Pasi e plaçkitën popullin, hajdutët e “Rilindjes” e vjedhin njëri-tjetrin

    KIM MEHMETI

    Mediat e Shqipërisë raportojnë për pastruesen që zonjës së shtëpisë ku ka shërbyer i ka vjedhur me qindra mijë euro. Ndërkohë del se e dëmtuar është një hajdute e rangut të ulët në taborin e hajnave të Rilindjes dhe si e tillë nuk e ka ditur se kur e plaçkitin hajdutin, ai nuk ankohet, por vetëm ua ndërron vendin parave të vjedhura.

    Pra, nuk ka vepruar ashtu si shumë hajna të tjerë nga vëllazëria e saj hajdutësh. E në të vërtetë, i gjithë ky rrëfim hajdutërie shpërfaq atë që dihet: se Shqipëria kalbet, se ajo është bërë mëmëdhe i hajdutëve dhe i kriminelëve të ‘Rilindjes’ dhe si e tillë, ajo është e ‘papërdorshme’ për popullin që jeton aty dhe e ‘padobishme’ për shqiptarët që jetojnë jashtë saj.

    Një Shqipëri e tillë, pra, mund të jetë e mira e hajdutëve, por fatkeqësi për të rinjtë e saj dhe për Kosovën e sotme që përballet me beteja të vështira politike lidhur me pavarësinë e saj. Për këtë Kosovë ku me ardhjen e VV në pushtet u ngjall shpresa se do bëhet shtet që do t’u takojë qytetarëve e jo pushtetarëve.

    E cila shpresë nga dita në ditë zbehet edhe shkaku se edhe pushtetarët e sotëm u treguan të pandjeshëm ndaj popullit të varfër, por shumë të kujdesshëm, për shembull, ndaj akademikëve që kanë vetëm një parim shkencorë: të majmen në grazhdin e shtetit e t’i shërbejnë qeverisë që ua mbush atë grazhd.

    Pra, shumë të kujdesshëm ndaj akademikëve që shkrimet e tyre të rrafshit gazetaresk duan t’i shpallin si punime shkencore të ASHAK-së, ndaj atyre që mbase pa dashje e mbajnë gjallë mendësinë antishqiptare serbe se Kosova nuk është djep i atdhetarisë dhe patriotizmit shqiptar, por fole e ‘bandave akademike’ dhe e ‘islamit politik’, i cili e rrezikon Evropën dhe nga i cili rrezik, përpos Serbisë, atë e mbrojnë edhe disa akademikë shqiptarë. Por, megjithatë, nuk mund të thuhet se Tirana zyrtare nuk bënë asgjë për shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut.

    Posaçërisht kur dihet se Kryeministri i Shqipërisë i ftoi në Tiranë kryesuesit e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, e të cilat prej moti janë vetëm kompani fitimprurëse për tenderokratët e tyre. Ku ta dish, mbase ky takim kishte vetëm një qëllim: t’u dëshmojë ‘Rilindësve’ të majtë maqedonas të LSDM-së se Tirana e piktorit kurrë nuk do t’i tradhtojë ata dhe degën e tyre shqiptare të quajtur BDI. Dhe nuk është e pamundur që gjatë këtij takimi, Kryeministri i Shqipërisë t’i ketë udhëzuar hajnat e partive shqiptare të Maqedonisë të mos i përsërisin gabimet e hajdutëve të ‘Rilindjes’ së tij dhe të kenë kujdes ku i fshehin parat e vjedhura. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    ‘Treni i Kulturës’ lidh Gjermaninë dhe Poloninë

    Lajmi i rradhës

    Pse rihapja e Kinës do të godasë fort ekonominë botërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë