Koncepti “Fuqi” në politikë dhe shqiptarët në Ballkan

    DR. JAKUP AZEMI 

    Ata që studiojnë politikën si disiplinë shkencore në katedrat akademike, janë të njohur me “fuqinë” (anglisht power) si një ndër nocionet më të lakuara në zhargonin akademik të shkencës së politikës. Fuqia si nocion që lidhet si me shtetin ashtu edhe me individin, është një term shumë provokativ dhe sfidues. Është i tillë sepse në thelb është i kontestueshëm – do të thotë është vështirë të gjendet një definicion i përbashkët mes atyre që marrin mundimin ta definojnë atë. Në kuptimin më klasik të fjalës fuqia lidhet me ekzistencën e shtetit, pra një atribut të cilin shteti e posedon, dhe shfrytëzon zakonisht në arenën ndërkombëtare. Popullsia, hapësira gjeografike a një shteti, posedimet ushtarake, resurset natyrore, mirëqenia ekonomike, lidershipi etj., janë ndër faktorët kryesorë me të cilët karakterizohet fuqia. Por, ne literaturën akademike bashkëkohore, disa autorë citohen më së shpeshti kurë i referohemi këtij nocioni.

    Sociologu i njohur Gjerman Max Weber e kishte definuar fuqinë si një “mundësi që një aktor e posedon brenda një raporti social, dhe i cili është në gjendje ta përdorë atë nëse dëshiron, përkundër rezistencës të palës tjetër” (M. Weber, Ekonomia dhe Shoqëria; “Economy and Society”, 1978). Pra, Weber e definon fuqinë si diçka që gjendet brenda marrëdhënieve sociale. Ngjashëm me këtë të menduar vjen politikologu i njohur Amerikan Robert Dahl, i cili e definon fuqinë si influencë mbi veprimet/aksionet e të tjerëve, dhe thekson: ‘[Aktori] A zotëron fuqi ndaj [aktorit] B i cili e detyron atë [pra aktorin B] të veproj sipas kërkesave të [A-s], gjë që për ndryshe aktori [B] nuk do të kishte vepruar ashtu” (R. Dahl, Koncepti i Fuqisë; “The Concept of Power”, 1957). Një tjetër autor, sot ndër më të cituarit në këtë lëmi, Steven Lukes, ka ofruan një model të ri të interpretimit të fuqisë. Në librin e tij tashmë të njohur Fuqia: Një Qasje Radikale (Power: A Radical View, 1974), Lukes teorizon nocionin fuqi duke theksuar që fuqia gjendet dhe mundë të interpretohet/venerohet në tri dimensione – (three dimensions of power).

    Venerimi njëdimensional i fuqisë (one dimensional view) manifestohet në formë të vendim-marrjes, respektivisht fuqia politike e shtetit determinohet në konflikte globale të venerueshme (observeble). Me fjalë tjera, kurë këto konflikte globale ndodhin, ne venerojmë cilat shtete trimufojnë në raport me tjerat, dhe cilat shtete/aktorë kanë ndryshuar sjelljet si rezultat i këtyre konflikteve. Shteti, në dukje, me më së shumti “fitore” në vendim-marrje, konsiderohet si më influencuesi, respektivisht më i fuqishmi.

    Venerimi dydimensional (two dimensional view) nga ana tjetër, nuk mjaftohet vetëm me vendimmarrjen që është e venerueshme. Fuqia, sipas këtij vështrimi, ndodhet në aftësinë e një aktori/ shteti për të vendosë agjendën për të cilën kërkohet vendim-marrja. Nëse çështjet të cilat mundë të jenë të dëmshme për aktorët/shtetet, nuk i sjellin fare në rend-dite, me ç’rast nuk mund të merren vendime për to. Pra, fuqia e aktorit/shtetit ndodhet mu në aftësinë e tij/saj për të vënë gjërat në rend-dite, “agenda setting”. Zakonisht, në këtë dimension të fuqisë aktorët shfrytëzojnë aftësitë e tyre shtrënguese – kërcënuese të stilit: “po s’bëre këtë, do të pësosh këtë…”etj.

    Venerimi tredimensional (three dimensional view), i cili i atribuohet Lukes, është ajo lloj fuqie e cila mundë të kualifikohet si ideologjike. Më saktësisht, ky autor thekson se analizat që fokusohen vetëm në kushtet e konflikteve që janë të dukshme, nuk janë të mjaftueshme, duke theksuar se shtetet ushtrojnë fuqinë edhe në kushtet e mungesës së konflikteve. Ky është i ashtuquajturi dimension i tretë i fuqisë, i cili nënkupton aftësinë e aktorëve të formulojnë/ndërtojnë preferencat dhe perceptimet e individëve dhe shteteve. Pra kemi të bëjmë me aftësinë e shteteve më të fuqishme për të shtrembëruar ideologjitë e shteteve tjera deri në masën që shtetet apo shoqëritë më të dobëta janë të pa-vetëdijshme se çka në fakt është në interesin më të mirë të tyre. Për më tepër, sipas kësaj lloj fuqie subjektet/shtetet sillen në një mënyrë të caktuar sepse janë të pa-aftë të imagjinojnë aksione alternative. Kjo analize modeste e nocionit fuqi është e mjaftueshme për të vënë kontekstin adekuat që ndihmon shtjellimin e materies esenciale të këtij teksti – fuqia e shqiptarëve dhe konflikti Kosovë-Serbi. Për të arritur konkluzione më të sakta analizën do ta bëjmë nga dy këndvështrime: a) shqiptarët në raport me fqinjët – Serbinë; dhe b) shqiptarët në raport me bashkësinë ndërkombëtare (BN). Shqiptarët versus fqinjët – Serbinë, dëshiroj ta shtjelloj në dy etapa të historisë së re politike të Kosovës: periudha e viteve të 1990-ta, dhe pas 90-ve.

    Natyrisht, duke pasur kontroll mbi një nga ushtritë më të avancuara në Evropë (ushtrinë Jugosllave), gjatë viteve të 1990-ta Serbia ishte në gjendje të ushtroj fuqi substancialisht disporoporcionale vis a vis shqiptarëve dhe kësisoj arriti të imponoj ndryshimet kushtetuese të vitit 1989. Mirëpo, ndryshimet dramatike që ndodhën me paraqitjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Dhjetor të po atij viti, shkaktuan një shkarje të raporteve të fuqisë, përkundër faktit që Serbia padyshim ruante monopolin mbi resurset dhe aparatin e dhunës (policinë dhe ushtrinë). Ajo çka ndryshoi me paraqitjen e LDK-s është se kjo arriti të mobilizoj resurset njerëzore si kurrë më parë në historinë e shqiptarëve, duke i katapultuar shqiptarët e Kosovës dhe ata qe jetonin në hapësirën e ish-Jugosllavisë rreth filozofisë së saj paqësore, dhe kësisoj arriti të parandalonte Serbinë të funksionalizonte fuqinë e saj. Në fakt, përveç vuajtjeve fizike dhe shpirtërore që Serbia u shkaktonte shqiptarëve, ajo nuk arrinte të ushtronte fuqinë në raport me ta. Pra, Rugova dhe LDK janë një dëshmi eklatante e karakterit relativ që ka fuqia dhe si mundë të akumulohet dhe funksionalizohet ajo nga elita inteligjente dhe lidership të mirëfilltë në situata të caktuara. Gjithashtu, LDK dhe Rugova kishin arritur të bëheshin “agenda setters” (vendosësh të agjendës) në një mori çështjesh në saje të raporteve të shkëlqyeshme që kishin ndërtuar me aleatët euro-atlantik.

    Duke zbatuar një politikë shumë funksionale dhe inteligjente – politikën e jo-dhunës, Rugova dhe LDK ndërtuan një imazh tejet pozitiv në arenën ndërkombëtare, dhe kësisoj i shtruan terrenin faktorit ushtarak shqiptarë, ne ishJugosllavi, para së gjithash në Kosovë, të paraqitej me një legjitimitet të palëkundur. Duhet pasur parasysh se tendencat e hershme (shih deklaratën e emisarit amerikan Gelbart 1998) për ta kualifikuar UÇK-në organizatë terroriste, dështuan mu në saje të legjitimitetit që LDK-ja i kishte siguruar kësaj të fundit – UÇK-së, përkundër faktit që nuk ekzistonte një lidhje e dukshme organike midis të dyjave. Është pikërisht në saje të funksionalizimit të resurseve njerëzore, LDK + UÇK + BN që shpien në fitoren e Kosovës dhe shqiptarëve në luftën e vitit 1999.

    SI U DE-FUNKSIONALIZUA FUQIA E SHQIPTARËVE PAS VITIT 1999?

    Duke përfituar nga ky legjitimitet që Rugova dhe LDK i kishin krijuar kërkesave të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në pjesët tjera të ishJugosllavisë, shqiptarët e Maqedonisë Veriore dhe të Luginës së Preshevës arritën të i ndërkombëtarizojnë kërkesat e veta politike. Ato, si në rastin e Kosovës, duke pasur replikuar modelin e saj, angazhimit të tyre politik i shtuan kontingjente ushtarake të cilat patën sukses relativisht të mirë, sidomos në Maqedoninë Veriore, ku lufta politike dhe ushtarake e shqiptarëve atje rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 e cila e avancoi dukshëm statusin e tyre. Ndonëse në dukje pa sukses, edhe beteja politike e ushtarake e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka qenë modestisht e frytshme, sidomos në ndërkombëtarizimin e çështjes së tyre, edhe pse rezultatet e saj mbetet të shihen në një të ardhme jo shumë të largët. Mirëpo, që nga vitet e hershme të këtij mijëvjeçari, sidomos pas ngjarjeve të Marsit të vitit 2004, fuqia si resurs njerëzorë i shqiptarëve fillon të degradoj. Kjo në saje të tre faktorëve kryesorë:

    1. Ndikimi dhe roli i LDK-s dhe Ibrahim Rugovës u eklipsuar nga resurset e mbi-theksuara ushtarake te UÇK-së e dominuar nga elementët Marksist-Leninist-Enveristë të cilët dominuan UÇK-në dhe forcën politike të dalë nga ajo – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Pa dyshim, Partia Socialiste atëbotë në pushtet në Shqipëri dhe qeveria e udhëhequr nga Fatos Nano përmes ndikimeve të saj pati një rol tejet të madh në dinamikën politike në Kosovë dhe orientimet që politika kosovare tashmë kishte marrë. Rrjedhimisht, shqiptarët e Kosovës nuk qenë më në gjendje të kontrollonin agjendën e tyre që rezultoi në (pranues) recipient në vend te vendosës së agjendës së tyre (agenda setters) që tashmë ishte konsumuar nga faktorët ndërkombëtarë. Rugova u de-faktorizua dukshëm ashtu edhe elektorati i LDK-s u zvogëlua duke quar edhe tek ndarja e saj pas vdekjes së Rugovës.

    2. Faktori i dytë që qoj në rënien e fuqisë së shqiptarëve është shpejtësia me të cilën shqiptarët ishin çarmatosur ushtarakisht, duke lejuar që fuqia e saj të bartej tek faktorët ndërkombëtarë, sidomos tek institucionet që vendosin agjendën apo heqin qështjet e rëndësisë së veçantë nga agjenda. Shpjegimi më i logjikshëm i cedimit të fuqisë ushtarake nga subjektet në fjalë duhet të gjendet tek manipulimi i dëshirave dhe perceptimeve të subjekteve relevant, duke humbë një shans që të përdornin resurset ushtarake në mënyrë më pragmatike me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike-kombëtare.

    3. Faktori i tretë lidhet me ri-ngritjen e Serbisë. Serbia ka shënuar ri-ngritje në dy segmente: a) në rrafshin politik, duke dorëzuar diktatorin dhe kriminelin Milosevc tek autoritetet ndërkombëtare për gjykim në Hage, dhe duke aplikuar një proces politik të balancuar pro-perëndimore; dhe b) duke filluar ri-armatimin e saj modern. Faktori i dytë domosdoshmërish ka eklipsuar fuqinë e shqiptarëve, të cilët tashmë kishin dorëzuar këtë resurs në mëshirën a faktorëve ndërkombëtarë. Rëndësia e këtij faktori mbështetet në faktin se Serbia nuk ka hezituar të përdorë atë si deterrant ushtarak në raport me Kosovën, përfshirë muajve dhe javët e fundit, dhe si faktorë që e cenon paqen e brishtë në rajon. Duke përfituar në faktorët psikologjik të qendrave vendim-marrëse euro-atlantike dhe më gjerë (Serbia është e njohur për krijimin e konflikteve me përmasa rajonale dhe kontinentale), fuqitë e mëdha si SHBA-t dhe Unioni Evropian, u bënë recipient të kësaj fuqie të Serbisë dhe në saje të saj arritën të vendosin agjendën e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në favor të kësaj të fundit, dhe deri në një masë sikurse u bashkëdyzuan me Serbinë në raport me Kosovën, dhe kësisoj kapacitetit të tyre si “agenda setters”, i shtuan edhe kapacitetin e manipuluesit te dëshirave dhe perceptimeve të palës shqiptare. Opozita a tanishme dhe shumica e segmenteve të shoqërisë civile dhe mediave janë konsumuesit e këtij dimensioni manipulues të fuqive perëndimore. Pozita e tanishme e pabarabarte e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë, te lehtësuara nga UE dhe SHBA-t s’janë gjë tjetër pos rezultat i rikuperimit dhe përdorimit me mjeshtri të fuqisë nga ana e Serbisë, e cila në dukje ka demonstruar gatishmëri për të cenuar paqen e brishtë në Ballkan.

    SI TË NDRYSHOHET GJENDJA?

    Nga analiza e mësipërme, do të kemi kuptuar tashmë, që gjendja e disfavorshme e krijuar për palën shqiptare në veriun e Kosovës, është thjesht rezultat i fuqisë së rikuperuar të Serbisë, dhe aftësisë së saj ndikuese tek BN. Shkarja e BN kah Serbia duket të jetë motivuar pjesërisht nga interesat e saj për të ngërthyer Serbinë brenda institucioneve euroatlantike, politike e ushtarake, por mbase më shumë duke i ndrojtur gatishmërisë dhe vullnetit të Serbisë për të përdorur mjetet ushtarake për të ri-vendosur supremacinë e fuqisë në raport me fqinjët. Gjendja pothuajse e faktit të kryer në veriun e Kosovës, e cila do të mundë të manifestohej ndër tjera edhe me realizimin e interesave te saj në Kosovë duke krijuar një autonomi politiko-territoriale të serbëve në formë të një Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) edhe mundë të kishte pasuar me një aneksim efektiv, krejt në saje te funksionalizimit të fuqisë së saj. Mirëpo, akti i qeverisë së Kosovës i fundmajit të këtij viti, i cili qoj te konfrontimi i Serbëve me forcat ushtarake të KFOR-it me 29 maj, duket ta këtë trazuar këtë gjendje, pra stabilitetin e fuqisë së Serbisë dhe rolin e BN në vendosjen e agjendës për Kosovën dhe të interesave të palës shqiptare. Me një fjalë, aksioni inteligjent i qeverisë demonstroi edhe karakterin ilusiv të fuqisë, si dhe mundësisë së funksionalizimit të saj edhe në rastet më të papritura dhe në dukje të pamundura.

    Qeveria e Republikës se Kosovës arriti dy suksese mjaft impresive më këtë aksion:

    1) Duke shfrytëzuar aprovimin e BN të zgjedhjeve gjysmë-legjitime të muajit Maj, të cilat në masën më të madhe u bojkotuan nga Serbët, qeveria arriti, më tepër se vetëm simbolikisht, të shtrij sovranitetin e Kosovës në veri të vendit; si dhe 2) duke realizuar këtë objektiv ajo provokoi reagimet agresive të elementëve kriminal serb te kontrolluar nga Beogradi të cilat sollën tek konfrontimi me policinë e Kosovës e angazhuar në një aksion legjitim të sajin, si dhe detyrimisht reagimin e KFOR-it ushtarët e të cilit u bënë viktimë e këtij agresioni. Intervenimi i KFOR-it detyrimisht solli tek destabilizoi i një raporti ko-ekzistues i BN dhe Serbisë, dhe kësisoj edhe deri tek pozicioni i matjes së fuqisë midis asaj euroatlantike dhe Serbisë në të cilin rast zmbrapsja e te dytës ishte e domosdoshme.

    S’do mend se aksioni i mirë-menduar i qeverisë së Kosovës do ti ketë irrituar partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-t si përgjegjësit kryesor të fuqisë euroatlantike pasi ky aksion i detyroj ato të përballeshin në një moment të cilin nuk e dëshironin. Aksionet pasuese të qeverisë, duket të kenë demonstruar një pasiguri te të dy palët – BN dhe Serbisë nëse roli i shqiptarëve do të eskalohet apo do te mundë të neutralizohet ashtu që planet dhe agjenda e BN dhe Serbisë të materializohen deri në fund, dhe pa ndonjë thyerje serioze.

    “SHQIPTARIZIMI” I POLITIKËS SË JASHTME TË TIRANËS ZYRTARE SI PARAKUSHT

    Natyrisht, ky skenar – pra vazhdimi i status quos, e cila siguron realizimin të agjendës rreth Kosovës, tashmë kaherë të vendosur, nuk është në interesin e shqiptarëve, duke pasur parasysh se një realizim i tij rrezikon interesat vitale të Kosovës jo vetëm në rrafshin e gjeografisë (hapësirës fizike, tokësore) por para se gjithash në atë të resurseve natyrore, ujit (Ujmani/Gazivoda), dhe pasurive te çmueshme minerale. E gjendur përballë një raporti të fuqisë të pa-matshëm me BN dhe Serbinë palës shqiptare i mbetet të invokoj opsionin/modelin e Rugovës dhe LDK-së + UÇKsë. Por, ky model nuk mundë të materializohet në mënyrë efikase siç ishte materializuar gjate viteve të 90-ta. Prandaj një formë më radikale e funksionalizimit të resurseve njerëzore shqiptare është e domosdoshme nëse dëshirohet mbrojtja e interesave kombëtare të shqiptarëve, dhe ato jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës, por të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Për të realizuar këtë, duhet një vetëdijesim dhe vullnet i elitave si politike ashtu edhe intelektuale tek shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë si dhe atyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqipëria zyrtare tradicionalisht nuk ka demonstruar vullnet të promovoj interesat e shqiptareve në Ballkan përveç në rrafshin deklarativ dhe duke manipuluar me sentimentet e shqiptarëve jashtë territorit të saj. Shqiptarët e Kosovës e kanë vuajtur më së shumti këtë manipulim.

    Andaj nuk është e rastësishme që gjatë viteve të 90-ta politika e LDK-s e drejtuar nga Ibrahim Rugova nuk mbështetej, pothuajse fare, në Tiranën zyrtare, ansipse kjo e fundit i kishte krijuar disa favore shtetit paralel të Kosovës. Viteve të fundit duket sikur kemi një njohje më të thellë, nga ana e segmenteve jo zyrtare sidomos nga spektri i të djathtës shqiptare rreth sentimentit dhe çështjeve reale të shqiptarëve jashtë Shqipërisë zyrtare. Por, ajo që është më kryesorja, përfaqësuesit politikë të së majtës shqiptare si dhe segmentet kulturore dhe intelektuale mbështetës të saj, mbeten thellësisht tradicional karshi Kosovës. Aksionet politike të kryeministrit Edi Rama të mbështetur nga shtresa të sipër-përmendura intelektuale dhe mediale gjatë gjithë mandatit të tij deri tani, janë demonstrim i vazhdimit të raporteve të stilit të Enver Hoxhës dhe Fatos Nanos, të cilat shpesh marrin karakter (duke theksuar me keqardhje) diabolik ndaj Kosovës. Andaj, për të mobilizuar, dhe materializuar efektivisht resurset njerëzore, politike e kulturore të shqiptarëve, qoftë edhe të stilit të Serbisë – pra aftësisë potenciale të kërcënimit të paqes si faktor i fuqisë dhe realizimit të interesave vitale kombëtare, është i domosdoshëm “shqiptarizimi” i politikës së jashtme të Tiranës zyrtare. Do kujtuar se shqiptarët në Ballkan janë populli më përgjegjës i ruajtjes së paqes, dhe rrjedhimisht edhe kërcënuesit më potencial të saj.

    Do të ishte një revolucion politik e kulturor i mirëfilltë në Shqipëri, nëse opozita e tanishme shqiptare do të fuste në agjendën e aksionit të saj politik, kauzën për largimin definitiv të Edi Ramës dhe distancimin një herë e mirë nga modeli i tij, i Nanos e Hoxhës, sa ju përket marrëdhënieve Shqipëri – Kosovë. Aktet e tij, në vazhdimësi, gjatë mandatit të tij si Kryeministër, janë dëshmi e qartë për Kosovarët. Prandaj kjo praktikë duhet ndalë disi. Ndryshime radikale të qasjes së Tiranës zyrtare dhe segmenteve intelektuale e mediale lidhur me çështjet e karakterit gjithë-kombëtarë, janë parakusht të mobilizimit të resurseve njerëzore dhe faktorëve tjerë të fuqisë qofshin edhe të atillë që potencialisht rrezikojnë paqen në rajon nëse cenohen interesat vitale të kombit – rasti i veriut të Kosovës shembulli më tipik! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    40-vjeçarët arrijnë rekordin e beqarëve, faktorët dhe rasti i Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    Rryma me çmim të ri, nga 1 dhjetori përsëri tarifë e lirë ditore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë