Mendjemadhësia e politikanëve!

    Urim Hasipi

    “Një politikan që fillon të mendojë për veten e vet se është i pathyeshëm, lypet ta kuptojë se ka hyrë në fazën e rënies së tij të pashmangshme”. Kështu e përkufizon më së miri një politikan të sotshëm profesori Lisen Bashkurti. Këta, “tanët” të tjetërsuar nga sedra kombëtare dhe njerëzore, mendojnë se janë të pathyeshëm.

    Nuk do ta teproja nëse do të shtoja edhe injorancën e tyre, që i karakterizon politikbërësit shqiptarë. Jo rrallë herë, vijnë ankesa nga shumë kuadro të cilët ende nuk kanë gjetur një vend pune meritor për profesionin e tyre, për të cilin janë shkolluar. Këto kuadro, janë në mesin tonë. Të heshtur, por të palëkundur nga aspekti moral dhe profesional. Ata, me shumë mund e sakrificë janë shkolluar, madje edhe për profesione të rralla të cilët nuk gjendet kudo. Janë shkolluar me dinjitet, pa intervenime, pa u përkulur për të marrë një notë për hatër dhe në fund, i tërë ky mund nxjerr vetëm një kuadër të zhgënjyer, të pashpresë dhe të papunë. Janë të shumtë këto kuadro që edhe kanë marrë guximin t`u shkruajnë edhe kryetarëve të partive, edhe kabineteve në mënyrë zyrtare, por asnjëherë nuk marrin përgjigje, as për mirësjellje. Kjo, tregon se këta politikanë, ashtu edhe sikur vetja, kanë zgjedhur edhe njerëzit për rreth tyre, që vetëm të injorojnë gjithçka që vjen nga jashtë botës së tyre. Kjo, tregon se këta politikanë bashkë me ekipet e tyre kanë humbur kontaktin me realitetin, kanë humbur kontaktin me njerëzit që kanë halle dhe brenga, kanë humbur kontaktin me kuadrot që nesër mund të na zbardhin fytyrën.

    E për sa i përket zbardhjes së fytyrës, shembuj ka plot. Shumë kuadro që janë injoruar këtu, kanë gjetur veten në shtetet e huaja, atje ku pranohet në vendin e punës ai që e meriton, e jo aktivisti partiak. Kjo, edhe njëherë dëshmon se sa shumë larg ndryshimit të mentalitetit jemi si shoqëri parasegjithash, por edhe si politikbërës. Nuk kanë kurajo, nuk kanë vullnet, nuk kanë aspak respekt që të kthejnë përgjigje atyre që u shkruajnë për zgjidhje të problemeve. Kjo paftyrësi nuk përfundon këtu, sepse nesër pikërisht këta injorantë, kur këta kuadro do të arrijnë suksese në vendet e Europës, do të vrapojnë të takojnë dhe të bëjnë fotografi pa fije turpi se në të kaluarën i kanë injoruar. Në këtë politikë-tragjedi, del në sipërfaqe karakateri i ulët i atyre që kanë pozicione dhe janë në vende ku kanë fuqi vendimarrëse. Pra, edhe kur kanë mundësi, këta politikanë nuk u kushtojnë rëndësi atyre që janë në nevojë, janë të pathyeshëm moralisht e profesionalisht.

    Thjeshtë, zgjedhin injorancën për të anashkaluar ata që nesër do të mund të jenë mjek të suksesshëm, mund të jenë inxhinierë të sukesshëm, mund të jenë arkitekt të njohur e kështu me radhë. Edhe më tej, kjo politikë ka udhë dhe pa doktrinë njerëzore po merr në qafë kuadrot e reja dhe kjo pastaj ka efekt edhe në tkurrjen e popullsisë, për shkak se nëse nuk gjen vend këtu, largimi mbetet opsion i pashmangshëm. Por, duke e përfunduar aty ku e nisa, pikërisht kur një politikan mendon se është i pathyeshëm pikërisht edhe aty fillon rënia e tij, prandaj nuk ka politikan të përjetshëm, por vetëm ka kuadro profesionale që mund të na përfaqësojnë denjësisht në institucione, megjithatë shumë pak shpresë mbetet se këta politikanë do të kthjellen një ditë e sa më parë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Pledoaje për avokatët

    Lajmi i rradhës

    Pasuria e deklaruar e Enver Bexhetit: shtëpi, lokale, tokë bujqësore dhe automjete në emër të familjarëve

    Lajme tjera

    Varrezë pulash apo…

    Edmond Tupja Prej disa ditësh, shqiptaret dhe shqiptarët mësuan me shqetësim të sinqertë e solidaritet shpendor se rreth…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë