Në flatrat e gjigandomanisë

    PREÇ ZOGAJ

    Në një intervistë për BBC, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vuri veten prapa “syve të afganëve dhe miliona të tjerëve tjetërkund”, për ta cilësuar NATO-n si një organizatë pa shtyllë kurrizore, që u spraps si hije përkundrejt idealeve, parimeve dhe premtimeve e lirisë iu dha afganëve dhe Afganistanit. Asnjë Kryeministër apo President i një vendi anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) nuk ka marrë përsipër të flasë në emër të popullit afgan apo miliona të tjerëve dhe të lëshojë nga pozitat e zëdhënësit të tyre insinuata kundër aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake të globit ku Shqipëria bën pjesë.ADVERTISING

    Nuk e kanë lënë për konformizëm apo nga frika. Liria e shprehjes është një prej principeve bazë, mbi të cilën funksionon familja e kombeve të lira të integruara në NATO.

    E kanë lënë sepse askujt nuk i shkon mendja të flasë me “kompetencë” në emër të popujve të tjerë, apo, me keq, të hedhë gurin e të fshehë dorën nga ky pozicion. Mbi të gjitha, prononcimet e kryeministrave e presidentëve të vendeve të NATOs, të Boris Xhonson, të Emanual Makron, të Kancelares Merkel, të Dragit të Italisë, e tjerë e tjerë tregojnë qartë një gjë: ata nuk mendojnë se NATO e mbi të gjitha SHBA (në fakt, janë SHBA ato që udhëhoqën shkuarjen me trupa ushtarake në Afganistan para njëzet vjetësh, qëndrimin dhe largimin së fundi nga Afganistani, por Rama i bën bisht këtij fakti për oportunizëm), kanë humbur ndonjë luftë në Afganistan, se janë sprapsur si hije dhe si besëprerë nga Afganistani. Përkundrazi. Arsyeja numër një e intervenimit amerikan, mbështetur nga vendet aleate të NATO-s, ka qenë asgjësimi i bazave të terrorizmit ndërkombëtar në Afganistanin e talebanëve të mëparshëm. Këtë luftë, SHBA dhe NATO e kanë fituar. Amerikanët kanë disa vite që negociojnë largimin nga ky vend. Ata nuk kanë qenë atje as si pushtues, as si kolonizatorë. Këtë e dinë të gjithë. Investimi i SHBA për të mbështetur apo edhe eksportuar, siç thonë disa, një regjim demokratik liberal nëpërmjet përfaqësuesve të shoqërisë afgane është një temë e gjerë me vete, për të cilën mund të bëhen lloj-lloj konsideratash dhe reflektimesh, të evidentohen gabime e të nxirren mësime. Kjo temë thërret në kauzë kompozimin e shoqërisë afgane, historinë dhe traditat e atij vendi, traditat e mbarë rajonit, diversitetin e kulturave që përcaktojnë edhe raportet e ndryshme të popujve me lirinë, civilizimin e tjerë. Pra, është një temë e katedrave të larta, që vetëm mund të banalizohet kur preket shkel e shko nga politikanë libreskë e megalomanë. Një gjë mund të thuhet me siguri. Në Uashington e kanë ditur dhe e dinë shumë mirë se demokracia nuk është një mall që mund të eksportohet apo të mbahet nga jashtë. S’ka qenë nevoja të pritet rënia si kala prej rëre e qeverisë afgane për të provuar këtë aksiomë të provuar më parë në shumë vende të tjera të botës. Sidoqoftë, ka qenë një gjë shumë e mirë që gjatë qëndrimit njëzetvjeçar në Afganistan, prania, vullneti dhe investimi amerikan e perëndimor bëri që miliona njerëz, gra e burra, të shijonin lirinë dhe zhvillimin që sjell liria. Liria ka lënë gjurmë të pashlyeshme atje. Vinë shumë dëshmi nga brenda vendit: në perspektivë, pavarësisht, largimit të përshpejtuar të amerikanëve dhe europianëve për arsyet që dihen, Afganistani nuk do të kthehet në kohërat me të këqija të obskurantizmit e tiranisë. Njëzet vjetët e lirisë kanë mbjellë farën e tyre. Është naivitet të mendohet se largimi amerikan ka rënë si rrufe në qiell të kthjellët, se amerikanët janë larguar pa asnjë plan, si nga një tokë e shkretë. Do ta shohim në vijim.

    Nëse do të duhet të tregohet me gisht dikush që e preu në besë popullin afgan, kjo është qeveria afgane, Presidenti afgan, ushtria dhe forcat e sigurisë që u krijuan, u trajnuan dhe u pajisën me armët më moderne. Presidenti i ikur i kish siguruar homologët e tij në Perëndim se do të frenonte përparimin e talebanëve. Por ia mbathi për vete. Nuk na kushton asgjë të themi se liria kushton, se çdo popull ka lirinë e vaditur me gjakun dhe sakrificat e bijve të vet, ka lirinë që meriton.

    Por edhe kjo sentencë nuk është një gjë që mund të hidhet pa një pa dy kur flitet për Afganistanin. Ka arsye edhe në atë që thuhet se qeveria dhe trupat afgane nuk dëshironin të investoheshin në një luftë civile me talebanët. Talebanët janë afganë gjithashtu, me një koncept tjetër për ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë. Ata kanë për ligj Kuranin, librin e shenjtë të myslimanëve. Amerikanet nuk mund t’i shohin këto grupime, siç shihte Enver Hoxha më shokë ata që mendonin ndryshe në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore. Amerika është vetë një vend i diversitetit. SHBA luftojnë terrorizmin, por nuk kanë probleme me ata që kanë ligj sheriatin dhe nuk mund t’u shpallin luftë, siç lënë të nënkuptohet ata që akuzojnë NATO-n, domethënë SHBA, sikur nuk kanë shtyllë kurrizore. Duhet të kesh jetuar në Afganistan dhe ta njohësh thellë atë vend për t’i kuptuar drejt ngjarjet e atjeshme. Stilemat tona liberale apo socialdemokrate nuk ndihmojnë shumë. Aq që pak kur këto stilema nuk janë dije e kulturë, por parulla libreske.

    Konstatimi më me vlerë që mund të bëjmë ne nga Tirana për gjithë çfarë ndodhi në Afganistan është se nën hundën e NATO-s e SHBA dhe me ndihmat bujare të qeverive perëndimore, lulëzoi një korrupsion i madh në qeverinë “liberale”. Korrupsion, i cili është në themel të gjithë degradimit dhe përmbysjes që ndodhi atje. Qeveria dhe autoritet e mbështetura nga perëndimoret u vetëlicencuan për të vjedhur, duke abuzuar me faktin se kundërshtarët e tyre talebanë për shumë kohë nuk qaseshin nga amerikanët. Në Shqipëri ka ndodhur e ndodh rëndom që drejtuesit e zyrtarët e lartë t’u bien me top financave publike dhe të fryjnë kontot e tyre duke u frymëzuar nga “gogoli”, që është kundërshtari. Nëse duhet të heqim një paralele mes Shqipërisë dhe Afganistanit, kjo është më realja. Partnerët bëjnë mirë ta mbajnë parasysh. Por Rama nuk flet për këtë në intervistën e tij.

    Optikën e Kryeministrit tonë tek shfryn kundër NATO-s, domethënë SHBA, e përcakton, sipas mendimit tim, paralelizmi sikur një hordhi me shtatëdhjetë mijë njerëz të armatosur si ajo e telebanëve të rinj në Afganistan mund të marshojë e rrëzojë çdo qeveri pa u penguar nga SHBA dhe NATO. Kjo del qartë kur ai flet për miliona njerëz të tjerë të trembur nga “ikja si hije” e ushtrisë amerikanë nga Kabuli.

    Paralelizmi tregon frikën e tij, por është i gabuar kur flitet për vende që janë anëtarë të NATO-s siç është Shqipëria. NATO ka angazhime të qarta për mbrojtjen e vendeve anëtare. Vetë anëtarësia ka si kusht shtetin ligjor, zgjedhjet e lira, demokracinë. Anëtarësia në NATO e përjashton marrjen e pushtetit më dhunë. Kush mendon të kundërtën, trembet kot nëse e sheh veten si të sulmuar dhe shpreson kot nëse e sheh vetëm sulmues.

    Nëse se nuk është kjo paralele në origjinë të deklaratës absurde të Edi Ramës në BBC, atëherë mbetet të jetë një gjigandomani tipike për udhëheqësit dritëshkurtër, por mjaft të pasur të vendit tonë të vogël, të cilët nuk e shohin Shqipërinë në hartë, por nga dritarja, prej nga u duket shumë e madhe. Më e madhe se vetë bota.

    Është bërë zakon tashmë që e folura e Ramës dhe njerëzve që ka përqark të fluturojë në krahët e kësaj gjigandomanie, që nënkupton edhe pasuri të madhe. Gjuha tradhton sekrete. Jo rastësisht këta i marrin krahasimet nga bota e futbollit elitar ku qarkullojnë miliarda. Jemi të pathyeshëm si Barcelona e Guardiolës, u thoshte Rama militantëve socialistë në mitingun e fitores, pleq shumë prej tyre me një pension që nuk shkon përtej njëzet mijë lekëve të rinj në muaj. Një ministër i tij u përfshi në debatin që shpërtheu kësaj vere për çmimet e larta në resortet turistike të bregut. Duket e pabesueshme, por ai tha: “Edhe Mesi shkon në restorante të shtrenjta. Ky është tregu”. Nuk gjeti askënd tjetër për ilustrim të një problematike në vendin më të varfër të Europës, por Mesin, miliarderin. Pas pak ditësh fillon “kampionati katërvjeçar”. Nuk do të çuditesha ndonjë prej anëtarëve të ekipit të Ramës ta krahasonte qeverinë e re me ndonjë skuadër sheikësh të Francës apo Anglisë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Protestë në Radovish, qytetarët i vunë zjarrin flamurit të partisë dhe kartave të anëtarësisë (Video)

    Lajmi i rradhës

    Filmi “I treturi” në programin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë

    Lajme tjera

    Shëmtia

    BEN ANDONI  Shëmtia është një temë e lidhur ngushtësisht me estetikën, që nuk është se pëlqehet aq shumë.…
    Më tepër

    Trafik

    EDISON YPI   Mbreti i Trafikut është Kamioni. Kush e dyshon ose e refuzon këtë, s’është në terezi, duhet…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë