PD po e kërkon në mënyrë të gabuar zgjidhjen e krizës

    FITIM ZEKTHI

    Kjo krizë, për ta fshehur veten, merr formë ose shfaqet si krizë e mosrespektimit të statutit, si krizë e mungesës së demokracisë, si krizë e mosrespektimit të votës, si krizë e luftës për godinën apo selinë, si krizë e interpretimit të rregullave etj. Në fakt, kriza ka të bëjë me pafuqinë e Partisë Demokratike për të qenë e vërtetë me veten, për t’i thënë vetes të vërtetën. Opozitat që në krye janë krijuar nga nevoja për të thënë të vërtetën, duke qenë se pushteti, qeverisja, sistemi që kontrollon institucionet dhe ekonominë, nuk ka interes të thotë të vërtetën. Që një opozitë ta bëjë këtë, ajo duhet të jetë në radhë të parë e vërtetë me veten, t’ia pohojë vetes të vërtetat.

    Sot vetëm duke ia thënë me ndershmëri vetes të vërtetën PD-ja mund të zgjidhë krizën. Në lidhje me rikthimin e z.Berisha në Grupin Parlamentar dhe me kandidimin e tij si kryetar i PD-së ajo nuk duhet kurrsesi t’i fshihet më së vërtetës. Ka vetëm dy mënyra se si mund të shihet me ndershmëri dhe me vërtetësi çështja e shpalljes non grata të z.Berisha nga qeveria amerikane.

    E para, ajo mund ta konsiderojë të padrejtë dhe për pasojë të papranueshme shpalljen non grata të z.Berisha, një figurë me rezonancë të thellë historike dhe të tashme në parti. Për pasojë, ajo mund të vendosë, deputetët dhe drejtuesit e saj mund të vendosin, që ta pranojnë z. Berisha në grupin parlamentar, ta pranojnë atë të bëhet kryetar i saj dhe të drejtojë më pas opozitën. Ata mund të zgjedhin dhe kjo është e drejtë, që të mbrojnë një njeri që i është rënë, sipas tyre, në qafë në mënyrë të padrejtë dhe të mos e llogarisin fare si të rëndësishme marrëdhënien me SHBA, çështjen e opozitës dhe ardhjen në pushtet. Ata mund të vendosin të shkojnë drejt një qëndrese të tillë vetëshkatërruese, duke mbrojtur të drejtën dhe dinjitetin e një njeriu që i është rënë në qafë në mënyrë të padrejtë. Në fund të fundit ia vlen të bëhen edhe beteja të pafitueshme në emër të së drejtës, ia vlen të humbësh apo shkatërrohesh në emër të së drejtës. E drejta është më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo fitore e zgjedhjeve.

    Nga një këndvështrim politik, kjo zgjidhje do të ishte në kundërshtim të plotë me misionin e politikës dhe të partive politike, të cilat ekzistojnë që të zgjidhin apo lehtësojnë hallet e njerëzve, të shoqërisë dhe të vendit. Nga një këndvështrim i tillë kjo do të thotë se partitë dhe politika nuk kanë në fokus të tyre vendin dhe njerëzit, por çështje të tilla si e drejta dhe dinjiteti i kujtdo qoftë sepse do të thoshin ata vendi dhe kombi nuk mbrohen nëse nuk mbrohet dinjiteti apo e drejta e kujtdo qoftë. Nga një pikëpamje e tillë, e drejta e një njeriu nuk është më e vogël sesa e drejta e mijëra njerëzve së bashku. Siç e thamë, kjo zgjidhje është vetëshkatërruese.

    E dyta, ajo mund të gjykonte se marrëdhëniet me SHBA janë jetike, pa to PD-ja (dhe Shqipëria) do të hynin në një qorrsokak, PD-ja do të izolohej nga entitete të tilla të fuqishme demokratike si SHBA-ja dhe do të tretej ngadalë. Historia e PD-së është e tillë që i ka konsideruar marrëdhëniet me SHBA-në jetike që në vitin 1991. Vlerat që PD ka thënë se mbron, edhe me statut, janë ato të marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në dhe Europën dhe me vlerat që ato bartin. Në këtë kuptim, duke qenë se këto vlera janë të paprekshme, jetojnë brenda aspiratës sonë kombëtare për një Shqipëri të drejtë dhe të lirë atëherë z. Berisha duhet të mos lejohet të jetë pjesë e grupit të PD-së. PD mund të thotë se shpallja non grata është një gjë e rëndë për PD dhe shqiptarët por ajo është diçka që e kanë bërë prej informacioneve të tyre dhe prej politikave të tyre SHBA-të vendi me ndikimin më të madh në mbajtjen në këmbë të parmeve demokratike në botë dhe mbrojtësi më i madh i shqiptarëve prej më shumë se 100 vitesh. Zgjidhja e dytë e bën PD-në partner të fortë të SHBA-së dhe alternativë qeverisjeje, e nxjerr nga izolimi dhe e mban në shina ideologjike të qartësuara që në 1991.

    Që të dyja zgjidhjet kanë një legjitimitet të caktuar moral.

    Zgjidhja e parë nuk ka të bëjë me atë që përfaqëson e djathta. Për të djathtën, politika është përpjekja e vazhdueshme për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njerëzve, jo të politikanëve, është përpjekja e vazhdueshme për të mbajtur gjallë komunitete dhe familje të shëndetshme ku njerëzit jetojnë me dinjitet me djersën e tyre, ku prindërit kanë mundësi të rrisin dhe edukojnë fëmijët dhe ku gëlon jeta me gjithë ngjyrat dhe sprovat e veta nën moralin që ka për burim atë që vjen prej Zotit. Politika për të djathtën nuk ka politikanin në qendër, por njerëzit. Për të majtën politika ka qenë gjithnjë diçka e lidhur me politikanët dhe interesat e tyre deri në atë pikë sa pushteti për ta nuk është një mjet, por një qëllim në vetvete. Lidhja e së majtës me politikën dhe pushtetin është e pashkulshme.

    Gjithsesi, PD-ja duhet të jetë e sinqertë kur zgjedh, nëse zgjedh të parën. nëse ajo do të zgjedhë të mbajë z.Berisha brenda grupi dhe ta bëjë atë kryetar, ajo duhet të thotë që e bëjmë në mbrojtje të kësaj vlere që është dinjiteti i z.Berisha dhe e drejta z.Berisha për të qenë aty ku e do vota. Ajo duhet ta thotë që kjo gjë ka vlerë përparësore për të më shumë sesa ardhja në pushtet. PD nuk duhet të jetë e pasinqertë dhe të thotë se non grata nuk ka rëndësi, sepse atë po e zgjidh z. Berisha në një Gjykatë në Paris dhe është një çështje që nuk ka lidhje me PD-në. PD nuk duhet të thotë që non grata u bë me konspiracion dhe komplot sepse marrëdhëniet serioze dhe sjellja serioze e një partie nuk mund të thonë që qeveria amerikane është pre e një konspiracioni, që vendimet atje merren me konspiracion apo me komplote kundër individëve të caktuar. Kjo do të kërkonte prova, nuk mund të jetë një akuzë e tillë ndaj një qeverie të huaj. PD nuk duhet të thotë që non grata mund të hiqet, sepse këtë nuk e ka thënë askush nga SHBA-ja. PD nuk mund të thotë që në SHBA ka dy qëndrime për non gratan sepse asnjë kryetar apo nënkryetar i senatit dhe i kongresit, asnjë guvernator apo asnjë zyrtar amerikan republikan nuk ka thënë që është kundër non gratas.

    Nëse PD zgjedh të dytën, zgjedh atë që është në interes të shqiptarëve dhe të PDsë, ajo duhet ta bëjë me sinqeritet për shqiptarët dhe për PD-në, nuk duhet ta bëjë për luftë politike me z.Berisha apo me të tjerët. PD duhet të gjejë forcë nga qelizat më të thella të vetat dhe të flasë me sinqeritet. Ajo duhet të zgjedhë ose ta shkatërrojë PD-në në emër të një morali ose ta shpëtojë PD-në në emër të një morali. Dredhjet dhe mashtrimet nuk do ta çojnë asgjëkund. Ajo që po bën PD duke dashur gjasme ta zgjidhë krizën është thjesht një fshehje e së vërtetës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Pse dhe si ndodhën vrasjet e 2 prillit 1991” | Flet për herë të parë ish-zv.ministri i Brendshëm

    Lajmi i rradhës

    Ndotet uji në Tetovë, do të ketë kufizime të ujit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë