Kur ekonomia mund politikën

    RINALD MUÇA

    Është disi e vështirë të shprehesh për librin e profesor Bundos, “Kur ekonomia mund politikën” dhe kjo për një sërë arsyesh.

    Së pari, në nivel personal, profesorin e njoh prej më shumë se 20 vitesh dhe gjatë kësaj kohe ka qenë gjithnjë prezent në momente delikate të formimit tim si profesionist dhe si njeri. Profesori më udhëhoqi në mbrojtjen e tezës sime të doktoraturës, por me thënë të drejtën, ashtu sikurse thotë dhe shprehja “njeriu nuk mban mend fjalët, as veprat, por si e ke bërë të ndihet”, unë kam harruar se ç’më thoshte profesori për riskun, por nuk kam harruar akomodimin emocional dhe psikologjik që ai më ofroi në një moment kritik dhe të mbarsur me pasiguri. Duke stresuar shëndetshëm, aq sa duhet për të të motivuar, por jo paralizuar, së bashku me profesorin kurorëzuam një punë që modeloi për mua mënyrën se si duhet ofruar ndihma, mentorimi dhe lidershipi në eksperiencat e mia të mëvonshme, me kolegë, eprorë dhe vartës. Në këtë drejtim, mund të thuhet pa rezerva se profesori është një komunikues i shkëlqyer, i palodhur, objektiv, njerëzor, diplomat kur kërkon të të testojë, por i vërtetë dhe pa dorashka kur kërkon rezultat. Është për t’u përgëzuar që këto tipare, të cilat profesori i shfaq me të gjithë ata që bashkëpunon, i ka ruajtur, zhvilluar me kujdes dhe pasqyruar për të gjithë edhe në tri botimet e tij më të fundit.

    Së dyti, botimet e profesorit, përfshirë edhe vëllimin “Kur ekonomia mund politikën”, janë fryt i një eksperience të gjatë jetësore, janë produkt i një mentaliteti të pjekur dhe rritur me kohën. Profesori ka punuar në shumë fusha, në atë të veprës dhe mendimit, në atë të Shqipërisë komuniste dikur dhe pseudodemokratike sot, në prodhim, industri, financë, politikë, gazetari, akademizëm, brenda e jashtë vendit. Është e pamundur, besoj jo vetëm për mua që jam relativisht i ri në moshë dhe profesion, por edhe për burra e gra veteranë në profesionet e tyre, të rrokin gjerësinë dhe thellësinë e problematikave të ngritura, të analizojnë paralelisht, nga këndvështrime të ndryshme, çështjet jetësore me te cilat përballemi çdo ditë dhe të sugjerojnë zgjidhje komplekse, bashkëkohore dhe progresiste.

    Botimi “Kur ekonomia mund politikën” është një përmbledhje me ese, artikuj gazetash, botimesh akademike në konferenca shkencore, refleksionesh të pabotuara, të shtrira në harkun kohor 2013-2020. Që në krye të herës duhen nënvizuar dy kolona kryesore, mbi të cilat ngrihet ky botim. E para është raporti që vendos autori me informacionin apo në një kuptim më të gjerë me dijen. Sot, gjithkush nga ne, me një celular në xhep, mund të shfaqet i mirinformuar, madje edhe si i gjithëditur. Por, sikurse shprehet Yuval Noah Harari në librin e tij “21 leksione për shekullin e 21-të”, narrativa ka ndryshuar, “në një botë të përmbytur nga lajmet e parëndësishme, informacioni nuk është më pushtet, kthjelltësia është pushtet”. Pikërisht në këtë aspekt, libri i profesorit ka një vlerë të madhe. I distancuar nga “fake news-et”e përditshme, nga teatri butaforik i politikanëve, nga agjendat e blera të mediave të shkruara dhe vizive, nga indiferenca e shqiptarit mesatar që përpiqet të mbijetojë, sepse ka humbur perspektivën, madje edhe nga sjellja prej struci e intelektualëve apo akademikëve, “kolegë të profesorit” dhe prej të cilëve ai mund të infektohej lehtësisht, autori ka ditur të ruajë imunitetin duke na tërhequr vëmendjen dhe orientuar drejt, kah atyre gjërave që duhet të na preokupojnë, në nivel mikro dhe makro, në nivel individual, komunitar dhe ndërpersonal, për sot dhe për të ardhmen. Ashtu sikurse i shkon për shtat një studiuesi të vërtetë, autori i drejton prozhektorët e mendjes dhe ndërgjegjes mbi kulturën e punës, mbi marrëdhënien me pushtetin, mbi zërin apo memecërinë e individit dhe shoqërisë. Mund të gjesh aty tema të filozofisë ekonomike, sikurse janë ato për lirinë e tregut, partneritetet publik-privat, borxhi në ekonomi apo pushteti vendor si bërthamë e demokracisë, sikurse mund të gjesh tema të përditshme, fjala vjen për turizmin në Shqipëri, voluntarizmin dhe arrogancën e pushtetarëve, cilësinë e raportimit financiar apo mazokizmin e socialistëve dhe krejt shoqërisë që “e duan atë që i rreh”.

    Raporti i dytë, akoma edhe më i rëndësishëm, është ai që autori vendos me të vërtetën. Në një shoqëri liberale, kapitaliste, të vërtetat janë individuale, por gjithsesi brenda normave komunitare. Në një shoqëri si kjo e jona, dikur dhunshëm kolektive, dhe sot përhumbshëm indiferente, të vërtetat shfaqen fluide, pa caqe morale dhe në një trajektore vazhdimisht rënëse për nga logjika dhe argumenti që mbartin. Autori, në të gjitha çështjet e trajtuara në vëllim, udhëhiqet nga bindja se e vërteta buron nga ideali, jo pragmatizmi i momentit, buron nga dija shkencore dhe eksperienca e punës, jo posti në hierarki apo pasuria materiale, buron nga sakrifica dhe pse jo edhe fatura e vuajtjes që njeriu është i gatshëm të marrë përsipër për të ndryshuar pozitivisht veten dhe të tjerët, jo nga servilizmi dhe konformiteti. Në këtë sens mund të thuhet pa rezerva se autori shfaqet një iluminist i vërtetë, në një kohë kur vendi ynë vazhdimisht pëson rënie në të gjitha indekset që masin demokracinë, progresin dhe shtetin e së drejtës për të cilin luftuan iluministët.

    E vërteta zakonisht, dhe këtu është fjala për të vërtetën që ngrihet ngadalë, jo atë që serviret si fast food, gjurmohet me pyetje, pareshtur me pyetje. Në librin e profesorit do të gjeni shumë pyetje. Por do të gjeni edhe po aq përgjigje. Me një pjesë të tyre (përgjigjeve) mund të mos jemi dakord, por e rëndësishme është potenciali që ato mbartin për refleksion, për gërmim të mëtejshëm, moral dhe shkencor, për diskutim dhe debat të hapur, progresist. Në këtë drejtim, çdo temë e vëllimit është një çështje për doktoraturë, për studim tregu dhe akademik, për një auditim performance, për një platformë politike me baza ekonomike.

    Nga pikëpamja e formës, titulli i vëllimit dhe kopertina me dy gjela dëshmojnë për atë konfliktin e brendshëm që autori, si profesionist nga njëra anë, dhe si vendimmarrës me eksperiencë nga ana tjetër, e njeh mirë, madje besoj e ka provuar dhe vijon ta përjetojë edhe vetë, kur sheh fjala vjen se si ngrihen politika pa baza të shëndosha ekonomike apo kur ndoshta, dikur, ka marrë një vendim ekonomik që ka cenuar bankën e favoreve politike, me të cilat funksionon pushteti në Shqipëri. Që në esenë e parë të vëllimit, atë mbi heshtjen, autori e përcakton pa ekuivokë qëndrimin e tij ndaj politikës, duke e konsideruar atë një derivat të ekonomisë, një nënbashkësi të saj. Këtij qëndrimi të profesorit i shkon për shtat edhe qasja se Zoti duhet të jetë ekonomist për nga mënyra se si e ka krijuar botën, si interesat harmonizohen në natyrë, si konservohet dhe konvertohet vlera, qoftë ajo në formën e parasë, energjisë apo marrëdhënieve.

    Po ashtu, renditja e temave në material është bërë zgjuar. Autori e nis me heshtjen, duke sfiduar atë fjalën e urtë se “heshtja është flori”. Ka një kohë për të heshtur, por ka një kohë për të folur, madje fort e me zë të lartë thotë autori, duke i bërë kështu thirrje të gjithë intelektualëve që mos të pajtohen me gjendjen aktuale. Janë të rrallë intelektualët që shprehen në Shqipëri, akoma edhe më të rrallë ata që artikulohen pa pasur një agjendë interesash nga mbrapa. Kjo thirrje e profesorit, e vendosur në krye të vëllimit, është një lloj kushtrimi për të gjithë ata që iu dhemb ky vend, që duan të punojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri, për ata që besojnë se duhet të triumfojë merita dhe dija. Si ajo fjala e parë që dikush që sapo e ke njohur nxjerr nga goja, përcakton lirshmërinë e bisedës që vijon, ashtu edhe kjo temë e parë, përcakton frymën e krejt vëllimit. Gjërat duhen thënë, folur, debatuar dhe autori e bën këtë me dije, eksperiencë, profesionalizëm, humanizëm e dashuri për vendin.

    Në një paragraf të shkrimit për mjerimin e politikës shqiptare, autori shprehet se politika e ka humbur pushtetin e fjalës. Në fakt, në krejt shoqërinë shqiptare, madje edhe në botë, fjala është zhvlerësuar. Duket sikur ka një kontradiktë këtu, midis përgjegjësisë për mos të heshtur nga njëra anë dhe kotësisë për të folur, sepse askush nuk të dëgjon. Duke lexuar optimizmin e autorit, që e sheh rrugëdaljen tek ofrimi i intelektualëve në vendimmarrje, meqenëse fjala e tyre është e mbrujtur me dije, nuk mund të mos pajtohesh, por gjithsesi të mbetesh ende skeptik, sepse sot ka plot pseudo-intelektualë. Njerëz me plot diploma, të shkolluar brenda e jashtë vendit, por rezultati është ky që është dhe e shohim të gjithë. Të parët për emigracion, korrupsion, trafik dhe ç’është më e keqja në trajektore përkeqësuese. Ndoshta, ky dallim midis atij që lexon veprën dhe autorit, është diferencë brezash, botëkuptimesh, përballjesh me jetën në epoka të ndryshme, por është për t’u vlerësuar qëndrimi i profesorit, sepse pa një ideal, pa një objektiv, pa një spirancë vlere që të ankorohet, shoqëria nuk mund të dalë nga amullia që e ka pushtuar.

    Në një shkrim tjetër, për zhvillimin e tregut në Shqipëri, autori në mënyrë të nënkuptuar shtron pyetjen: çfarë lloj kapitalizmi po instalojmë në Shqipëri? A mos po instalojmë një kapitalizëm komunist, si ai në Kinë, por në vend të shtetit kemi një grup oligarkësh që na qeveris ekonomikisht dhe politikisht? A kemi ne një kapitalizëm survejues, si ai në Amerikë, ku shteti dhe manjatët e mëdhenj të teknologjisë na gjurmojnë edhe kur flemë? Mbase e kemi, po mesa duket jo për të rregulluar ekonominë, por për të na patronazhuar në fushata zgjedhjesh. A mos kemi një kapitalizëm industrial, si ai në Korenë e Jugut që brenda 30 vitesh nga një vend me GDP sa të Ruandës kaloi në dhjetë më të mirët në botë? Sigurisht që jo! Kapitalizmi që po instalojmë në Shqipëri është një kapitalizëm butaforik, “një tigër prej letre” po të doni, që i shërben më shumë fasadës sesa themelit, që pasuron servilin e pushtetit, jo punëtorin dhe novatorin, që mbron dhe promovon “injorantin e fortë”, jo “të diturin e urtë”. Autori e sheh rrugëdaljen te kapitalizmi social, si ai në Gjermani dhe Suedi, me ligje të kujdesshme dhe të balancuara, të ekzekutuara drejt dhe pa dallime të çfarëdo lloji, me arsim dhe shëndetësi funksionale, si lokomotiva të progresit, me qeveri të përgjegjshme dhe gjyqësor të pavarur.

    Një nga shkrimet më të spikatura është ai mbi njëqind fshatrat turistikë pa kryefshatin Frashër. Është botuar në gazetën “Panorama”, qysh në verën e vitit 2019. Të lë mbresa të thella përshkrimi me aq dashuri e patos nga autori i vendlindjes së tre rilindësve të mëdhenj, njohja e tij aq e detajuar e historisë, gjeografisë, antropologjisë, etnografisë, florës, faunës e kulturës dhe ekonomisë së zonës. Aty kupton se që ta duash plotësisht vendin tënd, duhet ta njohësh mirë atë, dhe autori ka një informacion të pasur dhe të plotë jo vetëm për Frashërin, por për krejt Shqipërinë. Profesor Bundo është një udhëtar i palodhur, një eksplorues i lindur i vendeve, i njerëzve dhe i kulturave. Kur e lexon këtë shkrim, edhe xhelozohesh pak të thuash të drejtën. Për këdo të lindur dhe rritur në një qytet si Tirana, që është transformuar vrullshëm dhe pa kriter përgjatë viteve, na ka mbetur pak për t’u mburrur me të si qytet. Po kështu, duke qenë se Tirana është mbipopulluar përgjatë viteve me të ardhur nga e gjithë Shqipëria, në mënyrë të pandërgjegjshme të krijohet iluzioni se pak gjëra interesante mund të ofrojë pjesa tjetër e Shqipërisë. Në fakt, kur viziton Përmetin, vendlindjen e profesorit, përjeton një lloj çlirimi. Çlirim nga ajri i ndotur, nga ndërtesat e larta, nga zhurmat e panevojshme, nga njerëzit toksikë dhe nga iluzioni se Tirana është kryeqendra e Shqipërisë. Veprat e profesorit janë kaq të arrira dhe të kthjellëta, jo vetëm sepse ndoshta pjesën më të madhe ai e ka shkruar në Përmet, por sepse e mbart Përmetin në shpirt kudo që shkon dhe ulet të mendojë e të shkruajë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Finalja solli 140 milionë euro, përfitimet ekonomike të ndeshjes së “Conference League”

    Lajmi i rradhës

    Benzema synon ta thyejë rekordin e Ronaldos në Ligën e Kampionëve

    Lajme tjera

    Politikë trekrenore?

    Edmond Tupja Kohët e fundit është folur për trekëndëshin e Bermudës në skenën dhe skemën e politikës aktuale…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë