Liria dhe përgjegjësia në profesionin mjekësor

    DR. FATMIR BRAHIMAJ 

    Si në çdo degë të shkencës edhe në mjekësi është ecur: nga padija në arritjen e dijeve të sakta dhe shkencore. Kjo s’ka qenë aspak e lehtë sigurisht ka kërkuar shumë punë, vrojtime të zgjatura, prova dhe eksperimente, dështime dhe arritje, humbje dhe fitore. Në këtë ecuri të gjatë dhe të vështirë nga lashtësia deri në ditët e sotme objektivi ka qenë i njëjtë; mbrojtja e jetës, e shëndetit fizik dhe mendor të njeriut, lehtësimin e vuajtjes së tij.

    Por prej lashtësisë mjekëve ju është lënë një postulat: Primum non nocere (së pari mos dëmto). Në këtë thënie mishërohen dy koncepte bazë të punës së mjekut: liria dhe përgjegjësia profesionale e tij. Pavarësisht nga mënyra e punës apo niveli i dijeve të kohës, ky binom ka funksionuar gjithmonë. Liria është konfirmuar gjithmonë duke thënë se mjeku ka të drejtën dhe detyrën të ushtrojë profesionin me autonomi profesionale dhe në pavarësi klinike. Ai është i lirë të shpjegojë opinionin e tij profesional në lidhje me kujdesin dhe trajtimin e të sëmurëve pa u ndikuar nga influenca të jashtme nga palë apo persona, duke synuar gjithmonë të mirën të sëmurëve dhe shoqërisë. Përgjegjësia është reflektuar në faktin se vetë specifika e misionit të mjekut (jeta e njeriut dhe mirëqenia e tij është gjëja më e shtrenjtë) ka bërë që si individ apo edhe në grup të analizohet, gjykohet dhe vlerësohet çdo rast i vështirë, çdo mos sukses apo dështim.

    Kërkesa e vetme ka qenë: A është bërë gjëja e duhur? A është bërë maksimumi i mundshëm? Gjithmonë nga pësimi është nxjerr mësim. Kjo linjë e ngritur në nivelin e studimeve dhe kërkimeve shkencore mjekësore ka bërë të mundur disiplinimin e rutinës, fillimisht me skema apo algoritme mjekimi, e më tej me udhërrëfyes dhe protokolle si diagnostike dhe terapeutike. Këto metoda synojnë të risin efikasitetin e kujdesit mjekësor, përmirësimin e cilësisë së shërbimit, dhe rritjen e saktësisë si shkencë mjekësore. Si edhe rritjen e përgjegjësisë së mjekut.

    Kur zbaton një protokoll do të thotë se zbatohet një procedurë, një qëndrim apo trajtim, që është hartuar, krijuar dhe miratuar nga një grupim cilësor specialitetesh, pra respektohet një standard profesional i njohur dhe i ligjëruar. Kur zbatohet një praktikë e tillë, pavarësisht nga rezultati mjeku s’ka përgjegjësi kur nuk arrihet rezultati i parashikuar dhe i pritur. Në këtë rast kemi të bëjmë me një gabim mjekësor që në të gjitha vendet e përparuara nuk dënohet.

    Gjykohet se ka gabuar mjekësia dhe rishikohet procedura mjekësore, sistemet shëndetësore që janë ndërtuar dhe së fundmi kërkohet edhe ndonjë gabim i personelit për paaftësi për të ushtruar procedurat lege-artis. Sidoqoftë, në kushtet e sotme kërkesat e publikut janë në maksimum (kërkohen rezultate maksimale pavarësisht nga kushtet) si dhe ankesat e pretendimet për kequshtrim të profesionit mjekësor janë në rritje. Respektimi rigoroz i protokolleve është një bazë e mirë për të ndarë gabimet mjekësore nga neglizhenca mjekësore, që është e dënueshme kudo dhe ngarkon me përgjegjësi këdo që i faktohet një qëndrim neglizhent. Por kjo nuk është gjithçka që ne duam. Akoma mjekësia nuk është një shkencë ekzakte.

    Nga gabimet e mjekësisë, si dhe zbulimet e reja mjekësore merret shkas për ndryshimet e protokolleve të trajtimit mjekësor. Protokollet janë bazë për trajtimin e nozologjive të qarta, pra kur ne dimë etiopatogenezën e sëmundjes. Por hera-herës, kjo nuk arrihet menjëherë, apo nuk gjendet fare. Në këto raste vlen mjekimi simptomatik apo mjekimi ex juvantibus (ndihmohet i sëmuri për të përmirësuar gjendjen bazuar në ato të dhëna që kemi deri sa të sqarohet gjithçka dhe të kalohet në protokollin e duhur). Një vështirësi tjetër e madhe rrjedh nga fakti se trajtimi dhe menaxhimi në praktikës mjekësore nuk janë të njëjtë, për këdo.

    Shumë faktorë si gjinia, mosha, raca apo etnia, gjendja sociale, kulturore apo arsimore, pozita gjeografike, sistemet shëndetësore etj., etj., bëjnë që çdo pacient të jetë i ndryshëm nga tjetri. Kjo nuk është ndonjë risi e kohës. Latinët na kanë lënë një postulat tjetër që thotë: Mjekohet i sëmuri me sëmundjen që ka, jo sëmundja. Pavarësia del qartë nga vetë imazhi i mjekut. Liria në mbledhjen, zgjedhjen dhe bazimi në të dhëna të rëndësishme e thelbësore (sipas gjykimit të tij) çon edhe në vendimmarrje që kapërcejnë edhe rregulla, skema apo protokolle strikte, duke bërë një vendimmarrje të veçantë për çdo rast. Kur themi se protokollet nuk janë të gdhendura në gurë, nënkuptojmë dinamika dhe ndryshimin e tyre drejt përmirësimit dhe perfeksionimit, por lihet edhe shteg për devijimin ndaj tyre me një logjikë të fortë mjekësore përpara fakteve të rëndësishme dhe të padiskutueshme.

    Diçka që mund të konsiderohet zgjidhja e parë për një pacient mund të mos aplikohet fare për tjetrin. Këtë gjë e vërteton më së miri edhe tendenca moderne e mjekësisë së personalizuar (diagnozë dhe mjekim specifik për çdo individ). Duket sikur paragrafët e mësipërm kundërshtojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është e vërtetë. Duke i mbajtur në mendje të 2 këto qëndrime del qartë se vendimmarrja e duhur nuk është një proces i lehtë. Ndihmë e madhe dhe mjaft e çmuar vjen nga gjithë puna përgatitore, që bëhet nga mjeku qysh me marrjen e kujdesshme të anamnezës prej tij, ekzaminimin e plotë të nevojshëm, konsultimi i duhur, i përgjegjshëm dhe profesional me kolegë dhe specialistët e duhur, duke gjykuar, analizuar dhe interpretuar si duhet çdo të dhënë dhe provë që rezulton nga çdo hollësi gjatë këtij procesi kompleks.

    Pra, kuptohet qartë rëndësia e binomit liri – përgjegjësi profesionale. Ndihmesë e jashtëzakonshme vjen edhe nga bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e drejta me të sëmurin. Atij i duhet shpjeguar qartë, kuptueshëm duke u siguruar që e ka kuptuar si duhet informacionin mjekësor dhe t’i merret pëlqimi në momentet e duhura. Një bashkëpunim i tillë është i frytshëm dhe mund të çojë në një vendimmarrje të përbashkët. Kështu bëhet e mundur që dhe pritshmëritë të përputhen me rezultatet. Vetëm këtu nuk ka vend për ankesa, keqkuptime dhe keqtrajtime. Vetëqeverisja dhe vetërregullimi i profesionit mjekësor (ndërmjet urdhrave, dhomave apo shoqatave mjekësore kudo në botë) jo vetëm e ka evidentuar, vlerësuar ndihmuar dhe kërkuar të respektohet binomi liripërgjegjësi në profesionin mjekësor, por me rregullat dhe praktikat e miratuara, ka ofruar mundësi orientuese për t’u zbatuar dhe funksionuar si duhet në çdo kohë.

    Busulla për t’u orientuar si duhet në veprimtarinë e përditshme është respektimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, aplikimi rigoroz i standardeve profesionale si dhe përputhshmëria plotësisht e gjithë veprimtarisë me legjislacionin në fuqi. Korrektesa ndaj tyre çon në një praktikë të mirë mjekësore. Hera-herës nga disa mjekë, me përvojë të gjatë në profesionin e tyre, pretendohet se nga kodi, protokollet, standardet profesionale, ligji, urdhëresa etj., kufizohet mjaft liria profesionale.

    Përvoja e pasur, syri i mirë klinik dhe nuhatja e profesionistit i bën që të përcaktojnë shpejt dhe drejt qëndrimin e duhur ndaj të sëmurit (vendimmarrje e shpejtë dhe me pak kosto për diagnozën dhe mjekimin). Sigurisht përvoja dhe aftësitë individuale kanë vlera të pamohueshme, sidomos në rrethana të veçanta kur gjendja e të sëmurit nuk lejon të humbet kohë për ekzaminime të shumta, në kuadër të respektimit të protokolleve dhe standardeve, etj. Patjetër duhet të fillohet me (masa reanimuese, trajtime simptomash, etj.), por vazhdimi më tej duhet të bëhet në rrugën e respektimit të protokolleve, standardeve etj., të cilat saktësojnë qëndrimin e duhur, sigurojnë ecjen drejt suksesit, garantojnë dhe evidentojnë respektimin e përgjegjësisë profesionale.

    Dua të theksoj kërkesat për kujdesin shëndetësor cilësor si tek ne, ashtu edhe në gjithë botën janë në rritje. Nga ana tjetër, fondet për shërbimin shëndetësor asnjëherë dhe në çdo vend nuk mjaftojnë. Këtu merr vlerë bashkëpunimi i bazuar në partneritetin midis organizmave të vetëqeverisjes profesionale me institucionet shëndetësore publike dhe politikëbërësit e sistemit shëndetësor. Sa më shumë sugjerime serioze profesionale të bëhen nga profesionistët dhe të mirëpriten nga politik-bërësit aq më të mirë do të jenë sistemet shëndetësore dhe politikat shëndetësore. Brenda sistemit, politikave shëndetësore, legjislacionit dhe akteve nënligjore duhet vlerësuar mbrojtur, përmirësuar, zgjeruar dhe saktësuar hapësira e veprimit dhe respektimit të lirisë dhe përgjegjësisë profesionale të mjekut.

    Sot kudo në botë edhe tek ne, mjekët po ankohen se binomi liri-përgjegjësi profesionale është cenuar rëndë nga e ashtuquajtura mjekësi administrative (rregulla, urdhra që të bazuara në raportin kosto-efikasitet përcaktojnë mënyrën e trajtimit të të sëmurëve). Edhe këtu vetërregullimi profesional ofron zgjidhjen dhe qëndrimin e drejtë të mjekut. Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore shpjegon qartë raportet midis rregullave, ligjeve, etikës mjekësore dhe moralit. Aty gjendet qëndrimi i duhur i mjekut. Ai duhet të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe domosdoshmërinë e zgjedhjeve të tij (edhe kur ato janë me kosto të lartë). Rregullat dhe masat administrative synojnë të kufizojnë gjërat e tepërta, të panevojshme, të padobishme dhe të pajustifikuara.

    Askush nuk duhet të ndalojë gjënë e duhur, në respekt të zbatimit të standardit të duhur profesional. Në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë së hartuar nga UMSH-ja thuhet qartë: “Në misionin e tij human, në respekt të jetës njerëzore, të individit dhe dinjitetit të tij, për mbrojtjen e shëndetit, zbatimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku bazohet vetëm në shkencë dhe ndërgjegjen e tij, duke i dhënë përparësi interesave të shëndetit të pacientit”. Nga gjithçka u tha më sipër del qartë se përvetësimi dhe përditësimi me shkencën mjekësore çon në rritjen e kompetencës profesionale. Forcimi i ndërgjegjes (profesionale, humane dhe qytetare) çon në përmirësimin e performancës profesionale (gjithçka mjeku realizon në punën e tij).

    Duke u bazuar fort dhe duke respektuar thellë shkencën dhe ndërgjegjen e pastër gjendet hapësira e plotë për respektimin e binomit liri-përgjegjësi profesionale. Në çdo rast bëhet gjëja e duhur, profesioni ynë kthehet në art (larg dogmave dhe kornizave të ngurta). Çdo rast i mirëmenaxhuar është një vepër e mirë krijuar. Dhe vetëm kështu ne kuptojmë dhe vlerësojmë si duhet bukurinë dhe vështirësinë e profesionit të mjekut të bazuar në lirinë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Fajet” e Fuqive të Mëdha ndaj shqiptarëve vazhdojnë

    Lajmi i rradhës

    Këshillit të BE-së i dërgohet propozimi që kushtëzon anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë