Lufta kundër korrupsionit, në duart e patronazhistëve

    PËLLUMB NAKO

    Duket se puna e parë që bën çdo ministër i Drejtësisë në vendin tonë është se i shpall luftë pa kompromis korrupsionit, duke lënë të nënkuptohet qartë që një epokë e re sapo ka filluar. Ky i fundit madje u shpreh me shumë solemnitet në Parlament se kishte mbetur i befasuar nga “sistemi i disa burokratëve”, ndaj edhe e kishte me shumë urgjencë hartimin dhe miratimin e një ligji tjetër, të quajtur nga disa si ligji bashkëqeverisjes dhe nga të tjerë si ligji i patronazhistëve. E gjitha kjo, sepse sipas tij “me ligjin e bashkëqeverisjes do të jetë luftë kundër korrupsionit dhe ryshfetit, ndaj padrejtësive që u bëhen qytetarëve.Duke ndërtuar një mekanizëm gjurmimi…”.

    Ministri i Drejtësisë u duk shumë i çuditur nga “sistemi i disa burokratëve” dhe natyrshëm nuk kishte sesi të vërente se në radhë të parë vetë ai dhe kolegët e tij aktualë e paraardhës kanë qenë dhe mbeten hallkat kyçe të një zinxhiri politiko-burokratik, i cili rreket rregullisht me të gjitha mjetet e propagandës për të orientuar dukshmërinë e fenomenit të korrupsionit drejt administratës dhe jo në nivelet vendimmarrëse të vendit e për rrjedhim edhe ndëshkimin ligjor.

    Megjithëse në këto vite, pra, dy legjislatura qeverisjeje të grupimit politik ku bën pjesë ministri, kemi parë e dëgjuar nëpër ceremoni të panumërta fillime aksionesh, nismash, ndërtime institucionesh, hartime aktesh ligjore e nënligjore që kanë pasur për synim pikërisht luftën e fenomenit, duket se ministrin e Drejtësisë po e habit më shumë burokracia provinciale tepër e neveritshme, por me dëme periferike dhe jo fakti se edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për zgjerim të korrupsionit akoma më shumë në vendin tonë. Ligji i propozuar prej tij duket mjaft i denjë për të qenë objekt i një humori të shkuar. Sipas një humoristi të njohur italian, kur trafiku i drogës filloi të marrë përmasa të mëdha, për ta luftuar fenomenin, ministri i Drejtësisë propozoi një ligj, i cili u hiqte grepin peshkatarëve.

    Nisma reformatore e ministrit të Drejtësisë vjen brenda të njëjtit vit kur paraardhësja e tij shpallte si instrumentin më efikas për të luftuar korrupsionin endemik të vendit, ndërtimin e një rrjeti koordinatorësh. Ndërtimi i këtij rrjeti të përbërë nga 17 drejtori e agjenci shtetërore, edhe ish-ministrja e paraqiste si kyç suksesi, ekzaktësisht me të njëjtat fjalë si ky i sotmi kur flet për ligjin e bashkëqeverisjes. “Rrjeti i koordinatorëve antikorrupsion është një strukturë, risia e së cilës qëndron te shpejtësia dhe efikasiteti në trajtimin e ankesave dhe denoncimeve të qytetarëve…”. Më pas, në portalin e Ministrisë, paraardhësja udhëzon dhe inkurajon që t’i shkruash koordinatorit tënd në adresën: koordinatori.ak@drejtësia.gov.al.

    Pra, vetëm dy vite pas Urdhrit të Kryeministrit me Nr.106, për rrjetin e koordinatorëve antikorrupsion dhe një vit pas ndryshimit të urdhrit të mësipërm me atë me nr. 86, merret një nismë ligjore me të njëjtin synim. Kur foli për nismën ligjore, ministri i ri nuk bëri asnjë bilanc pozitiv ose negativ të rrjetit, por thjesht u habit nga informacione të panumërta për shkak të detyrimeve shtetërore.

    Megjithatë, historia nuk përfundon këtu. Rrjeti i koordinatorëve antikorrupsion nuk është i vetëm, por ka edhe një institucion tjetër krahas tij në betejat kreshnike kundër korrupsionit. Edhe për këtë institucion, për aktivitetin e tij, ministri nuk tha asnjë fjalë në Parlament. Bazuar në strategjinë ndërsektoriale dhe të planit të veprimit antikorrupsion 2020-2022, qeveria parashikoi me një vendim të datës 01.07.2020 krijimin e “Komitetit koordinator” për të ndjekur zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit. Ky komitet me shumë detyra do të mbështetet nga një institucion tjetër, më teknik dhe më operacional, por edhe ai koordinues. Bëhet fjalë për “Task forcën për luftën kundër korrupsionit”.

    Pra, në harkun kohor të dy viteve, janë ndërtuar tri institucione koordinuese të luftës kundër korrupsionit: rrjeti i koordinatorëve antikorrupsion, Komiteti Koordinator, Task-Forca Antikorrupsion. Dhe ministri habitet me ca burokratë province, sepse duket se pas pemëve nuk sheh pyllin. Për më tepër që ekziston një proverb jo i ri, i cili thotë se kur dikush nuk ka ç’të bëjë, koordinon.

    Të tria organet koordinuese janë pasardhëse të nismës kryeministrore të pak viteve më parë, të quajtura nga Kryeministri si një armë në duart e qytetarit: portali www.stopkorrupsionit.al. Po t’i mbledhim të gjitha portalet e rrjetit të koordinatorëve, të kryekoordinatorit dhe të Kryeministrisë, do të na rezultonin plot 19 adresa elektronike për të denoncuar korrupsionin. Pa llogaritur këtu edhe një tjetër më specifik të hapur nga Ambasade Suedeze në Tiranë për të denoncuar korrupsionin në ekonomi. Duket qartë që ka më shumë sportele për të denoncuar sesa vetë denoncues. I vetmi shpjegim është mosbesimi.

    Dhe tani së fundmi, si për t’i venë kapakun njëherë e mirë pandëshkueshmërisë në korrupsion, në skenë vjen me forcën dhe madhështinë e medias, ligji për bashkëqeverisjen, që në thelb krijon mundësinë e emërimit të një sasie individësh, të cilët do të mbushin këto portale me denoncime në emër të qytetarëve. Por denoncimet e tyre do të përdoren më shumë për të shantazhuar çdo zë të mekët pakënaqësie brenda radhëve të qeverisjes vendore në prag zgjedhjesh, sesa për të luftuar realisht fenomenin. Aksioni ligjor i patronazhistëve ka një ngjashmëri absolute me aksionin policor të OFL-së. Më shumë se ndëshkim, janë shantazhim për të mos u larguar nga rreshti./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kosova dhe Shqipëria në Ballkanin e Hapur, përpjekje për mirëkuptim

    Lajmi i rradhës

    Qyteti Kiev apo qyteti LEGO

    Lajme tjera

    Pushtim

     LEONARD DEMI Presidenti Vladimir Putin, siç e kam shprehur edhe më parë, përqendroi një arsenal të jashtëzakonshëm ushtarak…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë