarëve. Një komunikim i mirëfilltë mediatik ka potencial të shërbej si një lidhje e rëndësishme midis pjesëve të ndryshme të një shoqërie dhe të rrit kulturën dhe dijen mes njerëzve. Kjo gjë është tejet e rëndësishme në një shoqëri multietnike dhe shumëgjuhësore si Maqedonia e Veriut.
Mediat, si një formë e rëndësishme e komunikimit, sot, paraqesin shtyllën kurrizore të demokracisë dhe luajnë rol vendimtar në formësimin e një demokracie të shëndetshme. Nuk mund të ketë demokraci pa media të qëndrueshme, të cilat e kanë për detyre t’i vetëdijësojnë qytetarët për aktivitetet e ndryshme shoqërore, politike dhe ekonomike në vend, në rajon apo në botë. Sot, mediat sociale na lejojnë të informohemi për ngjarje të ndryshme në vend apo në botë vetëm me një klikim në telefonat tonë dhe kjo ka sjell ndryshime të mëdha në shoqëritë tona, si zbulimin e korrupsionit të politikanëve, nepotizmin, diskriminimin mes grupeve të ndryshme, etj., duke nxitur edhe grupe qytetarësh apo organizata qe më pas bëjnë presion në opnionion apo qeveri për të ndryshuar gjërat. Andaj, komunikimi i mirëfilltë mediatik ka potencial të identifikon zbrazëtitë në sistemin demokratik, i cili mund ta ndihmon qeverinë të mbushë vakumin dhe ta bëjë një sistem më të përgjegjshëm dhe më miqësor ndaj qytetarëve. Një demokraci pa media të përgjegjëshme është si një automjet pa rrota.
Nistori: A kanë nevojë Shkencat e Komunikimit të afirmohen më shumë nga Universitetet në Maqedoninë e Veriut?
Linda Ziberi: Patjetër se po. Komunikimi si shkathtësi duhet të mësohet që nga shkolla fillore, kurse Shkencat e Komunikimit duhet medoemos të studiohen në universitete dhe studime post-universitare. Kjo tani më është praktikë e njohur në mbarë botën dhe ky drejtim patjetër se duhet të jetë pjesë e çdo kurrikule në studimet universitare edhe në Maqedoninë e Veriut.
Shkathtësitë e komunikimi paraqesin aftësi themelore të dobishme për të gjithë ne, në të gjitha aspektet e jetës. Pa aftësi të zhvilluara të komunikimi, nxënësit rrezikojnë të mbeten prapa bashkëmoshatarëve të tyre, të mbingarkohen emocionalisht apo edhe të tërhiqen nga shkolla dhe te shprehin mosinteresim, gjë që është bërë shumë problem në kohën e fundit. Aftësitë efektive të komunikimit mund të ndihmojnë në krijimin e përshtypjeve më të mira tek të tjerët dhe u mundësojnë fëmijëve, adoleshentëve apo studentëve, të angazhohen në biseda të qarta, me gojë apo me shkrim. Për më tepër suksesi akademik i nxënësve dhe studentëve varet nga aftësitë solide të komunikimit.
Studentët në universitete, e kanë shumë me rëndësi të kenë lendën “Të Folurit Publik” (apo Public Speaking), pa marë parasysh se çka studiojnë, qoftë mjekësi, drejtësi, arkitekturë, apo çfarëdo lloj fushe tjetër. Të gjitha universitetet në botë e ofrojnë këtë lendë, ku studentët mësojnë strategji të ndryshme të komunikimit me të tjerët për tema të ndryshme. Gjithashtu, lëndët që ofrojnë shkathtësi debatimi i ndihmojnë studentët të zhvillojnë aftësitë e komunikimit në një mjedis ku temat janë zakonisht sfiduese, me çështje të nxehta, që kërkojnë kërkime të avancuara dhe një bazë të fortë njohurish. Përveç që aftësitë e komunikimit ndihmojnë në mënyrë të dukshme në suksesin e një studenti në universitet apo më pas edhe në punë e karrierë, aftësitë e forta të komunikimi ndihmojnë studentët të bëhen edhe dëgjues më të mirë, të zhvillojnë ndjeshmëri ndaj të tjerëve duke krijuar lidhje të vërteta me to përmes komunikimit, të zhvillojnë aftësi të menduarit kritik, etj, që është edhe baza e formësimit të një intelektuali me diplomë universitare.
Sa u përket studimeve të komunikimit, duhet të ceket se kjo fushë studimi është tejet multidisciplinare dhe në universitete të ndryshme studiohet me fokuse apo drejtime të ndryshme. Përderisa në Evropë shkencat e komunikimit shihen si lëmi ngushtë të lidhura me studimet e gazetarisë, mediave, marrëdhënieve publike dhe marketingut, në SHBA perveç këtyre sferave, shkencat e komunikimit studiohen edhe në sferën e komunikimit në drejtësi, komunikimit në mjekësi apo komunikimit dhe shëndetit fizik apo mendor, si dhe komunikimit orgnizativ, që ka të bëje me sferën e menaxhmentit dhe biznesit.
Nistori: Çfarë duhet të ketë parasysh sot një student kur përcaktohet të studiojë Shkencat e Komunikimit?
Linda Ziberi: Një student i komunikimit sot duhet të ketë parasysh se ka zgjedh një drejtim studimi tejet multidisciplinar me mundësi të ndryshme studimi, por edhe aplikime të ndryshme në karrierë, si dhe me një përgjegjësi të theksuar në sjellje dhe komunikim me të tjerët. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se pa marë parasysh se në çfarë drejtimi apo sfere fokusohet studimi i komunikimit në universitetin e tyre, ata do të kenë mundësi t’i aplikojnë dijenitë e tyre në sfera dhe profesione të ndryshme. Si për shembull, nëse një student ka zgjedhur një department komunikimi që fokusohet në gazetari apo media, nuk do të thotë se po i njëjti student, pas diplomimit, do të behet gazetar i famshëm apo ekspert medial në kompani të mëdha mediatike. Pervec ketyre profesioneve, këta student do të kenë mundësi të punojnë në kampanja politike, në sektore të ndryshme qeveritare, në sektorin joqeveritar si dhe ne biznese dhe korporata të ndryshme. Kjo do të thotë se mundësitë e tyre nuk do të kanë limit, por në të njëjtën kohë, ata duhet të jenë shumë mirë të informuar për atë se çka duhet të bëjnë për të arritur deri tek këta mundësi.
Më me rëndësi, ata gjithashtu duhet ta dijnë se do të kenë një përgjegjësi më të theksuar për atë se si komunikojnë me të tjerët si në aspektin ndërpersonal ashtu edhe në mediat sociale, pasiqë gjithnjë do të jenë të gjykuar për nivelin dhe mënyrën e komunikimit të tyre. Andaj edhe duhet ta shfrytëzojnë çdo mundësi për të marrë dijeni dhe shkathtësi të ndryshme gjatë studimeve universitare dhe kjo nuk do të thotë se duhet të përqendrohen vetëm te lendët që i kanë në universitet, por gjithnjë të kërkojnë dijeni shtesë që tani mund të merren shumë lehtë edhe online, si dhe dijeni edhe të tekonologjive të informimit pasi që këta tani me janë ngushte të lidhura me shkencat e komunikimit.
Nistori: Në çfarë duhet të kenë kujdes universitetet kur pranojnë studentë të ri që duan të studiojnë median?
Linda Ziberi: Universitetet duhet të kënë shumë kujdes kur pranojnë studentë të rinj që do të studiojnë median apo komunikimin. Pikë së pari, këta studentë duhet të kenë aftësi elementare në të shkruar dhe të lexuar, si dhe kulturë të mirëfilltë leximi. Ata gjithashtu duhet të tregojnë aftësi të mendimit kritik, njohuri elementare të çështjeve rajonale dhe globale si dhe të demonstrojnë përgjegjësi etike në komunikim. Këta janë aftësitë elementare që duhet t’i ketë një student i komunikimit dhe këto gjëra shumë lehtë mund të diagnostikohen në fillim të studimeve. Nëse vlerësohet se studentët nuk i kanë këta aftësi, atëherë universitetet duhet t’i ofrojnë që nga semestri i parë.
Universitet gjithashtu duhet të kërkojnë njohuri të mirëfilltë të gjuhës amtare, por është shumë me rëndësi që të kerkojnë edhe njohuri të gjuhëve të huaja, si atyre rajonale por dhe globale. Nuk ka se si të bëhet një student i komunikimit i suksesshëm në ndonjë sferë, nëse se paku nuk di të merret vesh me një anëtar tjetër të komunitetit të tij/saj që flet një gjuhë tjetër, apo të komunikon me një ekspert apo politikan botëror. Këtë e potencoj për shkak se në kohën e fundit e shoh se ka një rënie në interesin e studentëve për të mësuar gjuhë të huaja, dhe kjo gjë është shumë dëshpruese por edhe e frikshme në kohën e sotme, kur jetojmë në një botë globale të ndërlidhur aq shumë, e aq me shumë këtu në Maqedoninë e Veriut ku fliten disa gjuhë tē ndryshme. Për mendimin tim, njohuria e gjuhëve tjera është pasuri për një njeri të thjeshtë, por domosdoshmëri për një komunikolog të mirëfilltë.
Nistori: Ju keni studiuar në Shtetet e Bashkuara. Cili është dallimi i komunikimit në ShBA dhe në vendin tonë në marrëdhënien profesorë – studentë?
Linda Ziberi: Kultura amerikane është një kulturë shumë joformale dhe kjo gjë reflektohet edhe në komunikimin e përgjithshëm në SHBA por edhe në mesimdhënie dhe mësimxënie. Përderisa në shtetet Balkanike, ne jemi mësuar me një qasje më tradicionale në mesimdhënie, ku profesori shihet si dhënës informatash, pra si dikush që e ka dijenin, kurse studenti si dëgjues pasiv i profesorit dhe ndjekës të urdhërave të tij/saj, në SHBA komunikimi në klasë është shumë më ndryshe. Atje, edhe pse profesori ka autoritet, ai/ajo e shohin veten si udhërëfyes në mësimdhënie, e jo vetem dhënës informatash. Qasja e tyre është se edhe studenti ka një dozë kredibiliteti për të marrë pjesë në mësimëdhënie, pasi që çdo student vjen me një bagazh dijenish të ndryshme. Andaj edhe atje potencohet shumë komunikimi në klasë, aktiviteti i studentëve gjatë lendëve praktike, pjesëmarrja e tyre në hulumtime dhe projekte të ndryshme, kështu që pjesëmarrja e studentëve në klasë është kyçe. Gjithashtu, nga studentë pritet edhe një dozë autonomie dhe iniciative, ku ata vetë duhet të shprehin interesat e tyre për gjërat që duan t’i mësojnë, aplikojnë apo hulumtojnë, kështu që studentët ngelin shumë të angazhuar në procesin e mësimdhënies dhe mësimxënies dhe gjithë kjo shpie në dijeni më të mirëfillta në lëminë të cilën ata e studiojnë.
Nistori: Pse duhet të ketë lëndë të Komunikologjisë, përkatësisht Edukim medial në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut?
Linda Ziberi: Si që thash më herët, është më se e nevojshme të përfshihen lëndë të komunikimit dhe edukimit medial jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në ato fillore në Maqedoninë e Veriut. Mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme ballafaqohen me shumë probleme shoqërore, duke përfshirë analfabetizmin, teknologjitë e reja, si dhe nxënës që vijnë nga familje jofunksionale. Si pasojë, ata ballafaqohen me problemet e drogës, varfërinë, përfshirjen e pakicave, si dhe dhunën në familje dhe në shkollë. Në anën tjetër, spektri i teknologjive të komunikimit që nxënësit e hasim në jetën e tyre të përditshme dita ditës veç se rritet. Ata janë të ekspozuar në disa platforma të ndryshme mediale, si Instagram, Tik Tok, Facebook, Youtube, Twitter, si dhe aplikacione tjera të cilat i përdorin për të komunikuar me shokët, për të luajtur lojra, si dhe për tu informuar. Nëse shkollat synojnë t’i përgatisin nxënësit të funksionojnë në mënyrë efektive në shekullin 21, ato duhet pikë së pari ta kuptojnë këtë spektër të madh platformash mediale, e më pas t’i trajtojnë ata në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Gazetat, revistat dhe televisioni, nuk janë më burimet kryesore të informacionit tek të rinjtë, dhe duhet ta kemi parasysh se ata marrin pjesën më të madhe të informacioneve nga mediat sociale në formë videosh, të shkruar, apo në formë podcasti. Andaj, nëse nuk i mësojmë ato se si të marrin informacione nga këto media, si mund të presim nga ata që të bëjnë vlerësimin e duhur nëse informata ështe e saktë dhe e bazuar në fakte? Andaj edhe edukimi mediatik dhe komunikimi sot duhet të jetë prioritet për shkollat, pasi që ata duhet të jenë të vetëdijshëm për shkallën e rëndësisë së ketyre mediave në jetën e nxënësve.
Ndërgjegjësimi mediatik dhe njohuritë e komunikimit mund t’i ndihmojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të mesojnë teknika për te vlerësuar marketingun që përdorin pasiguritë e të rinjve ose vetëvlerësimin e ulët të tyre, për të nxitur përdorimin e duhanit, alkoolit, drogës, si dhe sjelljeve të tjera negative. Njohuritë e komunikimit mund gjithashtu të ndikojnë në thyerjen e stereotipeve dhe keqkuptimeve mes grupeve të ndryshme shoqërore, në mënyrë që ato të mos helmojnë qëndrimet dhe marrëdhëniet ndërpersonale mes nxënësve. Më me rëndësi, edukimi medial i mirëfilltë mund të ndihmojë të rinjtë të mësojnë se si ti vënë në dyshim lajmet dhe informacionet e rrejshme të transmetuara nga mediat e ndryshme, si dhe t’i mësojnë ata se si t’i përdorin mediat si një mjet për të mësuar gjatë gjithë jetës.
Nistori: Këshilla juaj për ata që duan të studiojnë Komunikimin/Median?
Linda Ziberi: Shkenca e Komunikimit dhe Mediave është një industri në zhvillim e sipër, që si pasojë e teknologjive të reja të informimit, gjithnjë është në ndryshim, me një ritëm të shpejtë. Andaj edhe keshilla ime për studentët qe duan të studijojnë Komunikimin apo Median është që të qëndrojnë të informuar, si në aspektin e lëmive të komunikimit, ashtu edhe në sferën e teknologjive të informimit. Gjithashtu, do t’i kisha këshilluar që të ekspozohen në media edhe gjatë studimeve dhe të krijonë prezence mediale si në mediat sociale ashtu edhe në blogje, twitter dhe revista, podcaste, apo media tjera. Është me rëndësi të kenë një “role model” që do ta ndjekin në twitter apo diku tjetër, dhe kjo do tu ndihmon të definojnë më mirë interesat e tyre si dhe të gjinden në profesion në te ardhmen. Së fundi, për shkak se ky drejtim ështe gjithnjë në zhvillim dhe ndërtim e sipër, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se studimi i tyre nuk mbaron me marrjen e diplomës. Ky profesion kërkon një përkushtim të madh si dhe mësim dhe zhvillim gjatë tërë jetës, andaj edhe u kisha sugjeruar që gjithnjë të jenë në kërkim të dijenive të reja. /Nistori/