BEN ANDONI
Ish-kryeministrja britanike Margërët Thaçër kishte një aftësi, kur drejtohej para publikut. Në vend të projeksioneve të pamundura, ajo arrinte të shpjegonte qartë dhe thukët idetë e veta dhe vizionin e saj për shtetin. Por, Lindja komuniste dhe të gjithë derivatet e saj do i kuptonin më mirë mesazhet dhe “thjeshtësinë” e politikës në Fjalimin e Forumit të Sipërmarrësve të Evropës Lindore dhe Qendrore në San Petërburg, në fillim të viteve ‘90. Asokohe nuk ishte më kryeministre, pas plot tri mandatesh, por kishte zulmën e një shtetareje të ashpër dhe të pakompromis, merita e së cilës kishte qenë ngritja e Mbretërisë së Bashkuar në vitet ‘70 dhe ‘80. Madje, etiketimin “Zonja e Hekurt”, një togfjalësh përfaqësues për politikën e saj të drejtpërdrejtë dhe stilin e udhëheqjes, të cilën ia dha një gazetar rus, do të tregonte shumë për atë sesi perceptohej realisht figura e saj.
Thaçër do t’i nguroste dëgjuesit e saj, që kur ia kishin dërguar ftesën 4-5 muaj më parë, e kishin nënshkruar poshtë emrit Leningrad, ndërsa tani ajo vinte në qytetin e bardhë të San Petërburgut me fjalët e kursyera dhe fjalitë e qarta. Leksioni politik dhe i demokracisë kishte qenë përveç një kthjellim për dëgjuesit e saj, por edhe patriotëve të saj.
Theksi për demokracinë ishte te partitë politike, kur u foli për ngritjen e tyre: “Së pari, demokracia nuk do të funksionojë pa parti të forta politike. Këto parti duhet të ndërtohen rreth çështjeve të mëdha të parimit dhe filozofisë dhe ju duhet t’i dalloni këto nga të gjitha ato detaje dytësore rreth të cilave anëtarët e partisë mund dhe do të mos pajtohen në mënyrë legjitime”.
Kjo është goditja më e madhe për demokracinë tonë, pasi partitë tona, paçka fitoreve të Ramës te PS-ja dhe fuqinë e pakundërshtuar të Berishës mbi PD-në, nuk kanë filozofi të qartë dhe parime. E për më tepër militantët e të dyjave nuk i shikojnë dot detajet e tjera, që në fakt janë mbizotëruese dhe kanë në themel vetëm përfitimin dhe privilegjin. Aman, këtu është edhe një ngushëllim për politikën dhe militantët shqiptarë. Përfitimi vlen më shumë.
“Dhe, nëse politika partiake nuk duket se i plotëson gjithmonë pritshmëritë tuaja më të larta, ju lutemi mbani mend se në këtë nuk jeni aspak unik.
Politika gjithmonë pasqyron karakterin dhe kalibrin e atyre që e praktikojnë atë dhe, kuptohet të atyre që i zgjedhin”, – do vijonte më pas. Faji me pak fjalë s’duhet kërkuar nga të tjerët, por pikërisht nga zgjedhja e momentit, ajo që po e mban Shqipërinë të ngërthyer në kushte të tilla dhe ku politika jonë nuk zhgënjen me cinizmin e saj në këto pak javë para zgjedhjeve. Ndaj, u cilësoi gruaja që shfaqi cilësi aq të ashpra në politikën e vet dhe madje inicioi edhe një luftë, se nuk duhet harruar diçka që… “vetëm politika e partive demokratike mund të parandalojë imponimin e përhershëm dhe të pakontestueshëm të qeverisë së keqe mbi njerëzit”, i shpjegoi sallës që po e përpinte. Shumë vite më vonë kjo vetëdije nuk po i zgjon ende shqiptarët, që manipulohen aq lehtë, ashtu si edhe politika që ne po krijojmë dhe që ia pranojmë të gjitha vizionet, të cilat janë shpesh premtime boshe. Pa parti politike me demokraci s’ka demokraci për vendin.
Zgjedhjet 2025 janë një provë e radhës për mundësinë apo pamundësinë tonë që të krijojmë shtet të së ardhmes. Dhe, është kaq e thjeshtë. Duhet ta nisim nga partitë politike. Thaçër ua tregoi me shembuj të pakët bashkëkohësve të saj lindorë 35 vite më parë./Gazeta Panorama /