Mes dilemave dhe bashkëpunimit

    LEONIDHA MËRTIRI

    Procesi i njohur i Berlinit përcaktoi piketa të qarta për bashkëpunimin e vendeve të rajonit tonë. Në këtë kuadër, për realizimin e detyrave të këtij procesi ishte dhe takimi “Open Balkan”, i cili solli nënshkrimin e disa marrëveshjeve nga Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Serbisë. Ato lidhen me lëvizjen e lirë të shtetasve të tyre, të një tregu të përbashkët të punës, për tregtinë e lirë dhe shtimin e investimeve, dixhitalizimin etj.

    Disa tregues të vendeve të Ballkanit Perëndimor flasin për nivele të ndryshme të tyre. Shqipëria dhe Kosova kanë treguesit më të ulët. Ato renditen, respektivisht, për prodhimin e brendshëm bruto dhe të ardhurat për frymë, në Shqipëri, në vendin e 124-t dhe të 118-të, kurse Kosova në vendin e 151-të dhe të 140-të. Ekonomia e Serbisë, mes gjashtë vendeve të rajonit tonë, ka treguesit më të lartë, duke qëndruar në vendin e 83-të dhe të 98-të në botë.

    E rëndësishme është se sa do të përfitojnë të gjitha këto vende nga nisma si kjo, të cilat duhet të përfshihen në to për të mos mbetur në retorika të njohura dhe të bezdisshme.

    Së pari, sepse nismat nuk kanë munguar në fusha të caktuara, duke mbetur thjesht në fraza të fryra euforike. Inflacion nismash. Rreth këtij fenomeni jemi ndalur dhe më herët. Në shkrimin “Garë nismash apo…?”, botuar në po këtë gazetë, por dhe më pas kemi trajtuar maninë për të rendur pas tyre, nga të cilat rajoni ynë është tepër i velur.

    Së dyti, por edhe të mos spekulohet me nisma që u japin krahë asaj race nostalgjikësh për zgjimin dhe frymëmarrjen e ëndrrave të vdekura. Ndryshe, si mund të shpjegohet pohimi i ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i “Lëvizjes Socialiste”, në paraqitjen e programit politik të kësaj Lëvizjeje, se e sheh si obligim të politikanëve serbë “krijimin e botës serbe dhe t’i bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”.

    Pyetja që të lind pas kësaj nuk mund të shmanget: është fjala për një Serbi që kërkon të hyjë në BE apo për një “Serbi të madhe”? Qëndrime ultranacionaliste si këto bëhen mure për vetë nismat dhe nuk japin siguri për të ardhmen e tyre.

    Pavarësisht kësaj tabloje, çështja shtrohet sërish: atëherë duhet ndenjur të izoluar apo më mirë të vetizolohemi? Të mbetemi robër të së shkuarës, pa ura bashkëpunimi, madje duke i shkëputur dhe aq sa janë ato? Këmbëngulet nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për mospërfshirje në “Open Balkan”. Arrihet deri aty sa Kuvendi i Kosovës pardje të shkojë dhe më tej: të mos miratojë rezolutën për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në zyrën e Presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, pa folur për atë të nënshkruar më parë në Trieste, në vitin 2017. Mes 16 pikave të dokumentit të firmosur në Uashington: “Të dyja palët do të hyjnë në mini-Shengen, rënë dakord nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në tetor 2019 dhe të shfrytëzojnë tërësisht përfitimet e saj”. Kjo marrëveshje është konfirmuar ndërkohë nga Presidenti Joe Biden. Ambasada amerikane në Prishtinë edhe këto ditë thekson se “SHBA mbështet përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik” dhe i bën thirrje qeverisë në Kosovë t’i qaset me mendje të hapur përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik, teksa përmirëson raportet me fqinjët e saj.

    Pra, “mini-Shengen” apo me emërtimin e ri “Open Balkan” është një nismë me vulë europiane dhe amerikane. Por deputetët e partisë në pushtet të Lëvizjes “Vetëvendosje” edhe pardje në Kuvend abstenuan për miratimin e rezolutës. Teoritë konspirative gjejnë terren, duke dalë si kërpudha. Sipas tyre, pas nismave si kjo, rrinë faktorë të tjerë, qofshin këto shtete apo individë të njohur të veçantë. Apo shpikje të atilla si ajo që hedh në treg një nga drejtuesit e Vetëvendosjes në Shqipëri, sipas së cilës, ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pronari i birra “Korça” dhe këngëtari Bregoviç “janë mbështetës të projektit antikombëtar të ‘Ballkanit të Hapur’”(?!)

    Është fakt që Serbia nuk e ka njohur Kosovën dhe se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkohet ta rrisin presionin ndaj saj. Ndërkohë, ajo nuk ka shprehur ende asnjë farë pendese për gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Përfshirja e Kosovës në nisma si kjo mendoj se nuk e lë në harresë këtë, për të cilën Shqipëria ka qenë dhe mbetet e vendosur, pa kurrfarë dileme, gjithmonë në krah të Kosovës. Kjo nuk do të thotë gjithashtu se kontaktet e deritanishme me palën serbe, në frymën e dialogut etj. t’i ketë bërë negociuesit shqiptarë të qeverisë së Kosovës tradhtarë e bukëshkalë, pa folur për ato teori konspirative apo për faktin që Serbia është partnerja numër një e Kosovës në fushën e tregtisë, ku 70 për qind e tregut dominohet nga mallrat serbe. Rritja edhe më tej e këtyre kontakteve, sidomos përmes nismave të tilla, sigurisht, pa krijuar kulte për këto të fundit, pavarësisht nacionalizmave të çmendur, me vështirësi, por do të çojnë në atë çka është aq e nevojshme: njohja reciproke. Më mirë kështu sesa të izoluar.

    A mund të rrijë indiferente Shqipëria përballë kësaj situate? Kosova për të, ritheksojmë, është problemi më i rëndësishëm. Dhe kjo është krejt e njohur. Por marrëdhëniet e lëkundura mes tyre nuk po e gjejnë pikën e harmonizimit. Krisjet tashmë janë të dukshme. Ato nuk mund të sfumohen pa një bashkëpunim të ngushtë. Albin Kurti, i cili e ka përdorur me sukses kartën e nacionalistit, e konsideron bishtnim largimin nga premtimet e dhëna, madje, duke e tundur këtë kartë edhe duke krijuar “sebepe” për konflikte me Shqipërinë. Si është e mundur? Duket që, si ai, por edhe kreu i qeverisë shqiptare, nuk hapin udhë për të biseduar për zgjidhjet e nevojshme, edhe pse pasojat e këtij qëndrimi duken açik. Dhe kështu, aktualisht, njëri akuzohet për tradhti, tjetri, Kurti, evidentohet për patriot i rrallë, drejt krijimit të një miti të tij, pas të cilit jo rrallë kemi rendur ne. Sikurse ndodhi pas fjalës së mëparshme pa doreza të Kryeministrit të sotëm të vendit tonë gjatë vizitës në Beograd, shtatë vjet më parë, duke i kërkuar homologut të tij njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për ta parë këtë si një realitet të pamohueshëm. Dhe kjo mjaftoi që pas kësaj, në Kosovë ai të bëhej mit, ndërsa sot tradhtar me “mini-Shengenin” apo “Open Balkan”

    Në të njëjtën kohë, mendojmë se mosmarrëveshjet gjithashtu midis vëllezërve, edhe pse të dukshme midis të dyja palëve dhe që nuk mungojnë herë pas here, përsëri nuk mund të nxirren në pazar. Aq më keq, për të kënaqur epitetet e kundërshtarëve. Protagonizmi i sëmurë bëhet zot i situatave të tilla, në vend të një vizioni të përbashkët pa qejfmbetje dhe ku secili të mos kërkojë të imponohet. Ato sheshohen duke u takuar dhe marrë vesh me njëri-tjetrin. Asgjë nuk është bërë për to. Nevoja, sikurse në rastin konkret, për të parë përparësitë e “Open Balkan” ka qenë e domosdoshme për secilin, për të vënë në balancë përfitimet dhe humbjet dhe një ndërgjegjësim të vazhdueshëm për zgjerimin dhe jo tkurrjen e bashkëpunimit rajonal./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimi i kufijve nuk është temë tabu

    Lajmi i rradhës

    Ringjallja e “mini-Shengenit”, gjeometria variable dhe konsistenca e “marrokut”

    Lajme tjera

    Unë dhe gjuha shqipe

    ANETA WOLTER  Para disa viteve, një mikja ime në Gjermani me origjinë nga Lituania dhe pedagoge e gjermanishtes,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë