Një akt i shëmtuar që priret të destabilizojë

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Që data 6 dhjetor do të linte gjurmë në vëmendjen e të gjithëve, kjo as që nuk kishte fare diskutim, por që të befasonte audiencat deri në atë masë sa të eklipsonte të gjithë ngjarjen më të rëndësishme politike, atë të Samitit BEBallkani Perëndimor në Tiranë, këtë nuk e kishte imagjinuar askush. Pikërisht, në momentin kur i gjithë fokusi i secilit ishte përqendruar te koreografia e ngjyrave dhe estetikës me të cilën mazhoranca kishte përgatitur terrenin për këtë Samit, një ngjarje e pazakontë dhe tepër e shëmtuar ndodhi. Kreu i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, u godit nga një individ me grusht në fytyrë, duke i lënë këtij të fundit dëmtime jo të vogla. E gjithë ngjarja, e cila rrotullohej e përsëritur deri në budallallëk nga të gjitha mediat tona, krijoi një ndjenjë pështjellimi pse jo dhe frike rreth asaj që mund të ndodhte më pas. Siç edhe e pamë, z. Berisha arriti ta menaxhonte mirë situatën dhe vazhdoi me agjendën e tij pavarësisht ngjarjes.

    Një shtetas me emrin Gert Shehu, i cili sipas raportimeve të para, kishte probleme mendore për të cilat edhe kurohej, arriti që 6 dhjetorin ta fuste në analet e politikës shqiptare si një nga ato ngjarje që të kthenin pas në fillimet e tranzicionit, thënë thjesht, një fluturim në të shkuarën tonë problematike. Ngjarja është e rëndë për shkak se u drejtua në dëm të një ishPresidenti, ish-Kryeministri dhe mbi të gjitha, në dëm të një 78-vjeçari. Fatkeqësisht, kjo ngjarje, përveç shumë precedentëve negativë që hapi, riktheu edhe një herë pas kaq shumë vitesh e përpjekjesh në favor të fjalës kundrejt dhunës, të rikthente dhunën si një mekanizëm, i cili mund t’i mbivendoset fjalës. Herën e parë, këtë fenomen pas kaq shume vitesh e pamë me 8 janar, kur dhuna ishte prezente në selinë e Partisë Demokratike, duke rrezikuar seriozisht jetët e njerëzve, dhe hera e dytë u manifestua me 6 dhjetor.

    Shumë prej nesh menjëherë bombarduan veten me pyetje të tipit se pse kjo ngjarje duhej të ndodhte atë ditë, apo edhe se kush ishte përfituesi më i madh i saj? Në një logjikë të thjeshtë, asnjëri nga liderët kundërshtarë nuk do të ishin përfituesit e kësaj ngjarjeje. Z. Rama nuk do të ishte i interesuari që kjo ngjarje të ndodhte pikërisht në ditën më të rëndësishme të tijën si politikan. Për herë të parë në historinë e vet, Bashkimi Evropian organizon një Samit për Ballkanin Perëndimor jashtë territorit të vet në Ballkan dhe ekzaktësisht në Shqipëri. Gjithkush po të ishte në vendin e Kryeministrit Rama, do të ndjehej jo vetëm në lartësinë e maleve, por edhe do të bënte çmos që ashtu siç bllokoi makinat, edhe mizat të mos cenonin spektaklin e ngjyrave dhe estetikës shqiptare. Kjo, karshi liderëve evropianë të cilët estetikën e kanë “fe” të tyren. As z. Berisha nuk do të donte që kjo ngjarje të ndodhte, sepse ai për shkak të organizmit të një proteste shumë të debatueshme në një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, ishte i kompletuar nga frika e çdo të papriture në ditën më të gabuar, e cila do ta ngarkonte atë politikisht me një barrë të rëndë karshi shqiptarëve.

    Po atëherë, pse ndodhi? Përse në datën të jenë shërbime inteligjente të huaja kryesisht të vendeve aspak miqësore me ne, të cilët kanë gjetur datën dhe kohën e duhur për të shkaktuar një konflikt politik e më pas edhe civil mes shqiptarëve. Për ta bërë këtë, formula është e njohur, gjej një njeri me probleme psikike, përdorues të drogave, si dhe të dhunshëm.

    Akuzat e opozitës se këtë e ka bërë Rama, duken jo vetëm pa një linjë logjike, por edhe sempliste të motivuara thjesht për konsum politik. Është pikërisht këtu që duhet të hyjë në lojë përgjegjshmëria, si dhe pjekuria e liderëve tanë kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla. Në vend që të presin me durim rezultatet e hetimeve, ata vrapojnë të bëjnë deklarata, të cilat ndezin edhe më shumë atmosferën përcëlluese politike, duke rrezikuar seriozisht destabilitetin e vendit. Një klasë politike e përgjegjshme, tregohet e pjekur dhe e kujdesshme që gjërat të mos precipitojnë në nivele të tilla alarmante sa të shkaktojnë një konflikt social me pasoja të paparashikueshme.

    Z. Rama nuk kishte fare nevojë të porosiste sulmin ndaj kryetarit te opozitës, sepse ishte vetë protesta e organizuar prej këtij të fundit dhurata më mirë elektorale që i bënte kryeministrit në atë dite, kështu që nuk kishte fare nevojë të godiste opozitën kur të gjitha mediat ndërkombëtare ishin në Tiranë. Një sulm i pozitës ndaj opozitës në sy të këtyre mediave do të thoshte një akt vetëvrasjeje politike për mazhorancën. Prandaj, narrativja opozitare është krejt pa sens. Mos të harrojmë se në protestën e datës 12 nëntor, z. Berisha e shpalli Ramën armik të tijin. Ky cilësim është motivi perfekt për këdo që do të donte që në Shqipëri destabiliteti të ulej këmbëkryq në kohën kur e gjithë bota ndjehet e destabilizuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe ne si shqiptarë kemi shumë armiq që do ta donin këtë gjë me gjithë shpirt. Ja pse është shumë e rëndësishme që opozita të tregojë pjekurinë e duhur politike dhe të kontribuojë në gjënë më të rëndësishme që ka një vend, stabilitetin dhe prosperitetin. Nëse në 12 nëntor, deklarohej se nuk do të ketë më stabilitet dhe siguri në Shqipëri, nëse cenohet vota, kjo gjuhë e politikë sonë është melodi për armiqtë e shumtë që na rrethojnë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si të dalloni kur ushqimet në restorant nuk janë të freskëta

    Lajmi i rradhës

    Shkollat ​​e mesme profesionale në Maqedoni kanë mungesë të personelit mësimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë