Kriza në PD, si krizë e shoqërisë shqiptare

    PËLLUMB NAKO

    Përplasja e madhe brenda radhëve të Partisë Demokratike, çfarëdo cilësie të ketë, përbën skenën më të pastër të krizës, në të cilën ndodhet mbarë shoqëria shqiptare në procesin e ndërtimit të politikës, ku përpjekjet e saj për të njësuar renditjen e hierarkisë së vlerave që e karakterizojnë, në përputhje me ato të njohura universalisht, hasin në vështirësi të dhimbshme. Kjo do të thotë se në të njëjtin shtrat duhet kuptuar absolutisht edhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare që voton të majtën, pavarësisht se aktualisht kampi i saj ka marrë një pamje të qëndrueshme me ngjyra sipërfaqësore të qeta. Brenda radhëve të këtij kampi ende nuk ka filluar përplasja ndërmjet vlerave sociale të trashëguara, ku dominon forca me ato bashkëkohore ku dominon drejtësia.

    Po të shihet vetëm me pak vëmendje nga jashtë, do të vihet re se edhe Partia Socialiste, edhe Partia Demokratike e “Berishës”, edhe Partia Demokratike e “Bashës” janë parti që zhvillojnë kongrese, që bëjnë zgjedhje forumesh, që kanë kryesi të zgjedhura, që kanë kryetarë po ashtu të zgjedhur, që ndjekin procedura në përzgjedhjen e kandidatëve për Parlament apo për pushtetin vendor, që kanë statute, që kanë garancira statutore. Pra, gjithçka si motrat e tyre në Perëndim. E megjithatë, brenda tyre ka mjaft ngërçe, kontestime, përplasje që përfundojnë thuajse rregullisht në bllokim. Përse?

    Vështirësia dramatike që po vihet re në radhët e popullit të djathtë për të gjetur veten në vlerat politike të partisë së tij, është mishërim i plotë i faktit të ekzistencës së një shoqërie, e cila si kriter të vetëm të drejtësisë ka forcën në gjithë format e saj. Në shoqërinë shqiptare ngelet ende e gjallë trashëgimia kulturore, tepër arkaike dhe e dëmshme e autoritetit ekstraligjor. Nëse dikush do të kërkonte për të gjetur gurin e parë të themelit, mbi të cilin bazohet ndikimi i një individi në shoqërinë shqiptare, do ta gjente atë te dikush, për të cilin masivisht dihet se ka të gjitha mundësitë për të përdorur forcën direkt ose indirekt dhe jo te një individ tjetër me ndikim ligjërisht të drejtë. Rreshtimi bëhet me më të fortin. Kjo mendësi krijon kushte ideale që autoriteti privat të jetë më i fortë dhe më i adhuruar sesa autoriteti ligjor e për rrjedhim interesi privat të prevalojë mbi atë publik. Dhe të gjithë e dinë mirë që autoriteti privat esktraligjor, nuk bën gjë tjetër veçse kthen në normalitet gjithçka ilegjitime. Në mendësinë tonë ende mungon koncepti ligjor për një autoritet që përfaqëson dhe sjell avantazhe të përbashkëta, për të gjithë. Kurse, nga ana e tyre, partitë po tregojnë përditë e më shumë se nuk janë gjë tjetër, veçse shoqata që ushtrojnë prepotencë brenda radhëve të tyre dhe karshi njëra-tjetrës. Në thelb të asaj që po ndodh në PD, duket pastër se përdorimi i dhunës në shoqërinë shqiptare nuk është atribut vetëm i personave të jashtëligjshëm, por edhe një formë e kudopranuar që shoqëron çdo garë me karakter social ku ai me natyrë politike merr forma edhe përmasa më të ashpra.

    Në një këndvështrim tjetër, vihet re se beteja brenda PD-së ka nxjerrë në dritë qartazi faktin se në shoqërinë tonë ekzistojnë me shumicë autoritete ekstraligjore me natyrë politike dhe jo. Ndërkohë, pavarësisht se me anakronizma të shumta, në përplasjen në fjalë, vihen re edhe tendenca për të braktisur forcën dhe për të ndjekur rrugë të tjera përveç saj, më të emancipuara. Kurse, siç u citua edhe në fillim të shkrimit, brenda radhëve të popullit të majtë konstatohet se nënshtrimi ndaj një autoriteti që nuk ka lidhje me ndikimin ligjor, është kthyer në normalitet vrastar që në tregun e blerë mediatik shitet si cilësi pozitive.

    Në tërësinë e saj, shoqëria shqiptare aktualisht perceptohet e ndarë në dy pjesë, ku çarja e popullit të djathtë stigmatizohet nga qeverisja si një luftë e brendshme, e paprinciptë për pushtet, kurse vetë ajo, cilësisht altruiste, e ka mendjen natë e ditë te populli. Nuk është kështu dhe nuk mund të jetë. Nuk është i mundur një disnivel kaq i thellë brenda së njëjtës trupë sociale, në të cilën një pjesë e pozicionuar politikisht në një krah është përfshirë në një betejë të ashpër për pushtet, ku megjithëse është e vështirë të ndash vlerën nga antivlera, vihen re përpjekje për emancipim modern duke mos kursyer as “mea culpa” dhe ndërkohë pjesa tjetër, numerikisht thuajse e barabartë me të parën, mbetet në një qetësi absolute, e reklamuar si civile dhe me vlera të shitura si të konsoliduara në përkushtimin ndaj popullit. Në fakt, ndryshimi ndërmjet tyre qëndron vetëm në sasinë e ajrit të lirisë që qarkullon brenda radhëve të secilës palë.

    Cila është prova që populli i të dy krahëve politikë është në situatë të njëjtë dhe se kriza në PD është krizë e gjithë shoqërisë shqiptare? Atë e tregon ndërtimi i shtetit nga secila palë. Pavarësisht nga ndryshimet apo rrotacionet e krahëve politikë, ndërtimi i shtetit në Shqipëri ruan në vazhdimësi të njëjtat tipare si ato që po nxjerrin në pah përplasjet brenda PD-së.

    Qeverisjes së vendit i mungon në mënyrë kronike autoriteti ligjor publik i pranuar vullnetarisht nga gjithë shoqëria. Administrata punon nën një izolim alarmant moral në raport me popullatën. Ajo duket e mbivendosur si mish i huaj mbi publikun, e shkëputur prej tij dhe pa lidhje me të. Të dyja kanë ligjet e tyre të veçanta të funksionimit që rrallë takohen me njëra-tjetrën. Ndikimet e popullatës nga pushtetet e tjera, private dhe paralel me atë publik, për të cilët presupozohet se ligji është ndërtuar pikërisht për t’i luftuar, janë më efikase se vetë organizimi i shtetit. Frika për të denoncuar krimin është më e madhe sesa ndëshkimi penal i parashikuar kundrejt dikujt që refuzon bashkëpunimin me drejtësinë. Ligji është i paaftë të ndëshkojë dikë që përballë bindjes së qartë kolektive të opinionit publik, rezulton fajtor. Siç u tha më lart, autoriteti i prepotentëve ekstraligjorë vazhdon të jetë më i fortë se ai ligjor.

    Nëse përplasja në radhët e popullit të djathtë do të prodhojë një autoritet të drejtë ligjërisht dhe me përfitime për të gjithë, do të shënohet përparim për gjithë shoqërinë shqiptare. Në të kundërtën, hopin cilësor do ta sjellë e majta, por me shpresë pasi të ketë dalë në opozitë. Pra, vite më vonë../Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Zbulohet klauzola e Ronaldos, Championsi “detyrim” për Manchester United

    Lajmi i rradhës

    Kosovë, shqetësime për dënimet e ulëta ndaj ushtruesve të dhunës

    Lajme tjera

    Kulti i imazheve

    Justinian Topulli Krijuesi e ka pajisur njeriun me shqisën e shikimit, përmes së cilës ai dhe çdo krijesë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë