Parlamenti Europian e pa Serbinë me sytë e Albin Kurtit

     ANDI BEJTJA 

    Sot mund të thuhet pa hezitimin më të vogël, që më në fund, Europa për herë të parë e pa Serbinë me sytë e Prishtinës. Për këtë u desh shumë mund, rezistencë ndaj “stërkëmbëshave” tinëzarë të Tiranës e të disa aktorëve ndërkombëtarë jo pa peshë, u desh shumë “kokëfortësi”, shumë dinjitet dhe fatkeqësisht, pse jo dhe cinikisht u desh edhe një polic dëshmor.

    Parlamenti Europian me një rezolutë të posaçme e dënoi Serbinë më shumë dhe më fort se kurrë, duke e cilësuar 24 shtatorin jo thjesht sulm terrorist të mirëfilltë, por duke u bërë thirrje dhe vendeve të tjera të BE-së që nuk e kanë dënuar këtë sulm të bëjnë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë dhe duke bërë thirrje për heqjen e atyre sanksioneve fëminore ndaj Kosovës, gjithashtu duke e bërë të qartë në mënyrë eksplicite se asnjë masë e ngjashme me thirrjet përçart me pezullimin e vizave nuk mund të kondicionohet me dialogun.

    Kjo rezolutë në të njëjtën kohë hodhi në kosh konferencën për shtyp në Tiranë të Makronit me Ramën bashkë me gabimin e përkthyeses së gjorë, ku u fol me ankth për pezullim vizash, duke e nxjerrë Makronin një politikan adoleshent, bashkë me falënderimin e Vuçiçit për të nga Kina: po hajt të shkuara të harruara, Rama nuk do ketë fatin e keq t’i dridhet mishi nga frika e pezullimit të vizave. Jashtë humorit, përmbledhtazi, minimumi janë tre shqiptarë që duhet t’i përtypin mirë leksionet që u dha kjo rezolutë.

    I pari është Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, i cili në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë nuk bëri as një të dhjetën e Kancelarit Gjerman, duke mos bërë asnjë çerek thirrjeje për sanksione ndaj Serbisë, i cili nuk hezitoi ta quante Albin Kurtin Oso Kuka, të çmendur, që do mbetej i vetëm i izoluar, që në fakt ishte edhe i pari që indirekt i vuri sanksione Prishtinës, duke anuluar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. I dyti padyshim është Abazoviç, që e quajti Ramën: ‘Baba të Kombit’.

    Dhe këtu nuk ia vlen të ndalesh më gjatë. Dhe i treti, politikani dhe biznesmeni Behxhet Pacolli, që na pataksi kur nuk iu drodh qerpiku kur e portretizoi Ramën në një prononcim që është bërë viral në “TikTok” si dhjetëfish më të zgjuar se mesatarja e gjithë liderëve kosovarë, kosovarëve në përgjithësi, pra përfshirë edhe atë vetë. Aq shumë e pa Europa sot Serbinë me sytë e Albinit, sa në të njëjtën ditë me rezolutën, Komisioni Europian paraqiti një pako me propozime për të ruajtur më mirë kufijtë e BE-së nga emigrimi ilegal.

    Me propozimin e ri, liberalizimi i vizave do të mund të pezullohet edhe për shkak mospërshtatjes të regjimit të vizave të atyre vendeve me regjimin e BE-së për shtetasit e tretë. Burimet e Komisionit, në mënyrë të veçantë kanë përmendur Serbinë që ua kishte hequr vizat vendeve si Kuba, Tunizia apo Burundi… (Ky është dhe një apel indirekt për Shqipërinë në qoftë se nuk heq dorë përfundimisht nga ‘Pasaportat e Arta’ dhe amnistia fiskale).

    Konkluzioni shkurt dhe shqip: Europa më në fund e pa dhe me sa duket do të vazhdojë ta shohë Serbinë me sytë e Albinit, por sa kohë dhe çfarë i duhet Ramës, për ta parë Serbinë me sytë e Europës!? /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A është supa ushqimi i duhur që duhet të hani kur jeni me grip?!

    Lajmi i rradhës

    Ngrënia e thonjve – Vesi i keq që nxit infeksionet

    Lajme tjera

    Frytet e inatit

    BLENDI KAJSIU Thonë që në turqisht ekz iston shprehja “inat sh qiptari”, që nuk i referohet thjesht kapacitetit…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë