Etnografia absurde e komunikimit Rama-Berisha?!

    BEN ANDONI

    Tandemi Rama-Berisha do jetë një objekt i vazhdueshëm studimesh për njerëzit e komunikimit dhe mbase në të ardhmen edhe për studiuesit e filozofisë politike. Të aftë për të thënë të kundërtën e asaj që shihet hapur dhe zhvillohet rëndom në vendin tonë, të pamundur për t’u dorëhequr edhe kur morali nuk u tregon rrugë shpëtimi, ata drejtojnë vendin tonë në pozitë dhe opozitë të pa shqetësuar nga asgjë.

    Me një ligj anemik partish dhe me fuqinë e madhe të Marrëveshjes së vitit 2008, tandemi qëndron i plotfuqishëm dhe tejet efikas para çdo lloj sfide. E fundit është ajo që ndodhi me “Revolucionin e Flamingove”, kanalizuar tashmë me Revoltën e Studentëve, ku tandemi jo vetëm ua mori protestën, por tashmë u dirigjon dhe rregullat e komunikimit.

    Shkak për këtë shkrim ishte hasja në panairin ndërkombëtar të një shteti fqinj, të një libri bazik me titullin “Etnografia e komunikimit”, shkruar nga Dell Hymes. Me shfletimin e tij kupton se pse koncepti i përmbledhur në këtë togfjalësh është një nga më të arrirët për të kuptuar politikën e sotme shqiptare, pasi ajo nuk bëhet vetëm me aktet dhe nga rezultatet e zgjedhjeve tona apo me ligjet që prodhohen, por bëhet edhe me mënyrën sesi politika flet.

    Konceptin e ndërtoi një polimath i vërtetë. Haimz (Dell Hathaway Hymes) është i fiksuar në biografitë ndërkombëtare si gjuhëtar, sociolinguist, antropolog dhe folklorist. Merita e tij është se hodhi për herë të parë themelet disiplinore për studimin krahasues e etnografik të përdorimit të gjuhës. Hulumtimet e tij patën si bazë fenomenet e vërejtura te gjuhët e rajonit të Paqësorit Veriperëndimor. Për t’i dhënë pak kontekst kohës, sot, studiuesit thonë se ideja erdhi si sfidë ndaj Chomsky-it që barazonte gjuhën me gramatikën, pra nëse kishe njohuri të mirë të saj, njeriu kishte aftësi të mësonte gjuhë. Paçka kundërshtimeve, është e vërtetë se baza e punës së një poligloti është pikërisht përballja fillestare me gramatikën dhe pastaj shkuarja tek gjuha. Haimz, në këtë kontekst, argumentoi se njohja e gramatikës nuk mjafton. Duhet të dish dhe të kuptosh qartë konceptin e asaj që ai e emëroi si kompetenca komunikative. Pra, duhet të dish se KUR, KU, ME KË, SI dhe PËR ÇFARË duhet të flasësh. Me pak fjalë, etnografia e komunikimit studion se jo çfarë thuhet, por si, kush, ku, dhe çfarë nënkupton fjala në një moment të caktuar. Falë Etnografisë së Komunikimit, dikush kupton shumë mirë sesa e kanë përsosur Rama dhe Berisha artin e tyre të komunikimit, pasi ai shkon gjithnjë sipas interesave të tyre dhe nuk i merr fare parasysh normat morale që kufizojnë, kërkojnë apo që shprehin kufij etikë. Para se të funksiononte parlamenti shqiptar në vitet ’20, shqiptari e bënte politikën e vet në Odë dhe në Kuvendet e Burrave. Një tufë ligjesh të sanksionuara në Kanun por edhe në kujtesën popullore caktonte rend kanonik fjale. Prioritet ishte i pari i Fisit; shpesh përfaqësuesi i parë i një Familje që kishte Bajrak; fliste Miku dhe ai që kërkonte apo që jepte besë. Kaq i kanonizuar ishte rendi, saqë shmangja nga rregulli të bënte të penalizoheshe rëndë: Më së shumti me Turpin (Parimi për ruajtjen e nderit). Sot, kodi etnografik në politikën tonë e kryeson primati i PS-së ose PD-së, pasi është ai që ka prioritet në parlament, studio dhe kudo (Shpesh zgjedhin dhe të ftuarit). Ndërkohë në parlamentin tonë, abuzohet ende me fjalën e dhënë por jo me dokumentin e programit, kontratën bazë që u kërkohet politikanëve. Besa (edhe pse përdoret lodhshëm), sot, ka dalë në plan të dytë sepse sistemi bën që politikanët ta hanë rëndom fjalën e tyre, ajo që dikur ishte e shenjtë, kur s’kishte institucione.

    Veçmas, në kulturën shqiptare, sidomos në Veri dhe në Jug, por më shumë në zonën e Labërisë, kritika e drejtpërdrejtë dhe sidomos e adresuar konsiderohet si fyese. Kjo bëri që ish deputeti i PS-së Mazreku e qëlloi në parlament në vitin 1997 të ndjerin Azem Hajdari!! Shpullat, ofendimet rrahjet e politikanëve janë zakonshmëri. Prej vitesh, pas ashpërsisë së gjuhës tani flitet rëndom me stigmatizime, anektoda fshati, metafora, simbolizma që zakonisht e kanë një emërues të përbashkët “e kupton ti se për kë e kam”. Po Berisha dhe disa herë Rama nuk falin dhe me emra direkt veç epiteteve fyese. Në masë jo të vogël ky është argëtim kombëtar, por për studiuesin e huaj dhe vendas, kjo quhet fyese. Nuk po përmendim median, ku lufta bëhet për zërin më të lartë ( lartësia e valës zanore), kush shan rëndom spiun apo tradhtar dhe kush do të thotë batutën e fundit. Kësaj i shtohet edhe një fenomen: Disa politikanë shkojnë me batutat gati në mënyrë që t’i shërbejnë të gatshëm reels-ave të prodhuar enkas për platformat sociale. Rama dhe Berisha janë mjeshtër të këtij fenomeni dhe ndaj kanë mbulimet më të mëdha. Ky është problemi që hasin ata që e shikojnë nga jashtë politikën tonë. Duan të gjykojnë programet, por ne bindshëm votojmë për mënyrën e të folurit Rama dhe Berisha! Njësoj veprojnë kryetarët respektivë të grupeve parlamentare, Balla dhe Bardhi dhe deputetët e tjerë. Dy mjeshtërit e tandemit shqiptar e kanë kuptuar më së miri fabulën, atë që Etnografia e komunikimit, e shpjegon qartë: Në Shqipërinë tonë nuk respektohet dhe fiton ai që ka të drejtë me programin, përkundrazi, ia del ai që të thotë si i pëlqen fjala publikut tonë, ku dhe cili auditor do ta dëgjojë dhe, para kujt do ta thotë.

    Kryeministri Rama duke shfrytëzuar revoltën e studentëve kur mori përgjigje negative për një vend dialogu dhe mënyrën e përfaqësimit (kërkesa e studentëve është dorëheqja e tij) e zhvendosi dialogun jashtë, mu përpara Kryeministrisë. Në karriget e nxjerra nga institucioni vendosi etiketën “Dialog”. Në modelin e komunikimit etnografik, “u ul” ai dhe u tha studentëve: Po ju pres në mjedisin tuaj, Bulevardin! Simbolika shkoi dhe më tej, kur vendosi vetë etiketat, pa lënë shpotitë për pedagogët dhe duke u dhënë një lloj garancie (!), ndërkohë që hartoi një listë që e drithmoi protestën për dënimet e ashpra dhe që ishte krejt asimetrike. Studentët u kapën në befasi dhe bënë më të thjeshtën: Përmbysën karriget dhe i thyen, kurse Rama korri fitoren e tipit komunikativ: Unë jam për dialog, ata janë të dhunshëm!!

    Berisha bëri diçka më finoke në etnografinë komunikuese, e cila i shkonte pozitës së tij. Nuk mund të dilte në krye të protestës sepse protestuesit e refuzonin njësoj si Ramën, por përkrahu familjen e tij me pedagogët duke e mbështetur nga jashtë. Me grupin e tij parlamentar ( të bindurit) e vazhduan kauzën “e tyre” në parlament. Qysh nga konferencat e tij të shtypit, e kanalizoi atë nga “protestë studentore” në “protestë për qeveri teknike”. E kapi protestën, bash në mes të rrugës dhe tashmë e menaxhon me masën. Nuk mund të thuhet indirekt se s’ka një farë dialogu, por ama nuk ka gjuhë të përbashkët se për çfarë po bëhet dialogu. Përfundimi i Raportit të Progresit të KE-së (5 nëntor) e shprehu më qartë: “Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv.”

    Sot, që njerëzit janë disi më të qetë dhe studiuesit kanë bazën e parë të elementeve të gjykimit nga pikëpamja e shkencës politike, tandemi Rama & Berisha po e përdorin “dialogun” si mjet, jo si qëllim. Rama e kërkoi dialogun vetëm pasi plasi protesta që kërkon dorëheqjen e tij dhe që ai e kundërshton. Por, me norma: Dialogu bëhet kur nuk ke presion, kurse dorëheqja që i kërkohet, ai i jep përgjigje me një listë të zezë. Etnografia e komunikimit e fut këtë në atë që njihet si dual persuasion: jep dy mesazhe kontradiktore njëkohësisht, pra çfarëdo që bëjnë studentët, mbeten fajtorë! E nëse ata afrohen: U bindesh rregullave të tij. Nëse nuk vjen: Je “i dhunshëm”. Berisha, nga ana tjetër ka një gjë të vockël, por të madhe në thelb: Ai i mbështeti “Flamingot” jo kur protesta ishte e vogël dhe po ngrihej (kërkohej në kor njësoj ikja e tij), por kur shtypi ndërkombëtar e vendosi në qendër të argumenteve dhe kronikave të veta. Kërkesat studentore i shndërroi në kërkesa mirëfilli të tij. Studentët kërkojnë kushte konviktesh, bursa, tarifa, kushte etj. Berisha kërkon veç këtyre, kryesoren që i duhet: Qeveri Teknike dhe largimin e Ramës. Me pak fjalë, hyri ngadalë nga dera e pasme si “përkrahës” dhe, po tenton të dalë nga dera e përparme si përfitues. Tashmë kaosin e ushqejnë dy dialogë paralelë që nuk mund t’takohen kurrë: ai i Ramës me karriget bosh dhe, ai i Berishës me protestën e kapur. Dhe? Etnografia e komunikimit na ndih t’i kuptojmë si duhet këta njerëz, të paktën në këtë moment. (Homo Albanicus) Panorama

    Lajmi Paraprak

    Çfarë është SEPA, ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë