“Vuçiçizmi” i Ramës

    AGIM BAÇI

    E trishtë të shohësh Kryem inistrin e vendit tënd të përpëlitet në shtratin e një gjuhe urrejtjeje dhe fyerje vetëm e vetëm se gjendet sot më shumë afër Beogradit se sa Prishtinës. Nuk do ta besoj kurrë se ai është proserb. Jo, ai është thjesht një njeri që ka vënë pushtetin e tij mbi gjithçka.

    Edhe afrimin me Vuçiçin, me shumë gjasë e ka pasur në planin e bërjes së heroit para ndërkombëtarëve, duke besuar se do të shënonte, me aktin e ndryshimit të kufijve, emrin në histori. Dhe në mënyrë paradoksale, sot ai është kthyer në avokat të Vuçiçit. Për shkak të kësaj papërgjegjshmërie arritëm që përpara Ambasadës shqiptare në Prishtinë të ketë protestë kundër Tiranës zyrtare. Ishte më e pamenduara nga ajo që mund të ndodhte. Dhe pak rëndësi ka nëse ka faj edhe Prishtina zyrtare në krijimin e kësaj situate.

    Ajo që duhet të na trishtojë është se si arriti kjo gjendje. Në fakt, nuk kish se si të ndodhte ndryshe kur ky Kryeministër arriti të hidhte në gjyq ishKryeministrin Haradinaj, duke shënuar në publik krijimin e distancave, edhe pse nisi me show mbledhjet e përbashkëta qeveritare. Më pas u tall me mospraninë e homologut Kurti në projektin “Open Balkan”, duke bërë të qeshë Vuçiçin. E Presidenti nga Beogradi nuk ka pse të mos qeshë kur sheh se si në Prishtinë protestohet ndaj Tiranës, kur sheh se si Prishtina po largohet gjithnjë e më shumë nga rruga e përbashkët që duhet të ecnim. Ai do të qeshë dhe do të lajkatojë Ramën për aq kohë sa ka frenuar njohjet e Pavarësisë së Kosovës dhe Tirana nuk ka asnjë këmbëngulje për të kundërtën.

    Po pse Edi Rama nxori sonte me shpejtësi një deklaratë me gjuhën që s’do mund ta përdorte edhe një analfabet rrugaç? Përse u sul duke fyer në banalitet kundërshtarët e tij, e më pas u kujdes që propaganda të shpërndajë një intervistë të vjetër ku ai gjoja e lexon “hakmarrje” të Vuçiçit deklaratën se pas Bashës e Berishës qëndron ideja e Shqipërisë së Madhe?

    Padyshim ky sulm, që do të fyente këdo që di të lexojë e shkruajë, është vazhda e një njeriu që tallet me qytetarët e tij, që kërkon të zhvendosë vëmendjen te kundërshtarët politikë sa herë një situatë katastrofe natyrore e nxjerr lakuriq, siç ka ndodhur me tërmetin, përmbytjet e tani me zjarret. Ai sillet ashtu siç bëjnë të gjithë ata që në një qeverisje antiqytetare, në një qeverisje ku vetëm qytetarët nuk kanë rëndësi, kujdesen që të marrin borxhe për t’u dhënë klientëve të tij, për të sajuar tenderë për ata që e mbajnë në pushtet, por jo për t’u kujdesur për parandalimin e katastrofave.

    Edi Rama sot, në një pikëllim të qeverisjes së tij online, kaloi çdo limit teksa justifikohej para shqiptarëve të Kosovës, të cilët e panë më në fund gjithë nihilizmin e tij, që nxori nga arkivat një deklaratë të cilën nuk guxoi kurrë më ta përsëriste pasi e tha në Beograd, sepse vuçiçizmi i mendjes së tij tani shqetësohet vetëm për pushtetin e tij, vetëm për klientët e tij, të cilët i përdor për të garantuar pushtetin e tij.

    Fatkeqësisht ky mjerim vuçiçist i Ramës, kjo tallje me gjuhë perverse, do të rëndojë mbi shqiptarët e Shqipërisë, të cilët e kanë ende Kryeministër. Por shqiptarët e Kosovës nuk ia kanë borxh, ndaj duhet t’i mirëkuptojmë ata që tashmë nuk e kursejnë më kur ia thonë të vërtetat./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bregoviç dhe filozofia e shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    Tregtari i “kokave të mëdha” në korniza të vogla…

    Lajme tjera

    Në emër të betonit

    EDMOND TUPJA Prej kohësh, si tërë kryeqytetasit, jetoj edhe unë në epokën e betonimit të pamëshirshëm të Tiranës,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë