Kur të mëdhenjtë hanë kumbulla, të vegjëlve u mpihen dhëmbët!

    Sefer Tahiri, profesor universitar / Fotografia: Nistori

    Shkruan: Sefer Tahiri

    Ndryshimet në rrafshin global i kanë gjetur të papërgatitura shumë vende, madje edhe vetë Bashkimin Europian. Maqedoninë e Veriut gjithsesi e gjeti fare të papërgatitur. Fitorja e presidentit amerikan, Donald Trampit, përfshirja e Ilon Maskut në qeverisje dhe zëvendëspresidentit JD Vance ndryshoi kursin e politikës së ShBA-së ndaj krizës së Ukrainës, asaj në Gazë, pozicionit amerikan ndaj Kanadasë, Grenlandës, e sidomos ndaj Bashkimi Evropian, duke vënë taksa të larta.

    Ekzaltime të kota të liderëve serb nga zgjedhja e Trampit

    Ndërsa Ballkani as që përmendet në deklarimet strategjike të qeverisë amerikane. Me përjashtim të deklaratës së sekretarit të jashtëm, Mark Rubio lidhur me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës apo Republikës Serbe apo Sërpska siç njihet në territorin e ish Jugosllavisë, Millorad Dodik, të cilin e paralajmëroi që të mos bëjë trazira. Kur u mendua se kursi i politikës amerikane ndryshoi karshi Ballkanit, për shkak të qasjes së Trampit ndaj Ukrainës dhe në dukje favorizimit të pozicionit rus dhe rrjedhimisht edhe atij serb në Ballkan, sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj. “Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X. Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e ka miratuar një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës. Me Kushtetutën e re, ndër të tjera, liderët e Republikës Sërpska synojnë ta përcaktojnë këtë entitet si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën e vetëvendosjes dhe ta krijojë ushtrinë e tij. Dodiku më 5 mars i dekretoi ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti. Dodiku është dënuar me burg nga institucionet e Bosnjës, por autoritetet e Republika Sërpskës nuk lejojnë arrestimin e tij, që flet për brishtësinë e shtetit, Bosnjë e Hercegovina.

    Deklarata e Rubios i hedh poshtë ekzaltimet serbe se Trampi favorizon Rusinë dhe me këtë edhe Serbinë. Në këtë korpus ekzaltues bëjnë pjesë edhe qarqet maqedonase në vend të cilat ëndërrojnë favorizimin e pozicioneve dhe interesave ruse dhe minimin e interesave shqiptare.

    Tarifat, indikator i partneritetit strategjik shqiptaro-amerikan

    Faktin që ShBA-ja i ka të “betonuara” pozicionet e saj në raport me Ballkanin dhe shqiptarët dëshmon politika e re doganore e Trampit. Dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës për mallrat e importuara u është caktuar tarifa vetëm prej 10%. Maqedonisë së Veriut i është caktuar tarifë prej 33%, ndërsa Serbisë 37%, tregues i qartë se gjeostrategjia dhe gjeopolitika amerikane mbetet në partneritet të qartë me shqiptarët në Ballkan dhe fatkeqësisht jo edhe me vendin tonë. Kryeministri dhe ministrja e Financave premtuan se do të bisedojnë me “miqtë” e tyre amerikanë për heqjen e tarifës së lartë, por përpjekjet nuk ka dhënë rezultate!

    Por, edhe pse themi shpesh se politika amerikane i ka të përcaktuara vijat strategjike gjeopolitike, kjo nuk do të thotë se elitat politike shqiptare nuk duhet të jenë syçelë se çfarë ndodh në planin global dhe si mund të ndikojnë rirreshtimet e “fuqive të mëdha” ndaj pozicionit të shqiptarëve në Ballkan.

    Ky vrojtim apo kjo përcjellje e hapave në “fshatin global” duhet të jetë vigjilente dhe me maturi, sepse euforia dhe ekzaltimi mund të sjellin dëme të mëdha.

    Deklarativisht, pra me diskurs politik dhe publiko-mediatik jemi popull me orientim perëndimor, pra që i takojmë civilizimit evropiano-amerikan edhe pse pjesa dërmuese i takon besimit islam. Ndërsa duke dashur të bëhemi më “katolikë se Papa” themi “Dielli lind në Perëndim”!

    Shqiptarët gjatë historisë, sidomos pas luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe asaj në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001 kanë demonstruar një qasje me respekt të thellë, admirim dhe me pietet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndoshta jemi njëri ndër popujt e rrallë në botë që kemi emra fëmijësh Klinton dhe kemi përmendore e rrugë që mbajnë emrin e ish presidentit amerikan Bill Klinton. Gjithashtu edhe admirimi ndaj ish presidentit amerikan, Udro Uillson, i cili ka kontribuar që Shqipëria në vitin 1912 të fitojë pavarësinë është tepër i madh. E arsyeshme, sepse kanë kontribuar në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve. Politikanët shqiptarë e epokës sonë veprojnë ngjashëm, madje sillen edhe me përulje ndaj politikës amerikane.

    Politika shqiptare të demonstrojë maturi në marrëdhëniet ndërkombëtare

    Historia 35 vjeçare pluraliste na mëson se fuqia e partive politike shpesh ka qenë e determinuar nga afërsia dhe raporti me Uashingtonin. Një vizitë në Departamentin e Shtetit Amerikan, Kongres apo Senat për publikun ka qenë lajm, ndërsa për partinë konkrete dhe drejtuesin e saj kapital i vlefshëm politik. Janë ndërtuar e ngritur karriera politike, duke u thirrur në raportet individuale me ambasadorët e ShBA-së.

    Në këtë sens ishin edhe vizitat e shpeshta të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të VLEN-it në Uashington. Këta të fundit gjatë janarit më shpesh kanë udhëtuar në Uashington, se sa në Prishtinë dhe Tiranë! Së pari në inaugurimin e presidentit amerikan, Donalld Tramp dhe më pas në “Lutjet e mëngjesit”, të organizuara në Uashington. Kryeministri pati edhe vizitën e tretë në Uashington, në të cilën në agjendë kishte takime të ndryshme, midis të cilave edhe ato me diasporën maqedonase dhe me investues të mundshëm.

    Në njërën anë kishim ekzaltim politik të VLEN-it nga vizitat e shpeshta në Uashington, duke “ia heq kapelën” administratës së Trampit. Në anën tjetër nga Fronti Evropian përkatësisht BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës nuk pati asnjë vizitë, ndërsa është fakt se një pjesë e politikanëve të këtij koalicioni janë në “Listën e zezë” amerikane! Me ironi thuhej se BDI-ja nuk udhëton në Uashington, sepse eksponentët e saj duke qenë në opozitë duhej të paguanin me paratë e veta, të cilat jo që nuk i kanë. Kollaj udhëtohet me paratë e popullit.

    Pozicionimi proamerikan të mos distancojë vendin nga Europa

    Tendenca e qeverisë dhe e vetë kryeministrit Mickoski është të dëshmojë se është pozicionuar qartë në favor të administratës së Trampit, ndërsa është e vërtetë se nga liderët e Ballkanit ka qasje në qarqet politike vendimmarrëse në Uashington, por siç shpjeguam me tarifat, duket se ky akces është formal e jo substancial. Gjithashtu ky pozicionim nuk duhet të jetë shkas që vendi të distancohet nga agjenda evropiane apo e integrimit në Bashkimin Evropian. Relacioni me administratën e Trampit nuk duhet të jetë justifikim për nevoja të brendshme politike për mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese përkatësisht futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Në këtë vijë janë qëndrimet e forta dhe duhet thënë konsekuente të kryeministrit se “Nuk e ka ndërmend të arrijë në majë si kërmilli duke u zvarritur, por duhet treguar karakter dhe mbrojtje të vlerave në të cilat besoni”. Mickoski është i qartë sa s’ka ndërmend që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, derisa edhe Bullgaria nuk vendos të përmbush detyrimet e saj të marra, e kjo është të respektojë të drejtat e të gjitha pakicave”! Pra edhe pakicës maqedonase, që i bie justifikim i pastër, që i ngjan deklarimeve të ish kryeministrit e ish presidentit Branko Cërvenkovski, por edhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski për reciprocitet në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ndërkohë që Greqia dhe Bullgaria ishin anëtare të NATO-s dhe BE-së. Kjo do të thotë se Uashingtoni mund të shërbejë si alibi për distancim nga Brukseli, ndërsa kryeqyteti evropian për largim nga Sofja dhe në fund vendi të mbetet një “ishull i izoluar”! Tragjedia e fundit në Koçanë argumentoi se sa i rëndësishëm është integrimi në BE. Maqedonia e Veriut aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Pacientët përveç se në rajon u dërguan edhe në vende të Evropës!

    Balancimi gjeopolitik, i domosdoshëm në fazën post-trampiste

    Pozicionim të pabalancuar duke abstenuar në votim, Shkupi zyrtar mbajti gjatë votimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara e propozuar nga vendet e BE-së dhe Ukraina, e cila dënone pushtimin e Ukrainës, ndërsa kundër saj ishin ShBA-ja dhe Rusia. Me votimin e saj Maqedonia e Veriut pranoi se nuk mbështet qëndrimin e Brukselit i cili thekson nevojën për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Poashtu Shkupi dëshmoi se nuk i jep përkrahje thirrjes për një fund të menjëhershëm të agresionit rus. Opozita maqedonase e ka quajtur votimin vendim që tregon se politika e jashtme është pa busullë, ndërsa koalicioni shqiptar në qeveri dhe në përgjithësi opinioni publik shqiptar nuk e ka problematizuar këtë vendim të qeverisë së Mickoskit.

    Gjithashtu, kur ndërtohet strategjia e raporteve me Uashingtonin duhet marrë në konsideratë edhe kritikat e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance ndaj Evropës se “Kërcënimi që më shumë e rrezikon Evropën nuk është Rusia. Nuk është Kina. Nuk ka aktorë të tjerë të jashtëm. Ajo që më shqetëson është kërcënimi nga brenda, largimi i Evropës nga disa prej vlerave të saj themelore, vlerat e përbashkëta që ndan me Shtetet e Bashkuara”!

    Kjo kritikë mund të vlejë edhe për Ballkanin, megjithatë rreziku që u kanoset shqiptarëve nga Rusia, e cila e shtrin ndikimin e saj në hapësirën ballkanike nuk është për tu nënçmuar. Shqiptarët janë aleat i Perëndimit dhe prishja e balancimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike mund të prodhojë kriza të reja në Ballkan, kundër të cilave angazhohet administrata e re amerikane.

    Si konkluzion: balancimi i marrëdhënieve me Brukselin dhe Uashingtonin do të ishte më e mirë, që do të thotë se nuk nevojitet as ekzaltim, por as qasje indiferente ndaj administratës Tramp e as shmangia nga rruga integruese. Prandaj u takon politikanëve shqiptarë, sidomos të klasës në pushtet që të baraspeshojnë edhe mes ShBA-së dhe Bashkimit Evropian. Hemisfera perëndimore nënkupton euro- amerikanizmin! Ekuilibrimi gjeopolitik i shqiptarëve në fazën post-trampiste është më se i domosdoshëm.

    *Analiza është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    KËNGË MAJI

    Lajmi i rradhës

    Komunat kanë realizuar vetëm 8% të projekteve! Janë shpenzuar vetëm 4 milionë euro për rrugë, ujësjellës, kanalizime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë