Mos zbukuroni ferrin!

    VISAR ZHITI

    Ferri nuk zbukurohet! Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë për ata që ishin në ferr…

    Burgu famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës enveriste, ku u pushkatuan apo u ridënuan rëndë ata që guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte, banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njëri mbi tjetrin, dritare të shkatërruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba të tjera veç të burgut, as këpucë apo orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste etj., etj., një infermieri pa ilaçe, ku alkoolin e pinin policet me spiunët e tyre, me ata në shërbim të komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji që ngrinte akull, banjat pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thasë, shtylla, altoparlantë që lehnin, kthina e takimeve të rralla me familjarët- e ndarë me hekura në një dhomëz sa kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy herë, tri herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dendura të vendrojave me trarë si përbindësha, etj., etj..

    PSE?

    – Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…

    – Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e harresës nga qeveritë…

    Së voni – po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh, jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit…

    FILMI?

    Po ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…

    Skenarin e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit, drejtimor i filmit dhe regjisor është Namik Ajazin, edhe ai ish-i burgosur si unë, edhe babai i tij e mijëra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por doli nga zgjedhjet, e di populli sa të lira ishin…), që të mbështesnin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qëndresës dhe kryengritjes sonë për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua i gjithi.

    Shteti e ka për detyrë, i ka paratë, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh, tarracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj., etj.. Shteti të dënojë krimin shtetëror të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë Realizmin Socialist dhe të keqen! Shteti të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën e kujtesës sonë!… Të ribëjë burgun e Spaçit si muze ashtu si Aushviçin bota, si pjesë të kujtesës njerëzore, ashtu siç ishte, autentik, nëse s’mundet, të mos e zbukurojë, le t’ua thoshin etërve, atëherë ta bënin siç do të donin tani – si makiazh krimit të madh shtetëror, ferri është ferr, ai thjesht duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të mos përsëritet… Këtë do të donim të bënim me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes… Shteti dhe askush të mos e pengojë, nëse nuk e mbështet dot artin e madh si pasuri kombëtare! /Panorama /

    Lajmi Paraprak

    Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Lajmi i rradhës

    Shtyhet debati për raportin për Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë