Konflikti Kosovë – Serbi: Dritaret e cenosjes dhe mundësisë

    Foto Ilustruese

    Seb Bytyçi

    Analiza e konfliktit e sheh procesin e vlerësimit të konfliktit si katër hapësh, ku hapi i katërt është definimi i dritareve të cenosjes (cenueshmërisë) dhe mundësisë. Cenosja është një ngjarje apo situatë që ka gjasa ta eskalojë konfliktin. Kurse mundësia është një kohë apo rast i favorshëm për të de-eskaluar konfliktin. Koha e tashme ka më shumë tipare të cenueshmërisë se sa të mundësisë. Kjo për tri arsye: Kosova dhe aleatët e saj po ballafaqohen me probleme të brendshme si pandemia dhe kriza ekonomia shoqëruese, në arenën ndërkombëtare kemi mësymje nga aktorët si Rusia e Irani për ta testuar qeverinë e re amerikane, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, agjendat zgjedhore, ku prap Rusia përmes të partive ekstremiste dhe kibersulmeve pritet rrisë ndikimin e saj në Perëndim. Më poshtë do të fokusohem më shumë të agjenda zgjedhore.

    Cenosja

    Në këtë periudhë kemi parë një përpjekje për ta shtyrë “dritaren e Overtonit” (të temave të pranueshme për debat) në favor të Serbisë përmes dokumenteve joformale (non-papers), ku ravijëzohen dëshirat serbe se si duhet të duket Kosova dhe Ballkani. Aty, mes tjerash, përmenden ide si rivizatimi i kufinjëve në Ballkan, krijimi i një distrikti autonom në veri të Kosovës, dhe kthimi i Kosovës nën Serbi. Në dy shkrime të mia (Zajednica me ndarje të veriut dhe Devolucioni asimetrik etnik) në sbunker.net pata paralajmëruar për rrezikun e copëtimit të mëtutjeshëm të Kosovës më 2018. Në të njëjtën kohë kemi parë thirrje për ta arritur një marrëveshje me Serbinë sa më shpejtë.

    Kosova nuk duhet të ngutet të hyjë në negociata së shpejti. Një marrëveshje e mundshme duhet të presë përfundimin e zgjedhjeve në Gjermani (shtator, 2021) dhe Francë (prill, 2022). Në prill të 2022-ës, do të ketë zgjedhje edhe në Serbi, prandaj është vështirë të shpresohet për koncesione nga Serbia në këtë periudhë, kurse presioni për koncesione nga Kosova do të jetë i madh. Kjo sepse liderët në detyrë që po garojnë për rizgjedhje po lajkatojnë elektoratin e ekstremit të djathtë, dhe një marrëveshje që e nxjerrë fituese Serbinë shihet si ndihmesë për rizgjedhjen e tyre.

    Ndikimi i zgjedhjeve në konflikte dhe marrëdhënie ndërkombëtare nuk duhet nënvlerësuar. Zgjedhjet në Serbi dhe Kosovë vazhdimisht janë shoqëruar me “shfaqje” të rrahagjoksjes nacionaliste, siç ishte rasti me trenin e famshëm serb, për t’i ndezur votuesit nacionalistë. Tjetërkund, lufta e Gazës e vitit 2014 mendohet se u shkaktua nga partia izraelite në pushtet për t’i fituar zgjedhjet (të cilët e pranuan këtë, në fakt, më vonë). Edhe lufta që po ndodhë në maj 2022 mes Izraelit e Hamasit, gjykohet të jetë ndikuar nga agjenda zgjedhore si në Izrael ashtu edhe në Palestinë. Edhe vetë nxitimi për “marrëveshjen/zotimet” e Kosovës e Serbisë në Uashington para zgjedhjeve të 2020-ës ishte ndikuar nga agjenda zgjedhore sepse ato zotime ishin dhuratë për votuesit konservatorë si në SHBA ashtu edhe në Izrael me premtimet për hapjen e dy ambasadave në Jerusalem. Qartazi zgjedhjet janë dritare e cenueshmërisë për konflikte të ndryshme e edhe në Kosovë.

    Koha kritike e mundësisë

    Ka edhe një arsye tjetër për të pritur, ajo është mundësia reale për lëvizje më pro-perëndimore në Gjermani ku pritet të bëhet kancelare Annalena Baerbock nga partia e Gjelbër, e njohur për qëndrim pro-NATO dhe rezistencë ndaj Rusisë që po përdorë naftën e gazin ndotës për të rritur ndikimin e saj. Kjo përbën ndryshim nga politika e njohur neutrale e Gjermanisë (ostpolitik) që i jep rëndësi të madhe raporteve të mira me Rusinë. Edhe zgjedhjet lokale në Kosovë mund të hyjnë në ekuacion, dhe Kosova mund t’i përdorë ato si arsyetim për të mos u futur me zell në negociata në këtë kohë. Sigurisht, kjo periudhë njëvjeçare duhet të përdoret për pregatitje sa më të mirë ku përfshihet caktimi i platformës negocuese, lobimi me miqtë perëndimorë, dhe definimi i kërkesave për reparacione (ku përfshihet një kalkulim i hollësishëm i dëmshpërblimeve materiale). Ndërkohë duhet bërë qartë synimi i paditjes së Serbisë për gjenocid dhe integrimi më i ngushtë me Shqipërinë.

    Koha më e mirë për një marrëveshje duket të jetë periudha Maj-Tetor 2022, pra pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi dhe Francë dhe para zgjedhjeve në SHBA. Dihet se Bajden ka marrë një qëndrim të fortë pro-NATO dhe kundërshtues ndaj rritjes së ndikimit rus, gjë që ka përkrahje në elektoratin amerikan. Prandaj një marrëveshje që e tëkurrë ndikimin Rus e Kinez në Ballkan dhe Evropë pritet t’u ndihmojë Demokratëve të Bajdenit në zgjedhjet e nëntorit 2022. Forcimi i ndikimit amerikan, e sidomos përmes krijimit të porteve të reja të gazit likuid pritet të shkojë mirë për Demokratët sidomos në zonat konservatore ku prodhohet ky gaz. Prandaj, Kosova bashkë me Shqipërinë duhet të telegrafojnë dëshirën për të investuar në një port të pranimit të gazit likuid që do të shërbentë si nyje e shpërndarjes së tij në Ballkan.

    Përfshirja e një zotimi të tillë në një marrëveshje eventuale do të ishte e mirë për të dy palet sepse Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për gasifikim për të ikur nga përdorimi i lëndëve djegëse ndotëse (thëngjilli, drutë) për ngrohje, gjë që do të pritej mirë edhe nga një Gjermani me të Gjelbrit në qeveri por edhe nga BE-ja që synon uljen e lirimit të karbondioksidit. Një Amerikë dhe Gjermani të udhëhequra nga progresistë pro-perëndimor e që synojnë dobësimin e ndikimit rus, janë dyshe ideale për të siguruar një marrëveshje të favorshme për Kosovën. Për këtë duhet politikë e mençur dhe punë e vazhdueshme me aleatët perëndimorë. /Sbunker/

    Lajmi Paraprak

    Kur rreziqet e bindjes ua kalojnë pasojave të rebelimit…

    Lajmi i rradhës

    Rritet papunësia në Kosovë, më shumë se 198 mijë punëkërkues u regjistruan në shtatë muajt e parë të pandemisë

    Lajme tjera

    Katibim

    EDISON YPI  Kurioz i papërmbajtur. Qe lindur për të ditur: Çfarë, kur, ku, si pse? Pyeste vazhdimisht për…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë