Koha moderne, njeriu dhe reforma e jetës

    GËZIM TUSHI

    Zhvillimet politiko-shoqërore, kulturore e psikologjike në Shqipëri janë aq shumë dinamike e me intensitet të lartë, saqë shpesh duke qenë të tilla, dialektikisht të paqëndrueshme e bëjnë të vështirë vëzhgimin e saktë dhe diagnostikimin e shumë dukurive të ndërlikuara e kontradiktore, që kanë ndikim në mënyrën dhe modelin e reformimeve që ka pësuar dhe vazhdon të pësojë jeta e njeriut në shoqërinë tonë.

    Kjo është arsyeja pse është e nevojshme, që pa u nxituar, pa nxjerrë konkluzione të shpejta, të sipërfaqshme e të parakohshme, duhet të identifikojmë sfondin e përgjithshëm të zhvillimeve të jetës moderne në përgjithësi, influenca e të cilave është jo vetëm e pranishme në stilin dhe mënyrën e jetës së njerëzve tanë, por çuditërisht shpeshherë edhe më e akseleruar se “norma evropiane” e ndryshimeve sociale. Kështu që është e udhës të shikojmë dhe të vlerësojmë këto zhvillime të reformimit të jetës së njerëzve tanë në kontekste më të gjëra e të integruara socio-politike, në mënyrë që të futemi në këtë atmosferë kompleksive që ka marrë natyra e jetës në Shqipëri.

    Edhe pse një kohë e shkurtër e zhvillimeve dhe ndryshimeve në tipologjinë e jetës moderne, ato tashmë janë bërë të tilla, dinamike, enorme dhe për pasojë kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” formulat klasike të skemave për mënyrën e jetës, të diktuara dhunshëm prej ideologjive të majta, nga ato marksiste e deri tek ato liberale socialdemokrate. Koha postmoderne në tërë gamën e gjerë të zhvillimeve të veta dhe në interferencë me kontekstin socio-politik që ekziston në shoqërinë shqiptare, i ka nxjerrë formulat e vjetra dogmatike të mënyrës së ndërtimit, format arkaike dhe reformat fosile e absurde të jetës “jashtë përdorimit”, por akoma më shumë tashmë kemi përballë një intensitet të lartë, që mund të jenë ndryshime, radikale në transformimin e natyrës së njeriut dhe zhvillimeve intensive, kaotike e likuide të formave të jetës shoqërore.

    Nuk është e lehtë sot të gjesh një “themel ideologjik” të sigurt, për të shpjeguar deri në fund këtë riformësim dinamik të jetës shoqërore, të shpjegosh gjendjen aktuale, të parashikosh tendencën progresive, kurbën kohore e hapësinore të ndryshimeve. Mbi të gjitha, të konturosh saktë perspektivën e zhvillimeve që nuk kanë të ndalur në jetën e shoqërisë sonë. Jo për paaftësi apo mungesë të kornizave interpretative sociologjike, por për shkak të një lloj sinkretizmi dhe sintetizimi fluid, që kanë marrë jeta e përgjithshme shoqërore dhe sidomos zhvillimet e shfaqura dukshëm në transformimin liberal e individualist të natyrës së njeriut, por edhe duke parë dhe vlerësuar përplasjen e fortë aktuale të “matricave” konceptuale ideologjike, sociale, morale e filozofike, si “material teorik” që qarkullon në botën intelektuale. Doemos, paralelisht dhe bashkë observimin e dinamikës së veçantë të zhvillimeve tërësore sociale e humane në shoqërinë shqiptare.

    Nëse do bëja një vlerësim sintetik të ndryshimeve sociale, që kanë ndodhur dhe situatës konkrete ku gjendemi, mund të themi se “revolucioni social” që është realizuar tashmë përfundimisht, ka sjellë përmbysjen e madhe të procesit të kalimit nga shoqëria e madhe si strukturë në gjendje sociale të “përgjumur”, drejt fenomeneve që po diktojnë një lloj “shpërbërje sociale”, e cila gjithashtu është një patologji që duhet “mbajtur nën kontroll”. Padyshim, sipas mendimit tim, këto janë shqetësime të dorës së parë, që duhen analizuar e shpjeguar jo thjesht për hermeneutikë teorike, por si bazë edhe për të gjetur kuptimet e duhura, rrugët për trajtimin e fenomeneve social politike dhe perceptimin e duhur e të saktë të dinamikës së zhvillimeve kaotike të shoqërisë dhe natyrës njerëzore, shkaqet e ekzagjerimit të këtij “stili adoleshent” me pak përgjegjësi, në ndërtimin e mënyrës së jetës së njerëzve tanë. Reforma adekuate e jetës kërkon të kuptojmë në mënyrë objektive zhvillimet që po ndodhin me natyrën e njeriut dhe që reflektohen drejtpërdrejt edhe në “shëndetin e shoqërisë”, të cilës sikurse duket dhe siç e kam thënë edhe herë tjetër, është në një gjendje “nokdauni”, nga që institucioneve kryesore me peshë sociale e rëndësi strukturore fondamentale, po i “shqepen tegelat” e koherencës dhe kohezionit social.

    Ajo po përballet agresivisht me patologji të rrezikshme, që po ndikojnë në dobësimin e “indeve lidhëse” sociale, të domosdoshme për ekzistencën dhe funksionimin e saj. Kjo është arsyeja që shumë fenomene që po sjellin një lloj deformimi subjektiv të konceptit për nevojën e reformimit modern, që po shoqërohet me degradim të jetës së përditshme, të cilën me të drejtë sociologu Edgar Morren, e quan me togfjalëshin “lëngatë qytetërimi” apo “karakter subjektiv të ligështisë”, që ka kapur shoqërinë dhe që reflektohet në natyrën e njeriut të sotëm, i cili si asnjëherë më parë është i rrezikuar nga ankthi, pasiguria, depresioni. Padyshim, duke folur kështu, duhet të pranojmë se nuk është fluiditeti teorik e filozofik as skepticizmi i zgjeruar moral, mjeti i duhur për t’i kuptuar dhe interpretuar zhvillimet sociale, natyrën krejtësisht të veçantë, të pakrahasueshme me natyrën e shoqërisë dhe njeriut të epokës socialiste. Shoqëria shqiptare nën efektet e modernitetit, ndikimeve dominante në sjelljet personale, nga koha apo determinimet dezintegruese të ekonomisë së tregut është bërë një lloj i ri “bashkësie sociale”, e cila ndryshe nga shoqëria e së kaluarës, ka të tjera zakone e tradita të panjohura në “kodin moral” klasik të shoqërisë dhe epokës parademokratike. Zhvillimet në shoqërinë e sotme shqiptare janë të tilla, që nuk mund të kornizohen ideologjikisht me matricat e vjetra, arkaike të së kaluarës. Sepse ngjarjet, dinamika e zhvillimeve, sikurse thotë profesori shkencave politike Kenneth Minogue është përtej thjeshtëzimit dramatik, të habitshëm marksist dhe paradigmës ideologjike, sipas të cilës “nuk përcakton vetëdija qenien e njeriut, por përkundrazi qenia e tij sociale përcakton vetëdijen”. Kenneth Minogue, “Pushtete të Huaja”, f. 122.

    Jeta sot është jashtë këtyre ideve e skemave sociale. Rregullat morale dhe instrumentet sociale ekzistuese janë krejt të tjera, të pangjashme me ato të shoqërisë totalitare, super-kolektive e hiper-humaniste. Koha kërkon optikë sociale dhe instrumente socio-ideologjike të reja, të ndryshme, koherente me natyrën e dinamikën e zhvillimeve sociale të jetës moderne, me zhvillimet kontradiktore të natyrës së njeriut, që synon dhe përpiqet t’i përshtatet kohës dhe të jetë koherent me të. Ky është thelbi i “reformës së jetës” për të cilën ka nevojë shoqëria dhe njerëzit tanë. Koha e ideve fikse, dogmatike, modeleve morale tabu, të paprekshme ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, sepse “…idetë nuk janë gjë tjetër veç jehon e proceseve të jetës”. Nuk është e udhës të ngremë ide, që sjellin modele dhe skema utopike për një qytetërim që as ekziston, as ka shanse që do të vijë ndonjëherë. Qytetërimi me praninë e përhershme të dikotomisë së njeriut njëherësh në garë edhe bashkëpunues, në kuptimin e solidaritetit të gjerë social, është një model i pamundur të qëndrojë në këmbë në mënyrë organike. Të mendosh se mund të zëvendësohet gara individuale me bashkëpunimin social, është njëlloj sikur të mendosh rikthimin e shoqërisë së turmës sociale dhe modelit të jetës në kazermën e përbashkët. Në këto kushte, “reforma e jetës” është e domosdoshme të jetë kompatibile me realitetet e vërteta dhe paradigmat që jetojmë, duke pranuar pa mëdyshje se jemi pjesë e këtij qytetërimi postmodern, i cili shfaqet me nuanca të forta individualizmi dhe asocialiteti.

    Një realitet i imagjinuar dhe i vlerësuar që në kohën e Shekspirit dhe Servantesit, të cilët mendonin se në stilin e të jetuarit duhet pranuar se, “qeniet njerëzore duhet të jenë aq të ndryshme, saqë nuk ka kuptim të pretendosh, që të gjitha ato mbartin thellë në shpirtrat e tyre vetëm një të vërtetë” (Richard Rorty, “Filozofia dhe e ardhmja” f 144). Në kohën e sotme akoma më shumë, është bërë e udhës që të ngrihet më lart larmia e dallimet midis natyrës së qytetarëve, se sa mundësia e ekzistencës së të përbashkëtës midis tyre. Qytetarët janë njerëz me natyrë njerëzore të ndryshme, me më pak mundësi për ndërtimin e një lloj qytetërimi, që të ketë në bazën e vet një natyrë të përbashkët qytetare. Kjo është utopi, larg realitetit, e papranuar nga koha dhe vetë qytetari. Kjo është arsyeja që njeriu i kohës së sotme, absolutisht edhe ky me të cilin bashkëjetojmë në këtë gjendje të tranzicionit moral, të paqartë deri në fund nga ndikimet toksike dhe interferencat e ideologjive të vjetra kalimtare, problemet evidente e shqetësimet e mungesës së funksionimit koherent të raporteve individ-shoqëri, për një gjë duhet të jemi të qartë. Në kohën e sotme shoqëria jonë ka shumë mangësi e të meta, të kohezionit social dhe problemeve të tjera bashkëshoqëruese, nga që fjala vjen, atomizimi është dukuria që po progreson pa u ndalur si pandemi sociale.

    Sikurse ka theksuar filozofi Pierre Bourdieu, “ndryshimet e fundit kanë rrënuar themelet e solidaritetit të dikurshëm”. (Zygmunt Bauman, “Moderniteti i lëngët”, f. 206). Në këto kushte, “reforma e jetës” duhet vënë në kontekste të vërteta, kur sikurse duket siguria sociale dhe individuale e njeriut zbehet. Është e domosdoshme, që ajo të kompensohet me besimin dhe lidhjet e ndërsjella, që njeriu krijon në familje, por edhe në institucione të tjera të sigurisë morale. Vetëm aty ka shanse që të krijohet besimi midis anëtarëve ku bën pjesë individi. Në “shoqërinë e atomizuar” nëse masa e atomizimit të individit është në përmasa destruktive, atëherë “reforma e jetës”, ka vështirësi të ndërtohet dhe njeriu mund të jetë para rrezikut të margjinalizimit social. Sociologu francez, Alain Ehrenberg, gjykon se reformën e jetës moderne po e kërcënojnë shumë faktorë antisocialë, sikurse janë “…individualizmi dhe kulti i performancës që shpjegojnë dendurinë e turbullimeve depresive në mungesë të një mbështetjeje nga një bashkësi, një kishë, një parti, një sindikatë të mirëstrukturuara…”. (Edgar Morren “Rruga” f. 336).

    Një gjë është absolutisht e sigurt dhe përbën kuintesencën, thelbin e kërkuar dhe të dëshiruar të vazhdimit dhe thellimit të parametrave të “reformës së jetës”, qoftë si thelb sociologjik apo pjesë e “revolucionit” konceptual: njeriu i sotëm jeton në një shoqëri që e ndërton jetën personale dhe sociale, jashtë skemave të vjetra. Njerëzit tanë e kanë kuptuar, se kjo jetë është “tjetër”. Reforma e jetës kërkon njeriun që nuk mendon dhe vepron, duke u bazuar në metanarrativat e mëdha dogmatike ideologjike, morale, sociale e estetike të së kaluarës, që nuk kanë asnjë vlerë dhe ca më pak të shërbejnë si bazament për orientimin e jetës sociale dhe individuale. Njeriu i sotëm nuk mendon sipas skemave të imponuara. Ai mendon duke jetuar. Kjo për shoqërinë dhe njerëzit tanë është koha e asaj reforme dhe mënyre të jetuari që kërkon dhe e detyron njeriun të jetë pambarimisht “zgjuar”…/Gazeta Panorama 

    Lajmi Paraprak

    Tri dekada pas gjenocidit në Srebrenicë, kujtimi i Fatës jeton në letërnjoftimin e vjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë