Nga “miniShengen” në “Open Balkan”

    PËLLUMB NAKO

    Vendosja e Tregut të Për bashkët Rajonal duhet të bëhet realitet. Shpresoj që udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të mbajnë premtimet”, shkruan Varhelyi.

    Nga ky deklarim i Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian del qartë korniza mbi të cilën Komisioni mbështet hapjen ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pra Treg të Përbashkët që do të thotë liri ekonomike, qarkullim të lirë mallrash dhe jo më shumë.

    Po a ishte kjo ideja fillestare e shefave të të tria qeverive të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut?

    Jo! “Open Balkan” nuk është thjesht emërtim ndryshe i “mini-Shengenit”, siç po mundohet të shitet nëpër media ditët e fundit apo duke u kaluar madje pa u vënë re. “Open Balkan” është korrigjim thelbësor i “mini-Shengenit”, apo më saktë krasitje e tij. Kjo do të thotë se aktualisht Komisioni Europian mbështet bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi iu ka përcaktuar një kornizë të qartë të hapësirës së bashkëpunimit, pra atë në fushën ekomomike. Qëndrim ky që u mbështet edhe nga SHBA.

    Megjithëse të tria vendet propaganduan me forcë, madje duke bërë i ftesa dhe presion politik vendeve të tjera të rajonit, kryesisht Kosovës, për të qenë palë të nismës, aktualisht mund të thuhet me plot gojën se ideja e “mini-Shengenit” dështoi ende në embrion dhe vendin e tij e zuri një version tjetër hapjeje, më e kufizuar se i mëparshmi, pra “Open Balkan”.

    Nëse do të shihnim projektin “miniShengen”, me thjeshtësi do të dallonim se ai bazohej minimalisht në dy liritë themelore mbi të cilat është ndërtuar edhe vetë Bashkimi Europian: liria e qarkullimit të mallrave dhe liria e qarkullimit të njerëzve. Pra, projekti politik i tri vendeve tona ishte një “miniShengen” që nuk parashikonte vetëm qarkullimin e lirë të mallrave në rajon, por edhe qarkullimin e lirë të njerëzve. Kurse deklarata e mësipërme flet vetëm për treg të përbashkët, pra për liri qarkullimi mallrash dhe jo njerëzish. Dhe kjo do të thotë se projekti fillestar ka një kolonë më pak. Dhe një kolonë më pak, siç është qarkullimi i lirë i njerëzve, e rrëzon në thelb “Shengenin”.

    Nëse do të shihnim deklarimet e mësipërme të Komisionerit dhe të treshes ballkanike, ato duken që nuk janë e njëjta gjë.

    Vuçiç deklaroi: “Më 1 janar 2023 s’do të kemi kufij mes vendeve tona. Nga Beogradi do të niseni për në Tiranë dhe askush nuk do t’iu ndalë”.

    JO, nuk është kështu. Nuk është ajo që deklaron Komisioni Europian. Dhe përveç të tjerave, kjo do të thotë se projekti politik i “mini-Shengenit Ballkanik” nuk është konsultuar dhe detajuar teknikisht me Bashkimin Europian, madje as dhe me SHBA-në, a cila në deklarimet e fundit mbështet “Open Balkan”. Një gjë e tillë flet për mungesë transparence ose paqartësi në zbërthimin në projekte konkrete të ideve politike.

    Me maninë e tij për protagonizëm, nga ana e tij Kryeministri ynë, në një intervistë televizive theksoi: “’mini-Shengeni’ është ide që e kam shtytur unë i pari dhe kam dëshmitarë për këtë”.

    Nga ky deklarim i Kryeministrit tonë duket qartë se ka dështuar, madje me dëshmitarë, në idenë e “mini-Shengenit”. Por nëse i referohemi deklarimit të mëposhtëm të shefit tonë të qeverisë, do të konstatojmë se dështimi është i dyfishtë.

    Në të njëjtën studio televizive si më sipër Kryeministri ka deklaruar: “’Shengeni’ rajonal nënkupton heqjen e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta kuptojnë ata të Kosovës do të kenë kaluar vite dhe Kosova do të humbasë”.

    Mjafton të kujtojmë mbledhjet e përbashkëta ndër vite të të dyja qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, mjafton të kujtojmë deklarimet e panumërta matanë kufirit në Kosovë, të shumë hierarkëve të partisë në pushtet të vendit tonë se do të rrëzojmë kufijtë që na ndajnë dy vendet tona dhe po ashtu të bëheshim dëshmitarë të sa e sa deklarimeve solemne politike të mbetura në ajër për çështje të kufirit të të dyja vendeve tona dhe ndërkohë sot asgjë nuk është realizuar. Mjafton të kujtojmë doganën kosovare në Durrës të përuruar disa herë, që edhe sot nuk ka marrë formën e propaganduar dhe do të shohim se sa larg jemi me gjërat që na kanë deklaruar dhe na kanë mbushur mendjen drejtuesit tanë të qeverisë. Gjithçka ka ngelur e njëjtë që nga koha e qeverisë së mëparshme të para 9 viteve. Tani që ra edhe ideja e “miniShengenit”, bie poshtë edhe i ashtuquajturi projekt i deklaruar nga Kryeministri ynë, që thotë publikisht se ai synon në radhë të parë heqjen e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pra dështim edhe në kuadrin bilateral, edhe në atë shumëpalësh. Pra kjo do të thotë se klasa politike kosovare ka qenë më me këmbë në tokë se ajo e vendit tonë ndërkohë që Kryeministri pretendon edhe lidershipin rajonal.

    Pyetja që bëhet është se përse Bashkimi Europian është kundër “mini-Shengenit” në komponentit e tij përbërës të lëvizjes së lirë të individëve?

    Motivet janë sa parimore dhe konkrete. Por mesa duket, lidershipi i Ballkanit Perëndimor duket mjaft dritëshkurtër për të parë diçka që të verbon. Nuk mund të ketë sukses asnjë marrëveshje rajonale që në thelb konceptohet si kundërvënie e një entiteti tjetër, madje mjaft të fuqishëm, siç është Bashkimi Europian. Nuk mjafton të flasësh për liritë themelore dhe në emër të tyre të kryesh veprime të parakorduara me fqinjin e madh, siç është Bashkimi Europian, i cili preket automatikisht nga çdo nismë.

    Liberalizimi total i lëvizjes së individëve në një hapësirë në kufi me Bashkimin Europian, sidomos në një Ballkan Perëndimor të mbushur me problematika madhore të trafiqeve, krimit të organizuar, përkthehet automatikisht në kërcënim të sigurisë së fqinjit të madh. Liria e qarkullimit nuk është e kundërta e sigurisë, por vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e vullnetit të tyre për të garantuar lirinë e qarkullimit, me këtë standard qeverisjeje nuk janë në gjendje të garantojnë të drejtën e sigurisë jo vetëm të vendeve të tyre, por edhe për hapësirën e Bashkimit Europian. Sepse po të ishte ndryshe, që këto vende të kishin në këto dy fusha standarde të larta, do të ishin tashmë pjesë e BE-së.

    Liria e qarkullimit është një e drejtë themelore, por edhe siguria është e drejtë themelore dhe këtë të fundit liderët tanë nuk e llogarisin, ndaj dhe ndërtojnë projekte politike pa themel të qëndrueshëm./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Hodai: Rinia keqpërdoret vetëm në fushatë

    Lajmi i rradhës

    RMV, të pavaksinuarit rrezikojnë vendet e punës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë