Një vit i mundimshëm

    LEONARD DEMI 

    Presidenti Vladimir Putin e filloi vitin e ri me objektivin e vjetër: të shtypë sovranitetin e Ukrainës bashkë me shpresat për t’u bërë një vend demokratik i lidhur ngushtë me BE-në dhe NATO-n. Ai beson se vëmendja dhe vendosmëria perëndimore për të mbështetur Ukrainën do të lëkunden nëpërmjet dhunës.

    Me urdhër të tij, forcat ruse kryen sulmin më të madh me raketa dhe dronë kundër Ukrainës, që nga fillimi i luftës. Ato goditën objekte industriale dhe ushtarake, infrastrukturë kritike në qytetet kryesore të vendit, përfshirë, shtëpi lindje, institucione arsimore, qendra tregtare dhe ndërtesa banimi.

    KUNDËROFENSIVA

    Në konferencën e fundvitit, Presidenti Zelensky pranoi se kundërofensiva nuk kishte dhënë rezultatet e shpresuara në zmbrapsjen e forcave ruse, të cilat kanë pushtuan një të pestën e territori të Ukrainës, por theksoi se kundërofensiva ka forcuar mbrojtjen e vet ajrore dhe ka shënuar suksese në përballjen detare në Detin e Zi, madje ditët e fundit të dhjetorit, forcat ukrainase shkatërruan Novocherkassk-un, anijen e madhe të zbarkimit të flotës ruse, duke sfiduar dominimin rus në Detit e Zi.

    Ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë në analizat e tyre retrospektive vërejnë se kundërofensiva e Ukrainës nuk mundi të japë goditjen e pritshme dhe mungesa e rezultateve kanë nxitur fërkime dhe kritika midis Uashingtonit dhe Kievit, të cilat ngrenë pikëpyetje më serioze rreth aftësisë së Ukrainës për të rimarrë pjesë të konsiderueshme të territorit të pushtuar.

    Këta studiues rreshtojnë një sërë arsyesh, si: pamundësinë e forcave ukrainase për t’u transformuar në një forcë të stilit perëndimor në një periudhë të shkurtër, sidomos, pa kapacitete ajrore, që janë pjesë përbërëse e ushtrive moderne; kundërofensiva ishte e realizueshëm me trupat dhe kapacitetet që kishte, por njësitë drejtuese edhe pse të pajisura me armët më të reja perëndimore, nuk kishin përvojë luftarake; mospajtime të ashpra mbi strategjinë, taktikat dhe kohën për fillimin e sulmit; ekspertët amerikanë sugjeronin që sulmi të kryhej vetëm në një drejtim, gjatë boshtit jugor, ndërsa komanda ukrainase sulmoi në tri pika të ndryshme të një fronti prej 960 km; forcat ukrainase dështuan në taktikat bazë ushtarake, përfshirë zbulimin e fushave të minuara; ndërprenë përkohësisht komunikimet: Komandanti i Forcave Amerikane në Europë, për javë të tëra, nuk mundi të kontaktonte me kryekomandantin e Ukrainës për shkak të tensioneve dhe kritikave të komandantit amerikan ndaj mënyrës së drejtimit të betejës; nënvlerësimi i forcave kundërshtare etj..

    Kësisoj, në përfundim të kundërofensivës, Ukraina mundi të rimarrë vetëm rreth 518 km2 nga territoret e pushtuara, me një kosto prej mijëra të vrarësh dhe të plagosurish, si dhe miliarda dollarë ndihmë ushtarake perëndimore të ofruar vetëm në vitin 2023. Është për t’u theksuar se komuniteti i inteligjencës amerikane ka qenë mjaft i kursyer në vlerësimin ushtarak të ushtrisë ukrainase, sipas tij, shansi i suksesit vërtitej rreth 50 për qind. Kundërofensiva e Ukrainës e vitit 2023 ishte shumë larg arritjes së objektivit të vet: dëbimit në shkallë të gjerë të trupave ruse.

    Nuk mund të mohohet që ky zhgënjim ka ndikuar në moralin ukrainas. Megjithatë, do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se Ukrainës i mungon vullneti apo aftësia për të luftuar në mënyrë efektive. Nëpërmjet luftimeve, Ukraina arriti të mbrojë një korridor jetik në Detin e Zi për eksportet e veta të grurit. Komandantët ushtarakë ukrainas i kanë rekomanduar President Zelensky të rekrutojë këtë vit 450,000 deri në 500,000 trupa: një shifër e madhe për Ukrainën dhe ekspertët venë në dukje se mobilizimi është një sfidë shumë e rëndë, që po përballet edhe me ngurrim për të shërbyer në luftën e llogoreve.

    Gjithashtu, Ukrainës i nevojiten raketa sulmuese me rreze më të gjatë veprimi, avionë F-16, përforcimi i mbrojtjes ajrore dhe furnizime të vazhdueshme me predha dhe municione artilerie. Paqja e dëshiruar: largimi i trupave ruse nga Ukraina, ka pak gjasa të ndodhë këtë vit, ndërsa një luftë e gjatë vjen vërdallë dhe zoti Putin mund të pranojë kushte vetëm kur Ukraina të ketë mbështetjen e qëndrueshme ushtarake të miqve të saj në Perëndim.

    TENSIONE TË BRENDSHME

    Rivalët politikë të Presidentit Zelensky kanë filluar të venë në dyshim taktikat e tij dhe po e kritikojnë hapur, duke sugjeruar se ai duhet të jetë më realist dhe më pak rozë në deklaratat e tij publike për luftën. Kryekomandanti ushtarak, gjeneral Zaluzhny, goditi rëndë më 1 nëntor, kur i tha “The Economist” se lufta kishte arritur në një ngërç dhe se hendeku midis mesazheve zyrtare dhe situatës në terren nuk është më bindës dhe nuk motivon ukrainasit apo partnerët perëndimorë. Po kështu, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka akuzuar presidentin për autoritarizëm.

    Zelensky i ka hedhur poshtë deklaratat për marrëdhënie të tensionuara me gjeneralin Zaluzhny dhe ndarjet midis udhëheqjes politike dhe ushtarake të vendit. Zelensky i konsideron mesazhet optimiste si mënyrën e vetme për të siguruar ata, që dyshojnë në Perëndim, si dhe për të forcuar besimin e bizneseve ukrainase, burim jetik i luftës. Zelensky, fillimisht e kritikoi gjeneralin për komentet, por më vonë pranoi mungesën e përparimit në luftë dhe theksoi se Zaluzhny mban përgjegjësi për rezultatin në fushën e betejës.

    Gjeneral Zaluzhny shihet si një rival potencial i Presidentit Zelensky dhe disa e shohin si një president të ardhshëm, megjithëse ai nuk ka dëshmuar asnjë ambicie politike. Mbështetja për President Zelensky, dikur shumë e lartë, po luhatet. Një sondazh i publikuar muajin, që shkoi, nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev tregoi se zotit Zelensky i besojnë 62 për qind e ukrainasve nga 84 për qind që ishte dhjetorin e kaluar.

    NDIHMAT

    Ndihma ushtarake dhe ekonomike jashtëzakonisht e nevojshme për të vazhduar luftën çlirimtare kundër pushtuesit rus ka ngecur në Uashington dhe Bruksel: 64 miliardë dollarë janë bllokuar nga ligjëvënësit republikanë dhe 50 miliardë euro nga kundërshtitë e Hungarisë. Ndërkohë, raportet nga fronti venë në dukje se forcave ukrainase po u mbarojnë municionet e domosdoshme, gjë që i detyron të kufizojnë disa operacione, kur ushtria ruse po bombardon vazhdimisht me raketa dhe dronë qytetet në mbarë vendin dhe trupat ruse përpiqen të përparojnë në lindje dhe jug të vendit.

    Një raport i Institutit për Studimin e Luftës, “think tank amerikan”, vëren se Rusia mund të pushtojë të gjithë Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të shkurtojnë ndihmën ushtarake për Kievin. Pos kësaj, në Partinë Republikane po qarkullon një skepticizëm në rritje mbi aftësitë e Ukrainës të sprapsë forcat ruse me gjithë ndihmën që kërkon. Pa ndihmën e pakursyer ushtarake dhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk do të ishin kurrsesi në gjendje të qëndronin dhe të mbronin vendin e tyre, por vonesat po vështirësojnë luftimet kundër pushtuesve rusë dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve ta miratojnë këtë ndihmë në fillim të vitit të ri.

    E kundërta do të thotë të lësh presidentin rus të fitojë, gjë që do të sillte një makth edhe më të madh për sigurinë euroatlantike. Në Capitol Hill, afati i pashprehur për kalimin e ndihmës për Ukrainën është 19 janari, datë që pritet t’i tregojë njeriut në Kremlin se demokracia funksionon dhe kjo është ajo për të cilën po lufton Ukraina.

    ASETET E NGRIRA TË RUSISË

    Administrata e Presidentit Bajden po joshet nga ideja e përdorimit të aseteve të ngrira të Rusisë për të paguar rindërtimin e Ukrainës. Në nëntor, Komisioni i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve miratoi projektligjin për të konfiskuar asetet e ngrira ruse si buxhet shtesë për rindërtimin e Ukrainës. Shumica e këtyre aseteve prej 300 miliardë dollarësh janë në Belgjikë ose Zvicër dhe vetëm rreth 2 për qind e tyre janë në Amerikë.

    Kësisoj, gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara dhe BE do të përballen me trysninë për të shpenzuar asetet e ngrira ruse, që në një koncept më të gjerë, do të thotë investim për të frenuar agresionin ndërkufitar. Por, si gjithmonë, Europa nguron, veçanërisht Berlini. Debati sillet rreth ligjshmërisë të konfiskimit të aseteve të ngrira ruse dhe dëmit, që mund t’i shkaktojë ky veprim euros.

    Administrata “Bajden” po i përqendron përpjekjet e veta diplomatike te vendet e G7 për të gjetur një zgjidhje deri në fund të shkurtit. Nga ana tjetër, qeveria ruse paralajmëron se masa do të përballet me hakmarrje drastike.

    NEGOCIATAT APO NGRIRJA E LUFTIMEVE

    Në fund të vitit 2023, Presidenti Zelensky u tha gazetarëve se vendi i tij nuk po e humb luftën dhe se është i përgatitur të negociojë me Rusinë, por vetëm me kushtet e veta të njohura si 10 pikat. Kur propozimi i Zelensky-it do të marrë formën përfundimtare, do t’i paraqitet për miratim një grupi prej dhjetëra vendesh, që po përpiqen të zgjidhin situatën, si: Shtetet e Bashkuara, vende të BE-së, Arabia Saudite, Brazili, Kina, India etj..

    Rusia nuk është ndërmjet të ftuarve, por zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, vërejti se “Rusia do ta monitorojë takimin”, pasi duhet “të kuptojë plotësisht se cilat do të jenë synimet”. Po kështu, kumtimi i “The New York Times”-it i 23 dhjetorit flet për një armëpushim, i cili duket i pamundur për ukrainasit se ka për qëllim ngrirjen e konfliktit, duke e lënë Moskën të kontrollojë 20 për qind të vendit të tyre dhe i ofron Putinit pretendimin e fitores. Pos kësaj, presidenti rus nuk është i besueshëm, ai mund të zgjatë negociatat për të forcuar trupat e tij për një mësymje të re, si dhe të joshë ligjvënësit perëndimorë për të shkurtuar ndihmën për Ukrainën; ai mund të kërkojë të fitojë kohë me shpresë se Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    Konflikti, sidoqoftë mund të marrë një kthesë të papritur, siç ka ndodhur më parë. Por perspektiva e kësaj pike është një luftë e gjatë atriti (rrënuese), që do sakrifikojë gjithnjë e më shumë jetë luftëtarësh, do të shkaktojë gjithnjë e më shumë dëme, dhe do të nxitë paqëndrueshmëri në Europë. Historiani Michael Kimmage, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, në librin e tij të fundit “Collisions/Përplasjet” thotë se në të ardhmen e parashikueshme, Ukraina do të jetë kufiri më i rrezikshëm gjeopolitik i Europës. Ai parashikon një konflikt të pafund që thellon shkëputjen e Rusisë nga Perëndimi, mishëron putinizmin dhe vonon integrimin e Ukrainës në Europë.

    PËRFUNDIM

    Bombardimet dhe sulmet e 29 dhjetorit i treguan Perëndimit dhe udhëheqësve të vet se qëllimet e Vladimir Putinit në Ukrainë mbeten të pandryshuara dhe se ai nuk është vërtet i interesuar për armëpushim apo për ndonjë zgjidhje me negociata. Putini beson se Ukraina dhe aleatët e vet kanë arritur fundin dhe shpreson për kolapsin perëndimor nën presionin e tij të vazhdueshëm.

    Instituti për Studimin e Luftës arrin në përfundimin se Rusia do të vazhdojë të sulmojë Ukrainën për të degraduar moralin ukrainas dhe aftësinë e Ukrainës për të luftuar kundër Rusisë, prandaj ndihma perëndimore mbetet jetike për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse dhe mohimi i kësaj ndihme do të nxit një fushatë tjetër sulmesh kundër Ukrainës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ushqimet që duhet t’i hani kur keni dhimbje gjatë menstruacioneve

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: të vazhdohet afati për nxjerrjen e dokumenteve personale

    Lajme tjera

    RASTI I ÉNISSA AMANI

    A DO TË MOBILIZOHEN SHQIPTARËT KUNDËR RACIZMIT NË GJERMANI? Andreas Winhart, një politikan nga partia e djathtë populiste…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë