Kujtesa kolektive dhe gjeneratat e reja

    Bleona Kurteshi

    Kur përmendet termi “kujtesë kolektive” mendimet e para shpesh janë të lidhura me ngjarje të mëdha historike të cilat kanë lënë gjurmë tek një grup. Ngjarje këto të cilat vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për ta dhe shërbejnë si elemente përbashkuese të identitetit. Çdo grup shoqëror ka referencat mbi të cilat e ndërton historinë e vet dhe vazhdimisht i kujton ato me anë të rrëfimeve apo praktikave të ndryshme. Kujtimet kolektive janë interpretime të përbashkëta të së kaluarës së një komuniteti që ndihmojnë në formimin e identitetit të tij kolektiv (Halbwachs, 1950). Mënyra se si e kujtojmë të kaluarën, çka zgjedhim të kujtojmë e çka të harrojmë janë të gjitha aspekte shumë të rëndësishme të krijimit të identitetit kolektiv. Bazuar në këtë mund të themi se ekziston një marrëveshje e pashkruar midis anëtarëve të një grupi që pajtohen se mbi cilin narracion do ta ndërtojnë kujtesën e tyre të përbashkët dhe rrjedhimisht ta përcjellin atë tek gjeneratat e reja sepse në thelb kujtesa kolektive ka rol ndërmjetësues.

    Secili prej nesh bënë pjesë së paku një grup shoqëror me të cilin pos vlerave apo synimeve na lidh edhe një kujtesë e cila është e ndërtuar mbi përvoja të përbashkëta e që me kalimin e kohës shndërrohen në bosht mbi të cilat do të bazohet interpretimi ynë kur flasin për përkatësinë tonë në atë grup. Pos tjerash, kujtesa kolektive konsiderohet të jetë edhe një përcaktues i rëndësishëm i identitetit kombëtar.

    Format e transmetimit të kujtesës kolektive janë nga më të ndryshmet, si në nivelin jo formal ashtu edhe atë formal. Nëpërmjet rrëfimeve dhe strukturave të ndryshme shoqërore kujtimet e përbashkëta marrin kuptim për komunitetin. Në shoqëritë tradicionale forma e historisë gojore për transmetimin e kujtesës kolektive ka qenë më e shprehura. Në këtë mënyrë anëtarët e një grupi kanë rrëfyer dhe transmetuar vazhdimisht kujtesën e tyre kolektive nëpër gjenerata. Kjo formë nuk është që ka humbur rëndësinë e saj edhe nëpër stadet e tjera të shoqërisë, madje sot historia gojore konsiderohet si njëra ndër format më të vlefshme me anë të së cilës mund të shpjegohet e kujtohet trajektorja kolektive. Por, duke e parë rrezikun që mund të kanoset nga faktorët e ndryshëm si kalimi i kohës, e cila mund të sjellë kujtimin e saj të pjesshëm, interpretimet subjektive, kontekstet e ndryshme politike e ideologjike, u pa e nevojshme që transmetimi i kujtesës kolektive të bëhet në mënyrë më formale e të institucionalizuar. Rëndësi të veçantë në këtë aspekt bartë edhe hapësira, ndonëse për një kohë të gjatë ka mbetur në margjina të trajtimit kur flitet për kujtesën kolektive. Është i vetëkuptueshëm fakti që hapësira si e tillë nuk ka kujtesë kolektive por janë njerëzit ata që i japin kuptim hapësirës duke ruajtur kujtimet për ngjarje e histori të përbashkëta. Ashtu siç shprehet edhe historiani Pierre Nora – ku permend “lieux de mémoire” apo vendet e kujtesës. Duke iu referuar si hapësirë fizike në të cilën anëtarët e një grupi kujtojnë dhe ruajnë një kujtesë kolektive dhe një vend në të cilin mund të identifikohen si NE. Memorialet, emërimet e hapësirave publike, muzetë, galeritë, arkivat janë disa prej hapësirave me anë të së cilave ruhet dhe transmetohet kujtesa kolektive. Ndonëse në vendin tonë, nga vështrimi kritik, ndërtimi, kurimi dhe funksionimi i të gjitha këtyre hapësirave mund të lë vend për një diskutim të gjerë, por në fund të fundit janë këto që janë dhe në një formë ose tjetër e kryejnë rolin e tyre që është transmetimi i njohurive lidhur me ngjarjet, personat dhe çdo gjë tjetër që ka karakter të përbashkët historik. Duke i mësuar këto njohuri gjeneratat e reja e për brendësojnë kujtesën kolektive të grupit dhe kështu rritet edhe ndjenja e përkatësisë tek ta.

    Agjensët e socializimit janë përgjegjës për transmetimin e njohurive dhe kuptimeve të së kaluarës tek gjeneratat e reja. Familja konsiderohet si institucioni i parë shoqëror në të cilin bëjmë pjesë e që ka për detyrë t’i njoftoj fëmijët me disa prej shtyllave mbi të cilat ndërtohet identiteti i tyre kolektiv. Por, njohuritë e informacionet e marra në familje shpesh herë nuk janë të mjaftueshme. Andaj, duhet punuar në një nivel më të lartë institucional. Kur flasim për transmetimin e kujtesës kolektive në formë të institucionalizuar nuk kemi si ta anashkalojmë faktorin kyç e që është shkolla/procesi arsimor. Sistemi ynë arsimor në raport më kujtesën kolektive është i ndërtuar në atë formë që lë anash disa ngjarje e personalitete të historisë mbi të cilat është e ndërtuar kujtesa jonë kolektive së paku tridhjetë vitet e fundit. Pra, sistemit tonë arsimor i mungon dedikimi për të rrënjosur një ndjenjë të kujtesës së kolektive tek nxënësit. Vizitat nëpër vendet e kujtesës, kontekstualizimi i teorive me ngjarjet dhe përvojat kolektive duhet të jenë ndër format me anë të së cilave duhet ruajtur kohezioni, ndjenjat dhe qëllimet e përbashkëta shoqërore. Sepse nëse nuk bëhet kjo, gjeneratat e reja do të kenë “vakum kujtesë” e që më pas do i shpie në krizë identiteti. Andaj, duhet një angazhim serioz i të gjitha institucioneve dhe mekanizmave social që ta parandalojnë shndërrimin në një shoqëri që përpiqet të ruajë vlerat shoqërore, ka synime për të ardhmen por që nga ana tjetër ka humbur çdo ndjenjë të kujtesës dhe historisë kolektive. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Do të dështojnë ata që synojnë ta destabilizojnë Kosovën

    Lajmi i rradhës

    73-vjeçari vret pesë persona në Toronto

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë