Metamorfozat e hyzmeqarit!

    Agron Gjekmarkaj

    Të shërbesh është një gjë e fisme dhe sidomos ndaj njerëzve në nevojë ku e ku më tepër. Çdolloj pune është njëfarë shërbimi, i cili paguhet dhe kjo është në natyrën e gjërave. Kjo vlen për Presidentin e Republikës, si dhe për një kamerier në skajin më të epërm të Republikës. “Hyzmeqari” është një fjalë turke, e cila shfaq një semantikë tjetër, që më shumë sesa profesion është gjendje karakteriale.

    Hyzmeqari ka vetëm një referencë, ndaj së cilës nuk ndryshon kurrë, është ai dhe ajo është shefi ose shefja. Nuk ka rëndësi rangu i shefit, qehaja, bej, Kryeministër, kryetar partie, përgjegjës lavazhi apo menaxhere marketingu. Hyzmeqari ka vetëm një gjendje shpirtërore, atë të shefit a shefes, ka vetëm një hall, atë të atij e asaj. Ai ka vetëm një mënyrë për të zgjidhur të vetat (hallet) e realizuar ambiciet duke shfaqur besnikëri pa kushte, admirim pa kufij, përdorim pa masë. Vetëm kështu bëhet shef, gjysmëshef apo çerekshef vetë një ditë. Kësisoj, hyzmeqari ngjit shkallet. Gjatë rrugës, teksa ai bën hyzmet, merr fyerje dhe komplimente, ndaj të parave ul kokën dhe ikën pak i skuqur, ndaj të dytave gëzohet me tepri, kështu shpërthen në falënderime e mirënjohje, për të cilën fjalët nuk mjaftojnë! Ndonjëherë i përplaset dera në fytyrë e herë tjetër i ofrohet një kafe, dhe ai vazhdon, bën hyzmet duke pritur çastin e tij.

    “Një ditë e ka dhe gjarpri nën gurë”, thotë Martin Camaj në një poezi. Në një stinë ndërron shef duke lënë pas atë të dikurshmin, të cilin fillon e trajton si vartës. Kënaqësitë e para i trokasin. Kujtesa e thërret në kauzë, ajo i rreshton frustimet e shpeshta, ndoj fyerje shkalleve, ndoj shkelm në të prapme, mbase një sharje të shpejtë dhe ai teksa rrit hyzmetin ndaj shefit të ri, ul respektin e shërbestarinë ndaj të vjetrit, shton ftohtësinë dhe distancën. Dikur sufllaqet i hante në të rrallë, tani ia sjellin në zyrë. Në politikë ky tip ndeshet dendur. Ai del nga qilarët e askundit tek realizon metamorfozën e vet si personazh kafkian. Atij emrin ia jep hua formacioni politik dhe ia merr koha, së cilës i lë modelin e asnjë vlere. Krenarinë që s’e ka pasur, ia ngjit posti. Ai shtyn me bërryla për të kaluar hallkat. Buzëqeshjen e përunjur do të fiksojë në foto. Me atë foto në dorë a TV u imponohet vartësve të rinj si shenjë pushteti. Nga ajo lartësi këqyr honet nga kaloi e drithërohet mos diçka ia ndërpret hovin. Nuk do të bjerë kurrë më në to.

    Ai është burrë. Ajo është grua. Nuk ka moshë dhe gjini. Madje, ngjan edhe me engjëjt, nuk ka seks, është vetëm një. Përgjaket ferrave për të dalë nga anonimiteti, ku të vetmen fuqi magnetike ka vëmendjen e shefit. Cirku është sporti i tij i përditshëm për të rrokur shikimin e atij më sipër, kurdo e kudo që ai i hedh sytë. Ecën hyzmeqari dhe merr poste dhe si grami më vreshtin zë hapësirën dhe kohën e shefit, duke i krijuar atij iluzionin së është gjithçka për të, sy vesh e gojë. I shtyn të tjerët më shumë. Fati i cakton vartës, ata i trajton si dikur atë shefi i parë me arrogancë, distancë dhe ftohtësi. Sillet si udhëheqës i uruari, flet me “ne”, “ne vendosem”, “ne e dimë mirë”, “ne e njohim”, “ne i dhamë çfarë desh”, “ne e duam atë”. Nuk e njeh respektin, e quan të parëndësishëm se nuk e ka takuar kurrë. Intelektuali e bezdis, nuk i njeh statusin, nuk e thërret shef, ndaj ai e urren atë dhe ndërton fabula për ta poshtëruar dhe larguar.

    Jeta e ka vënë qyqar hyzmeqarin mes dy zgjidhjesh bindjes së verbër dhe arrogancës së fshehur, shpejtësisë për të zbatuar urdhrin dhe zjarrmisë për të dhënë urdhër. Hyzmeqari tund e shkund vetëm një kartë atë të devocionit pa kushte, ndërsa fantazia i harbohet si udhëtim në ferr. Ai kërkon ku janë e ku nuk janë “armiqtë” e shefit. Ai ka nevojë për ta dhe të shfaqet si kamxhiku i tyre. I krijon kur nuk ekzistojnë, i zmadhon kur janë të vegjël, i dëbon kur janë të rrezikshëm dhe menjëherë krijon të rinj. Syri vigjilent i kap ata në ag të ditës dhe muzg të natës. Ai pëson transformim të madh nga ecja në këmbë e biçikletë, te makina me shofer e badigard, nga qilari te zyra me sekretar apo sekretare. Ai fillon të ndërtojë rrjet, të bëjë taraf, të qerasë me ndere e të lypë mirënjohje. Ndien një nevojë për vartës. Hyzmeqaret e tij kërkon. Mendoni sa e pështirë bëhet politika jo pak herë në këtë rrjetë merimange mes hyzmeqaresh që ndërrojnë rrolet. Suksesi personal varet nga cilësia, shpejtësia dhe dendësia e hyzmetit. Nëse dikush nuk ia del, bie, rrëzohet, largohet, thjesht ka humbur me konkurrencën në hyzmet.

    Lajmi Paraprak

    Si të ushqeheni shëndetshëm në vitin 2022

    Lajmi i rradhës

    Politika, media dhe ndikimet në mendimin publik

    Lajme tjera

    MADE IN GERMANY

    NJË RRËFIM PËR NDRYSHIMET NDËR GJENERATAT E MËRGIMTARËVE SHQIPTARË NË GJERMANI. Vitet e ‘80-ta, Gjermani Orenditë e vjetra…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë