Medaljet olimpike shqiptare

    ARBËR ZAIMI 

    Çermen Valijevi nga Osetia e Veriut dhe Islam Dudajevi nga Dagestani i dhanë Republikës së Shqipërisë dy medaljet e para olimpike. Dy mundësit vijnë nga Kaukazi i sunduar prej Rusisë, një regjion me traditë të fortë në mundje, e që për shkak të përjashtimit të Rusisë nga eventet olimpike, “eksporton” mundës cilësorë në shumë vende të botës, madje edhe te fqinjët tanë ballkanikë. Duhet t’i falënderojmë Çermenin e Islamin si dhe profesorët e trajnerët e tyre nga Kaukazi i largët, që me punën e djersën e tyre ngritën lart jo vetëm emrin e vet, por edhe flamurin shqiptar. Dikush mund të ketë rezerva, por s’ka pse të ketë. Po të dilni shëtitje në qendër të Tiranës apo nga parku i Liqenit fundjavave, do të shihni shumë beba që shëtitën me karrocë apo pa karrocë nga shërbyeset dhe dadot filipinase. A nuk janë me fat ata fëmijë që rrinë me dikë që përkujdeset mirë për ta, e a nuk do të ishin pa fat po të rrinin me dikë që siç duket as në fundjavë nuk ka dhe aq kohë për fëmijën e vet? Mund të ngjallë ndjenja konfliktuale, mirëpo në afatgjatë historitë tregojnë se toka i mbetet atij që e punon, fëmija i mbetet atij që e rrit, flamuri i mbetet atij që e nderon. Jo atij që mburret se “është i imi”.

    Nejse… Mediat me cektësi wikipediane u referohen sportistëve si “rusë”. Kjo do të thotë të mos dish asgjë për Kaukazin e për popujt e atjeshëm, pra as për medalistët tanë. A nuk është ofendim për këta që na dhanë medaljet e para, të jesh gazetar e të mos kesh minimumin e kuriozitetit se nga vijnë, bij të cilëve popuj janë, ç’rrethana i nxorën këtej? Tani i bien edhe më shkurt, u thonë “çeçenë”. Pra, myslimanë nga Kaukazi. Por atje ka edhe Ingushë, Kumikë, Osetë, Tatarë etj.. A është Valijevi, i lindur në Osetinë Veriore, alan? Apo çeçen, që ka vuajtur nga konflikti oseto-çeçen? Dudajevi i lindur në Dagestan, a ka lidhje me heroin e lëvizjes çeçene për pavarësi, Xhohar Dudajevin? Apo mos ka ndonjë lidhje familjare me Vlladisllav Surkovin (Asllambek Dudajev), njërin nga njerëzit më të fuqishëm në hije pas Putinit?

    Emri i babës së Islamit medalist paska qenë i njëjtë me ishkryetarin e Bashkisë së Groznit, kolonel Lechi Dudayev, i vrarë nga rusët në Luftën e Dytë ÇeçenoRuse. Kaukazi është i ngjashëm me Ballkanin për nga shumëngjyrësia etnike po edhe për nga vuajtjet, që shkak primar kanë pasur politikën homogjenizuese e gjenocidale, atje në Kaukaz të filluar nga Rusia, ndërsa këtu në Ballkan të filluar nga nxënësit e Rusisë, po në shekullin XIX. Ndër popujt e parë të spastruar nga bajonetat ruse, ishin çerkezët. Të mbijetuarit u arratisën drejt Perandorisë Osmane, që i shpërndau kudo, nga Bosnja e sotme e deri në Izrael. Kudo janë integruar përgjithësisht mirë e paqësisht. Do prej tyre u vendosën edhe në trojet shqiptare, pasardhësit e tyre sot flasin shqip e nuk dallohen nga ne. Edhe mundësit tanë, po të vendosin të rrojnë edhe më tej në Shqipëri, pas ca brezash do kenë pasardhës me mbiemra Dudaj dhe Veliaj. Nejse.

    Ironitë e historisë ndonjëherë dhembin fort. Ja njëra sosh:

    Shqiptari i parë etnik me medalje ari në olimpiadë, ka qenë pikërisht mundës. Emrin e ka pas Shaban Tërstena, shkupjan. Medalje ari për Jugosllavinë, në Los Anxheles në 1984, medalje argjendi në Tokio në 1988. Me profesorë e trajnerë etnikë shqiptarë dhe i rritur në traditën e mundjes folklorike shqiptare. A s’është fat i keq që me gjithë traditën folklorike e knowhow-in që kanë trajnerët si Shaban Tërstena, Shqipëria megjithatë i importon mundësit? Shabani ende është aktiv, ashtu si shumë ish-mundës të tjerë cilësorë. Ai e të tjerët si ai do të mund të bëheshin një “Toni Kuka” i dytë, po të kishte investuar Shqipëria në trajnerë, turne, palestra e shkolla të mundjes për fshatra e qyteza në Peshkopi e Kukës, po pse jo edhe në rrethet e tjera. Patjetër, bashkë me trajnerët shqiptarë etnikë si Tërstena, të vinin edhe shqiptarët e rinj si Dudajevi e Valijevi për t’ua përcjellë teknikat e mundjes së lirë fëmijëve shqiptarë. Mbetemi me shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë, në një të ardhme ndryshe e me politikanë që e duan popullin e vet. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Media malazeze për turizmin shqiptar: synohet që deri më 2030 të bëhet destinacion i turizmit elitar

    Lajmi i rradhës

    I riu në Turqi i veshur si personazhet e videolojërave filmon dhe transmeton drejtpërdrejt sulmin me thikë, lëndon pesë persona

    Lajme tjera

    Disa burgosje

    EDISON YPI  Doktor Faqeziu na flliqi. Pështyu mbi moralin, pshurri mbi etikën, na mbyti me rrena, hilera, dredhira,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë