GËZIM TUSHI
Jeta e sotme është përfshirë nga valët e një “revolucioni të përshpejtuar”. Sipas politologëve dhe sociologëve, akoma është e vështirë për të përcaktuar konturet e plota të tij. Megjithatë, janë të mjaftueshëm treguesit që vërtetojnë se ky revolucion ka një lidhje direkte dhe të tërthortë me zhvillimet eruptive të natyrës teknologjike. Por përshpejtimi duket se është edhe politik dhe kjo duket në përfshirjen gjithnjë e më shumë të njerëzve në shoqëri apo në politikat për ripërcaktimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, është sociologjik dhe kulturor.
Zhvillimet intensive të shoqërisë shqiptare të kohëve të fundit kanë sjellë material të bollshëm sociologjik për të pranuar të vërtetën, se postmoderniteti është në thelb një ekuacion që ka dy anë koherente kryesore. Ato janë kompatibile dhe kanë të bëjnë me zhvillimin e integruar të anës materiale dhe shoqërimin në të njëjtën kohë nga prania e përshpejtuar e “revolucionit moral”.
Padyshim duhet parë “ana e mirë” e këtyre zhvillimeve dinamike, sepse evolucioni material i kohës së postmodernitetit, është shkaku kryesor që ndihmon të dalim prej truallit të vjetër të “epokës tradicionale”, duke ecur me shpejtësi dhe tempin e kohës në rrugë e drejtime të reja, që sikurse po duken janë materialisht dhe moralisht të akseleruara, tipike të epokës së postmodernitetit. Për pasojë, po përballemi me shumë tronditje sociale, kuptime të ngushta dhe keqkuptime të gjëra, për dukuritë e sotme të lidhura me faktin, që nuk kuptojmë apo nuk duam të pranojmë realitetin e ndryshuar, pranimin e së vërtetës se jeta postmoderne shqiptare ka nevojë jo vetëm për përmirësime të situatës materiale, por edhe përshpejtimin e ritmeve evolucionionare. Ndodhemi në situatë komplekse, të interferuar dhe integruar midis faktorëve materialë e moralë, kur nga njëra anë evolucioni material duhet nxitur me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet, ndërsa “revolucioni moral” duhet të përshpejtohet, duke ndryshuar qëndrimet dhe sjelljet njerëzore, si kusht për të qenë adekuate me kohën postmoderne. Për këtë gjendje kontradiktore sociologët mendojnë se ndodhemi në situatën kur “…hendeku që hapet midis evolucionit tonë të shpejtë material, që na nxjerr çdo ditë e më shumë prej truallit tonë dhe evolucionit tepër të ngadaltë moral, që s’na jep mundësi t’u bëjmë ballë rrjedhojave tragjike të kësaj daljeje”. Amin Maalouf, “Çoroditja e botës”, f. 60.
Shoqëria shqiptare në rrugën e postmodernitetit ka nevojë të riorientohet, duke ecur jo sipas rrugëve të vjetra, por sipas “piketave të reja”. Ky ndryshim nuk është i vogël. Ai është thelbësor, i rëndësishëm dhe i vështirë për t’u zbatuar. Shoqëritë postmoderne janë shoqëri me “konture sociale” të hapura, pa kufij të ngushtë e determinime morale të kufizuara. Në një “botë pa kufij dhe territor fiks”, ku gjithnjë e më lirë lëviz “njeriu nomad”, që endet individualisht në hapësira të çterritorializuara, duhet të mësohemi me logjikën e qytetarit postmodern, që është i aftë të orientohet në jetë, duke u përshtatur me normat morale si detyrim qytetar i përbashkët kombëtar dhe universal. Sepse postmoderniteti është një etapë e re, të cilës nuk mund t’i bësh ballë me iluzionet e vjetra, që shoqërisë sonë i vijnë nga e kaluara. Kjo etapë e zhvillimit të shoqërisë nuk mund të menaxhohet si duhet, duke idealizuar të kaluarën dhe reflekset që kanë dalë “jashtë përdorimit”.
Përkundrazi, kërkesa e parë që epoka postmoderne po i bën në mënyrë konsistente shoqërisë sonë, është aftësia e përshpejtuar për t’u çliruar prej reflekseve të ngurta, që kemi marrë prej së kaluarës, si mënyrë çlirimi prej paragjykimeve, atavizmave, arkaizmave. Sociologët që merren me matjen e ndryshimit të “normave shoqërore”, me të drejtë flasin për një “revolucion të përshpejtuar”, që është tipik dhe dominant në kohën tonë, revolucion i cili në shoqërinë tonë ka sjellë ka dy tipare: është i gjerë dhe i paqartë. Për fat të keq, akoma nuk ka përpjekje serioze, studime shteruese e analiza sociologjike sistemike të “trendeve sociale”, që shfaqen dukshëm në shoqëri, duke i mbuluar ato me “pelerinën e madhe” të analizave të problemeve politike dhe ekonomike. Pavarësisht kësaj, në fakt kjo situatë duhet vlerësuar në ndikimet strategjike dhe operative që akselerojnë ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë tonë. Në këtë etapë të ndryshimeve sociale janë evident dhe luajnë rol disa faktorë.
Ndikimi i intervenimit social të teknologjisë është njëri prej tyre, me impakt fare evident. Por krahas tij dhe në lidhje me të, janë edhe ndikimet e ndryshimeve politike, shoqëruar me një përfshirje të gjerë të qytetarëve në jetën politike, që ka ndikim social në ripërcaktimin e kornizave të vjetra të lirive, të drejtave politike, sociale dhe civile. Por është edhe një faktor tjetër me shumë rëndësi, sikurse është ai kulturor. Në përgjithësi këto situata dhe këta faktorë endemikë, ose nuk i vlerësojmë si duhet, ose i anashkalojmë në mënyrë subjektive. Në të vërtetë në kushtet e “revolucionit të përshpejtuar” të ndryshimeve sociale, ato janë komponentë strukturorë dhe ingredientë socialë përbërës që duhen njohur, kuptuar, vlerësuar dhe interpretuar drejt. Në përmbajtje dhe në formë, ideologjikisht dhe të interpretuara me gjuhë të saktë e kuptimplote. Këto ndryshime jo vetëm janë thelbësore, por edhe faktorë madhorë me kosto sociale që duhet “matur”, “llogaritur” dhe interpretuar saktë. Ndryshe nuk jemi në rrugën e duhur. Me shumë të drejtë sociologu Daniel Bell thekson, “mjerë ajo shoqëri që nuk ka fjalë për të përshkruar atë që po ngjan”.
Daniel Bell “Ardhja e shoqërisë postindustriale”, f 436. Nëse shoqëria jonë është në ngërç sociale dhe në gjendje të brendshme kontradiktore, në kufijtë formal të ligjit të kontradiktës, kjo është e lidhur me faktin, se në shumë gjykime ose jemi semplistë, ose peng i paradigmave dhe “ganxhave sociale” të së kaluarës. Ndoshta ngaqë jemi mësuar me konstatimet makrosociale dhe zgjidhet e përbashkëta totalitariste, e kemi të vështirë të kuptojmë se realitetet e sotme sociale janë ndryshe. Ato nuk mund të “shterohen” me skema të vjetra konceptuale. Vetëm duke i kuptuar kështu ndryshimet që po ndodhin në jetën sociale, mund të krijojmë kushtet objektive dhe subjektive që të hyjmë me guxim dhe hap të sigurt në postmodernitet, e cila sipas sociologëve, politologëve e sociologëve nuk është e thjeshtë. Sipas tyre, ajo është materialisht aq shumë dialektike dhe konceptualisht aq shumë e komplikuar, saqë ata e sintetizojnë me sintagmën e frikshme të “aventurës së re njerëzore”. Nëse do të jemi koherentë me këtë etapë të zhvillimit të historisë dhe shoqërisë postmoderne, atëherë duhet së pari të bindemi se ajo është një etapë krejt e re, një fazë ku metaforikisht “gjithçka duhet shpikur nga e para”.
Shoqëria ka një varg problemesh me natyrë kontradiktore, që shpesh shfaqen edhe si paradoksale nga vështirësitë që kanë të t’i kuptuar saktë dhe artikuluar drejt për të shpjeguar natyrën e tyre. Padyshim, jemi të përfshirë prej një vargu të gjerë ndryshimesh, të cilat janë aq të shpejta e dinamike, sa në kornizat konceptuale dhe sidomos me influencë të qëndrueshme në jetën e përditshme, të cilat kanë sjellë marramendje metafizike, paqartësi, vështirësi empirike të orientimit të me kërkesat e reja të kohës. Sidomos kjo situatë me kontradikta morale dhe ambiguitete psikologjike, sociale e urbane shoqërohet me vështirësi ontologjike. Kjo sipas mendimit tim, është për shkak të natyrës disi specifike të kohës dhe ritmeve të kalimit, veçorive të “kapërcimit vertikal” nga shoqëria e korracuar tradicionale drejt shoqërisë postmoderne, pa mundur të kishim kohën e duhur të zhvillimeve të modernitetit social.
Në këto kushte, jeta nuk mund të orientohet apo të bazohet në doktrinat e vjetra dhe modelet arkaike sociale. Nëse sot ndihemi keq apo kemi probleme me riorientimin postmodern të jetës sociale në shoqërinë tonë sot, kjo sepse ndodhemi përballë një situate të vështirë orientimi, shoqëruar me mungese besimi për atë që po jetojmë dhe përjetojmë, e cila nuk mund të kuptohet, shpjegohet dhe interpretohet as me ide sociologjike, gjuhë dhe modele sociale që ose “kanë vdekur”, ose janë në rënie përballë kërkesave të modelit dominant postmodern, të cilat kanë tendencë të bëhen parime mbizotëruese të jetës sociale në Shqipëri. Gjithsesi, koha postmoderne në shoqërinë tonë është etapë zhvillimi, e cila me natyrën e saj dukshëm të veçantë na detyron që të vështrojmë me kujdes të kaluarën tonë dhe natyrisht, për pasojë të mbajmë edhe qëndrimin e duhur kritik ndaj saj dhe vetes. Kjo do të thotë që postmoderniteti imponon një qëndrim të ri kundër idolatrizimit të ideve, koncepteve, ritualeve dhe praktikave të trashëguara, jo për t’i nihiluar ato apo për t’i larguar në mënyrë metafizike e mekanike nga “qarkullimi social”, por për t’i përmirësuar, transformuar, ndryshuar. Kjo është arsyeja pse koha që jetojmë kërkon tjetër optikë të shikimit të problemeve tona. Kjo ka bërë që të ndihemi keq kur kuptojmë se modeli tradicional i analizës, vëzhgimit, vlerësimit dhe kritikës sociale është “krisur”, është bërë i papërshtatshëm.
Gradualisht është duke dalë jashtë përdorimit. Por, ky ndryshim nuk është i lehtë. Madje, ai është një nga shkaqet madhore të krizës sociale, morale e shpirtërore që po kalojmë gjatë procesit të kapërcimit nga shoqëria tradicionale në shoqërinë postmoderne, e cila është krejt tjetër në të gjithë kuptimet, pikëpamjet dhe realitetet. Shoqëria shqiptare është shoqëri me organizim, filozofi sociale, policitet dhe moral tjetër lloj. Mund të duket ca e tepruar ideja e sociologëve postmodernë, të cilët në përpjekjen për të kornizuar hapësirat, kufijtë dhe tempin e ndryshimeve sociale, janë të mendimit se duhet të përshtatemi me një tipologji të re shoqërie, në të cilën “asgjë nuk do të jetë siç ka qenë më parë”.
Shoqëria shqiptare tani është krejt “tjetër”. Ajo nuk është më aq e ngurtë sa modeli i trashëguar i shoqërisë tradicionale, nuk është më aq i “saktë”, “simetrik”, social e doktrinar. Sepse moderniteti është një mënyrë jetese, kundër çdo tentative ideologjizimi ngado që të vijë dhe i çfarëdo natyre qoftë. Në fakt, kur erdhi në botë epoka moderne, filozofët dhe sociologët dhanë alarmin, se ishte nevojë imediate të zgjeroheshin “kufijtë e arsyes” njerëzore si mjet i domosdoshëm për ta kuptuar atë. Sot ky imperativ është akoma më imediat. Ndoshta deri në kufijtë që janë “para dhe përtej arsyetimeve” tradicionale e moderne, për të kuptuar fshehtësitë dhe enigmat e kohës që po vjen. Nëse nuk ndryshojmë optikën me të cilën duhet të vlerësojmë fenomenet, jo vetëm nuk do jemi në gjendje t’i kuptojmë dhe shpjegojmë, por akoma më shumë, kjo kohë do të duket si “kohë e shkaksive të papritura”. Ndaj duhet të përgatitemi që të përballemi me dinjitet me të…/Gazeta Panorama/