Kumbari 

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA 

    Kujtim Shabani 

    Naser, Sadat, Gadaf, Sadam… Duket si një listë e kushërinjve të dashur. Të çdonjërit nga ne. Dhe është! Po nga vijnë këto emra në rrethin tonë? Vërtet kush i pagëzon fëmijët te ne dhe me çfarë metodologjie? Cili është rezervoari i emrave ku shërbehen ata? Fundja emri është tregues i identitetit kulturor dhe kombëtar.

    Autori i këtyre rreshtave vetëm sheh një korrelacion ndërmjet këtyre emrave dhe disa figurave e ngjarjeve historike në botë. Nëse këto emra shfaqen pas vitit 1952, atëherë ato vijnë nga simpatia e kumbarëve për politikanin egjiptian Gamal Abdel Naser, i cili i ngriti peshë zemrat si lider i arabëve për t’i larë hesapet një herë e mirë me Izraelin dhe dështoi keq në Luftën Gjashtëditore; nga simpatia për Anvar as-Sadatin, mbase i vetmi që ia ka hedhur Izraelit, duke i rikthyer me një sulm të papritur më 1973 disa territore të pushtuara në poshtëruese të pararendësit të tij; nga simpatia për udhëheqësin e Libisë Muamar al-Gadafi, një delirant që e stërstilizonte veten si një lider kontinental dhe universal, vizionar dhe revolucionar, sponsor i terrorizmit ndërkombëtar dhe grupeve ilegale palestineze; nga simpatia për kryetarin e Irakut, Sadam Husein, rekordet e të cilit janë lufta tetëvjeçare kundër Iranit, si dhe aneksimi i Kuvajtit më 1991, me ç’rast gjuajti edhe një seri raketash mbi Izrael.

    Kujtoni që Naseri ishte ndër figurat kryesore të Bllokut të Shteteve të Painkuadruara që e udhëhiqte Tito. Dhe që ky “pakt i tretë” ishte kryefjala e propagandës së Jugosllavisë. Në faqen e dytë të librit shkollor të fillores për “Dituri natyre dhe shoqërie” qëndronte në mënyrë prominente imazhi i Titos me Naserin dhe Nehrun e Indisë. Jugosllavia për hir të afërsisë me vendet arabe e ka denoncuar parreshtur shtrirjen e dhunshme të Izraelit në territoret palestineze. Jaser Arafati, para se të fitonte Çmimin Nobel për Paqe, si eksponenti më i spikatur i terrorizmit për Perëndimin, në Jugosllavi ishte një njeri i mirëpritur dhe i nderuar.

    Përveç kësaj, Shqipëria komuniste e ka pasur Izraelin në thumb për dekada me radhë si një vegël të imperializmit amerikan në Lindjen e Mesme. Shteti i Enver Hoxhës madje ka stërvitur në shkollat e saj ushtarake grupe guerile palestineze. Libri i tij “Shënime për Lindjen e Mesme” është linja e politikës së jashtme dhe redaksionale e opinionit publik të Shqipërisë së asaj kohe. Dhe lajmet e Shqipërisë kanë qenë gjithë kohës një burim informimi dhe frymëzimi për shqiptarët jashtë kufirit.

    Nga kjo perspektivë pagëzimi i fëmijëve këndej me emrat e liderëve arabë, që qëndronin për të drejtat e palestinezëve dhe i bënin karshillëk Perëndimit, i cili ka mbajtur gjithmonë anën e Izraelit, duket plauzibile. Por sllovenët, kroatët, serbët, malazezët dhe maqedonasit, jugosllavë të kulluar, nuk kanë kësi emrash. Ata nuk kanë as emra si Vinston Çërçill, Oto von Bismark, Helmut Kol, Ditrih Gensher…, as Vladimir Putin, më duket. As në Shqipëri nuk kam dëgjuar Naser, Sadat, Gadaf e Sadam. Sigurisht, kulti i individit ishte i rezervuar për udhëheqësin. Megjithatë duket sikur te ne, në Kosovë dhe Maqedoninë perëndimore të Veriut, duhet të ketë një kumbar tjetër që i promovon këto emra. Këtu funksionon një filozofi e ndryshme e pagëzimit të fëmijëve.

    Përgjithësisht, me sa shoh, popujt vënë emra fetarë dhe emra kombëtarë, në gjuhën amtare. Sigurisht emri edhe trashëgohet, pa patur për qëllim të ndiqet një linjë e caktuar. Nganjëherë vënë emra fetarë duke ndjekur një trashëgimi kombëtare. Si Isa (për Boletinin). Në Kosovë pas luftës janë përhapur me të madhe emra si Tonibler. Megjithatë jo për hir të asaj çfarë ka bërë ky për Anglinë, por për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Në Shqipëri ka emra si, Vlladimir për Lenin dhe Markenlen një ngjeshje e Marks-Engels-Lenin. Po si udhëheqës shprtëror të komunizmit, jo të gjermanëve apo të rusëve.

    Emrat fetarë te ne janë shumë të përhapur, si gjithëandej. Kryeson mbase ai Mohamet. Pastaj ndoshta ai Ali. Jo vetëm në këtë pikë jemi shumë inkluzivë. Te ne gjen emra transfetarë monoteistë, si Adem, Ibrahim, Lut, Isa… Te disa popuj të krishterë që i njoh pak a shumë, nuk di njeri me emrin e profetit të të krishterëve. Mari, po. Pastaj gjen te ne shumë Jusufë etj. Gjen sigurisht edhe Hava. Te ne janë të përhapur edhe emra hebraikë, si Musa apo Isak e të tjerë.

    Te ne ka edhe emër Benjamin! Apo në trajtën Bujamin. Emri i atij që së fundmi identifikohet me dhunën më të madhe ndaj palestinezëve në Gazë. Një hakmarrje krejt të shpërputhur me sulmin terrorist të Hamasit të 7 tetorit të 2023-tës. I cili nuk u shpërqëndrua as nga bombardimi i Iranit, duke e ruajtur dorën e dhunës në Gazë, ku vriten njerëz me bukë në gojë. Për çka akuzohet për krime lufte dhe gjenocid.

    Gjithsesi sot nuk do t’i kishte ngjitur njeri te ne fëmijës së tij, apo nipit, emrin Benjamin, a Bujamin, a Bejamin. Sikurse është penduar mbase ndonjëri edhe për emrin Naser, Sadat, Gadaf, apo Vlladimir… Mbase edhe për emrin Tonibler. Por, duke qenë se çdo luftë në Gjirin Persik dhe Lindjen e Mesme reflekton te ne, shtrohet një pyetje: a do të lërë edhe kjo luftë gjurmë në mesin tonë, ndonjë emër të ri, që do ta sugjerojë ndonjë kumbar misterioz, i cili ka spikatur në kauzën e tij.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka më popullatë “rezidente” dhe “jo-rezidente”! GjK shfuqizoi dispozita të metodologjisë së regjistrimit

    Lajmi i rradhës

    ShGM miratoi Deklaratën për mbrojtjen e gazetarisë profesionale

    Lajme tjera

    Dëshira

    Naim Frashëri Zot!SotJam,kam,shoh,njoh,rronj,shkonj;kam gasdhe flase themtë kemditë,dritë,jetë,vetë,ah, dua,që thua,të mos vdes,po të mbespërjetëtë ketëshpirti impa mundimshëndenëtë jenëme muasa…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë