Paskal Milo
Në 8-9 maj është 80-vjetori i dorëzimit të ushtrisë naziste gjermane dhe kapitullimi i Gjermanisë hitleriane para forcave të Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Kjo ngjarje shënoi përfundimin e Luftës në Europë, gati pesë vite pasi ajo filloi në 1 shtator 1939 me agresionin gjerman kundër Polonisë.
Ajo pati një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë popujt antifashistë të botës, sepse u dorëzua dhe u mposht fuqia më e madhe dhe më agresive e Boshtit Fashist.
Përfundimi i Luftës në shkallë botërore ndodhi disa muaj më vonë, në 2 shtator 1945 kur Japonia, vendi tjetër kryesor i Boshtit Fashist u detyrua të ulë armët. Edhe kjo fuqi militariste që në vitin 1931 zbatoi politikën ekspansioniste në Azinë Lindore duke pushtuar territorin kinez të Mançurisë dhe në vitin 1937 filloi luftën e hapur agresive kundër Kinës. Përfundimi i Luftës dhe fitorja mbi Boshtin Fashist ishte fitore e të gjithë popujve antifashistë në të gjithë botën përfshirë edhe popullin shqiptar, ishte triumfi i së mirës, i forcave paqedashëse, i progresit dhe i të ardhmes kundër së keqes, forcave të errëta dhe të holokaustit që donin ta kthenin prapa rrotën e historisë.
Lufta e Dytë Botërore për nga përmasat e saj të shtrirjes mbetet konflikti më i madh në historinë ndërkombëtare. Ajo përfshiu thuajse të gjitha kontinentet, oqeanet e detet, shkaktoi me dhjetëra e dhjetëra miliona njerëz të vrarë e të gjymtuar, shkatërroi me qindra mijëra qendra banimi të mëdha e të vogla, ekonomitë e vendeve të përfshira në luftë, por edhe të vendeve të tjera që ndenjën mënjanë saj, u grabitën pasuri të çmuara e të jashtëzakonshme materiale, monetare, artistike, kulturore dhe u përjetuan trauma të pashlyeshme.
Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore u bë i mundur për disa arsye. Rrënjët e saj duhen kërkuar në përfundim të Luftës së Parë Botërore kur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1912-1920, shtetet fituese të saj vendosën kushte të rënda penalizuese e kufizuese politike, ekonomike dhe ushtarake ndaj shteteve të mundura si dhe aneksime territoriale. Traktatet e nënshkruara mbollën farën e pakënaqësisë sidomos në Gjermani, e cila me kalimin e viteve u rrit e u zgjerua dhe u shfrytëzua nga qarqe ekstreme të djathta e nacionaliste për të organizuar lëvizje dhe organizata politike me platforma revanshiste. Kështu lindën partitë fashiste në Gjermani, Itali apo vende të tjera, ku në qendër të programeve të tyre u vendosën ideologji raciste, ekspansioniste e luftënxitëse.
Një arsye tjetër ishte se sistemi i ri ndërkombëtar, i njohur ndryshe edhe si sistemi i Versajës, që u inaugurua pas Konferencës së Paqes në Paris së bashku me Lidhjen e Kombeve që u krijua nuk garantuan siç u shpall ruajtjen e paqes e të sigurisë ndërkombëtare. Ato dështuan të pengonin edhe thyerjen e kufizimeve ushtarake të parashikuara në traktatet për shtetet e mundura, si dhe aktet e para agresive kundër vendeve të tjera, siç ishte pushtimi i Mançurisë nga Japonia në vitin 1931 dhe fillimi i Luftës së dytë sino-japoneze në 1937, pushtimi i Etiopisë në 1935 dhe i Shqipërisë në 1939 nga Italia fashiste, “bashkimi” me dhunë i Austrisë me Gjermaninë në vitin 1938 dhe pushtimi prej saj të Çekosllovakisë në mars 1939. Jo vetëm kaq, por fuqitë perëndimore europiane, Britania e Madhe e Franca si dhe shteti sovjetik, pasi dështuan në përpjekjet e tyre për të krijuar një front antifashist, ndoqën politikën e lëshimeve e të kompromiseve me Gjermaninë naziste për të shmangur gjithsecili rrezikun për vete dhe duke inkurajuar Hitlerin kundër të tjerëve. Të kësaj natyre ishin Marrëveshja e Mynihut e shtatorit 1938 midis Francës e Britanisë së Madhe me Gjermaninë e Italinë, dy nga tri vendet e Boshtit fashist (Berlin – Romë – Tokio) arritur në vitin 1936, e njohur ndryshe si Boshti fashist. Sipas kësaj Marrëveshjeje, Gjermania lejohej të fuste trupat e saj pushtuese në krahinën e Sudeteve të Çekosllovakisë, ngjarje kjo që gjashtë muaj më vonë përfundoi me pushtimin e gjithë vendit.
Në thelb, edhe qeveria sovjetike bëri të njëjtin veprim. Pas disa muajsh negociatash të fshehta, të shoqëruara edhe me shkëmbime letrash mes Hitlerit e Stalinit, në gusht 1939 në Moskë u nënshkrua Traktati i fshehtë sovjeto-gjerman, i njohur ndryshe Traktati Ribentrop-Molotov. Ky traktat i arritur në sekret të plotë disa ditë para agresionit nazist kundër Polonisë i hapi përfundimisht dritën jeshile pushtimit të këtij vendi, ndarjen territoriale të tij dhe të zonave të influencës në shtete të tjera rreth tij.
Pushtimi i Polonisë dhe hyrja në luftë e Britanisë së Madhe dhe e Francës kundër Gjermanisë së Hitlerit shënoi fillimin “zyrtar” të Luftës së Dytë Botërore në Europë. Pas disa muajsh parapërgatitjesh intensive, në pranverën e vitit 1940, ushtria naziste sulmoi në front të gjerë vendet perëndimore: në prill Danimarkën dhe Norvegjinë, në maj Belgjikën, Holandën, Luksemburgun dhe Francën. Këto vende u pushtuan shpejt pa përjashtuar edhe Francën, një fuqi e madhe europiane, që kapitulloi pas një muaji luftimesh. Hitleri synoi edhe pushtimin e Britanisë së Madhe, por nuk arriti të kontrollonte hapësirën ajrore mbi Kanalin e La Mansh-it dhe filloi një fushatë masive bombardimesh ajrore në korrik-tetor 1940 kundër infrastrukturës ushtarake, qendrave industriale dhe qyteteve britanike, veçanërisht ndaj Londrës. Britanikët rezistuan dhe i shkaktuan humbje të mëdha Luftwafle (forcave ajrore gjermane), fakt ky që nxiti ndjenjën e rezistencës kombëtare dhe shënoi kthesën e parë të madhe të Luftës.
Gjermania naziste kishte objektiva të mëdha pushtuese edhe në lindje të Europës. Ndonëse ajo kishte nënshkruar në gusht 1939 një traktat mossulmimi me Bashkimin Sovjetik, Hitleri përgatiti Operacionin “Barbarossa” për të pushtuar atë. Por para se të vepronte, synoi të siguronte krahun jugor të sulmit. Ai arriti t’u imponojë Bullgarisë, Rumanisë e Hungarisë përmes premtimeve territoriale bashkimin me Boshtin fashist. Ndërkohë që për shkak të dështimeve të Italisë për të pushtuar Greqinë në një luftë që zgjati gati gjashtë muaj (tetor 1940 – prill 1941) dhe të një grushti shteti që ndodhi në Beograd në 27 mars 1941, që pengoi Jugosllavinë të bëhej anëtare e Boshtit fashist, Hitleri urdhëroi ushtrinë gjermane të ndërhynte dhe t’i pushtonte këto dy vende brenda muajit prill 1941.
Në 22 qershor, 1941 ushtria naziste e sulmoi Bashkimin Sovjetik në tri drejtime kryesore strategjike: në veri për të pushtuar vendet baltike dhe qytetin e Leningradit (Shën Petërsburgu), në qendër me synimin për pushtimin e kryeqytetit sovjetik, Moskën dhe në jug për të pushtuar Ukrainën, kryeqytetin e saj Kievin, të pasur me grurë e qymyr. Hitleri shpresoi se do ta mposhte shtetin sovjetik para ardhjes së dimrit. Por ushtria gjermane me gjithë sukseset e para të saj dështoi në arritjen e objektivave kryesore për disa arsye: për shkak të qëndresës së madhe të popullit e të ushtrisë sovjetike, për shkak të nënvlerësimit të forcës sovjetike, për shkak të vështirësive logjistike që pengoi furnizimin në kohën dhe sasinë e duhur të trupave gjermane, për shkak të dimrit të ashpër rus dhe të mospërballimit të tij, por edhe për shkak të ndihmës amerikano-britanike (“Lend-Lease”) në armë, makina, materiale industriale dhe ushqime. Ushtria naziste u ndalua në pragun e Moskës dhe gradualisht duke filluar nga fundi i vitit 1942 iniciativa në fushën e luftimeve kaloi në anën sovjetike.
Pushtimi i vendeve të Europës Qendrore, Juglindore e Perëndimore të Europës si dhe agresioni gjerman në lindje kundër Bashkimit Sovjetik i shoqëruar me operacione luftarake në Oqeanin Atlantik u kuptua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe si një kërcënim për interesat e tyre të sigurisë e më gjerë. Për të ndalur këtë rrezik madhor e për të krijuar një front botëror antifashist, në 14 gusht 1941 Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Franklin Delano Roosevelt u takua me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Winston Churchill në Newfounland (Toka e re) në Oqeanin Atlantik në përfundim të të cilit u nënshkrua një Deklaratë, e njohur ndryshe si “Karta e Atlantikut”. Deklarata përbëhej nga tetë parime në emër të të cilave Roosevelt dhe Churchill u kërkuan të gjitha kombeve antifashiste që të bashkoheshin me të. Kjo Deklaratë u bë objekt i një konference ndërkombëtare në Washington DC në 1 janar 1942, u miratua nga përfaqësues të 26 kombeve, midis të cilëve ishte edhe ai kinez. Dokumenti u njoh me emrin “Deklarata e Kombeve të Bashkuara” dhe shënoi themelimin zyrtar të koalicioneve të emërtuar Kombet e Bashkuara Antifashiste. Nënshkruesit e kësaj Deklarate u angazhuan që të mobilizonin në shërbim të luftës kundër anëtarëve të paktit trepalësh fashist (Gjermani- Itali-Japoni) të gjitha burimet e tyre ushtarake ose ekonomike, të bashkëpunonin midis tyre dhe të mos përfundonin me armikun as armëpushim, as edhe paqe të veçantë.
Ndërkohë që bëheshin përgatitjet për nënshkrimin e kësaj Deklarate, në 7 dhjetor 1941, forcat ajrore ushtarake japoneze sulmuan bazën detare amerikane në Hawaii, duke shkaktuar dëme të mëdha në anije e avionë amerikanë, ku edhe u vranë 2400 ushtarakë e civilë amerikanë. Ky sulm shënoi një kthesë tjetër të rëndësishme në zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara që deri atëherë kishin qëndruar në një farë mënyre neutrale në luftë, një ditë më vonë, në 8 dhjetor u shpallën luftë Japonisë. Me këtë veprim ato hynë zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore, në fillim kundër Japonisë e më pas kundër Gjermanisë e Italisë.
Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara lufta mori karakter të përbotshëm. Zjarri i saj përfshiu të gjitha kontinentet dhe oqeanet. Në frontet e mëdha të kësaj lufte u zhvilluan beteja të përmasave të panjohura e të paimagjinuara më parë mes palëve ndërluftuese, me humbje katastrofike njerëzore e materiale. Ata janë shumë e në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, vlejnë të veçohen ato më kryesoret dhe që përcaktuan tendencën e zhvillimit e të përfundimit të Luftës dhe që kontribuuan në fitoren e Kombeve të Bashkuara e në disfatën e fuqive të Boshtit fashist.
Në pikëpamje të rendit kronologjik mund të përmenden sot në 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit, beteja e Moskës (tetor 1941–janar 1942) ushtria sovjetike ndaloi pushtimin e kryeqytetit, shtyu trupat gjermane dhe shënoi fitoren e parë të madhe kundër ushtrisë naziste, duke dëshmuar se ajo nuk ishte e pathyeshme, beteja detare në ishullin Midway (4-7 qershor 1942) në Paqësorin Verior që njihet si një nga betejat më të rëndësishme detare në histori dhe në të cilën amerikanët shkatërruan katër aeroplanmbajtëse japoneze; betejat e El Alameinit në Afrikën Veriore në gjysmën e dytë të vitit 1942, kur forcat britanike përballuan forcat e bashkuara gjermano-italiane për të pushtuar Kanalin e Suezit, duke i detyruar ato të tërhiqeshin gradualisht. Humbja e El Alamenit shënoi fillimin e fundit të pranisë gjermano-italiane në Afrikë dhe ndryshoi ekuilibrin strategjik në rajonin e Mesdheut në favor të Kombeve të Bashkuara antifashiste; beteja e Stalingradit (17 korrik 1942 – 2 shkurt 1943) ishte dështimi i parë i madh gjerman në Frontin lindor, u rrethua dhe u dorëzua ushtria e 6- të gjermane me në krye komandantin e saj, Friedrich Paulus, që u konsiderua si një goditje e rëndë morale për Gjermaninë naziste dhe kthesë strategjike në favor të ushtrisë sovjetike e të luftës antifashiste; beteja e Kurskut (5 korrik–23 gusht 1943) ishte beteja më e madhe e tankeve në histori, me rreth 6 mijë tanke dhe me më shumë se 2 milionë ushtarë. Kjo betejë përfundoi me fitoren e ushtrisë sovjetike dhe shënoi kalimin e iniciativës strategjike në duart e saj; zbarkimi i forcave aleate britanikoamerikane në Sicili dhe Itali në (korrik–gusht 1943) dhe dorëzimi i Italisë fashiste në 8 shtator 1943. Kjo ngjarje ndikoi në shpejtimin e fundit të Luftës në Europë dhe në dobësimin e mbrojtjes gjermane në kontinent; zbarkimi Aleat (D – Day) në Normandi në 6 qershor 1944 shënoi hapjen e frontit të dytë të luftimeve në Europë dhe operacionin më të madh amfib në histori me mbi 15 mijë trupa amerikane, britanike dhe kanadeze. Me këtë zbarkim filloi gradualisht çlirimi i Francës dhe i Europës Perëndimore, u dobësua fuqia ushtarake gjermane dhe u hap rruga që Aleatët të avanconin drejt Berlinit; beteja e Okinawa-s në Japoninë Jugore (1 prill–22 qershor 1945). Kjo ka qenë beteja më e madhe amfibe në frontin e Paqësorit, pati rreth 200 mijë viktima, ushtarakë e civilë dhe shërbeu si parapërgatitje për pushtimin e Japonisë; operacionet aleate, sovjetike e perëndimore për çlirimin e Berlinit (prill – maj 1945), që çuan përfundimisht në nënshkrimin e aktit të kapitullimit të Gjermanisë në 8 maj 1945. Rënia e Berlinit shënoi edhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Europë; hedhja e bombave atomike amerikane mbi qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në gusht 1945 dhe pas kësaj, hyrja e Bashkimit Sovjetik në luftën kundër Japonisë militariste çoi në nënshkrimin e aktit të kapitullimit të saj në 2 shtator 1945. Kjo datë është edhe fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Pjesa e rëndësishme përbërëse e Luftës së Dytë Botërore kanë qenë edhe luftimet në Azinë Lindore e në veçanti ato në Kinë, kundër Japonisë militariste. Si një Fuqi kryesore e Boshtit fashist, Japonia nisur nga objektivat e saj ekspansioniste imerialiste në Azi që në vitin 1937 filloi pushtimin e Kinës Qendrore e Jugore, ndërsa pas sulmit në Pearl Harbor, në dhjetor 1941, pushtoi vende të tjera aziatike si Filipinet, Indokinën, Birmaninë (Mayanmar) dhe Indonezinë. Popujt e këtyre vendeve u rezistuan me armë militaristëve pushtues japonezë, veçanërisht në Filipine, Birmani e Vietnam. Në shumicën e vendeve të Azisë Lindore rezistenca antifashiste nuk ishte vetëm e armatosur, por me forma e mënyra të ndryshme, gjithëpërfshirëse.
Një nga frontet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore në Azi ishte Kina. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në rezistencën dhe luftën kundër Japonisë militariste. Agresioni japonez kundër Kinës filloi që në korrik 1937, mbi dy vite para se të shpërthente në nivel global Lufta e Dytë Botërore me sulmin e Gjermanisë naziste kundër Polonisë. Duke u mbështetur në këtë referencë historike mjaft historianë e cilësojnë nisjen e Luftës së Dytë sino – japoneze në korrik 1937 si fillimin e Luftës së Dytë Botërore, duke pasur parasysh se Japonia në këtë kohë ishte zyrtarisht anëtare e Boshtit fashist. Në frontin kinez Japonia hodhi mbi një milion ushtarë, ndërkohë që Kina mobilizoi kundër saj rreth 700 mijë forca. Midis dy ushtrive janë zhvilluar beteja të mëdha si ajo e Shanghait në 1937 e që zgjati tre muaj dhe shumë ishuj të Oqeanit Paqësor, beteja e Changsha në provincën Hunan, që u zhvillua në tri faza (1939 – 1942), fushata e Birmanisë (1942 – 1945) në të cilën rreth 100 mijë ushtarë kinezë nën komandën amerikane u angazhuan në luftime kundër trupave japoneze. Këto forca kineze që morën pjesë në këto luftime u mobilizuan nga qeveria nacionaliste e Guomindangut që qeveriste vendin në këtë kohë.
Një rol të madh në luftën kundër pushtimit japonez në Kinë ka luajtur Partia Komuniste e Kinës dhe forcat e saj të armatosura nën udhëheqjen e Mao Zedong. Pas “Marshimit të Gjatë” (1934 – 1935) PKK zgjeroi influencën dhe kontrollin e saj në zonat rurale në veri e në qendër të Kinës, të pushtuara nga japonezët. Ajo ngriti një rrjet të gjerë zonash të çliruara rurale të njohur me emrin “Zona të Bazës Antijaponeze”, ku u ndërtuan struktura lokale të vetëqeverisjes dhe u organizuan reforma sociale. Forcat kryesore të armatosura të PKK ishin Ushtria e 8-të Rrugore dhe Ushtria e 4-të e Re. Strategjia e tyre ishte lufta guerile; sulme të shpejta, sabotime të linjave të furnizimit për armikun, krijimi i bazave të fshehta dhe organizimi i popullsisë lokale. Një nga operacionet më të mëdha të PKK kundër japonezëve ka qenë “Beteja e 100 Regjimenteve” në vitin 1940, ku morën pjesë më shumë se 400 mijë luftëtarë guerilas që sulmuan linjat hekurudhore dhe bazat japoneze në Kinën Veriore.
Karakteristike për luftën antijaponeze të popullit kinez ishte ndarja e roleve mes Goumindang-ut dhe PKK: i pari kontribuoi frontalisht në betejat më të mëdha konvencionale kundër ushtrisë pushtuese japoneze, ndërsa e dyta luajti një rol aktiv në prapavijat e saj duke e goditur me intensitet e befasi dhe duke e konsumuar atë gradualisht. Goumindang-u dhe PKK ndonëse kishin herë pas here marrëdhënie të tensionuara dhe mosbesim të ndërsjellë, në vitin 1937 krijuan Frontin e Bashkuar antijaponez që do zgjaste deri në përfundim të Luftës së Popullit Kinez kundër agresorëve japonezë në 3 shtator 1945.
Rezistenca dhe lufta antifashiste e popullit kinez u vlerësua lart gjatë dhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Kina që në vitin 1942 u njoh si një nga katër Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Ndonëse nuk mori pjesë direkt në Konferencat e SHBA – Britanisë – Bashkimit Sovjetik në Teheran (dhjetor 1942 – janar 1943), në Jaltë (shkurt 1945) e Potsdam (korrik – gusht 1945), statusi i saj si Fuqi Aleate u njoh dhe u fiksua në dokumentet e prodhuara aty.
Lufta e Dytë Botërore si një ngjarje e madhe historike ka dhënë dhe jep mësime të çmuara për brezat njerëzorë që kanë kaluar, për ata të sotëm e të së ardhmes. Ajo rikujton e bën thirrje për vigjilencë, për të mos toleruar akte të rrezikshme e kompromise në dëm të popujve e të vendeve të veçanta në emër të interesave të përkohshme. Paqja dhe siguria afatgjatë ndërkombëtare sot mund të garantohet vetëm me qëndrime e veprime kolektive të koordinuara brenda një sistemi ndërkombëtar të rimëkëmbur mbi baza multilateraliste. Bota sot përballet me sfida të panjohura më parë, të cilat janë globale, por edhe rajonale, të cilat mund të shmangen e të zgjidhen vetëm me dialog, mirëkuptim, vullnet politik e jo me forcën e armëve. Vendimmarrjet e jashtëzakonshme të Fuqive të Mëdha Antifashiste në kohën e Luftës së Dytë Botërore për nga shkalla e përgjegjësisë me të cilat u realizuan edhe sot mund të shërbejnë si model për bashkëpunim të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme për sfidat aktuale globale e për qëndrueshmërinë e paqes e të sigurisë ndërkombëtare.
Një nga mësimet kryesore që vjen nga Lufta e Dytë Botërore është kundërshtimi me forcë e në mënyrë aktive i ideologjive dhe qeverisjeve totalitare, i pikëpamjeve ekstremiste, nacionaliste, raciste, i ksenofobisë si instrumente për të kapur pushtetin. Bota sot nuk duhet të bëjë po të njëjtat gabime që u bënë në vitet ‘20-‘30- të të shekullit të kaluar, që toleruan idetë dhe veprimtaritë në rritje të grupeve e partive fashiste, naziste e militariste.
Lufta e Dytë Botërore ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien kolektive të kombeve. Zëvendësimi i brezave njerëzorë, distancimi kohor nga vetë ngjarja, natyrshëm ka tendencë të zbeh vetë ngjarjen, por mbi të gjitha përgjegjësitë e atyre që përgatitën Luftën, që shkaktuan dramën më të madhe në historinë e njerëzimit, holokaustin, që mbollën tmerre apokaliptike e që ende shfaqen gjurmët e krimeve e të traumave mizore. Që e keqja të mos përsëritet e për më tepër të mos shumëfishohet është domosdoshmëri që sot e në të ardhmen të vazhdojë përballja kritike me Luftën e Dytë Botërore, që brezat e rinj përmes edukimit historik të ushqehen me njohuri objektive, të respektojnë e të vlerësojnë kontributet në mbrojtje të lirisë, të progresit dhe të identitetit kombëtar. Kujtesa duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe si një busull morale për një të ardhme më të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme për të gjitha kombet. /Panorama/