Kuvendi i së vërtetës dhe nisjes së re

    PREÇ ZOGAJ

    Nesër mbahet në Tiranë Kuvendi i jashtëzakonshëm Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur një muaj më parë nga Kryesia e kësaj partie si një reagim pranues ndaj anëtarëve që kishin firmosur thirrjen e një Kuvendi të tillë me kërkesën e Sali Berishës, numri dhe certifikimi i të cilëve nuk u sqarua kurrë në rrugë institucionale. Berisha zgjodhi me vetëdije të ndiqte një rrugë të tijën për verifikimin e këtyre firmave, të ndryshme nga ajo që parashikon Statuti në fuqi i PD-së. Rrjedhimisht, vendimet e Kuvendit-miting të 11 dhjetorit u morën në të njëjtën rrugë informaliteti, thënë ndryshe të një Statuti të pashkruar që gjendej në mendjen e tij. Asnjë palë e dytë apo një palë mbi palët nuk mund ta dijë sa delegatë me të drejtë vote morën pjesë. E vetmja “provë” që ofruan organizatorët ishte “na besoni”. Në ketë mënyrë, Berisha i dha zotit Basha gjithë argumentet për t’i refuzuar e shpallur të paligjshme vendimet që u morën në stadium. Nuk i di arsyet pse i vuri kazmën në ketë mënyrë ligjit themeltar të Partisë Demokratike nga kalon legjitimiteti i çdo vendimi që ka të bëjë me jetën e saj të brendshme. Ndoshta nisur nga ideja se po udhëhiqte një revolucion që i shkruan rregullat nga e para. Ndoshta për të mbajtur hapur planin B të themelimit të një partie të re “sovraniste”, nëse nuk arrin të marrë të rithemeluar Partinë Demokratike. Ndoshta për të ruajtur gjendjen e një ndarjeje të papërfunduar, duke dashur të fitojë kohë, në pritje të zhvillimeve që do ta lejonin të guxonte marrjen e lidershipit të ndonjë subjekti politik, ndërsa ka frikë ta marrë tani sepse do t’u përçonte menjëherë “non grata”-n e tij zëvendësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Rruga që ka ndjekur Berisha është rruga tipike e puçeve institucionale me “mbështetje nga shumica”. E gjithë kjo nën tamtamet “teorive” vendore të momentit, sipas të cilave demokracia nuk është procedurë! Edhe diktaturat dhe diktatorët referojnë shumicën, vijën e masave. Bolshevik do të thotë “shumicë”. Dallimi mes vijës së masave në diktaturë dhe shumicës në demokraci është se e para përdoret e trajtohet nga udhëheqësit si turmë për t’ua vërsulur armiqve e kundërshtarëve apo si sfond në formën e njollës njerëzore ku ata pozojnë fuqinë e tyre; e dyta është një tërësi individësh të lirë, që kur thirren për të marrë një vendim, procedura dhe rregullat nëpërmjet të cilave shprehet secili bëhen esencë e demokracisë. Prandaj kemi një korpus kaq të gjerë ligjesh e rregullash që rregullojnë çështjet e zgjedhjeve. Pikërisht për ta nxjerrë sa më të vërtetë numrin e zgjedhësve, vullnetin e gjithsecilit.

    Por ka një ngjarje pozitive që u ka dhënë një drejtim tjetër zhvillimeve në PD. Pala e Berishës i është drejtuar gjykatës. Nga ky moment beteja bëhet ligjore.

    Ndërkaq, radhën për të thënë fjalën e vet e ka Kuvendi i nesërm i datës 18. Ky Kuvend i ka të gjitha letrat për të qenë i ligjshëm, sepse është thirrur sipas Statutit nga Kryesia e Partisë Demokratike. Ai i ka mundësitë të jetë një Kuvend gjithëpërfshirjeje dhe bashkimi i atyre që kishin firmosur dhe i atyre që patën refuzuar të firmosin. Mbi të gjitha, ky i nesërmi do të jetë Kuvendi i së vërtetës për një pikë kyçe që mban ndezur debatin brenda dhe jashtë PD-së dhe që ka të bëjë me numrin e delegatëve që do të marrin pjesë. Arritja e numrit minimal të kuorumit, domethënë gjysmës së anëtarëve, është kushti i mbajtjes së këtij Kuvendi. Transparenca në këtë pikë është baras me legjitimitetin e Kuvendit në sytë e publikut. Me përmbushjen e këtij kushti, e gjithë vëmendja e publikut të interesuar do të fokusohet te mënyra e zhvillimit të punimeve, tek analizat që do të bëhen, mesazhet qe do të jepen dhe vendimet që do të merren.

    Ky është Kuvendi i parë Kombëtar i Lulzim Bashës pa dualizmin, dublimin dhe hijezimin e lidershipit të tij nga zoti Berisha. Është Kuvendi i parë pas shumë vitesh që e gjen PD-në të rikthyer në marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dyja këto janë premisa të forta për suksesin e PD-së në zgjedhje. Po jo vetë suksesi, jo vetë fitorja. Fitorja kërkon punë, kërkon shumë gjëra. Nëse koha e Bashës si kryetar i çliruar nga gjylet e dualizmit dhe pengesave amerikane ka nisur të shënojë në datën 9 shtator të këtij viti, ai duhet ta demonstrojë në Kuvend këtë risi. Pikësëpari në shndërrimin e Kuvendit në një aulë shembullore të manifestimit të lirisë, arsyes, etikës, tolerancës, respektit, qytetarisë e vlerave të tjera të demokracisë. Së dyti, në demonstrimin e projektit të modernizimit të PD-së, duke integruar propozimet racionale të kundërshtarëve të tij në parti dhe të asaj pjesë të anëtarësisë që konteston lidershipin e tij. Basha duhet të bëjë të vetën në maksimumin e mundshëm për bashkimin e Partisë, për përfaqësimin e të gjitha grupimeve të mëdha shoqërore që plotësojnë mozaikun e qendrës së djathtë në Shqipëri, për hapjen dhe partneritetin dinamik të PD-së me grupet e interesit, me intelektualët e kështu me radhë. Së treti, duke qenë se PD përfaqëson të vetmen alternativë të qeverisë socialiste, Basha dhe Kuvendi i nesërm priten të përforcojnë projektin e daljes nga regjimi shumëvjeçar i korrupsionit dhe pandëshkeshmërisë, duke e integruar atë në projektin e madh të SHBAsë dhe aleancës së vendeve perëndimore kundër korrupsionit dhe minimit të demokracisë. Kuvendi mund të ketë ruajtur të reja të tjera sa i takon së ardhmes, posttranzicionit. E vërteta do të shihet nesër. Piketat e nisjes së re hidhen nesër./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Rohde: Kërkojmë që Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinën e dialogut

    Lajmi i rradhës

    Antivakserët shqiptarë kanë montuar një deklaratë të zëvendëspresidentes së ShBA-ve, si qëndron e vërteta?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë