Midis idealit dhe politikës së forcës

    ANETA WOLTER

    Një reflektim mbi standardet e dyfishta dhe rebelimin e heshtur të kombeve

    Në fjalimet festive, ajo lavdërohet; në tekstet shkollore, glorifikohet: demokracia – si ideal që mishëron lirinë individuale, shtetin e së drejtës dhe pjesëmarrjen qytetare. Brenda kufijve të saj, veçanërisht në vendet perëndimore, ajo përfaqëson një mekanizëm paqësor për menaxhimin e interesave, refuzimin e dhunës dhe garantimin e të drejtave themelore të njeriut. Por, sa më shumë largohemi nga këta kufij, aq më të dukshme bëhen kontradiktat. Vlerat që mbrohen me fanatizëm brenda vendit, jo gjithmonë zbatohen jashtë tij. Kjo mospërputhje midis idealit të shpallur dhe praktikës së ndjekur ka dobësuar paqen, besimin në rendin ndërkombëtar dhe po rrezikon legjitimitetin moral të vetë demokracive që pretendojnë ta përfaqësojnë atë.

    NJË BOTË NË PABARAZI TË PËRHERSHME

    Në Jugun Global po rritet zhgënjimi dhe dyshimi si një formë rebelimi i heshtur. Përplasja midis qëndrimeve pro dhe kundër perëndimore nuk buron gjithmonë nga urrejtja ndaj Perëndimit, por shpesh është një thirrje për më shumë respekt, barazi dhe më pak arrogancë. Por, a është kjo thjesht një formë naive të menduari në këto vende? Apo një mënyrë për të qetësuar vetveten përballë pafuqisë strukturore? Ndoshta. Por edhe nëse kjo botë funksionon si një “xhungël politike”, ku sundon e drejta e më të fortit, refuzimi për ta pranuar këtë si “gjendje natyrore” mbetet për ta një akt shprese.

    PSE MORALI DUHET TË VLEJË EDHE NË POLITIKËN E JASHTME

    Në shoqëritë demokratike, ne presim që qeveritë të veprojnë me moral në politikën e brendshme, domethënë, të respektojnë ligjin, dinjitetin e njeriut, të japin llogari dhe të marrin vendime në interes të përbashkët. Këto pritshmëri morale nuk janë thjesht idealiste, por shprehje e një parimi themelor: pushteti duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët, jo interesave egoiste apo dhunës. Ky parim nuk duhet të ndalet te kufijtë kombëtarë. Sepse:

    -Vendimet për luftë e paqe, sanksione ekonomike apo dërgimin e armatimeve prekin miliona njerëz. Pretendimi se politika e jashtme duhet të jetë “realiste” dhe jo “morale” injoron faktin se realpolitika shpesh bëhet në kurriz të më të dobëtëve. Morali, në këtë rast nuk është luks, por një mbrojtje kundër keqpërdorimit të pushtetit, edhe jashtë vendit.

    -Morali në politikën e jashtme, sipas mendimit tim, nuk është thjesht çështje diplomacie. Ai është themeli për një rend botëror të qëndrueshëm dhe të drejtë. Shoqëria ndërkombëtare nuk është një koalicion grabitqarësh, por një bashkësi popujsh që funksionon me rregulla të përbashkëta dhe norma që vlejnë për të gjithë pa dallim.

    -Problemet globale kërkojnë solidaritet moral në politikëbërje. Ndryshimet klimatike, migrimi, varfëria, pandemitë apo luftërat nuk ndalen në kufij. Ato kërkojnë një etikë të bashkëpërgjegjësisë. Një politikë që sillet me moral brenda vendit, por e lë pas dore këtë jashtë tij, i pengon zgjidhjet.

    Pyetja: A ka ende vend për moral në rendin botëror? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk mund të jetë thjesht teorike, qoftë “po” apo “jo”. Ajo ka pasoja konkrete për paqen, sigurinë dhe drejtësinë, për të gjithë, përfshirë ata që sot mendojnë se janë imunë nga krizat globale. Sepse, në fund të fundit, një botë me rregulla dhe vlera të përbashkëta nuk është vetëm më e drejtë, por edhe më e sigurt për të gjithë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Waitz: RMV është nën ndikim rus e kinez nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë