Kreu i shtetit (të tyre) si përçues i interesave të oligarkisë politike

    ROMEO GURAKUQI

    Fati i zgjedhjes së Presidentit të Republikës edhe këtë radhë gjendet ndër duart dhe shpirtrat e trazuar të tre udhëheqësve autoritarë, të të tri partive politike dhe një të katërti, të prapavijës, që fshihet dikund nëpër lozhat periferike të Tiranës. Në pamje të parë, për publikun, duket sikur Mjeshtër i Madh i kësaj ceremonie formale është caktuar zëdhënësi i socialistëve parlamentarë, zoti Balla. Po në fakt, vendimmarrja e vërtetë ndodh dikund tjetër, aty ku publiku nuk depërton dhe media e drejtueme nga oligarkia, s’ka asnjë shans të hyjë.

    Nuk kemi të bajmë me procedurë të miratueme ligjore ose me zbatim të rregullave zakonore kushtetuese, as me klasifikime të bazuara mbi interesat publike për statura të nalta karakteriale, intelektuale, të pastërtisë së figurës, pasurisë dhe përshtatshmërisë së sigurisë, por me një negocim, sipas meje, primitiv, jo serioz, të denjë për Bazarin e Pashallëkut Arnaut.

    Shqipëria e vitit 2022 është larg mënyrës se si u caktuan nga themelvënësit, Kryeministri dhe ministrat në nëntorin 1912, në marsin e vitit 1914, dhjetorin, 1918, janarin 1920, si dhe Regjenca e viteve 1920-1924, mbasi fryma themeltare e shtetit, konventat kushtetuese mbi balancat krahinore dhe kulturore, mbi të cilat asht e ndërtueme marrëveshja e ekzistencës sonë shtetërore, e ardhmja e paqtë e vendit në Europë, është dërrmuar në heshtje nga të njëjtët dhe skifterët e tyre bashkëshoqërues, që presin të legalizojnë minierat, hidrocentralet, puset e naftës, resortet dhe paratë e procesit të rindërtimit.

    Vendimmarrësit e sotëm të skenës dhe prapaskenës po negociojnë për çështjen presidenciale, sipas mënyrës së tyre ‘bashkë kohore’, të allishverishit mes njerëzve praktikë, të njerëzve që s’dijnë çfarë është atdheu i Naimit, Fishtës dhe Konicës, leximi i saktë i traditës shtetformuese të Vlonës, Durrësit dhe Lushnjës, interesi publik i përshkruem nga Desidenca e vërtetë, siguria shtetnore e përkufizueme nga Brukseli.

    Vendimmarrja e tyre e ditëve në vijim nuk do të vijë, as nga leximi dhe studimi i nevojave aktuale të një vendi që ka emergjencë të çlirohet nga regjimi i korrupsionit, nga brutaliteti i injorancës që ka zanë Parlamentin, nga sundimi i mediokritetit dhe përfituesve ndër parti, nga plotfuqishmëria e oligarkëve të paskrupullt, nga dhuna e krimit të organizuem që e ka kthye politikën në një vasale.

    Ata duan të rivendosin në këtë post një njëri të tyre, që nuk trazon ‘kënetën’ që ata artificialisht kanë krijue, me ose pa syze të shtrenjta, mjafton që shpirti i zi katran e ulok të sundojë në atë maje ‘principate’ të tyren, të cilën Perëndimi do të duhet ta l•rë sërish në pritje pa fund, si domen të kapësve të paligjshëm të Shqipnisë. Në qoftë se publikut i krijohet përshtypja se mes tyre ka përplasje, ajo nuk ka të bëjë fare me staturën e naltë që kërkon posti në fjalë. Ata duan një njëri të Ordës së tyne, një të përulun, që nuk u prish terezinë e pasuninë e fëmijëve, ndërkohë që e ardhmja individuale e personazheve ma të spikatun, ‘udhëton’ drejt të panjohurave të mëdha, ankthit të përditshëm, klithmave në mes të dritës, prej frikërave të netëve pa hanë.

    Për ta kuptuar dhe vërtetuar këtë, mjafton të ktheni në kujtesë mënyrën se si reaguan ndaj të parit politikan në këtë tranzicion, që u përpoq të vendoste një set rregullash e kriteresh krejt elementare dhe një procedure krejt formale, për të mbërritur te një numër i reduktuar kandidatësh të pranueshëm presidencialë, zotit Alibeaj: edhe pse propozimi ishte i paplotë dhe jo i përsosur nga pikëpamja e realizueshmërisë, gjithëpërfshirjes, ndërkohë që do të duhej shoqëruar me ndërhyrje paraprake kushtetuese, në unison, kontrollorët u vërsulën ta dërmonin, prej frikës se procesi dhe protagonizmi u ikte nga duart, profilizimi mund të çonte te më të padëshiruarit dhe më të pamenaxhueshmit.

    A e dimë ne ku jemi dhe kush kërkon me na u imponu sërish këtë vendimmarrje me interes kaq të naltë publik? Dua veç të kujtoj se: në 31 vite, të njëjtët që nuk ndërtuan dot një spital të mirëfilltë, të plotë të specializuem shtetëror me standarde bashkëkohore ekzaminuese dhe kuruese, një universitet të vetëm bashkëkohor publik që hyn ndër rangjet normale për vendet europiane, një gjimnaz të krahasueshëm së paku me Gjimnazin e Tiranës së viteve 1930, 1940, një polici të krahasueshme me xhandarmërinë e Mbretnisë Shqiptare, duan tani, sot, kur vëmendja e aleatëve është maksimale për fatin tonë euroatlantik, në ditët kur Shqipëria është në kthesën e plotë për të pasur një lider europian të denjë intelektualisht dhe politikisht për tavolinën e sigurisë perëndimore, të lajnë në zyrën ma të naltë të shtetit, modelin e tyre të dëshirueshëm e të kapun në nji grremç.

    Ata duan një njeri që nuk ban thirrje për t’ua prish kullat që po ndërtohen në Parkun e Madh të Tiranës, rehatinë e Kunorës, qetësinë e rezervateve ndër plazhe, përjetësimin e tokave të lëshueme me koncesion në bregdet, hidrocentralet, minierat dhe inceneratorët e marruna me leje qeverish. Janë të njëjtët që kanë dërrmuar lirinë e qytetarit, që nuk guxon me folë nji fjalë, ma keq se në kohën e fundit të Ramiz Alisë. Mjafton të shihni se si e kanë vdek lirinë politike brenda partive të tyne dhe si në kor të gjithë brohorasin dhe përsërisin tezat e paarsyeshme të udhëheqjes, për të kuptuar diferencën me lirinë që kishim në dhjetorin 1990, në vitin 1991 e 1992.

    Në fund dua të kujtoj ku e kanë katandisur lirinë e shtypit: në çdo vend jo të lirë të botës, shtypi është nën presionin dhe urdhnimin e heshtur ose të hapur të pushtetit, d.m.th. të qeverisë. Në Shqipni ndodh diçka krejtësisht e çuditshme, e veçantë, shumë më komplekse, që vlerësuesit ndërkombëtarë e kuptojnë me vështirësi: shtypi është nën presion, urdhnim dhe një kërcënim të paralajmëruem nga një spektër shumë ma i gjanë subjektesh, nga një numër krahësh, të dukshëm dhe të padukshëm, përpunuesve të programuem të opinionit publik, përmes pronësisë së mediave ose lidhjeve okulte të gjobëvënësve, të kontrollorëve, të politikës në përgjithësi nga të gjithë krahët.

    Askush nuk mund t’u dalë para dhe rrëzojë me arsye në një medium, ‘tezat’, sofizmat në të vërtetë të hedhuna nga të plotfuqishmit, mbasi përndryshe do të pësonin furinë e skifterëve të shpërndamë gjithandej në tregun e ‘fjalës së lirë prozhmuese’. Kryeministri Edi Rama thotë se ai nuk ka faj për këtë gjendje të krijueme në median shqiptare dhe rënien e standardit të këtij pushteti të katërt në mbrojtjen e interesave publike, mbasi ai nuk ka ndëshkuar askënd nga kritikët e tij.

    Kjo pjesë e dytë e vlerësimit të tij edhe mund të qëndrojë. Por pyetja e plotë që bëhet është: Kush i ka në dorë institucionet ligjzbatuese për ndëshkimin e kontrollorëve që abuzojnë me paprekshmërinë e skifterëve? Kush e ka në dorë vendimmarrjen për legjislacionin që përmirëson lirinë e medias dhe ndëshkon dhunuesit që operojnë underground?! A është ai shpërndarësi i qokave për lajkatarët e aktiviteteve qeveritare? Kush e ka krijuar ‘teatrin’ e lumturisë së rremë në Shqipëri?

    Ndërsa për temën e marrë në shqyrtim, pyetja për shefin e maxhorancës është: A nuk i mjaftuan atij si udhëheqës i qeverisë, 9 vite, për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe kushtetues, aktet organike për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, pa kriza dhe pa improvizime të tilla sikur ky që po ndodh këto ditë? Në fund shtrohet pyetja e përgjithshme: A munden dot arkitektët e shumëfishtë të një sistemi autoritar, kleptokratik, jo europian, të bëjnë sot zgjidhje në të mirë të Shqipnisë dhe përkundër trashëgimisë së pafamë që po lëmë pas? Unë personalisht nuk besoj se në situatën e krijuar dhe me rrethin e shtrënguar të vendimmarrjes së sajuar në këto orë, produkti presidencial do të dalë jashtë skemave antishtetërore, aspak patriotike, që klasa aktuale politike i ka kthye në traditë të kohëve të sotme të mbrapshta.

    Do të ishte e përshtatshme që, para se të ecet më tutje në këtë linjë që nuk të çon askund, ku do të duhet të na çojë, ato njerëz me arsye që kanë mbet në Kuvendin e Shqipërisë, të startonin mbledhjen e një Komisioni Kushtetues, për kryerjen e një numri ndryshimesh të domosdoshme, jo vetëm për parashikimet e zgjedhjes së kreut të shtetit, por para së gjithash të prerogativave të postit të naltë shtetëror, si stabilizues i sistemit, garantues i unitetit kombëtar dhe kulturorë dhe kontrollor i shekullarizmit të sferës publike. Anipse zgjedhja e Presidentit mund të vonohej. Kushtetuta aktuale ka një zgjidhje tranzitore, nuk krijon vakume pushteti dhe jep kohën e mjaftueshme për ndryshim racional për kah forcimi i shtetit dhe balanca mes pushteteve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Polonia ndërpret marrëveshjen 30-vjeçare me Rusinë për furnizim me gaz: Nuk është një partner i besueshëm

    Lajmi i rradhës

    Lija e majmunëve, KSI po e ndjek gjendjen në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë