Një muze me fjalë për dhimbjen dhe kujtesën

    AGIM BAÇI

    Një muze krejt i rrallë na shfaqet para syve përmes një rrëfimi romanor – është një muze pikturash ku korniza janë njerëzit, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre apo kanë parë me sytë e tyre tmerrin nga forcat serbe, ndërkohë që fjalët e tyre janë ngjyrat që vijojnë t’i hedhin ende mbi atë telajo tmerri që ka vijuar të ketë nevojë për ngjyrat e veta edhe pas asaj lufte. Rrugëtimi që na përshkruan shkrimtari Ag Apolloni në rrëfimin e tij, duke ndezur herë pas here “fije shkrepëse” për të dalluar “fijet e shpresës”, është ndërtuar përmes një estetike ku dhimbja merr ngjyrë, merr formë dhe zë, për këdo që hyn në atë muze të errësirës.

    Ag Apolloni e nis rrëfimin si një guidë, që përmban udhët për të hyrë në muze. Që në fillim paralajmërohet se “kryepiktura” e gjithë rrëfimeve është një nënë, që ka humbur djemtë dhe burrin e saj nga barbaria e milicëve e paraushtarakëve serbë-nënë Ferdonija. Është një muze i dhimbjes, ku mungesa ka krijuar gjithë rrathët e rrëfimit. Janë rrathë për të zbritur në ferr dhe për të parë gjithë ngjyrat e dhimbjes. Dhe për të shkuar drejt nënë Ferdonijes, në fillim autori i rrëfimit vendos hezitimin, pastaj një nxitim me makinë, me dy miqtë e tij, për të mbërritur drejt asaj. Një udhëtim që përngjason me atë ecjen tonë kur hyjmë në një muze, ku disa tabela na drejtojnë drejt pikturës më të rëndësishme, edhe pse shumë “piktura” të tjera kanë peshën e tyre të veçantë.

    Gjatë udhëtimit drejt shtëpisë së nënë Ferdonijes, dy shoqëruesit, Dritani dhe Gazmendi, sjellin tablonë e tmerrit që kanë parë me sytë e tyre, por edhe atë që kanë mbledhur nga të tjerë, për t’ia rrëfyer botës. Ata janë edhe dy arkitektët e “pikturave”, ku kanë mbështjellë gjithë dhimbjen e tyre në kryepikturën e muzeut të mungesës dhe kujtesës. Ag Apolloni ka ndërtuar një rrëfim, ku një konstelacion ngjarjesh e rrëfimesh, shpesh me emra konkretë e ngjarje konkrete, na rindërton atë që asnjë popull nuk duhet të harrojë jo vetëm për vetveten, por për këdo që mund të jetë aq afër botës së tmerrit, pa e menduar kurrë si të tillë.

    Teksa rrëfimi të afron drejt shtëpisë së nënë Ferdonijës të vjen para syve, ajo skena që ajo ka krijuar për shumë vite me radhë nën aktin e mungesës tragjikeajo ka shtruar sofrën gjithnjë për gjashtë persona- për burrin, katër djemtë dhe për veten. Ka qenë në pritje të ardhjes së tyre dhe e ka lënë sofrën aty, gati, për të mos e pranuar të keqen. Deri sa dy arkivole, me djalin e madh dhe me djalin e vogël, Artanin dhe Edmondin, i mbërrijnë, për t’i dhënë vdekjes fytyrë. Dhe kur mbërrijnë dy prej të pestëve, ajo e di fundin, e kupton të pashmangshmen. “Kur në vitin 2005 gjenden trupat e Artanit dhe Edmondit, pasi kthehet nga varrimi, ajo heq dy pjata nga sofra. Të nesërmen sofra është me dy pjata mangët. Por, dreka e hijeve më nuk vazhdon. Ajo heq edhe tri pjatat e tjera, sepse e kupton se Halimi, Armendi dhe Ardiani, nuk do të vinin pa ata të dy, se ajo do t’i pyesë sesi u ndanë nga djali i madh dhe nga djali i vogël, dhe këta s’do të mundnin, a ndoshta s’do të dinin çfarë t’i thoshin. Ajo heq edhe pjatën e vet të paprekur dhe e lë në kuzhinë. Tërheq zvarrë papuçet nëpër korridor, del në oborr, ulet te shkallët dhe pret. Dikush e sheh si një grua që sa ka jetuar, s’jeton. Dikush tjetër e sheh si një mit që jeton gjithmonë..”. ( Ag Apolloni, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, 2021, “Skanderbeg Books”, Tiranë, f. 99)

    Thirrjeve të nënë Ferdonijes i bashkohen në sfond të muzeut, si një muzikë e orkestrës së kujtimeve, edhe “Thirrjet e nënave”, të cilat janë mbledhur në një shoqatë ato nëna që rrëfejnë në të njëjtën skenë, në të njëjtat karrige, si për të thënë se dhimbja e tyre është bërë një rrugë e përbashkët. Është “Rruga e dhimbjes dhe kujtesës”, që ka nevojë për shumë hapa, që të mos mbetet e shkretë, që të mos mbetet e pashkelur, që të mos mbetet e panjohur nga ata që nuk e jetuar tmerrin, që nuk e imagjinojnë dot ligësinë. Është një muze që nuk vlen vetëm për aq kohë sa ka ende varre të hapura që presin trupat e munguar dhe për lotët që presin të bien aty ku edhe ka një emër. Nënë Ferdonija dhe gjithë ata që janë “pjesë e atij muzeu” janë piktura që na duhet ta shfaqim kudo për të mos e lënë të keqen të harrohet, për të mos e lënë tmerrin të na bëhet ngjyra e normales sonë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pasnesër fillon viti i ri mësimor me prezencë fizike

    Lajmi i rradhës

    Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

    Lajme tjera

    Barbarët brenda nesh

    Arlind QoriNga arkivi, viti 2020 Protesta e rinisë së periferive pas vrasjes së vërsnikut të tyre Klodian Rasha…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë