Makinat heroike

    EDISON YPI 

    Më ka marrë malli për makinat e aso kohe, për makinat heroike, që nuk ishin si këto legenet e sotme të heshtura, tinëzare, gjoja të sofistikuara. Ç’patët me makinat o burrat e dheut? Pse i denatyruat, çfytyruat, degjeneruat, makinat heroike me leva, manovela, doreza, këmbëza, kërcitje, zhurma. Kishe qejf t’i shikoje dhe dëgjoje. Ishin të gjalla. Ishin plot jetë. Aso kohe, saksofonat, tamburët, pianot, kitarat, krejt muzika, krejt Rock and Rolli, por edhe piktura, arkitektura, imitonin pa reshtur lakoret e aeroplanëve, harqet e turbinave, muzikat e makinerive, simfonitë e lokomotivave, anijeve, kovaçhanave.

    Makina e shkrimit, për shembull, ajo që gjithë gjallëri dhe jetë kërciste pas çdo germe duke të lajmëruar se kryeveprës që po shkruaje iu shtua një tullë, tingulli që mendove nuk u mbajt i fshehtë, por duke u shkruar dhe pavdekësuar u shpërblye si meriton. Jo si Word Editori i sotëm, i pabesë, me pesëqind dredhira dhe hilera, që përpëlitet në heshtje dhe errësirë sa në tokë, në Cloud, me gjithë ato fonte, formatime, foldera, krejtësisht të panevojshme, krejtësisht të tepërta, që po e luajnë vulgun nga ment e kokës, kanë ngritur këmbët t’u bien kokës. Ishin më të mira ato të çiltrat e Gutenberg se këto zuskat e Zuckerbergut që po verbojnë sytë, ngathtësojnë trupin, trashin mendjet.

    Gazi i Degës, imitim i një ‘Jeep’-i të luftës, tmerrësisht i thjeshtë, pa asnjë yçkël, pa asgjë të tepërt. Jo si makinat e sotme që ndryshojnë çdo muaj. Gazit i Degës ishte aq perfekt, sa Rusia, Kina, dhe gjithë Lindja, në dhjetëra vite nuk i shtuan apo ndryshuan dot asnjë vidhë. Gazi i Degës ishte dhe mbeti një makinë që e mbajti kokën përpjetë, nuk u tut nga asnjë shqotë, stuhi e tufan. Gazi i Degës nuk vinte kot, për qejf, se ashtu ju tek. Gazi i Degës vinte për diçka serioze, të epërme, sublime, vinte të arrestonte. Gjithmonë me shkak. Kurrë nuk arrestoi Gazi i Degës po të mos kishe thënë të paktën një fjalë të tepërt, apo shprehur një mendim jo sipas turmës. Gazi i Degës s’kishte GPS, as Spotify, as mrroklla të tjera. Shtëpinë ta gjente vetë. I dinte adresat përmendësh. Edhe ato të qyqarëve nga Puka e Mokra që shkonte t’u hidhte hekurat.

    Makina e mishit ishte gjithashtu njëra nga makinat heroike që duhet të mos harroheshin, por të ruheshin. E vogël, e thjeshtë, manovelë, shnek, disk me vrima, kishte lezet. S’linte mish e kockë e deje pa grirë. Ndonjëherë, nëse kishe bërë ndonjë faj, për dënim, bashkë me mishin ta rrëmbente dhe gishtin. Por para asaj bukurie që me thjeshtësinë dhe efikasitetin e vet asocionte në mendjen e përdoruesit një mënyrë për hakmarrje efikase jo me llafe, por me makinë, grirja e gishtit ndaj grirjes së jetës ishte hiçasgjë.

    Një tjetër makinë heroike mahnitëse ishte makina llogaritëse. Ajo e vjetra, ajo që kushedi ku e hodhën e dergjet. Zot na ruaj, nëse në ndonjë furrë. Ajo me manovelë, që e rrotulloje nja dy herë, dhe pasi zhurmonte dhe kërciste sa tundte dheun, brenda disa sekondave ta nxirrte ekzakt shifrën. Jo si këto të sotmet që bëjnë gjithçka në heshtje dhe në çast, sikur muzika dhe koha nuk ekzistojnë. Makina e Korrjes ishte ajo që më së shumti frymëzonte mosbindjen, rebelimin ndaj diktaturës së halabakëve, korrjen e komunistave si grurin, misrin, tërshërën, thekrën, që nuk e di pse s’ndodhi.

    Makina e mutit, pavarësisht se transportonte atë që s’thuhet, por sapo e thashë, kishte dhe ajo sharmin e vet, edhe sot meriton lavdinë e vet. Sa herë që vinte bosh dhe ikte plot, u kujtonte shqiptarëve se njeriu nuk është çfarë ha, por çfarë 10.

    “Fiat”-i i Drejtorit ishte një rrangallë e heroike, të cilën mjeshtrat pararojë me shpirt bolshevik të kalitur nëpër “veprat monumentale të 5-vjeçarëve”, nuk i lanë modifikim pa bërë, llamarinë pa shqyer, vidhë pa ndërruar, vetëm e vetëm që kur karroca me rrota e quajtur “Fiat” i Drejtorit të ishte gati, të vinte drejtori, t’u thoshte proletarëve duarartë: Rrofshi o mutër që ma ndreqët!

    Lokomotiva me avull, me asgjë të fshehur, të gjitha rropullitë jashtë, cilindrat, levat, bjellat, shtangat, valvolat, ishte një makinë heroike kryevepër. Mrekullisë së teknologjisë që bënte çuf-çuf i përket e gjithë lavdia e pritjeve lotndjellëse plot ankth në stacion, edhe kot, edhe pa shkak, edhe në pritje të dashurës që s’dihej në do vinte a s’do vinte, apo të vdekurit në front që kurrë nuk u kthye. Makina qepëse, ajo që s’ndali as ditë, as natë, duke prerë e qepur për çunat dhe gocat modelet më të fundit të veshjeve, s’pordhi fare kjo makinë për nenet e propagandës dhe tradhtisë ndaj atdheut. I shkeli të gjitha pa mëshirë në emër të hakmarrjes së atyre që s’kishin gjetur doqet apo basmat e duhura. Meriton një shtatore majë Dajtit, a të paktën te kodrat e Saukut, Heroina që do ia kishin prerë mishin dhe varur në litar me gërshërën dhe sapunin e vet, do e kishin tërhequr zvarrë nëpër katundet kufitare, do e kishin burgosur, pushkatuar. Halli se mund të zvarrisësh një qen a një zagar, por zor se zvarritet një makinë.

    Ndër makinat e lavdishme s’mbetej pas mulliri i kafesë dhe qebapi që e rrotulloje mbi zjarr. Kafen e piqje dhe e bluaje vetë. Dhe dije ç’pije. Dhe llumi pas përmbysjes për të hedhur fall nuk ishte i manipuluar, ishte autentik. Jo si tani që kafen e mpleksin dhe llumi duket si baltë Karavastaje shkelur nga buaj të zinj me brirë, duke nxjerrë nga bataku një qerre. Para këtij llumi, nga frika mos çmendet, këtij filxhani s’ia hedh sytë asnjë jevgë.

    Kishte lezet makina e rrojes. Blije një herë e mirë makinën dhe ndërroje brisqet. I është mohuar pa të drejtë fama që meritonte makinës heroike që rruante çdo skutë me gjakderdhje të sigurt.

    Makinat heroike ishin aq të buta dhe të ëmbla, sa me makinat binin në dashuri, ftoheshim me gruan, shkaktonin xhelozira, tradhtira, divorce. Njoh nja katër a pesë që u marrosën pas motoçiketës. Dhe të tjerë që derdheshin duke prekur dhe përkëdhelur tornon. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    ‘Sime shoqe’

    Lajmi i rradhës

    UNESCO rekomandon që Lugina e Vjosës të shpallet ‘Rezervat i Biosferës’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë