Varrezë pulash apo…

    Foto: #Shteg

    Edmond Tupja

    Prej disa ditësh, shqiptaret dhe shqiptarët mësuan me shqetësim të sinqertë e solidaritet shpendor se rreth 500 mijë pula (kaq shumë apo sa për të justifikuar rritjen e çmimit të vezëve?) paskan qenë të infektuara, të sëmura, në prag të ngordhjes apo thjesht të ngordhura, me gjasë të regjistruara në zyrat e asaj strukture qeveritare që ka për detyrë e mision sublim e suprem të mbrojë shëndetin e çmuar të popullatës pulore në Republikën e Shqipërisë së hallakatur që po dergjet në duart e gjelave tanë pushtetarë.

    Duke shpresuar se kufomat ose, më saktë, kërmat e këtyre pulave nuk janë ricikluar ose nuk do të riciklohen për t’u hedhur në treg dhe, rrjedhimisht, në aparatin tretës të shqiptareve e të shqiptarëve, uroj që qeveria dhe, në veçanti, ministria e Bujqësisë do t’u bëjnë atyre homazhet e rastit në prani edhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë me në krye Shkëlqesinë e Saj Zonjën Yuri Kim, ambasadore e SHBA-ve, aq e kaq e njohur dhe e respektuar nga populli shqiptar, saqë ky, me dashuri të pakufishme, e thërret familjarisht me emrin e ëmbël “Kimete” ngaqë e ka gjithashtu me kimet të madh.

    Mirëpo, lind papritur pyetja: A do ta caktojë qeveria dhe, në veçanti, ministria e Bujqësisë vendin ku do të lartohet e thellohet njëkohësisht banesa e fundit e 500 mijë pulave viktima të një ngordhjeje të pamerituar? Sa keq që, para tri ditësh, në fjalën e tij në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ulur pikërisht në krah të Kimetes sonë (ndër)kombëtare, kryeministri ynë i përjetshëm harroi apo nuk denjoi t’i nderonte, qoftë edhe kalimthi, viktimat vezëbërëse pikërisht kur foli për marrëdhënien e universitetit të sapopërmendur me sivëllanë e tij të Miçiganit!

    Ndoshta nuk është ende vonë që ministrja e Bujqësisë të interesohet pranë homologut të saj amerikan lidhur me mënyrën se si mund të ndërtohet një mauzole, d.m.th. një varrezë e mbuluar apo përmendore për njerëz të shquar a për heronj ose, si në rastin tonë, për pulat e shquara, madje, pse jo, edhe heroike që ranë në fushën  e nderit (jo të derrit), duke ngordhur, më falni, duke dhënë shpirt si stoike të vërteta, pra, pa lëshuar as kakarisjen e as glasën më të vogël.

    Siqoqoftë, le të shpresojmë, të besojmë e të urojmë me gjithë fuqitë tona të përqendruara te baqthi, pra midis zemrës dhe thembrës, që 500 mijë pulat tona dëshmore nuk do të mbeten gjatë në gjendje kufomash apo, më saktë, kërmash, sepse qeveria jonë, falë gjenialitetit të kreut të saj të përjetshëm, i ka marrë tashmë prej kohësh masat në këtë pikë! Jo, pulat tona të shquara, heroike, nuk do të groposen kurrsesi! “Si kështu?”, mund të shqetësohen me të drejtë lexueset e lexuesit e mi në këtë çast. Pa merak, inceneratorët janë ndërtuar edhe për raste të tilla!

    Po, po, trupat e pajetë të pulave tona legjendare nuk do të groposen, ata do të digjen, do të bëhen shkrumb e hi, se vetëm në këtë mënyrë, shpirtrat e tyre të dhembshur, duke u shkëputur nga trupi mëkatar, do të ngrihen të pastruar e të fismë për të fluturuar drejt parajsës pulore, ku engjëjt me fytyra të dashura gjelash do t’i çojnë drejt e tek Perëndia e Plotmëshirshme, e cila do t’i rimishërojë që ato të rinisin kakarisjet e tyre të dëlira për lavdinë e Saj, të rinisin gjithashtu pjelljen e vezëve aq të parapëlqyera nga shenjtorët e nga engjëjt!

    Nga ana tjetër, e njëjta Perëndi do t’i ndihmojë ato të rinisin edhe lëshimin e glasave për gjithë ata politikanë, qeveritarë, pushtetarë dhe, veçanërisht, kryepushtetarë shqiptarë të  djeshëm, të sotëm e të nesërm, të cilëve Ajo, pra Perëndia jo më e Plotmëshirshme, por, përkundrazi, e Pamëshirshme, ua ka bërë gati vendin në Ferr apo Skëterrë, quajeni si të doni, për t’i zgërlaqur, për t’i tejngopur, fryrë e mufatur para se t’i zhytë kokë e këmbë pikërisht në disa gropa të thella të mbushura me glasat e pulave tona të pafajshme dhe kjo deri ditën apo natën kur ata – të korruptuarit, narkomafiozët, kriminelët arrogantë e të tjerë përbindësha të së njëjtës racë, pafundësisht të babëzitur, të pangopur, grykës, llupës, lakmitarë, nepsqarë e gopçarë, zorrëshpuar e barkshpellë – të nisim detyrimisht të hanë jashtëqitjen e tyre të mirëfilltë, në krahasim me të cilën glasat e 500 mijë pulave do t’iu duken si mjaltë shkuar mjaltit!

    Lajmi Paraprak

    Një miliarder rus thotë se “nuk di si të jetojë” pasi u godit nga sanksionet

    Lajmi i rradhës

    Me 140 € s’je i varfër, je i VRARË

    Lajme tjera

    Shah e Padishah

    EDMOND TUPE Orteku politik – i cili po rrokulliset në peizazhin politik të Republikës RamBamBum të Shqipërisë Kimetiane…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë