Kërcënimi rus ndaj Ukrainës synon t’i ndërrojë parametrat e sigurisë në Europë

    Parada e uhstrisë ukrainase / Kiev

    Besir Ceka

    Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë në rritje e sipër. Edhe pse me javë të tëra zhvillohen bisedime diplomatike, rreth 100 mijë trupa ruse mbeten të vendosura pranë kufirit me Ukrainën, një ish-shtet sovjetik që ka synim orientimin drejt Perëndimit. Megjithatë, ecja e vazhdueshme e Ukrainës drejt demokracisë dhe aleancës së NATO-s paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili me këmbëngulësi dëshiron të rikthejë ndikimin rus në rajon. Ka thuajse një dekadë që Putini po zhvillon një fushatë për destabilizim të Ukrainës duke aneksuar Krimenë dhe duke i përkrahur separatisët në lindje të vendit.

    Shtrohet pyetja: çfarë dëshiron Rusia?

    Rusia synon shumë gjëra, por në thelb nënkuptojnë ndryshimin e parametrave të sigurisë së pas-Luftës së Ftohtë në Evropë. Putini bëri një sërë kërkesash tendencioze para fillimit të bisedimeve me ShBA-në dhe me anëtaret e tjera të NATO-s – që filluan më 10 dhjetor te vitit te kaluar për të zgjidhur krizën ne Ukrainë. Ato përfshijnë garanci për mos zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Lindje (jo vetëm në Ukrainë), mos mbrojtje të aleatëve të ShBA-së me armë bërthamore taktike ose sisteme tjera raketore, dhe të drejtë vetoje mbi lëvizjet e trupave të NATO-s në territoret e anëtarëve nga Evropa Lindore. NATO është aleancë mbrojtëse e udhëhequr nga ShBA-ja, e themeluar në vitin 1949 për të kundërshtuar kërcënimin sovjetik në Evropë. Zgjerimi i NATO-s, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe pas përfundimit te Luftës së Ftohtë është çështje kontroverse, sepse Rusia beson që Perëndimi e theu premtimin për të mos e zgjeruar NATO-n.

    Për të kuptuar kërkesat e Putinit, duhet pasë parasysh se ai ushqen urrejtje të thellë ndaj Perëndimit, veçanërisht ndaj ShBA-së, për përfitimin e tyre në kurriz të Rusisë së dobësuar gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Këtu përfshihet edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe zgjerimi i saj drejt lindjes për të përfshirë vendet ish-komuniste, dhe veçanërisht ish republikat sovjetike – si Estonia, Lituania, dhe Letonia. Putini mendon se Rusia është poshtëruar nga Perëndimi dhe se lëvizjet e tij agresive gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, përfshirë pushtimin e Gjeorgjisë më 2008 dhe aneksimin e Krimesë nga Ukraina në 2014, mund të shihen si përpjekje për të rivendosur dominimin rus mbi ish-sferën e ndikimit të saj.

    Shkatërrimi i Ukrainës luan një rol edhe më të rëndësishëm për regjimin e Putinit. Një Ukrainë e suksesshme, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit, përbën kërcënim ekzistencial për regjimin kleptokratik dhe autoritar të Putinit, sepse ofron një model alternativ për popullin rus. Ajo që e tremb regjimin e Putinit, më së shumti, nuk është NATO-ja, por populli rus i ngritur në këmbë me qëllim për të përmbysur regjimin, gjë që është tentuar disa herë në njëzet vjetët e fundit. Kërcënimi i Ukrainës dhe dështimi i liderëve të saj properëndimorë është në interes të regjimit te Putinit, sepse garanton që Ukraina nuk do të bëhet model për rusët. Kjo është një ndër arsyet kryesore se pse Rusia ka nxitur konflikt të armatosur me intensitet të ulët në rajonin Donbas të Ukrainës, që nga viti 2014.

    Interesat e Ukrainës, të Evropës, dhe të ShBA-së përputhen, por kriza e tanishme manifestohet ndryshe në këto vende. Ukraina padyshim që po përballet me kërcënim ekzistencial meqë 100 mijë trupa ruse janë të vendosura në kufirin e saj dhe janë të gatshme për të pushtuar këtë vend. Për këtë arsye, Ukraina kërkon mbështetje ushtarake dhe diplomatike nga aleatët e saj.

    Megjithatë, situata është më e ndërlikuar kur bëhet fjalë për aleatët e Ukrainës. Evropianët kanë lidhje të forta tregtare me Rusinë dhe janë të varur nga eksportet e saj të energjisë, veçanërisht të gazit natyror. ShBA-ja nuk është e varur nga eksportet ruse dhe mundet të mbajë një linjë më të ashpër ndaj Rusisë, përfshirë sanksionet e rënda ekonomike. Kjo është rezistuar nga aleatët evropianë në të kaluarën, veçanërisht nga gjermanët, të cilët do kishin humbur më së shumti nga ndërprerja e lidhjeve ekonomike me Rusinë. Megjithatë, qëndrimi jashtëzakonisht kërcënues i Rusisë dhe përgatitjet për pushtim të Ukrainës, i kanë dhënë hov të dukshëm aleancës së NATO-s. Ka shenja se anëtarët e NATO-s po bashkohen për t’u përballur me kërcënimin rus, duke premtuar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.

    Sa i përket ShBA-së, administrata e Joe Bidenit ka bërë diçka të pazakontë duke i saktësuar veprimet që ShBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ndërmarrin në rast se Rusia pushton Ukrainën. ShBA-ja e ka bërë të qartë se nuk planifikon të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Kjo nuk është për t’u habitur, duke pasë parasysh se Rusia është fuqi bërthamore dhe e di se ShBA-ja nuk do të rrezikojë ndonjë shkëmbim bërthamor për Ukrainën. Megjithatë, ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë përcaktuar veprimet që po shqyrtojnë, dhe ato përfshijnë përjashtimin e institucioneve financiare ruse nga sistemi bankar SWIFT, ndihmë ushtarake për ukrainasit për të luftuar në mënyrë guerile ushtrinë shumë më të fortë ruse, pozicionimin e trupave shtesë të NATO-s pranë Rusisë për të garantuar sigurinë e anëtarëve të kërcënuar të NATO-s, dhe ndalimin e eksportit të çipave kompjuterikë apo të gjitha mallrave të konsumit në Rusi.

    Këto kërcënime synojnë të ndryshojnë llogaritjet e Putinit dhe ta parandalojnë pushtimin e Ukrainës. Nuk është e qartë nëse ato do të funksionojnë për faktin se sanksionet kundër Rusisë, në të kaluarën, nuk kanë qenë edhe aq efektive, por në shqyrtim është një listë e ashpër e sanksioneve.

    Është krijuar një bindje në qarqet politikëbërëse në ShBA se administrata e Obamas nuk ishte e ashpër aq sa duhej ndaj Rusisë. Edhe aleatët evropianë po sinjalizojnë një gatishmëri për të vendosur sanksione shumë më ndëshkuese. Gjermania ka bërë me dije se pushtimi eventual i Ukrainës do ta detyronte atë të rishqyrtojë gazsjellësin kontrovers Nord Stream 2, i cili është një sistem i ri gazsjellësish nën Detin Baltik që e lidh Rusinë me Evropën përmes Gjermanisë.

    Askush nuk e di se çfarë do të bëjë Rusia. Nga njëra anë, është shqetësues fakti se Putini parashtroi një sërë kërkesash joreale përpara bisedimeve me ShBA-në, sepse kërkesat e tilla maksimaliste mund të ishin projektuar për t’u refuzuar dhe, në këtë mënyrë, për t’i dhënë Putinit pretekstin për të pushtuar Ukrainën. Fakti që Putini deklaroi, verën e kaluar, se rusët dhe ukrainasit janë një popull, nuk ofron shumë ngushëllim.

    Nga ana tjetër, grumbullimi shumë i dukshëm i 100 mijë ushtarëve në kufirin ukrainas mund të interpretohet si shfaqje force jo aq shumë e destinuar për pushtim aktual, por si mjet pazaresh në negociatat e rëndësishme për të ndryshuar rregullat e lojës së sigurisë në Evropë. Sidoqoftë, ky episod me siguri do të frenojë dëshirën e NATO-s për një zgjerim të ardhshëm për të përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, anëtarësimin e të cilave NATO-ja e ka mbështetur në mënyrë deklarative në të kaluarën.

    Ajo që nuk vihet në dyshim është se Putini po përpiqet të rishkruajë rregullat e rendit dhe sigurisë të pas Luftës së Ftohtë në favor të Rusisë.

    (Autori është profesor i asociuar në Departamentin e Shkencave Politike në Davidson College, Karolinë e Veriut, ShBA)

    Lajmi Paraprak

    Të paktën 60 të vdekur nga sulmet ajrore në Jemen

    Lajmi i rradhës

    Shipkovica jeton në varfëri, malësia e Tetovës po braktiset nga rinia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë