Iljasa Salihu
Demokraci është kur populli lirshëm vendos për atë që mendon se duhet udhëhequr me vendin e tyre.
Demokraci është kur populli vendos ta ketë një shtet në harmoni me vlerat dhe traditat e tij, pra shteti të jetë pasqyrim i fytyrës së popullit dhe jo shteti të jetë i huaj për fytyrën e popullit.
Demokraci është t’i refuzosh disa tradita të huaja dhe të dëmshme, qoftë edhe nëse vijnë nga vendet më të zhvilluara.
Demokraci është edhe të gabosh në zgjedhje, të pendohesh, të kritikosh, por jo edhe ta pështysh sofrën që deri dje në të je ushqyer.
Demokraci është të të pëlqejë dituria dhe gojëtaria e Kurtit, përvoja dhe butësia e Hamzës, pragmatizmi dhe pedantëria e Abdixhikut, trimëria dhe fuqia e Haradinajt, njerëzia dhe parimësia e Rrahmanit, paçka se ti vendos vetëm për njërin.
Ani pse je shtet i vogël, shtet për të cilin kanë investuar shumë shtete tjera, por sërish zyrtarisht je i pavarur, ndaj duke mos e anashkaluar bashkëpunimin me shtetet gjegjëse, është mirë të lihen të lira kokat e qytetarëve në përzgjedhjet e tyre, sepse fundja ky është themeli i demokracisë.
Edhe shteti i vogël ka të drejtë të bëhet shtet i zhvilluar dhe shtet i së drejtës, prandaj në emër të demokracisë nuk është mirë të dëshmohet jodemokracia!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.