Mësimet e protestës, apo si të fiket zjarri

    MENTOR NAZARKO

    Protesta e ditëve të fundit në rrugët e Tiranës është nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës publike këto kohë. Pasojat apo shkaqet e saj janë të shumta, varësisht këndit të shikimit, kësisoj, njëlloj bilanci i përkohshëm i saj ia vlen.

    Protesta në çdo kohë është nga ngjarjet që i bën nder shoqërisë sonë, duke treguar se nervi i reagimit civil nuk ka vdekur. E marrë si ngjarje në vetvete, ajo është pasqyrë ku duhet të shihet politika e të dy krahëve. Pavarësisht se ajo koincidon me konfliktin në Ukrainë, që ka provokuar rritje zinxhir të çmimeve të naftës etj., ajo është një akuzë e fortë për politikat sociale dhe ekonomike të kësaj shumice në pushtet. Ndonëse PS është e majtë, qeverisja e saj nuk ka të dhëna pozitive për uljen e varfërisë në 8 vjetët e saj (mjafton të shohësh indekset e Bankës Botërore), ndërkohë që ka plot akuza për lidhjet preferenciale me grupe interesi që janë simbiotike për mbijetesën e saj. Pra, rritja e çmimit të naftës thjesht shpërtheu një krizë ekzistuese të mëhershme latente, në zinxhirin e shkaqeve të tjera të protestës.

    Kjo lloj proteste, ndonëse i ngjan për nga preteksti ta zëmë, asaj të jelekëverdhëve francezë, nuk është e dhunshme dhe as me frymëzim të së majtës ekstreme, ndonëse grupe të kësaj të majte tentojnë njëlloj patronazhimi. Folësit e shumtë që alternohen përgjithësisht ruajnë etikën ndaj qeverisë e Kryeministrit Rama. Por ngjan se ata ruajnë distancën nga opozita e vdekur apo e përçarë- dhe duhet imagjinuar se ata do të përzinin me shkelma liderë politikë të saj, nëse do shfaqeshin. Teorikisht këta liderë opozitarë kanë humbur audienca të rëndësishme në pretekste globale, ndonëse në distancë ata fërkojnë duart, i kushtojnë statuse protestës apo bëjnë lidhje live me të, si është rasti i Berishës. Në fakt, kështu ka ndodhur dhe në rastin e protestës së studentëve, protestë që kanë legjitimitet të fuqishëm moral. Protesta civile prodhojnë figura të reja publike apo forcojnë popullaritetin e të vjetrave, kësaj radhe në një kontekst social që shndërrohet në politik. Mes tyre ta zëmë shquhet Florian Binaj, të cilin (që para se të niste lufta në Ukrainë) e kisha krahasuar me Zelenskin (me karrierë të ngjashme), i cili tashmë është bërë yll botëror. Floriani është full time në “Portokalli” dhe s’ngjan si hebre, dhe ishalla nuk do na fuste në ndonjë luftë, përveçse me Edi Ramën.

    Përballë njëlloj mobilizimi kaq masiv, laraman, apolitik në origjinë, apo në disa prej shkaqeve a pretekste, në llojin e folësve që respektojnë njeri-tjetrin (të shquar në ngjarje të ngjashme), Rama është në vështirësi. Ndaj ai tenton të luajë me diversionin, diferencimin, politizimin, ndërkohë që në varësi të intensitetit të protestës, bën lëshime që i shet si të planifikuara më parë.

    NGJYRAT E PROTESTËS

    Mirëpo, e bardha në jetën sociale dhe politike nuk është asnjëherë 100% e bardhë, dhe as e zeza nuk është e zezë. Ka shumë ngjyra të protestës që shquhen dhe pa analizë të detajuar. Ngjarjet zhvillohen në kohë dhe në hapësirë… Protesta, duam, s’duam, organizohet ndërsa zhvillohet konflikti në Ukrainë, kësisoj do ndërlidhet me të propagandistikisht. Rama nuk mund ta humbë rastin ta shquajë si protestën unike në krejt vendet e NATO-s. Kjo lloj goditje është diçka diversive, dekurajon protestues legjitimë, të parreshtuar politikisht, apo që mund të jenë dhe të majtë. Në anën tjetër, ai akuzon pa përmendur drejtpërdrejt Berishën dhe Metën, si organizatorë, apo që mbështesin logjistikisht protestën (me autobusë etj.). Për hir të së vërtetës, kur ndizet atmosfera sociale apo bëhet inkandeshente, mund të ketë lojtarë ndërkombëtarë dhe vendorë që mund të duan të vendosin shkrepësen. Njerëzit e këtyre lojtarëve mund të kamuflohen mes protestuesve- rrezik real, që mund të njollosë shenjtërinë dhe ligjshmërinë e një proteste që hëpërhë apo në shumë aspekte, është nga stolitë e historisë protestative të shqiptarëve në vitet e fundit, njëjtë sikur ishte mobilizimi i studentëve. Rama i thekson gjithë këto elementë që të zvogëlojë masivitetin, shtrirjen, t’i ulë gradacionin, të lodhë apo të dekurajojë çdokënd që dëshiron t’i përngjitet asaj, të vjetër apo të ri.

    SI DO MBYLLET PROTESTA?

    Mirëpo, pavarësisht kësaj loje të palëve në distancë, pikëpyetjet mbeten, nisur pikërisht nga paralelet me protesta të ngjashme në historinë tonë të re të pluralizmit dhe veprimit opozitar. Si do të mbyllen protestat? Cili mund të ishte momenti kthesë për përmbylljen e tyre, kur në rastin e studentëve, Rama jo vetëm iu përgjigj pozitivisht kërkesave të studentëve, por nisi një komunikim intensiv me dhjetëra individë të shquar-folës publikë. Ai e fiku kësisoj zjarrin që mund të lindte e zgjerohej, duke sjellë tërheqjen e folësve apo protagonistëve të tyre. Po sot? A ka para buxheti për t’iu përgjigjur pozitivisht gjithë kërkesave ekonomike, kur ndërkohë protesta nuk ka një kokë të vetme, e për pasojë një listë kërkesash të identifikueshme, me tavan apo dysheme të qartë? Jo, sepse është viti i parë i një qeverisje të gjatë, më e gjata, ku shumë para janë tretur në një fushatë elektorale unike, pa përmendur fatkeqësitë natyrore. Buxheti është në vështirësi. Hëpërhë, Rama po reagon nëpërmjet daljeve të shpeshta në publik në rrjete sociale (shpesh duke akuzuar më shumë sesa të ofrojë lëshime), të cilat megjithatë tregojnë qasje refleksive të tij, por protesta nuk ndalet. Protestat janë si zjarri. Zjarri do të shuhetnëse zjarrfikësi- nëse përpjekjet për fikje; me presionin e ujit janë cilësisht më të forta, sesa ushqimi i zjarrit- me dru, objekte të ndezshme apo me rryma ajri. Mirëpo, askush nuk e di hëpërhë sesa mjete kanë palët, për ta mbajtur gjallë zjarrin. Nuk dihet mu për shkak të konfliktit të Ukrainës, cila është realisht lidhja e drejtpërdrejtë me të. Ndërkohë që kuptohet interesi amerikan apo perëndimor që Ballkani të jetë i qetë. Interes nga i cili përfiton Rama, mirëpo zjarri ende mbetet përballë godinës. Sepse në shoqëri edhe më herët temperatura ishte e lartë, si prushi në hi. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon pushteti në personalitetin e atij që e ushtron

    Lajmi i rradhës

    “Lidhja ndërkombëtare”, Prokuroria kërkon dënime me burg për të akuzuarit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë