Në efektin e pasioneve politike, mos ngatërrojmë konceptet gjeopolitike!

    ARTAN FUGA

    Le të mos i bëjmë çorap konceptet gjeopolitike nën furinë e pasioneve, frikërave, inateve, paaftësisë politiko-organizative, a ku dreqin di unë të kujt motivi!

    Tjetër është “mini-Shengeni ballkanik”, tjetër një “Ballkan i hapur”. Që vende të Ballkanit të ndërtojnë “Shengen”, apo “mini-Shengen”, apo “maksi-Shengen”, kjo nuk do të përfshinte vetëm tregtinë e lirë, lëvizjet e lira, bashkëpunime etj. Por “Shengen” do të thotë edhe Parlament i përbashkët, një komision i përbashkët si qeveri mbinacionale, një gjykatë mbinacionale, një bankë e përbashkët, një monedhë e përbashkët dhe shumë të tjera.

    Këtë Europa nga bashkëpunimet e para e arriti vetëm pas gjysmë shekulli, nuk e filloi andej. Prandaj një miniShengen në Ballkan sot është një utopi e bukur!

    Kurse një “Ballkan i hapur”, pse jo, ne jemi futur në logjikën e një Europe të hapur, pse jo Ballkan i hapur, pse jo Alpe të hapura, pse jo det i hapur me Italinë, ta zëmë?

    Ballkan i hapur brenda vetes, por Ballkan i hapur dhe me territoret dhe njësitë politiko-administrative jashtë Ballkanit. Jo hapje nga brenda dhe izolim nga jashtë!

    Kush trembet nga një i tillë “Ballkan i hapur”, nga brenda dhe nga jashtë? Ne qytetarët, aspak. Ne kemi mbi kurriz këta monopolistët, që duke mbajtur kufijtë tregtarë gjoja të mbyllur, na marrin frymën, nga fitime monopoliste; na detyrojnë të konsumojmë produktet e tyre bajate, nuk lejojnë konkurrencën, na kanë çuar drejt një modeli ekonomik arkaik. Kombi duhet të mësohet të konkurrojë, jo të mbyllet në kështjellën e paditurisë, moskonkurrencës, e tregjeve të mbyllura, sepse vdes, na duhet shkenca e hapur, mësimdhënia e hapur, arsimi i hapur, dija e hapur, mendja e hapur, kultura e hapur, jo me Ballkanin vetëm, jo me Europën vetëm, me gjithë botën po deshët, edhe me Antarktidën, me Marsin, Neptunin. Këta monopolistët hiqen si patriotë për të pasur pasuritë e vendit nën kontroll ekskluziv. E jo, kështu nuk ka, sepse na marrin shpirtin ne qytetarëve, në bashkëpunim me një qeverisje autokratike që përzien mbylljen e kufijve me kapjen e ekonomisë, me politika preferenciale për tipa që nga berberë bëhen menaxherë kompanish miliona dollarëshe.

    Po, po hapje, totale!

    Në emër të demokracisë, lirisë, tregut, garës me popujt e tjerë, sigurisht na duhet një botë e hapur.

    Prandaj, t’i dallojmë mirë dy konceptet gjeopolitike.

    Sepse nga ana tjetër nuk kemi ishJugosllavi sikurse na trembin. Nëse do të shkriheshim si federatë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk do të ishte më ish-Jugosllavia, por shumë keq, sepse mungojnë Kroacia dhe Sllovenia, Mali i Zi, veç të tjerash. Të ishin ato, ku ma gjen, por kështu është vetëm pjesa më agrare, më e prapambetur, më rurale, më nacionaliste e ish-Jugosllavisë, që brenda kishte dikur perla si Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia.

    Prandaj, larg dogmave, me koncepte të qarta, jo bllokime nacionaliste, por ruajtje e interesave kombëtare, por në një botë të hapur, në Europë të hapur, në Ballkan të hapur, në Antarktidë të hapur po deshët!

    Kush trembet nga hapja sepse është i paaftë të konkurrojë dhe do “qofte ke daja”, le të pijë raki, me meze bari, të fusë komët në legen dhe të kënojë: “Lale du fustan, ta ble lala n’Elbasan!”./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Twitter bllokon profilin zyrtarë të Venko Filipçes

    Lajmi i rradhës

    Shenjat që tymi i cigares lë në fytyrën tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë