Kur fati i një populli varet nga vullneti i 9 gjykatësve

    Urim Hasipi

    Pavarësisht përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, veprimet e saj kanë tejkaluar çdo logjikë të mendimit normal. Si institucion më i lartë që duhet të garantojë të drejtat e qytetarëve, pavarësisht se cilës përkatësi etnike i takojnë, ky institucion ka drejtuar “shpatën” ndaj popullit shqiptar që jeton në Maqedoninë e Veriut. Me muaj të tërë po terrorizohet një popull i tërë, apo rreth 30 përqind e popullsisë së përgjithshme në vend, vetëm me vendime apo në pritje të vendimeve të tyre. Kjo, nuk duhet të tolerohet. Fillimisht, heqja e Balancuesit, ku në mënyrë arbitrare u pamundësohet shqiptarëve të punësohen në institucionet shtetërore, pavarësisht se janë takspagues të rregullt, kjo tregon se ky institucion nuk e ka prioritet respektimin e përbërjes etnike të shtetit por prioritet ka të diskriminojë një popull të tërë.

    Ky institucion, nëse mund t`iu thuhet institucion, nuk e ka prioritet vendosjen në binarë të drejtësisë, por prioritet e ka shkatërrimin e shtetit, respektivisht kthimin e vendit si në kohë të komunizmit, socializmit dhe regjimeve tjera. Këta gjykatës që paguhen edhe me taksat e qytetarëve shqiptarë, janë duke e tejkaluar çdo durim të popullatës e cila si pasojë e vendimeve të tyre në të kaluarën, në këtë rast shqiptarët kanë kaluar nëpër tmerre të paharruara. Pikërisht edhe shqyrtimi i iniciativave për gjuhën shqipe ka të njejtit qëllim, po supozoj, kthimin e vendit në një kohë të errët dhe në qorrokak etnik.

    Sikur, këta gjykatës nuk kanë asnjë punë tjetër por vetëm të merren me shqiptarët. Po supozoj se ka edhe shumë punë tjera me më shumë prioritet se sa të merren me shqiptarët. Përbërja aktuale e gjykatës kushtetuese duhet të heq dorë nga ndjekja e shqiptarëve njëherë e përgjithmonë. Ligjet që nuk janë të kompletuara duhet të kthehen në kuvend, të përmirësohen dhe gjykata kushtetuese duhet që të mos përzihet në këto ligje, pavarësisht se nga kush iniciohen.

    Nesër do të ndryshojë përbërja e kësaj gjykate, nesër sërish do të abrogohen nene dhe sërish të kemi situata të tensionuara.Pra, me një fjalë, kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe kështu edhe fati i popullit shqiptarë gjithmonë do të jetë në mëshirën e këtyre gjykatëse, pavarësisht përbërjes së saj.Është e patolerueshme, e papranueshme dhe pa asnjë kuptim që fati i një populli të jetë në duart e kësaj gjykate kushtetuese. Fundi i fundit, 30 vite janë humbur në protesta, në pakënaqësi, në luftë permanente nga ana e popullit shqiptar për të drejta, për barazi, për gjuhë, flamur, punësime, përfaqësim e kështu me rradhë.Janë 30 vite, ankth, tmerr, pritje, protesta, arrestime, montime të proceseve gjyqësore, përpjekje për shkollim dhe universitet (Hapja e Universitetit të Tetovës 1994-intervenim policor), abrogim të ligjit për përdorim të simboleve kombëtare (intervenimi i policisë në Gostivar dhe Tetovë 1997-intervenim policor), luftë, sakrificë, durim, nëpërkëmbje dhe në fund, i tërë një komb mbetet peng i vendimit të gjykatësve kushtetues.

    Natyrisht, ka shumë vend për akuza edhe ndaj partive politike shqiptare që nuk kanë qenë të koordinuar për sa i përket çështjeve me rëndësi për popullin shqiptar.Është dashur dhe duhet, partitë që thirren në emër të përfaqësimit etnik të shqiptarëve të jenë të koordinuar dhe njëzëri të vendosin për fatin e popullit shqiptar, pra, në disa raste do bëhen lëshime, në disa raste qëndrimi do të jetë i betonizuar, por gjithmonë të koordinuar. Sepse, këtë çakoordim të këtyre përfaqësuesve të paaftë, larg të qenurit kombëtar, të papërgjegjshëm, si duket pala tjetër, e shfrytëzon me shumë “marifet” dhe prandaj, shqiptarët mbeten në vendnumëro.

    Prandaj, kur krejt mendonim se pozita e shqiptarëve nuk është në pikën zero, por ka lëvizur për të mirë, sot, situata në shtet e demanton këtë.Pozita e shqiptarëve sot në Maqedoninë e Veriut lirisht mund të barazohet me zero, prandaj është mëkat, është e pafalshme që fati ynë varret nga 7 ose 9 gjykatës. Gjithçka tjetër, është intepretim politik, retorikë ditore banale dhe mos marrje e përgjegjësisë., nga ata që e kanë marrë mandatin në këto 30 vite të përfaqësojnë shqiptarët.

    *Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Mbi 10 mijë imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

    Lajmi i rradhës

    Zgjerohet hetimi për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, padi edhe ndaj Artan Ajrulit nga Kumanova

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë