GËZIM TUSHI
Të them të vërtetën, nuk kisha lexuar më parë ndonjë vepër letrare të Fatmir Toçit, dhe nuk kisha ndonjë përfytyrim estetik për mjeshtërinë dhe diapazonin letrar dhe artistik të tij. E njoh prej kohësh si njeri, intelektual, drejtues pjesëtar aktiv i shtëpisë botuese “Toena”, si njohës i mirë i pikturës dhe si mecenat i piktorëve, me të cilët ka hapur disa ekspozita interesante, me synim zbulimin e bukurive të viseve të natyrës shqiptare, shpirtit të njerëzve tanë. Irena, bashkëshortja e tij, ma dërgoi posaçërisht librin “Ditari i përballjes me koronavirusin”, një vepër e skicuar duke lënguar e luftuar me virusin vdekjeprurës Covid-19, i rrethuar me tuba oksigjeni dhe instrumentet e mjekimit intensiv në shtratin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Që të jem i sinqertë, nuk kisha mundur të lexoja një vepër të tillë sinkretike, me densitet të lartë emocional dhe narracion elegant, që të të mbajë lidhur për ta lexuar me një frymë. Libri është në thelb pjesë e tipologjisë së “ditarit”, por nëse e lexon me kujdes, autori ka thyer “rregullat” dhe “përthyer standardet” e ditarit klasik. Sepse përveç enumeracionit korrekt kalendarik, të përditshëm pothuaj të ngjarjeve personale, sociale e spitalore, autori ka zgjeruar diagramin duke krijuar një sintezë letrare midis ditarit (që është bërthama e fortë e librit) me meditacione të gjera e të thella, digresione të zgjeruara lirike e humane, me tregime ngjarjesh të ditës dhe ndodhi retrospektive në shërbim të shëndoshjes së materies së kronikës empirike me material estetik dhe sintetik.
Libri është ndërtuar mbi bazën e shënimeve, të mbajtura herë në fletore e herë në copa letrash momentale, paralelisht me ekzistencën personale në “kohën e kolerës”, duke qenë i prekur dhe brenda saj. Mbase ky rast, kjo rrethanë, është veçoria që e bën veprën e F. Toçit plot me emocion dhe kolorit inkandeshent, të shoqëruar me dikotomi emocionesh dhe kurbë labile dinamizmi që shndërrohet herë në optimizëm të ndrojtur dhe herë në pesimizëm të pasigurt. Një dialektikë intensive e trajtuar estetikisht dhe letrarisht bukur, me forcë përjetuese individuale dhe rezonim social të gjerë për atë që ndodh, herë me digresione pothuaj tragjike e pastaj me nuancë të çlirimit të dozuar të porcioneve të pakta e të kufizuara të optimizmit.
Fatmir Toçi ka sjellë një vepër shumë interesante, ndoshta nga më të veçantat në llojin e vet, duke synuar një vepër polidimensionale, përtej synimit fillestar spitalor për një “ditar analitik” personal me ngjarje të personalizuara e të mbyllura brenda rrethanave e përjetimeve vetjake. Disa shënime në copa letre të mbajtura me vështirësi, me kordonët e oksigjenit sipër kokës dhe nëpër këmbë, që sipas gjendjes dhe rrethanave të sëmundjes, nuk janë të mbajtura gjithnjë sistemike, bënë të mundur që autori flakë për flakë, sapo u shkëput nga vartësia nga spitali dhe tubat e oksigjenit, duke bashkuar ato shënime me kujtesën e mirë dhe përjetimet super të forta të e mbresëlënëse, mundi të sillte këtë vepër, besoj e veçantë në llojin e vet.
Vepra ka një rezonancë të fortë estetike dhe publike. Sepse janë rrethanat, në të cilat akoma jemi, që e bëjnë atë vepër të domosdoshme për t’u lexuar dhe kuptuar më mirë pjesën e frikshme, misterioze të virusit dhe kuptimin e rolit të spitalit dhe specialistëve të saj, të cilët u përballën me misionin e dyfishtë: të mjekut, infermierit apo sanitarit për të shpëtuar njeriun e infektuar nga vdekja, por edhe rolin e psikologut, psikoterapistit dhe zëvendësuesin e familjarit të munguar, për shkak të restrikcionit të masave të izolimit social. Vepra i ka të dyja anët, që janë pjesë e tipologjisë së këtij arketipi letrar, duke qenë njëkohësisht edhe ditar analitik e psikologjik si pasqyrim i shqetësimeve intensive e të vazhdueshme personale, por dhe një “panoptikon social”, që me vigjilencë ka ndjekur tërë zhvillimet dramatike në këtë spital të trajtimit të dhjetëra njerëzve të infektuar, disa prej të cilëve aty nuk mundën të fitonin betejën me virusin dhe humbën jetën.
Autori, duke përjetuar shqetësimin intensiv ekzistencial dhe duke pasur ndërkohë kohën e bollshme fizike për analiza empirike të situatës personale, spitalore dhe të reflektojë edhe për situatat përtej saj (ekstraspitalore), ka qenë i detyruar mbase që në veprën e tij të shfaqë edhe përmasat e detyruara të analizave të thella përgjithësuese, duke marrë rolin jo vetëm të analistit empirik, por edhe të bëjë konkluzione në përmasa të sociologut apo filozofit. Janë të shumta analizat e thella, përgjithësimet ekzistencialiste, për jetën dhe vdekjen, për kuptimin e tyre. Autori bën paralelizma e prognoza përgjithësuese, herë më natyrë individuale (duke pasur në qendër situatën vetjake) e herë deduktive duke ballafaquar situatën personale me zhvillimet dramatike në ambientin e spitalit, përtej tij në shoqërinë shqiptare (autori është pafundësisht i informuar për të) si dhe zhvillimet dramatike e përmasat tragjike të pandemisë së virusit Covid-19 edhe në dimensionin universal e rrafshin global njerëzor. Megjithëse lënda e librit është fort e “hidhur” për të qenë gjithnjë optimist, edhe pse në shumë raste jeta nga vdekja ndahet në “fije të perit”, madje autori përshkruan situata të përditshme kur vdekja triumfon mbi jetën e shumë njerëzve, që nuk e fitojnë luftën me të. Autori mjeshtërisht ka bërë gjithçka, madje nëpër faqet e tij ka gjetur aq “karburant” për të theksuar tendencën biofilike, që shfaqet si kuintesenca e “Ditarit” të tij.
Libri i Fatmir Toçit është një “manual letrar”, që ndihmon për perceptimin e vërtetë të situatës së pandemisë së Covid-19, panikut, shqetësimeve sociale e pasigurisë individuale që ai solli në jetën e shqiptarëve. Edhe pse fokusi i autorit më së shumti është i përqendruar te njëri nga spitalet COVID, sikurse është ai “Shefqet Ndroqi”, aty ku u zhvillua beteja individuale medikale e individuale e përballjes shumë të rrezikshme të vetë autorit me këtë virus të tmerrshëm, diapazoni letrar, mënyra si e ka ndërtuar veprën, sasia e ambienteve dhe sidomos e personazheve që lidhen me të brenda dhe jashtë spitalit, kanë densitetin e një skenari me plot ngjarje, ndodhi të pritura e të papritura. Sidomos vepra është e pasuruar me një galeri tipash e personazhesh, të cilët autori i ka skalitur me aq mjeshtëri, saqë të duket sikur i ke të njohur apo je takuar më parë me ta. Skalitje deri në individualizime të plota, detaje kapilare të sjelljes dhe gjërave, të tipave dhe personazheve.
Doemos në qendër janë “aktorët” kryesorë të “dramës” apo më saktë, të “tragjedisë”, mjekët me në krye “strategun” hijerëndë dhe shumë njerëzor, sikurse njihet dhe është drejtori i respektuar (gati monumental në përshkrimet e veçorive të tij nga autori), dhe bashkë me të edhe ekipi i mjekëve, infermierëve, masazhistëve dhe stafi mbështetës. Kur lexon librin, të mbeten në mend dhe nuk harrohen personazhet, të cilat në libër pasqyrohen në mënyrë gati kinematografike, me gjithë karakteristikat e tyre fizike dhe veçoritë e personalitetit individual.
Por sidomos edhe pse të distancuar nga “skena” ku luhej drama e rrezikshme e njeriut të tyre të afërt (autori i librit), shfaqen edhe “galeria” e njerëzve të afërt të autorit. Doemos Irena, bashkëshortja e tij shfaqet frenetike, metikuloze në kujdesin dhe përkujdesjen e saj shumë herë normal dhe ndonjëherë kuptohet edhe përtej saj, e pasuar nga tronditja e fëmijëve, e vjehrrit dhe vjehrrës (guzhinjeres së talentuar që i njihte në detaje shijet kulinaristike të Fatmirit), duke përfunduar deri tek Ymeri, shoferi i shtëpisë botuese “Toena”, që me pak rreshta autori e ka bërë të pëlqyer.
Libri i bën “himn” nevojës dhe dobisë së solidaritetit njerëzor dhe mbështetjes humane, qoftë edhe virtualisht, si mbështetje e madhe për njeriun në rrezik apo përballë nevojave ekstreme. Kjo është arsyeja që autori nuk ka harruar të përmendë të gjithë ata që e mbështetën me kurajë e fjalë optimiste Fatmirin e ndodhur përballë rrezikut dhe kërcënimit ekzistencial. Ata kanë shërbyer si “bateri” për autorin, si moment për të treguar dhe theksuar nevojën e zgjerimit të “shpirtit social” të shoqërisë, për të mbështetur njerëzit në rrezik e në nevojë.
Autori afirmon të vërtetën se izolimi social i rreptë, deri në kufijtë e së pabesueshmes, të një realiteti të panjohur kurrë më parë, shërbyen për forcimin e lidhjeve humane e miqësore. Autori indirekt e kërkon me këtë vepër, që shpirti i njerëzve edhe në kushtet e shoqërisë individualiste e turbokapitaliste, mund dhe duhet të bëhet më i butë, human, njerëzor, në mënyrë që lidhjet sociale të jenë më të forta.
Kjo është merita e madhe e librit të Fatmir Toçit. Ai ka sintetizuar bukur, pikërisht nisur nga dramaciteti i situatës personale, duke ravijëzuar paralelisht koncepte të ndryshuara për jetën postcovidiane pothuaj ekzistenciale, për humanizmin, solidaritetin, deri te diskutimet përgjithësuse e me meditacion optimist për jetën dhe vdekjen…./Panorama/