Për një shoqëri të drejtë!

    KASTRIOT MACA

    “Një shoqëri e drejtë është ajo që kujdeset për të dobëtit, për ata që nuk mund të mbrohen vetë”- Platoni

    Shtresat më të margjinalizuara (të lëna mënjanë) të shoqërisë janë grupet shoqërore që përballen me varfëri, mungesë mundësish, diskriminim dhe përjashtim nga shërbimet dhe mundësitë që ofron shoqëria. Fati i paracaktuar i këtyre grupeve shoqërore është varfëria ciklike, stigmatizimi dhe përjashtimi i vazhdueshëm, duke mbetur pa mundësi për zhvillim dhe integrim në shoqëri. Nga përvoja ime, në ushtrimin e detyrës së noterit, kam konstatuar se grupi (shoqëror) më i margjinalizuar dhe me pamundësi absolute për të marrë shërbimet dhe përfituar mundësitë, që shoqëria ofron për secilin prej nesh, janë personat me aftësi të kufizuara mendore!

    I udhëhequr në punën time gjithmonë nga qëllimi për mbrojtjen sipas ligjit, i të drejtave të qytetarëve, duke menduar se kështu kontribuoj në mbrojtjen e shtetit ligjor, e kam ushtruar dhe ushtroj këtë profesion te nderuar, me përkushtim e korrektësi maksimale ligjore. Por, për shkak të pamundësisë ligjore, nuk kam pasur mundësi të jem i drejtë me këtë grup shoqëror. Ju betohem se rastet e refuzimit, për të kryer veprime noteriale në emër e llogari të personave me aftësi të kufizuara, të kërkuara nga familjarët e tyre, gjithmonë për shkak të pamundësisë sime ligjore, kanë qenë përvojat më të vështira dhe të hidhura të ushtrimit të profesionit tim. Më besoni, nuk ka gjë më të vështirë sesa refuzimi i kërkesës, prindit apo të afërmit të personit me aftësi të kufizuar mendore, për bërjen e një prokure për të tërhequr pensionin e këtij të fundit, apo për të disponuar të drejtat e tij pasurore, me qëllim krijimin e mundësive financiare për përballimin e kostove të jashtëzakonshme që nevojiten për kurim.

    Kjo pamundësi ligjore, për të kryer veprimet e mësipërme, ka ardhur për shkak se prindi/i afërmi i personit me aftësi të kufizuar, nuk ka pasur cilësinë e kujdestarit ligjor për të kryer veprime, në emër e llogari të fëmijës apo të afërmit të tij. Në legjislacionin shqiptar, të drejtat e personave pa zotësi veprimi (ose të cilët janë të pamundur të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe të menaxhojnë jetën e tyre për shkak të një gjendjes shëndetësore ose mendore) janë të mbrojtura nga disa dispozita ligjore që synojnë të sigurojnë dinjitetin, mbrojtjen dhe përfaqësimin e tyre të drejtë në shoqëri. Në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, është parashikuar që personat që vuajnë nga një çrregullim mendor ose një gjendje tjetër shëndetësore që i pengon të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre, mund të shpallen pa zotësi veprimi. Kjo shpallje bëhet nga gjykata, e cila përcakton nëse personi është në gjendje të përballojë detyrimet e jetës së tij apo jo.

    Legjislacioni civil shqiptar parashikon se personat që janë shpallur të paaftë për të vepruar, është e detyrueshme të përfaqësohen nga një kujdestar ligjor, i cili mund të jetë një anëtar i familjes ose një person tjetër i caktuar nga gjykata, i cili ka për detyrë të kërkoje, realizojë e mbrojë interesat e personit të paaftë dhe të menaxhojë veprimet e tij të përditshme. Kujdestari ligjor ka të drejtën dhe detyrimin të përfaqësojë individin pa zotësi veprimi, në të gjitha marrëdhëniet juridike si dhe në marrëdhëniet e natyrave të tjera që shërbejnë për të përfituar ndihmë financiare, shëndetësore dhe sociale. Për të hequr zotësinë për të vepruar të një personi, duhet të ndiqet një procedurë gjyqësore jashtëzakonisht e gjatë dhe shumë e komplikuar, që përcakton nëse individi është në një gjendje mendore që i pamundëson të kuptojë pasojat e veprimeve të tij ose të menaxhojë jetën e tij për shkak të një çrregullimi mendor ose gjendje të rëndë shëndetësore.

    Procedura, ose më mirë kalvari i mundimeve, fillon me një kërkesë të paraqitur nga anëtarë të familjes së personit me aftësi të kufizuar, procedurë e cila është shumë e gjatë dhe shumë e kushtueshme për shkak të ekspertizave e vlerësimeve pa fund mjekësore. Imagjinoni për një moment hallet e pamatshme të familjeve me persona me aftësi të kufizuara, të cilët edhe përkundër peshës së papërballueshme të këtyre halleve, iu duhet të ndjekin po vetë edhe kalvarin e gjatë gjyqësor për të fituar cilësinë e kujdestarit ligjor, në mënyrë që të kryejnë, në mënyrë të ligjshme, veprimet e duhura për krijimin e fondeve financiare për kurimin e këtyre personave. Është fakt se pjesa dërmuese e këtyre familjarëve nuk kanë as kulturën minimale juridike për të kuptuar dhe ndjekur këtë procedurë, si dhe nuk kanë as mundësinë e duhur financiare për të paguar një avokat për kryerjen e këtij shërbimi!

    Të ndodhur në kushtet e mësipërme, janë në pamundësi absolute të ndjekin këtë proces dhe për pasojë nuk mund të kryejnë, në mënyrë të ligjshme, asnjë lloj veprimi në emër e llogari të familjarëve të tyre me aftësi të kufizuara. Ndaj, për këto arsye, shoqëria ka përgjegjësinë të sigurojë që të gjithë këta persona, pavarësisht nga statusi i tyre social, të kenë mundësi të trajtohen me dinjitet dhe respekt, sepse në këtë mënyrë kryejmë detyrën e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Është plotësisht e mundshme që institucionet kompetente mjekësore, me konstatimin e paaftësisë mendore të një qytetari, të kenë detyrimin e njoftimit të hollësishëm të këtij fakti Shërbimit Social Shtetëror, i cili më pas duhet të ketë të drejtën dhe detyrimin për të filluar, kryesisht në gjykatë, procedurën për heqjen e zotësisë së veprimit për këtë qytetar dhe caktimin nga gjykata, të një personi te afërt të tij si kujdestar ligjor.

    Përfshirja e Shërbimit Social Shtetëror në procedurën e heqjes së zotësisë për të vepruar dhe caktimit të kujdestarit ligjor sjell lehtësi të konsiderueshme si dhe heq një barrë, gati të papërballueshme, për familjarët e personave me aftësi te kufizuara mendore, sepse ky institucion ka ekspertë, juristë dhe mjekë, kompetentë për kryerjen e kësaj procedure specifike e për pasojë garanton një procedurë më të shpejtë dhe më profesionale për gjykatat. Kështu, në këtë mënyrë, shmangen procedurat e gjata gjyqësore dhe mundësohet një reagim më i shpejtë ndaj nevojave emergjente të qytetarëve të mësipërm si dhe familjeve të tyre në nevoja ekstreme për ndihmë. Ne dimë shumë mirë, se një shoqëri e drejtë është ajo që siguron që çdo individ i saj të përfitojë nga mundësitë që shoqëria ofron. Për pasojë, ato shoqëri që nuk ofrojnë e garantojnë mundësi për të dobëtit, janë të padrejta.

    Drejtësia shoqërore realizohet vetëm falë angazhimit të të gjitha institucioneve të shoqërisë, për të ofruar mundësi të barabarta për zhvillim, shtresave në nevojë. Vetëm një shoqëri që trajton drejtësisht, ata që janë në pozita të pafavorshme, është e fortë dhe e qëndrueshme sepse kjo shoqëri siguron një barazi të vërtetë dhe përfshirje sociale për të gjithë shtetasit e saj. Trajtimi me dinjitet e drejtësi i shtresave në nevojë, është detyrë themelore e çdo shoqërie të qytetëruar./Gazeta Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Rëndësia e Krimesë për Ukrainën dhe Rusinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë