Ndërvartësi të reja midis gjeopolitikës dhe sigurisë kibernetike

    Lindita Nikolla

    1.

    Para pak ditës, më 19 korrik, Bashkimi Evropian çeli zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më 20 korrik flamuri i Bashkimit Evropian u ngri në Tiranë. I njëjti proces po ndodh edhe në kryeqytetin tjetër të rajonit, në Shkup.

    Ky vendim, sado i vonuar është një lajm i mirë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor.

    Rajoni ndjehet më i sigurt duke qenë se u shtuan dy vende që janë në proces negociimi për anëtarësim.

    Por edhe vetë Bashkimi Evropian u bë më i qartë dhe do të bëhet më i fortë pas vëmendjes së shtuar ndaj rajonit tonë.

    Fillimi i negociatave me dy vendet tona nuk përfaqëson thjesht shtimin e dy numrave.

    Por është një hap domethënës drejt ngushtimit të asimetrisë midis dy proceseve: integrimit evro-atlantik, pra në NATO, dhe integrimit europian, në të cilat janë përfshirë vendet e rajonit tone.

    Fakti është që integrimi evro-atlantik dhe perspektiva e NATO-s për sigurinë është më e qartë dhe më e avancuar se perspektiva e Bashkimit Europian.

    Prej vitit 2009, tre vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s, por asnjë nuk është ende anëtar i BE-së.

    Ndërkohë, prej 19 korrikut, shtetet e rajonit që kanë çelur zyrtartisht negociatat u bënë katër: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut iu shtuan Serbisë dhe Malit të Zi.

    Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë ende një perspektivë të qartë, as për anëtarësinë në BE, as për anëtarësinë në NATO.

    Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në BE dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë sigurinë e BE-së. Ajo kërkon një përgjigje më të shpejtë nga BE.

    2.

    Influencat joperëndimore në rajon pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës janë bërë më të rrezikshme më të dukshme.

    Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe joperëndimore. Influencat joperëndimore në rajonin tonë nuk janë më hipotetike, as kulturore, as vetëm ekonomike, por, siç tregoi lufta kundër Ukrainës, reale dhe me potenciale shpërthyese. Për më tepër, rreziku i tyre shkon përtej një rajoni dhe, madje, disa rajoneve.

    Ne, shqiptarët, jemi krenarë për vokacionin tonë perëndimor dhe evro-atlantik, por duhet të pranojmë se jo të gjitha shtetet dhe jo të gjithë popujt e rajonit kanë të njëjtin vokacion, të paktën jo të njëjtën shkallë të tij.

    Rrjedhimisht, disa nga fqinjët janë më pak të imunizuar nga influencat joperëndimore. Dhe kjo e bën rajonin më të dobët dhe më të thyeshëm ndaj tyre.

    Vokacioni joperëndimor nuk lidhet me përbërjen fetare të popullsisë, por me presionin e influencave të jashtme, të cilat bashkëjetojnë dhe ringjallin demonët e nacionalizimit dhe ushqejnë konfliktet.

    3.

    Siguria kibernetike është një tjetër çështje me shumë delikate në Ballkanin Perëndimor. Zhvillimet kibernetike po prekin edhe gjeopolitikën tradicionale dhe po i imponojnë asaj mjaft sfida.

    Gjatë dekadës së fundit po ndodh një përhapje e gjerë e teknologjive të informacionit, të cilat tashmë po përdoren masivisht nga të gjitha moshat. Po ndodh një proces që mund ta quajmë “demokratizim i tekonologjisë”.

    Por ky proces zhvillohet në kushtet e një shpërpjestimi me kapacitetet më të ulta të ekonomive dhe shoqërive të vendeve të rajonit tonë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë prej shpërdorimit të teknologjive të avancuara.

    Pra, procesi që më lart e quajta “demokratizim i tekonologjisë” mund të kërcënohet nga i ashtuquajturi “demokratizim i dhunës”, e cila shfrytëzon teknologjitë e avancuara, sidomos pikat e dobta të këtyre sistemeve.

    Ky që po them nuk është një konstatim teorik, por një rrezik real. Siç dihet, prej pak kohësh, Shqipëria po aplikon sistemin online të shërbimeve publike. Ky sistem, edhe pse jo i lehtë për t’u menaxhuar dhe ndeshet me mjaft vështirësi njohëse, është mirëpritur nga qyetarët.

    Por para disa ditësh, sistemi u vu në provë dhe vështirësi serioze nga një sulm kibernetik i jashtëm, çka shkaktoi pezullimin e përkohshëm të sistemit.

    Ky rast, që në rajon nuk e besoj se është i vetmi, shtron nevojën e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse prej rreziqeve të shpërdorimit të teknologjisë të informacionit dhe agresioneve virtuale që mund të vijnë prej tyre.

    Industria kibernetike po i imponon botës sfida të reja. “Lufta e Ftohtë” po zëvëndësohet nga lufta e nxehtë kibernetike; kufijtë tokësorë po kapërcehen nga ekspansioni i teknogjive te informacionit; sovraniteti dhe integriteti territorial po relativizohen nga qarkullimet dhe shkëmbimet e vrullshme të teknogjive, industrive dhe monedhave virtuale.

    Gjeopolitika tradicionale sot po bashkëjeton dhe nesër ndoshta do të sfidohet nga cyber-politika.

    Kokat bërthamore janë aty, si gjithmonë, por edhe po të mos ishin, do të mjaftonin kërcënimet apo sulmet kibernetike për ta bërë rajonin, kontinentin dhe planetin shumë më vulnerabel dhe paqen shumë më të paqëndrueshme.

    Ndryshe nga konfliktet fizike, luftrat kibernetike nuk kanë, nuk synojnë dhe nuk rrezikojnë kufijtë. Gjithashtu, ky rrezik është më i madh sepse teknologjitë kibernetike kanë kosto më të lirë se industriteë e armeve konvencionale.

    Bota është vërtet e rrezikuar nga tregëtia e armëve, e cila i kushton njerëzimit mbi 100 miliardë dollarë në vit. Por kostot e industrisë kibernetike mund të jenë më të ulta, ndërsa rreziqet po aq të mëdha.

    Rreziqet bëhen me eminente nëse mbajmë parasysh që konfliktet kibernetike tashmë nuk janë vetëm një problem për sigurinë, por për industritë dhe ekonominë.

    Shqetësues është hezitimi i fuqive botërore, sidomos atyre joperëndimore, për të bashkëpunuar në përballimin e sfidave kibernetike, sidomos në kushtet kur gjepolitika po lëviz nga qëllimi tradicional i identifikimit të normave të zhvillimeve kibernetike, drejt brendësimit e jetërsimit të tyre në marrëdhëniet midis shteteve, komuniteteve apo industrive.

    Prandaj ajo që duhet të na shqetësojë është fakti se pasojat e pasigurisë kibernetike mund të bëhen më të mëdha se përfitimet prej kibernetikës.

    4.

    Koncepti i Ballkanit Perëndimor, nga një përmbajtje gjeografike, ka marrë një ngarkesë politike dhe kulturore, kryesisht negative dhe po interpretohet si një pjesë e jashtme e kontinentit evropian.

    Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Dhe përsa kohë që në Evropë po fryjnë erëra dhe në horizont po shfaqen re joperëndimore, duhet të kontribuojmë të gjithë, BE, NATO, ShBA dhe partnerët e tjerë strategjikë që Shqipëria dhe rajoni të ecin në mënyrë të pakthyeshme drejt destinacionit perëndimor. I cili është destinacioni ynë i natyrshëm.

    * Fjala në sesionin “Sfidat e Sigurisë dhe Riformimi i Gjeopolitikës”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Qendra Për Sigurinë në Evropën Juglindore dhe IPAC-Albania, më 25 korrik. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Qyteti i parë në botë që vendos taksë për ta vizituar

    Lajmi i rradhës

    Dështimi i radhës për të ndërtuar një sistem shëndetësor shqiptar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë