Kushtuar Kosovës…

    HALIL RAMA

    Shtatëmbëdhjetë vite më parë, Presidenti shqiptar Alfred Moisiu, ndërsa e ka falënderuar Presidentin George W.Bush për vizitën historike në Shqipëri, për rolin dhe ndihmën e pakursyer ndaj popullit të Kosovës, i ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk duhet shtyrë më tej. Kjo, sipas ish-kreut më të dinjitetshëm të shtetit shqiptar për faktin se çdo vonesë mund të prodhonte destabilitet, ashtu si çdo përpjekje për të ndarë Kosovën mund të nxiste një reaksion zinxhir, i cili do të ishte me pasoja shumë të rrezikshme për tërë rajonin.

    Të shtunën, pas shtatëmbëdhjetë vitesh, ndërsa ka sjellë në vëmendjen e opinionit publik këtë të vërtetë të pamohueshme, në takimin e organizuar nga Federata e Paqes Universale Shqipëri, tashmë si President Nderi i kësaj federate, ka falënderuar sërish Presidentin Bush për dakordësinë në atë takim kokë më kokë, me mendimin që ajo situatë statuskuoje e para 17 viteve nuk mund të tolerohej më tutje, duke deklaruar se, “Koha për pavarësinë e Kosovës është tani”. “Kështu – vijoi ishPresienti Moisiu, në vitin 2008 u krijuan kushtet e plota ndërkombëtare dhe nga Parlamenti i Kosovës u shpall pavarësia e shtetit të ri të shqiptarëve në Kosovë, kur një nga promotorët e kësaj ngjarjeje tepër të rëndësishme do të ishte Presidenti i atëhershëm i Kosovës, shkëlqesia e tij Fatmir Sejdiu.

    I ftuar nderi në veprimtarinë e së shtunës të Këshillit të Paqes Tiranë, Presidenti Sejdiu, ndërsa evidentoi përpjekjet shekullore të shqiptarëve për ta detyruar Serbinë të dështojë në qëllimin e saj kryesor për zhbërjen e shtetit shqiptar, e konsideroi të suksesshëm rrugëtimin e Kosovës drejt farkëtimit të paqes. E pas tij, edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi deklaroi se Kosova e do paqen, Kosova punon për paqen… Në të njëjtën linjë, edhe prof. dr. akademik Pëllumb Xhufi solli në vëmendjen e më shumë se 200 pjesëmarrësve elitarë në këtë takim, ambasadorë të paqes nga Shqipëria e Kosova, deklaratën e bërë para 110 vitesh në Bari të Italisë nga i pari kryetar i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, se pa i dhënë Shqipërisë Kosovë e Çamëri, Ballkani nuk do të ketë paqe. Dhe ndërsa argumentoi se si edhe pas 110 vjetësh kur Kosova shtet demokratik i pavarur, realitet i pakthyeshëm, është politika serbe, faktori që rrezikon paqen në Ballkan, akademiku i mirënjohur Xhufi evidentoi dukshëm rolin e dy presidentëve Moisiu e Sejdiu si ndërtues urash të komunikimit për paqen midis popujve.

    Në këtë event kushtuar Kosovës në 16-vjetorin e pavarësisë së saj, të ideuar dhe moderuar mjeshtërisht nga ikona e skenës dhe ekranit Defrim Methasani, artisti shqiptar me famë botërore Ilir Shaqir, i ftuar jo vetëm për t’u lauruar me titullin “Ambasador i paqes”, por edhe për performuar para këtij publiku ndër më të zgjedhurit, e flakëroi sallën moderne të FPU, ku zëri i tij vetëtimë ushtoi me vargjet: “…Në Prekaz flakëron liria” e “Shqipëri o Nënë e Madhe/ Më e shtrenjta dashuri/ Kuqezi djemtë e atdheut/ përjetësisht me ty Shqipëri”.

    Kjo këngë, këto vargje të interpretuara aq mjeshtërisht nga një zë kumbues si i Ilir Shaqirit ndez në zemrat e çdo shqiptari ndjenjën e madhe të shqiptarizmës. Kështu ndodhi edhe me Liri Rashën, e dekoruar jo vetëm me titullin “Mjeshtër i Madh”, por edhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, teksa interpreton këngën e bashkimit, vargjet së cilës: “Ndal shkja me m’shkel në prag/ Ti je serb e unë jam arb”, janë sintezë e qëndresës shumëshekullore të shqiptarëve në luftërat legjendare ndaj pushtuesve serbë. Parë nga ky këndvështrim, veprimtaria e titulluar “Kosova e pavarur-model suksesi për paqen”, organizuar nga Këshilli Paqes Tiranë në bashkëpunim me FPU Shqipëri qe e një dimensioni mbarëkombëtar. Sepse nga podiumi i këtij takimi, ndërsa kujtoi se në vitin 1936 dhe 1937 në shkollat fillore këndonin këngën “Për Kosovë e Çamëri, ja vdekje ja liri”, ish-Presidenti Moisiu do të deklaronte se, “Pavarësisht se Shqipëria është anëtare e NATO-s, në rast se Kosova rrezikohet, të gjithë së bashku duhet t’i dalim zot”. Si ideator dhe moderator i këtij takimi emocionues dhe vlerësues, Defrim Methasani nuk hezitoi të shprehej se ndjehej i lumtur për pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga Kosova dhe Shqipëria, ku nuk munguan edhe Presidentët Alfred Moisiu dhe Fatmir Sejdiu, si dhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Skënder Durmishi.

    Veprimtaria kulmoi me vlerësimet që nderuan njerëz dhe vlera në dy vendet, duke nisur me çmimin “Njeriu i Vitit”, që Këshilli Paqes Tiranë e aplikoi për herë të parë dhe ia dedikoi mjekut stomatolog dhe njeriut humanist Sali Kurti, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi” i Matit. Më pas u emëruan me titullin “Ambasador për Paqen” 11 protagonistë të fushave të ndryshme, si Ismet Krasniqi, kryetar i KOK Kosovë, Ilir Shaqiri, artist i madh dhe “Nderi i Republikës së Kosovës”, Bieta Sulo, gazetare dhe moderatore e njohur në “Top Chanel”, me emisionin “Ftesë në 5”, dr. Hekuran Braho, otorinolog prej 40 vitesh në Spitalin Ushtarak, Enver Cakiqi, kampion ndërkombëtar në karate dhe President Nderi i kësaj federate në Shqipëri, Edmond Thaçi, President i Shoqatës së gazetarëve sportiv në Kosovë, Suzana Drenica, koreografe në Prishtinë, Albana Shehu Qiriako, gazetare dhe drejtore e RTSH 3, kanali i diasporës, Nadire Karadaku, juriste e njohur, notere dhe veprimtare, Shkëlzen Rexha, fotoreporter dhe fitues i shumë çmimeve nga Gjakova, si dhe dr. Endri Abazi, kardio-kirurg në spitalin e njohur në Buh në Berlin.

    Moderatori Methasani, ndërsa shprehu mirënjohje për referuesit dhe fjalët përshëndetëse nga Presidentët Moisiu e Sejdiu, ambasadori Durmishi dhe historiani prof. Xhufi, falënderoj edhe artistët e shquar Ilir Shaqiri dhe Liri Rasha që performuan kaq bukur me këngët e tyre. Po ashtu, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për secilin që ishte i pranishëm, veçmas për kryetaret e federatave të paqes në Shqipëri dhe Kosovë, Eva Çipi dhe Flora Brovina, zv.kryetarin e FPU Astrit Q. Memia, zotin Gaqo Apostoli koordinator për diasporën i FPU, kryesinë e federatës së paqes Kosovë etj., moderatori Methasani – “Mjeshtër i Madh”, njëherësh kryetar i Këshillit të Paqes për Tiranën, një dedikim të veçantë i kushtoi stafit të Ambasadës së Paqes dhe Federatës së paqes, veçmas sekretari të përgjithshëm, Gani Rroshi, me të cilin, kur janë bashkë, bëjnë gjëra të mira, siç qe dhe kjo veprimtari e dimensionit dhe përmasave mbarëkombëtare. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pse kaq pak gjermanë jetojnë në shtëpi apo banesa të blera?

    Lajmi i rradhës

    Mish dhe ndryshk

    Lajme tjera

    Rendi i ngrirë

    DITMIR BUSHATI  Kur një grup i armatosur rëndë sulmoi policinë në veri të Kosovës më 24 shtator, duke…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë