Mislim Zendeli
Pasi u kënaqëm me “telenovelat” e bezdishme patologjike të gjithëfarë lloji nga përditshmëria jonë politike, mendoj se është kohë e fundit që ne shqiptarët e RMV-së të këndjellemi dhe zgjohemi nga gjumi e të shohim realitetin. Llafe- muhabetet me “politika” të mëdha kombëtare e ndërkombëtare, të tipit dogmatist, flamuri, stema, ligji, e kopalla tjera, janë mashtrime për popullatën tonë. Derisa bizneset shqiptare rrudhen e shtrydhen dhe të rinjtë migrojnë në masovitet, pala tjetër e “të barabartëve” ka ngërthyer të gjitha resurset finansiare në shtetin “e përbashkët”, ashtu siç na e shesin me dekada politikbërësit tanë! Dhe ka plotësisht të drejtë akademik Fuga kur thotë: “Sa me shume teposhte bejmë, aq me delirante kerkojnë të na bëjnë!” Sipas Marksit, baza ekonomike, pra sistemi ekonomik eshte ai që percakton superstrukturën ideologjike dhe politike, pra sistemin politik. E thënë ndryshe, format politike të shtetit dhe në përgjithesi format ideologjike, fetare, artistike ose filozofike, i kanë rrënjët në marredheniet materiale të jetes”. Pra partitë, grupet e intereseve madje edhe individ nga rradhët tona që nuk ia kanë haberin edhe pse kacafyten mes veti, akoma nuk janë të vetëdijshëm se baza materiale- kapitali, është piknisja e çdo politike, zhvillimore, investive, arsimore, shkencore, etc.
Duke lexuar shkrimin në “Fokus” (linku i shkrimit: https://www.facebook.com/share/1DaGW2VyqV/?mibextid=wwXIfr) , seç ma zuri syu një lajm-fakt, me relevancë për temën në fjalë. Me këtë shkrim dëshmohet thënia e kahmotshme, si me “kabahat” nga shumëkush që është në pushtet, se në shumë sfera të ekonomisë e në veçanti në institucionet financiare në RMV, shqiptarët nuk hasen fare, e jo më të jenë të përfaqësuar me 20 përqindshin famoz! Në linkun e lartcekur nëse lexoni me vëmendje do shihni se kujt i takon kapitali-shteti!? Asnjë kompani shqiptare në listën e çmimeve të ndara për kompanitë që tregtuan në Bursën e Maqedonisë së Veriut, me letrat me vlerë afatgjate për vitin 2024. Këtë lajm e gjejmë edhe në portalin “ Pari.com.mk” dhe sajtin e Presidentes. e cila tradicionalisht jepet nga Unioni i Dhomave Ekonomike nën kujdesin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Ngjarja solemne “Cilësia maqedonase 2024”, u mbajt në rezidencën presidenciale “Vila Vodno”, ndërsa çmimet iu ndanë këtyre subjekteve: Shoqata e Distilerëve të Maqedonisë, Kompania Premium Safety Solution, May Print, Serafimov Group, Lares Dooel Kavadarci, Capital Asset Management, Elena Luka Group, Rebis Balet Studio, Global Net, Sector Film. Po të kontrollosh uebsajtet e këtyre kompanive shihet qartë se të gjithë janë të etnikumit maqedonas, dhe nuk figuron asnjë emër shqiptar.
Ky dhe shumë shembuj tjerë nga përditshmëria jonë haptas tregojnë pozitën e shqiptarëve në RMV shikuar nga aspekti i ekonomisë. Mbaj bindjen se përralla me tupan janë thëniet, shteti është i përbashkët. Mbase është i përbashkët kur mblidhen taksat dhe kur vijnë remitancat nga gurbetqarët të cilët pothuajse shumica janë të etnisë shqiptare, por kur bëhet fjalë për fidbekun e mjeteve, këtu has sharra në gozhdë! Kjo gjendje, e palakmueshme, e shqiptarëve të cilët privohen në mënyrë ashiqare nga të mirat e përgjithshme pikënisjen e ka qysh në kohën kur u bë i a.q. privatizim. Asokohe u zgjodh modeli më i keq i privatizimit, me qëllim që ne të ngelim pa asgjë, dhe ashtu ndodhi. Fillimisht u nxorrën shqiptarët nga puna në subjekte ekonomike ekzistuese, që më pastaj fletëaksionet t ju shpërndahen të punësuarve të palës tjetër. Të gjitha fabrikat, minierat, ndërmarrjet me kapital të përbashkët çuditërisht ranë në duart e tyre! Po të studjohet, me vëmendje, mënyra e privatizimit do del në pah se, ne u mashtruam dhe sa për ilustrim në Tetovë ku shqiptarët përbëjnë shumicë, kapitali shtetëror u privatizua nga maqedonasit, rasti eklatant kombinati i Teteksit. Ky avaz vazhdon akoma sot e kësaj dite. Po të “përbirohet” eksplorohet pak nëpër faqet e internetit dhe në anëtarësitë e bordeve, si dhe drejtuesve të institucioneve bankare, fondeve dhe të ngjashme, do shohim se sa jemi të diskriminuar në këtë aspekt. Nuk qëndrojmë më mirë edhe në organet udhëheqëse republikane. Të gjitha institucionet me peshë nga sfera financiare në shtetin e RMV-së udhëhiqen thuase pa asnjë shqiptar, duke nisur nga, ministritë, drejtoritë, e deri tek agjencitë, fondet, entet, madje edhe ato të nivelit lokal.
Botërisht dihet se bankat si institucione financiare kanë një rol tepër të rëndësishëm pasi orientojnë paranë në drejtim të atyre që kanë më shumë nevojë pa harruar dhe kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së një rajoni, shteti apo dhe më gjërë. A ju ka shkuar ndonjëherë mëndja, ta pyesim veten, pse ne shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi një bankë me kapital e me bord qytetarësh me kombësi shqiptare, siç ka disa sosh pala tjetër? Patëm pengesa apo nuk patëm vizion dhe forcë të shtyjmë këto procese në të mirën tonë? Mendoj që këto dhe shumë pyetje të tilla duhet të jenë çështje diskutimesh në forumet tona akademike, kuptohet nëse i kemi!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.