Kur pas luftës, negociatat prodhojnë përsëri luftë

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU 

    Asgjë nuk është njësoj si përpara sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Agresioni kriminal nga një grup terroristësh mbylli përfundimisht një etapë të gjatë më shumë se një dekadëshe, burokracie, hipokrizie, cinizmi dhe mpirjeje kryesisht evropiane ndaj Kosovës dhe rrugës së saj të konsolidimit si shtet i njohur ndërkombëtarisht. Një etapë e cila i dha një frymëmarrje rehabilituese një Serbie, e cila me humbjen e luftës ishte e degraduar jo vetëm nga ana logjistike por edhe moralo-politike.

    Akti terrorist, zbriti si një dhuratë nga Zoti për shqiptarët, por edhe një shuplakë për ndërkombëtarët, të cilët kishin filluar të ngrinin pikëpyetje të çuditshme ndaj frikës së shqiptarëve për rrezikun serb. Lufta pothuaj qe harruar, masakrat qenë rehabilituar në ndërgjegjen ndërkombëtare, dhe këmbëngulja e shtetit të Kosovës për të drejtën e saj, papritmas filloi të konsiderohej herezi. Histroia u përmbys dhe agresorit iu vesh petku i paqes dhe viktimës iu vu damka e turpit.

    Akti terrorist klithi me të gjithë trishtimin që mbarti se një realitet i ri në marrëdhëniet KosovëSerbi duhet ndërtuar, një qasje e re me fokusin e vjetër ndaj Kosovës duhej aktivizuar. Përfundimisht, Serbia nuk hoqi kurrë dorë të ishte agresori dhe Kosovës nuk iu ngjit kurrë damka e turpit. Pas kaq shumë kohësh bisedimesh, fërkimesh, përkëdheljesh që nga baronesha Ashton, Mogherini, e deri tek dyshja mosnjohëse e Kosovës, Borrel-Lajçak, pushtimi i territoreve të Kosovës nuk ishte një ngjarje që mund të shkuhet në librat shkollore të historisë, por një akt real, i atyshëm, i prekshëm dhe fatal, aq sa të bëjë që kërcënimet e Makron të tërhiqen turpshëm në heshtje.

    Po, patjetër, një realitet i ri duhet ndërtuar në këto marrëdhënie, ashtu siç suksesi i agresionit serb do të ndërtonte nje realitet të ri ku do zhbëheshin të gjitha arritjet, të gjitha marrëveshjet, i gjithë stausi i vetë Kosovës, ashtu edhe dështimi i agresionit, dhe zbrapsja e ushtrisë serbe nga kufiri, thërret për një realitet të ri. Ka dy forma me anë të të cilave ndërtohen realitetet e reja gjeopolitike, ato janë lufta dhe negociatat. Përmes të parës ndërtohen fakte te reja në terren, përmes të dytës i vihet kapaku ligjor këtyre fakteve. Kosova i ka përjetuar të dyja edhe luftën edhe negociatat. Rasti i Kosovës duhet të jetë një ndër më të veçantit, ku pas luftës, negociatat prodhojnë përsëri luftë.

    Kjo arrihet vetëm në një rast kur negociatori nuk është i paanshëm, por palë me njërën nga palët në konflikt. Pa iu referuar vetvetes, por shpesh e kam shprehur ne shkrimet e mëparshme se, Kosova duhej t’i rikthehej marrëdhënieve me SHBA-në, duke mos e lënë atë vetëm në statusin e vëzhguesit, por duke i dhënë atij statusin e negociatorit dhe hartuesit të marrëveshjes.

    Tani Kosovës i duhet një zgjidhje, përderisa faktet e fundit në terren vërtetuan pafajsinë e saj. Ajo duhet së pari, duke shfrytëzuar inercine që i dha ngjarja, të shtrijë kontrollin në çdo cep të Veriut të saj për të ndërtuar realitetin e shtetit shqiptar atje, pastaj të mund të mendojë për bisedime.

    Bisedimet patjetër që duhet të kenë kushte të reja, negociatorë të rinj dhe qasje të re. Nëse nuk realizohen këto, atëherërë është më mirë të mos bëhen fare bisedime, as dhe dialog. Serbia demonstroi hapur solidaritetin me aktin. Faktet e fundit, tregojnë se furnizimi, planifikimi, trajnimi, monitorimi, suporti me ushtri në kufi, dhe shumë yçkla logjistike parapërgatitore për një luftë, ishin të orkestrura prej saj. Aq shumë ishte e përfshirë Serbia në këtë sipërmarrje, sa edhe në funeralin e saj mori pjese haptazi me ditë zije për terroristët.

    Çështja është se të gjithë e dinë, ndërkombëtarët e dinë se Serbia nuk ndryshon një presje nga plani i saj sikur edhe shekuj të kalojnë, e dine se edhe Vuçiç i cili futi ne kushtetën serbe “Kosova ëshë pjesë e pandarë e Serbisë” nuk ndryshon mendje, prandaj kushti i vetëm dhe i pandryshueshëm pë Kosovën në negociatat potenciale që mund të zhvillohen, është njohja reciproke. Ky kusht nuk duhet për asnjë arsye dhe për asnjë rrethanë të mund të pranoje të negociohet.

    Faktori ndërkombëtar, i cili është shumë heterogjen, sidomos kur bie fjala për Kosovën, duhet t’i përgjigjet një refuzimi tjetër të mundhëm të Serbisë, me njohjen e menjëhershme nga pesë vendet të cilat akoma nuk e njohin. Të pasojë me inkurajimin e njohjeve për t’u bërë shtet i pranuar nga OKB, e më pas me anëtarësim në NATO. Këto do ishin përgjigjet më të mira ndaj kokëfortësisë serbe. Frika se mos Serbia do anojë nga Rusia është frikë më e vogël se frika e shpërbërjes së Kosovës pasoja e së cilës është e paparashikueshme.

    Aktualisht, Serbia është një Kalingrad i pa shpallur i Rusisë, dhe një situate të tillë përgjigja më e mire është izolimi i këtij ishulli prorus se sa llastimi në negociata dhe shpërbërja e të gjithë status quo-së së rajonit. Serbia, strategji të sajën ka pasur ta mbajë veten gjithmonë të ngecur brenda Kosovës me çdo mjet dhe me çdo kusht. E kundërta, nxjerrja e influencës së saj nga territori i Kosovës, është akti më stabilizues dhe më paqtues për të gjithë rajonin.

    Ndërkombëtarët kanë rastin të reagojnë fuqishëm përmes një reflektimi në mënyrën se si ata i bëjnë gjërat. Një kundërreagim i fuqishëm jo vetëm me fjalë por me vepra, akte, drafte, marrëveshje të drejta dhe jo diskriminuese, do të kursente të gjithë rajonin nga destabiliteti dhe nga ngjarje të tjera akoma më të rënda me autor Serbinë. Rusia kërkon me çdokusht të prodhojë konflikte të ngjashme me Donbas-in në Ballkan, Serbia e furnizon mrekullisht atë me precedentë falls historikë, për ta bashkuar si çështje në mënyrën më të padrejtë Kosovën me Ukrainën.

    Një çiftëzim i tillë do ishte arritja më e madhe e Serbisë. Kosova është çështje e mbyllur. Është shtet i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dhe për asnjë arsye nuk mund të paralelizohet me situatën në Ukrainë. Tërheqja e BE-së nga kushti njohjes reciproke, prodhoi 24 shtatorin.

    Pas luftës, negociatat prodhuan përsëri luftë. Do ishte cinike dhe e pamoralshme që të tërhiqet Kosova në marëveshjen e radhës për të prodhuar luftën e radhës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A keni menduar ndonjëherë si u ndërtuan piramidat e Egjiptit? (Video)

    Lajmi i rradhës

    Velesi dhe Idrizova nuk i bashkon, e çka mund t’i bashkojë…!

    Lajme tjera

    Zgjimi europian

    Ditmir Bushati Konferenca për të ardhmen e Europës ishte një mundësi unike për qytetarët europianë për të debatuar…
    Më tepër

    MADE IN GERMANY

    NJË RRËFIM PËR NDRYSHIMET NDËR GJENERATAT E MËRGIMTARËVE SHQIPTARË NË GJERMANI. Vitet e ‘80-ta, Gjermani Orenditë e vjetra…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë