Xhemazije Rizvani
Rastësisht në kafe, duke pritur dikë tjetër, u ula për pak me Hatixhe Qazimin e cila punon në Qendrën e Autizmit ” Fluturo për jetën” me fëmijë me ngecje në zhvillim dhe që i përkasin spektrit autik “Secili ka autizmin e vet” – thoshte ajo me një fytyrë shumë të ëmbël dhe të buzëqeshur gjatë gjithë kohës. E kisha ftuar disa herë në emision, por asnjëherë nuk i tha “po” ftesës sime. Një orë e ca sa ndejtëm bashkë, ishin aq të mbushura me informacion, sa më erdhi keq që nuk kishim një kamerë. Në një moment më shkoi ndër mend ta incizoja me telefon për ta transkriptuar më vonë, por m’u duk e pandershme. Ndaj, vendosa të ndaj copeza dialogësh të risjella ashtu siç i ka arkivuar mbamendja ime.
– Të pëlqen kjo punë?
– Po, shumë. Fatkeqësisht, kemi shumë punë – gjithnjë e më shumë raste, çdo ditë e më tepër.
– Është bërë shumë i shpeshtë autizmi?
– Diku një në tridhjetë e gjashtë. Në Maqedoni s’ka matje zyrtare, por besoj se jemi aty diku.
– Qeveria Trump është zotuar se do të gjejë ilaçin. Të duket se ilaçi mund të jetë vendosja e çipit? Cili prind nuk do të dëshironte që fëmija i tij joverbal të dinte të kërkonte bukë e ujë, pasi ai vetë të mos jetë më? Besoj se të gjithë do ta pranonin këtë “ilaç”, që veçse është hedhur si ide nga Elon Muski.
– Skenar filmi.
– I parë veç më: Matrix. Ndoshta edhe filmi mund t’i ketë paraprirë kësaj ideje. Në Koloninë ndëshkimore, Kafka krijoi makinerinë e tmerrshme vrasëse, që më vonë u përdor nga nazistët.
– Ku i dihet… Këto janë konspiracione, por realiteti i prindërve me fëmijë në spektrin autik është i tmerrshëm.
– Luftojnë me diagnozën?
– Ata që e kanë pranuar, janë më të çliruar. Të tjerët kërkojnë fajin.
– Ku e kërkojnë?
– Nuset te vjehrrat: “Ishte krejt në rregull, por ma mori mësysh vjehrra” Baballarët te gratë: “Shkoi te të vetët, atje ka rënë keq…”
– Ti bën sikur i beson?
– Nuk besoj në autizmin e fituar, por besoj në atë të lindur. Ka disa pragje kur fëmijët i shfaqin simptomat, ato janë të pranishme që nga faza e gjirit, kur s’ka raport babëzie dhe mungon kontakt me sy. Pastaj, çdo dy vjet. Është interesante: mosha 2, 4 vjeç janë faza të frikshme kur fëmija mund të pësojë regres.
– Kur thua fëmija, ke parasysh vajzat apo djemtë më shumë?
– Djemtë preken më shumë, por kur preken vajzat, më vështirë përparojnë dhe kanë sukses.
– Jashtë konspiracionit dhe mësyshit, ku mendon ti se e ka fillin ky problem?
– Autizmi nuk trajtohet si sëmundje, por si spektër si sjellje që vihen nën kontroll përmes ABA-terapisë. Në 90 për qind të rasteve të fëmijëve me autizëm janë vërejtur metale të rënda në organizëm dhe disbalancë të mineraleve apo aminoacideve. Secili fëmijë, varësisht nga minerali që e ka në tepricë, ka problem specifik. P.sh., ata që kanë më shumë bakër kanë probleme me shijen, ata që kanë më shumë alumin bëhen më të dhunshëm…
– Si futen këto materiale në organizëm?
– Këta fëmijë lindin me këto probleme si pasojë e kequshqyerjes dhe mënyrës së jetesës së prindërve në ambiente të ndotura, me ushqime të pasigurta të kontaminuara.
– E si parandalohet kjo?
– Ndoshta duke bërë analizat e metaleve të rënda, aminoacideve dhe mineraleve për të dy prindërit, para se të vendosin të sjellin në jetë një fëmijë. Nëse ka disbalancë, intervenohet me terapi. Po ashtu, detokset pastrojnë trupin nëse vërehen metale të rënda.
– E di çka më duket e tmerrshme dhe e mendoj shpesh? Seksualiteti i fëmijëve autikë. Instinkti i tyre është i pranishëm, kanë nevoja seksuale, ndjejnë kënaqësi – por kush i edukon për këtë gjë?
– Fatkeqësisht, askush. Nuk guxojmë t’ua themi prindërve se ata kanë nevoja për vetëkënaqësi në fazën e pubertetit. Këta fëmijë shpesh nuk dinë ku duhet të zhveshen e ku jo, çfarë është turpi, për çfarë shërben organi i tyre. Dhe imagjino që ata stimulohet shumë më lehtë seksualisht, sepse janë hipersensitivë në çdo prekje.
– Dhe nëse nuk e marrin këtë edukim, janë shumë më të predispozuar për dhunë seksuale, abuzime?
– E tmerrshme ta mendosh, por po.
– Kjo i bën edhe më agresivë? Të godasin ty?
– Po. Derisa të vendosim kimi dhe të gjejmë metodën e punës. Ja, kam një rast të ri, një muaj s’po gjejmë gjuhën e përbashkët. Kjo është sfilitëse…
– Ka njerëz që një jetë nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, pavarësisht fjalëve.
– Këta janë të sinqertë, ndaj më vështirë çkodohen. Më vjen keq për këta fëmijë që komunikojnë, por ne nuk jemi të gatshëm t’i kuptojmë. Edhe inkluzioni më duket një gjë krejtësisht e kotë, madje e dëmshme.
– Të njëjtën mendoj. I mësojmë të tjerët të mësohen me ta, por vetë atyre çfarë u mësojmë? A u ndihmojmë?
– E ardhmja do të jetë ndryshe për këta fëmijë. Mezi pres që autizmi të mbetet një e kaluar, një sëmundje për të cilën është gjetur ilaçi.
– Deri atëherë, të bëjmë më shumë emisione bashkë.
– Mua tani më pret puna. Më lër ta mendoj ftesën për emision.
– Kështu më ke thënë edhe herëve tjera.
– Nuk është “jo”.
– As “po”, ama s’është…
– Shihemi!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm autori dhe Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.