Një popull “i çmendur” që prijësit i çmend…

    FRANO KULLI

    Dje e dëgjova se, për agre sorin që me 6 dhjetor, në mesditë, goditi zotin Sali Berisha, duhen jo më pak se 40 ditë të vërtetohej nëse ai është një i çmendur ose jo. Dhe i gjithë debati përreth atij akti të shëmtuar e të rëndë fort, të asaj dite, përcillet aty në atë qerthull fjalësh. Është a nuk është i çmendur agresori! Mirëpo, duke e ditur se çudia më e madhe në këtë vend zgjat vetëm tri ditë, në mos ndodhtë kështu, siç ka ndodhur gjithherë ndër ne, synimi ka qenë i qartë: ngjarja, sa më shpejt të bëhet e paqenë. E të vijojnë mbasandaj pa u ndalë tamtamet e festës së mikpritjes, që prijësi e ka kuruar me duar e veta…

    Në të vërtetë, dy pamjet e mesditës së 6 dhjetorit në Tiranë, janë dy pamje në një. Edhe pse krejt të përkundërta: njëra pamje festive mikpritjeje e mirëpritjeje të prijësve të Evropës dhe tjetra, e një dhune ekstreme mbi udhëheqësin e opozitës, themeluesit të saj qysh se opozita politike ka rilindur mbas një gjysmë shekulli diktaturë, në fillim vitet ’90.

    Janë dy pjesë të së njëjtës, jo vetëm pse ndodhën në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në kryeqytetin e Shqipërisë, jo vetëm se ndodhën, në fakt në dy perimetra të skicuar e të rrethuar në mënyra të ndryshme, po në të njëjtën sipërfaqe të qendrës së Tiranës. Por përmbi këto, janë dy ngjarje, që hamendësimi edhe më i largët mundet me i bashkëngjitë. Dhe aspak “deus ex machina”, po në njëfarë mënyre, vetvetishëm.

    Vetvetishëm, sepse, klima e gjithhershme politike, por sidomos kjo e kohëve të fundit, gjithçka lëviz në atmosferën e saj, me shumë re e me pak kthjelltësi, këtë mundet me sjellë. “Moti i mirë duket në mëngjes”. Shqipëria politike është në pikën e saj të një demokracie të shpartalluar. Qeveria dhe opozita janë vite drite larg në galaktikën e bashkekzistencës, domethënë e pranimit të njëra-tjetrës, e pranimit të të ndryshmëve, të mendësive dhe të koncepteve të ndryshme. Sepse në këtë mes është prishur e gati asgjësuar forca rregullatore përbashkuese, vota e lirë. Votuesit shqiptarë, pra populli ka në dorë “çelësat e kashtës” të ngrehinës së demokracisë. Prijësi i pushtetit është prijësi i Shqipërisë, ai që prin gjithçka në këtë vend, atë që i takon të prijë e atë që s’i takon të prijë. Vret e pret përditë, sa i ha krahu. Me fjalë, më së pari, se ka do kohë që atij fjala i rrjedh si përrua (…). Po, thonë se “gjuha (fjala pra) kocka s’ka, po kocka thyen”. E kështu, përroi i psikikës rrjedh fjalë e fjala bëhet dinamit. Dinamit që shemb hotelin e të pasurit, fermanin për të cilin vetë e ka pasë dhënë, njësoj si jerevinë (kthinën) e të vorfnit pa hak e hile, shemb teatrin gati shekullor të kryeqytetit dhe ngre përreth kulla plot mister të lavdisë së shtatlartësisë së vet…

    E rinia turitet e rinia ikë. Për më mirë i merr rrugët e botës, pa u zorit se len këtu vjetërsi. Prindër të vjetër e mendësi të vjetra, ende të paçliruar prej reminishencave të diktaturës. Dhe prijësit e çmendur në lumninë e vet, në ekstazën e ethshme të sundimit prej trashëgimisë së etërve të vet. E prej saj, tash kërkohet një i çmendur që të godasë me grusht kundërshtinë e mizorisë. Opozitën, që prijësi e do të paqenë. Se kështu populli i sunduar sundohet ma lehtë. Sidomos në një ditë që sytë e Evropës janë këtu, ndër ne e midis nesh. Edhe pse Evropa, siç po duket, ma së pari, pëlqyeka shfaqjet tona të zbukuruara që udhëheqësia luan sesa thelbin e funksionimit të shoqërisë sonë, sesa u zoritka për qeverisjen që qelbet në korrupsion e nivelin e demokracisë së saj që është ulëritës. Prijësi e ka kuptuar herët se ç’duan ata dhe me zotësi e bukuri që vret e shpërfaq atë. Hipur mbi supet e një populli, i cili përkujdesjen për vete e për të drejtat e tij në rrugën e demokracisë, ia ka dorëzuar dëshpërimit. Dhe ky ritëm i ecjes sonë i ka dehur e po i çmend prijësit tanë, sundimtarët tanë, që vetë i gradojmë si të tillë. Tashmë, ata nuk njohin zgjedhës e as popull që ka tagrin përmbi ta. Që, gjasme i zgjedh si shërbyes dhe më shpejt se të zgjidhen bëhen sundimtarë. Sundimtarët tanë, që ne na bëjnë të marrë…E ne nuk zemërohemi. Kemi harruar se duhet të zemërohemi fort, derisa t’i rrëzojmë ata. Ata e ata, derisa të kemi gjetur shërbyesit e administrimit të jetës sonë e të prosperitetit tonë. E jo të ikim, nga sytë këmbët e t’i lëmë fatet tona në dorë të prijësve që çmenden. E çmenduria e tyre të na rraskapitë jetën tonë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Lëvizja Antibixhoz: Do të protestojmë, Qeveria injoron kërkesën tonë për lojërat e fatit

    Lajmi i rradhës

    Qeveria akoma nuk e ka përgatitur ligjin për prejardhjen e pronës

    Lajme tjera

    Me kufje

    EDISON YPI Pas përvojave sporadike fëmijënore para ushtrie, pak gjatë ushtrie, por sidomos pas ushtrie, kisha realizuar një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë