Pacientja serbe

    MIMOZA DAJÇI

    Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë apo nacionalitete të tjera. Sapo kisha filluar turnin e natës, pacientja që do të merrja nga salla e urgjencës për të bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, afrikano–amerikan më tha, “po ta le ty këtë paciente, mu duk shqiptare, por qenka serbe”. U turbullova pak, por shpejt e mblodha veten. Puna teknike në spital, në departamentin e radiologjisë, më bën të ndihem mirë kur u shërbej me modesti të sëmurëve, më ndihmon edhe financiarisht. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, kujdesem për të gjithë njësoj, por nuk e kisha çuar në mendje se si do të veproja në një rast të tillë…

    I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulsione të forta. Kishte temperaturë të lartë, nga çasti në çast mund të kalonte edhe në koma. Në urgjencë, sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi për të përballuar të ftohtin që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.

    E pyes për emrin, por jo vendin nga vinte. Së pari privatësia e pacientit, por edhe kolegu më tregoi që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga një vajzë e re. Ishte e motra. Ndërkohë, ato mësuan për mua që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë. “Mos u mërzit – i thashë – këtu je në duar të sigurta e do të bëhesh mirë”. Mora tri batanije të bardha të ngrohta nga një makineri mikrovale që mban të ngrohta batanijet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej e të vinte në vete. U çuditën të dyja, më thanë njëzëri faleminderit.

    “Nëse ju duhet diçka tjetër – i thashë – mos hezitoni”. “Montefiore” Hospital në Nju Jork tashmë renditet ndër spitalet më të suksesshëm në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje. Ka pacientë edhe nga Shqipëria dhe Kosova që kanë gjetur shpëtim. Në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojes, i tregova situatën e rëndë në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri, më falënderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falënderuan.

    Njëherazi të dyja më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës… Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e nënave tona të pa mbrojtura gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita-ditës, duke lenë fëmijët jetim… Gjithashtu, nga media kisha dëgjuar se në Tribunalin e Hagës, ish-ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, kishte kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se gjatë vitit 1999 ishin bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se kishte marrë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç. Mbase edhe vajzat serbe të njëjtat histori lufte po mendonin, përderisa më shikonin ashtu të habitura… Ndoshta jo!

    Lajmi Paraprak

    Burrat e përdhunuar gjatë luftës në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Rrethimi demokratik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë