Në Europë asgjë nuk arrihet pa Gjermaninë

    AMBASADOR BASHKIM ZENELI

    Pas zgjedhjeve të 26 shtatorit dhe konstituimit të Bundestagut ditët e fundit, Presidenti gjerman, Steinmeier, liroi nga detyra qeverinë aktuale, të drejtuar nga Kancelarja Merkel dhe u kërkoi të qëndrojnë në funksionet e tyre deri në ndërtimin e qeverisë së re.

    Angela Merkel, 3 vite më parë, dha dorëheqjen nga kryetare e CDU, të cilën e udhëhoqi për 18 vite. Ajo deklaroi në atë kohë edhe se nuk do të kandidonte më për Kancelare, madje as për deputete.

    E para grua Kancelare në 150 vite, që nga viti 1871 kur u krijua Rajhu gjerman me Kancelarin Otto von Bismarck, që sundoi për 19 vite, nga janari 1871 deri në mars 1890.

    Zonja Merkel e drejtoi Gjermaninë për 16 vite, aq sa edhe Kancelari Kohl dhe 2 vite më shumë se Kancelari i parë i pasluftës, Konrad Adenauer, 1949-1963.

    Ndërkohë, zonja Merkel, së bashku me Kancelarët Kohl dhe Ëilly Brand, kanë drejtuar më shumë se kushdo nga paslufta partitë e tyre, CDU dhe SPD.

    Që nga paslufta, qeverinë gjermane e kanë drejtuar 8 Kancelarë – 52 vite ka drejtuar Unioni CDU-CSU dhe 20 vite SPD.

    Siç ishte bërë e njohur, në zgjedhjet e 26 shtatorit, SPD me liderin e saj, Olaf Scholz, mori 25,7 për qind të votave, vetëm me 1,6 më shumë se Unioni CDU-CSU, me 24,1 për qind, që drejtohet nga kryetari i CDU, Armin Laschet.

    SPD e quan këtë një fitore historike dhe një pikë kthese, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku mori 20,5 për qind e që ishte rezultati më i ulët që nga viti 1949 për këtë parti.

    Ndërkohë, CDU-CSU, me 24,1 për qind, mori 9 për qind më pak se në zgjedhjet e fundit, duke pasur kështu rezultatin më të ulët që nga vitit 1949.

    Në Bundestagun gjerman me 735 vende, nga 709 në legjislativin e fundit, për shkak të ligjit zgjedhor, SPD do të përfaqësohet me 206 deputetë dhe CDU-CSU më 196 mandate.

    Në Bundestag do të jenë edhe 4 parti të tjera: Të Gjelbërit, Liberalët, AfD (Alternativa për Gjermaninë) dhe e Majta (Die Linke).

    Të Gjelbërit morën rezultatin më të lartë të tyre, me 14,8 për qind ose me 6 për qind më shumë se në zgjedhjet e fundit. Ky ishte edhe rezultati më i lartë i Të Gjelbërve që nga krijimi i partisë në vitin 1980. Edhe Liberalët patën një rritje të lehtë me 11,5 për qind ose afro 1 për qind më shumë se në vitin 2017.

    AfD, që shihej me shqetësim në politikën gjermane në vitet e fundit, morën 10,3 për qind ose 2,3 për qind më pak se në vitin 2017, kur edhe u përfaqësuan për herë të parë në Bundestag.

    E Majta (Die Linke) mori 4,9 për qind të votave, me një rënie të dukshme prej 4,3 për qind të zgjedhjeve të fundit. Me 4,9 për qind nuk e arriti pragun 5 për qind të përfaqësimit, por në bazë të ligjit zgjedhor gjerman, me 3 mandate direkte që ka marrë, i llogaritet edhe 4,9 përqindëshi.

    SPD, nga 16 lande, ka dalë forca e parë në 12 lande, ndërsa Unioni CDU-CSU, vetëm në dy lande.

    Si votuan gjermanët? Treguesit më të mirë, në shumë drejtime, i ka SPD.

    Grupmosha 18-29 vjeç ka votuar SPD me 17,5 për qind, ndërsa CDU-CSU me 15 për qind. Por kjo grupmoshë ka votuar më shumë Të Gjelbërit, me 22 për qind. Grupmosha 30-44 vjeç ka votuar SPD më 20 për qind dhe Unionin me 19 për qind.

    Grupmosha 45-59 vjeç ka votuar me 27 për qind SPD dhe me 23 për qind CDUCSU, ndërsa grupmosha mbi 60 vjeç kanë votuar me 35 për qind SPD dhe 33 për qind Unionin.

    Sipas gjinisë, gratë kanë votuar SPD me 27 për qind, ndërsa CDU-CSU me 23,7 për qind.

    Edhe për sa i përket nivelit arsimor të votuesve, më shumë kanë votuar SPD. Po ashtu, votuesit punëtorë kanë votuar SPD me 30 për qind dhe CDU-CSU me 23 për qind. Votuesit e administratës kanë votuar CDU-CSU me 28 për qind, ndërsa SPD me 24 për qind.

    Në Bundestagun e ri, nga 735 deputetë, 480 janë burra dhe 255 gra. Numrin më të madh të grave në Bundestag e ka SPD me 86 deputetë, ndërkohë që Unioni CDU-CSU ka vetëm 35 gra.

    Numrin më të madh të deputetëve e përbën grupmosha 50-59 vjeç, me 234 deputetë, ndjekur nga grupmosha 40-49 vjeç me 205 deputetë. 106 deputetë janë mbi 60 vjeç dhe vetëm 47 deputetë janë të grupmoshës 18-29 vjeç.

    Menjëherë pas zgjedhjeve, fituesi i tyre, Olaf Szholz, deklaroi: “Qytetarët na kanë besuar me shumicë. Tani unë kam një detyrë të qartë për të ndërtuar qeverinë e re. Themelore është se SPD do të qeverisë vendin”. Ndërsa lideri i CDU, Laschet, duke njohur rezultatin e ngushtë dhe alternativat për koalicion tha: “Unë do të bëj gjithçka të mundur për të ndërtuar një qeveri nën udhëheqjen e Unionit CDUCSU”.

    Në selinë qendrore të CDU, në një faqe të madhe muri ishin vendosur portretet e Kancelarëve Adenauer, Kohl dhe Merkel, që kanë qeverisur Gjermaninë për 46 vite. Por së bashku me to ishte vendosur edhe portreti i kryetarit të CDU, Armin Laschet. Shtypit nuk i shpëtoi ky fakt. “Suddeutsche Zeitung” shkruante se “Armin Laschet kërkon me patjetër të bëhet kancelar i Gjermanisë. Ai është egërsisht i vendosur për të luftuar për një vend të tijin në histori”.

    Shumë i përmbajtur u tregua kryetari i SPD, Scholz, duke gjykuar për hapësirat për koalicion dhe duke u shprehur vetëm se: me ne Gjermania do të qeveriset më mirë, se ka ardhur koha për ndryshim, ndërkohë që Laschet, në pritje të dështimit të përpjekjeve për koalicion nën drejtimin e SPD, shprehej “për vazhdimësi”. Ai u shpreh me gjysmë zëri se “natyrisht, unë e di se kam një pjesë të përgjegjësisë në këtë rezultat të zgjedhjeve”.

    Ai u kritikua menjëherë pas zgjedhjeve nga drejtues të CDU dhe nga kryeministra të Landeve që drejtohen nga CDU. U vu në dukje se “Laschet nuk ka qenë i preferuari i shumicës së bazës së parisë për Kancelar” dhe se “fushata e tij nuk kishte oferta të qarta politike, që të mobilizonte masën, por thjeshtë premtimi se do të parandalohej një politikë tjetër…”.

    Kryeministri i landit, Rheinland Pfalz, Malu Dreyer, u shpreh se “dikur lideri humbës jepte dorëheqjen, ndërsa Armin Laschet, në vend të kësaj, thotë, edhe pse humbës kam detyrë të udhëheq qeverinë e re”.

    Kryeministri i Saksonisë, Kretscher, foli për një “tërmet të madh në radhët e CDU”, ndërsa Kryeministri i Saksen-Anhalt, Haseloff, foli për një “dështim të plotë në CDU”. Kryeministri i Hessenit, Volker Bonffier, u shpreh se “Unioni CDU-CSU nuk ka asnjë të drejtë për të marrë përsipër përgjegjësinë për ndërtimin e qeverisë. Tani radhën e kanë të parët fituesit, SPD”.

    Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, njëkohësisht anëtar i presidiumit të partisë, foli për “nevojën e ngutshme të rinovimit të partisë”. Disa muaj më parë, as në ëndrrën më të keqe, nuk do t’i besonim këtij rezultati”.

    Ministri i njohur i Ekonomisë, Peter Altmaier, u shpreh se “duhet të mendojmë për një rindërtim të Unionit CDU-CSU”. Deputeti i spikatur Linnerman deklaroi se “nuk duhet të hallakatemi në diskutime të pavlera”. Të analizojmë humbjen dhe të qëndrojmë në opozitë për të nisur rinovimin e Partisë”.

    Edhe Kryeministri bavarez dhe kryetari i CSU, Markus Soder, u shpreh se “partia motër CDU shfaqi shumë dobësi në kursin e saj në fushatë, por edhe në përzgjedhjen e kandidatëve”. Ai kritikoi liderin e CDU, Laschet, për “ambicien e tij për Kancelar me shpresën e dështimit të SPD për të ndërtuar koalicionin qeverisës. Duke qenë në vend të dytë, nuk duhet të kesh pretendimin për të ndërtuar qeverinë. Deri dje, Laschet ishte kandidati për Kancelar, tani ishte tjetërkush”.

    Është për t’u vënë në dukje se Kancelarja Merkel nuk u përfshi aktivisht në fushatën elektorale, me qëndrimin se që në vitin 2018 kishte dhënë dorëheqjen si kryetare e CDU…

    Në këtë situatë, ndërtimi i qeverisë së re gjermane ishte përgjegjësi e SPD dhe e kryetarit të saj, kandidatit për Kancelar, Olaf Scholz, ish-kryetar i spikatur për shumë vite i Bashkisë së Hamburgut dhe ministër i suksesshëm i financave në qeverinë Merkel. Ai që në fillim u shpreh se “shpreson që të ndërtojë qeverinë e re para fundvitit”.

    Cilët do të mund të ishin aleatët e tij në qeverinë e re?

    Për të pasur një maxhorancë absolute në Bundestagun prej 735 vendesh, duhen 368 mandate. SPD nuk do të mund të qeveriste vetëm me një aleat, qofshin Të Gjelbërit apo Liberalët, sepse vetëm me njërin nuk krijohej qeveria e re. Scholz do të deklaronte se “do të ndërtohet një qeveria me ata që janë fitues në zgjedhje”. Por edhe udhëheqësit e Liberalëve dhe Të Gjelbërve që pas zgjedhjeve deklaruan se “me kënaqësi dhe me përgjegjësi do të hyjnë në bisedime me SPD”.

    Tri mundësi mbeteshin për ndërtimin e koalicioneve:

    Koalicioni Ampel (semafor)- Të Gjelbërit, Liberalët dhe SPD, që do të kishin së bashku 416 vende në Bundestag

    Koalicioni Xhamajka (ngjyrat e flamurit të këtij vendi)-CDU- Të Gjelbërit dhe Liberalët, që do të kishin 406 vende. Koalicioni i madh mes SPD dhe CDU që do të kishte 402 vende

    Për SPD, koalicioni semafor do të ishte i pari në historinë e Gjermanisë që nga paslufta. Në historinë e koalicioneve, SPD ka qeverisur nën Kancelarin Brandt me Liberalët e Gensherit dhe për 7 vite ka qenë i suksesshëm koalicioni me Të Gjelbërit nën Kancelarin Schroder dhe zëvendëskancelarin Fischer.

    Pra, me të dyja këto parti, SPD ka ndërtuar koalicione qeverisëse, por jo me të dyja së bashku.

    Por, edhe CDU-CSU nuk ka qenë asnjëherë në koalicion me Liberalët e Të Gjelbërit së bashku. Të Gjelbërit nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e qeverisjes së CDUCSU, ndërkohë që Liberalët kanë qenë në qeverinë e Kancelarit Kohl për 16 vite në bashkëqeverisje. Por edhe zonja Merkel ka qeverisur me liberalët e kryetarit Ëesterëelle për 4 vite.

    Para se të ftonte liberalët dhe Të Gjelbërit për bashkëqeverisje, lideri i SPD, Scholz, kërkoi që në radhë të parë këto dy parti të uleshin për të rënë dakord për “rezervat ndaj njëri-tjetrit dhe më pas të ftoheshin për bisedime me SPD”. Distancimet programore midis Liberalëve dhe Të Gjelbërve janë të njohura në politika të ndryshme, por jo të pakapërcyeshme. Udhëheqësit e të dyja partive shquhen për aftësi drejtuese, pragmatizmi dhe simpati në elektorat. Nga ana tjetër, ndryshe nga Liberalët, Të Gjelbërit, janë shumë më larg në pikëpamjen e programeve me Unioni CDU-CSU dhe për to do të ishte hera e parë për të bashkëqeverisur me Unionin, që nga viti 1980 kur edhe u krijuan.

    Pas zgjedhjeve, Liberalët dhe Të Gjelbërit janë ulur disa herë në bisedime, në radhë të parë në nivelin politik, por edhe në atë të ekspertëve. Temat, për të cilat është diskutuar për të arritur në përafrim, kanë qenë ato të politikës sociale, të taksave, të pensioneve, të financave në përgjithësi, të politikës së klimës dhe mbrojtjes së saj.

    Shtypi gjerman që në fillim shkruante se “mundësia për koalicionin semafor (SPD-Të Gjelbërit dhe Liberalët) është 70 me 30 për qind, ndërsa mundësia e koalicioni Jamaika (Unioni-Të gjelbërit dhe Liberalët) është vetëm 1 me 99 për qind.

    Për koalicionin e elefantëve, koalicionin e madh, nuk është folur për asnjë moment nga lideri i SPD, Scholz. Baza e partisë, në zgjedhjet e vitit 2017, e kundërshtoi fuqishëm koalicionin e madh. U bënë disa kongrese partie për ta diskutuar atë. Ish-kryetari i SPD, Schulze, dha dorëheqjen nga çdo funksion. Ai qe shprehur në atë kohë se “një koalicion i madh i përsëritur tashmë disa herë, ka mbajtur në këmbe Unionin CDU-CSU për të qeverisur dhe ka rrudhur SPD në të qenit një opozitë e fuqishme dhe e ndershme”.

    Tashmë gjërat po ecin në rrjedhën e duhur. Bisedimet, ndonëse jo të lehta për të gjitha fushat, do të konfigurojnë koalicionin SPD- Të Gjelbërit dhe Liberalët. Është vlerësuar si një koalicion “profesionistësh dhe politikanësh me peshë në elektorat”.

    Raundet politike dhe të ekspertëve në bisedime kanë nisur dhe po zhvillohen me shumë përgjegjësi. Udhëheqësit politikë të tri partive, me një angazhim të lartë përgjegjësie, po punojnë për të ngritur qeverinë që do të drejtojë vendin, për të kryer detyrën ndaj zgjedhësve, ndaj popullit. Ato dinë të marrin përgjegjësi për Gjermaninë, por edhe për Europën e bashkuar dhe peshën e Gjermanisë në të. Dhe sfidat për Europën, me problemet e shumta që ajo po kalon, politika gjermane i ndjen dhe i peshon shumë. Gjithnjë është punuar për një Gjermani europiane, ndryshe nga edhe sa ishte përgojuar jo pak se “gjermanët punojnë për një Europë gjermane”.

    Sot, në kontinentin tonë, por edhe më gjerë, të gjithë e dinë se në Europë asgjë nuk bëhet pa Gjermaninë dhe gjithçka bëhet me Gjermaninë. Jo më kot, Kancelari i ardhshëm gjerman, Olaf Scholz, duke punuar për ndërtimin e qeverisë së tij, midis të tjerave, është shprehur se “qeverinë do ta kem gati para fundvitit, edhe sepse vitin e ardhshëm do të kemi forumin e G-7, por edhe sepse në janar Franca merr kryesinë e radhës së BE-së. Detyrat tona janë të mëdha”. Është shumë e rëndësishme që në marrëdhëniet transatlantike, në raportet SHBA-Europë ka një frymë tjetër, një qasje të re, të duhur, premtuese, të domosdoshme për sfidat, për lirinë dhe paqen.

    Për këtë punoi aq shumë edhe zonja Merkel- Madam Europa./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Deri më 17 dhjetor ZPS duhet të dorëzojë dosjen paraprake në rastin e Thaçit e të tjerëve

    Lajmi i rradhës

    Tre skenarët e mundshëm pas dorëheqjes së Zoran Zaevit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë